back to top
6.5 C
Tirana
E shtunë, 7 Dhjetor, 2024

Ylli mbi Lyknidë – tregim nga Gentiana Kone

on

|

views

and

comments

Lasgushi dhe Liqeni i Poradecit
Lasgushi dhe Liqeni i Poradecit
Ylli mbi Lyknidë
tregim nga Gentiana Kone

Për 7 ditë e 7 netë era frulloi mbi qytet dhe liqen me grithmën e botës të përtejme. Një fëllim i tillë s’mbahej mend që nga koha e shkundullimës së fundit, që tokën dhe ujin e Lyknidës kishte dridhur.
Nuk dihet nëse qenë shenjat e padeshifruara mbi gurët e rrënojave në kodër apo lutjet e atyre pak besimtarëve të mbetur, që zemrën e Shëlbyesit prekën, por një mëngjes mugëtira u hap dhe era rreshti.
Nga imshta që mbështillte kodrinën në veriperëndim të qytetit, plot pemë kishin rënë flì. Udha kryesore nga hyhej në qytet, ishte breshëruar me kokrra molle të rëna nga pemët në të dyja anët e shëtitores.
I pari që u shfaq buzë liqenit qè gjallesa shtatvogël mbështjellë me pallton e zezë të kthyer disa herë sëprapthi, për t’ia zgjatur jetën aq sa të zotit të saj. Borsalina ishte shenja e vetme e mbetur nga qyteti i perandorisë së dikurshme, ku kishte studjuar në rininë e hershme.
Netëve të bardha, në ëndërr herë-herë i shfaqej ai qytet me katërgërmëshin* e tij sqimëtar. Aty kishte rilindur së dyti, por këtë dhe ëndrrat nuk ia rrëfente njeriu, as krijesës së tij më të dashur, kones bardhore.
Shtëpia, fjalë tepër e nderuar për atë dykatësh të gurtë, ku era frynte nga të gjitha anët, ndodhej në rrugicën që emrin “Udha e lumit” mbante.
Nga njëra anë, ajo shihte liqenin dhe kjo qè e mira e vetme e saj, pa llogaritur manin e lartë, që bahçen mjaltonte me kokrra çdo vit.
Shtëpia kishte edhe një papafingo e cila kërkëllinte rënkueshëm nga pesha e librave. Shumë nga këta të fundit i kishte djegur netëve pa hënë, në sobën në mes të qilarit, por atë të ftohtë që kishte ndjerë pranë zjarrit të saj, nuk e kishte provuar as dy vitet e sanatoriumit në tokën e largët, ku fryma i ishte shndërruar në një fije të hollë, gati për t’ju këputur nga çasti në çast.
Si Shën Lazarin, Perëndia e kishte shëndoshur sërish me vite jete, që s’donin të mbaronin. Thuhej se në atë ecejakun e tij vetmitar, lutje mirënjohëse pëshpëriste, për Atë që Fjalën krijoi.
Disa e mbanin për të marrë e të tjerë e dinin të vdekur, por një gjë ishte e sigurtë, vargje s’kishte shkruar më qëkur çlirimtarët kishin ardhur me poemat e këngët e tyre luftarake.
Në një nga stolat buzë liqenit, një zonjë flokargjendtë punonte me gjilpërë të hollë e pe në ngjyrë të butë të fildishit një çentro. Pranë saj, një vajzë e vogël me këmbë të gjata lejleku dhe flokë mjaltoshe me balluke të prera krejt drejt, fliste e fliste papushim. Me një sy fëmija ndiqte me admirim dantellën që rritej në çdo rrotullim të dorës së zonjës dhe me tjetrin liqenin, ku pulëbardhat rrëshqisnin me vringëllima drite.
Prindërit e dërgonin çdo vit të kalonte një muaj në shtëpinë e tezes së të atit.
Lumturia e gicilonte, sapo zinte vend në trenin që herët nisej nga kryeqyteti.
Muaji kishte magjinë e librave, ujit të freskët të liqenit dhe të ëmbëltave “kokë arapi”, që tezja i fshihte për t’ja dhënë asaj.
Burri i tezes njëherë e një kohë, në atë të mbretit, mësues, mirëmbante prej 30 vjetësh tashmë barkat e peshkatarëve. Rrëfente historira të asaj kohe e shpesh recitonte vargjet e dashurisë që i madhi poet kishte shkruar pranë liqenit më të lashtë të atij kontinenti.
Një mëngjes herët e zgjoi pa gdhirë dhe e mori me vehte. Ishte dhurata e premtuar për 10-vjetorin e saj të afërt.
Qyteti ende i përgjumur ndër krahë ëndrrash, ishte i heshtur. Përtej malit, drita e agut nuk po bënte ngut me dalë. Varka buzë bregut i priste me krahët-lopata të mbështetura qetazi në guralecët e bardhë.
Me zemrën që rrihte më fort se kurrë, shquajti krijesën shtatvogël me qenin e bardhë në prehër, që i priste.
Zunë vend pa folur në barkë, ai dhe konia në kiç, ajo në fund.
Lopatat u lëshuan qetazi në ujin e palëvizur, ku fije të brishta drite pasqyroheshin. Një tis i lehtë bryme mbulonte ujin më tej dhe drita e yllit të fundit shndrriste në qiellin që njësh bëhej me ujin kristal në vijëzën atje larg të horizontit. Dritat e Shën Naumit shndritnin në të djathtë mallueshëm, si yje të ndara prej kohësh nga vëllezërit e tyre. Në qetësinë që i mbështillte, dëgjoheshin herë-herë piklat që binin nga lopatat në ujë. Një çast dhe sërish heshtje e plotë, si madhështia e atij agu, atij liqeni, asaj barke.
Nga ku rridhnin ato vargje të tij, të thella sa uji i Lyknidës, të lëmuara nga flokë floçkash, me ëmbëlsinë e manit të bardhë buzë liqenit?
Shumë herë kokën e saj prej fëmije kishte pyetur se si qè e mundur që Poeti të kishte një shtat aq të vogël?!
A nuk duhej shtati i tij të ishte si ai i viganëve në rrëfimet e hershme apo kishte qenë dikur me një shtat të tillë dhe ishte tkurrur e zvogëluar, kur e ndaluar ishte bërë për dashurinë të shkruaje?
Kishte mbetur vejan qëkur të dashurën ja kishin vrarë dhe atë vetë e ndaluan vargje drite asaj t’i thurrte.
Nëse për atë që grimca e parë e jetës ishte, nuk mund të shkruhej më, për çfarë mund të shkruhej vallë?
E ndrojtur dhe e etur për përgjigje, ktheu kokën dhe e vështroi.
Ai po e shihte ngultas me sytë e tij të zgjuar, teksa konen përkëdhelte dashurisht.
Kuptoi atëherë që Poeti nuk kishte ndalur kurrë së lumnuari me vargje dashurinë. Nuk i shkruante më, por çdo ag e mbrëmje, kur bariste buzë gjolit, kones së dashur ja pëshpëriste.
Veç ajo bardhësirë e vogël, katërkëmbësh i leshtë, njihte të gjitha vargjet e tij dhe besnike siç qè, sekretin do ta merrte me vehte.
Lumturia e pushtoi të tërën dhe zemra e kthyer në zog, fluturoi bashkë me varganin e rosave që u shfaqën në qiell, në një “V” të përkryer.
Klithmat e tyre përshëndetëse hapësirën ujore mbuluan dhe tej e më tej u dëgjuan.
Dielli ishte tashmë i plotë në qiell. Në sipërfaqen e ujit cirka argjendi vallëzonin.
Një lehje njërrokëshe mjaftoi dhe barka filloi të rrëshqiste drejt bregut.
© GK☘️

[*Graz= qytet në Austri ku poeti Lasgush Poradeci ka kryer studimet universitare dhe fituar titullin “Doktor Profesor në Filologji”.
*Lyknidë – emri i hershëm i liqenit të Ohrit.]

Related Images:

Share this
Tags

I ke lexuar?

Kontesha Bengazina – nga Lazër Radi – Pjesë nga Libri “Vorbulla t’Jetës Universitare” (Roma)

 Nji prej historive ma të bukura studentore, të rrëfyeme mjeshtrisht prej Lazër Radit në librin autobiografik: “Vorbulla t'jetës Universitare”, ku ai me at sinqeritetin e tij...

Katalogimi i Veprës së Plotë të LAZËR RADIT

  Katalogimi i veprës së plotë të LAZËR RADI  Materiali që paraqesim asht nji bibliografi e thuejse krejt Veprës së Plotë të Dr. Lazër Radit, botue dhe...

Kujtimet e mia me At Zef Valentinin – nga librat e Lazër Radit

Kujtimet e mia me At Zef Valentinin nga librat e Lazër Radit Kanuni dhe teza e doktoraturës Mbasi mbylla llogarinë me Procedurën Civile, në mënyrën ma të...

Te rejat

More like this

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.