Krist Maloki – (8 prill 1900 – 24 nëntor 1973) Vigani i mendimit liberal

Prof. Krist Maloki (1900-1972)

Prof. Krist Maloki (1900-1972)

Krist Maloki – (8 prill 1900 – 24 nëntor 1973)

Vigani i mendimit liberal

Prof. Dr. Phl. Krist Malokit, njëri prej viganëve të mendimit liberal progresist shqiptar në vitet ’20 – ’30 e më pas. Krist Maloki është shqiptar prizrenas nga Kosova. 35 vjet më parë, nëntor 1973, pushoi zemra e tij në Grac të Austrisë, duke lënë një trashëgimi veprash të vyera të mendimit filozofik e liberal progresist shqiptar të viteve ’20-’30 e më pas. Zemra i pushoi e u përcoll në banesën e fundit me nderim a përmallim të familjes, miqve e studentëve të tij të shumtë, po zemereku1) i mendimeve e vlerësimeve të tija për çështjen kombëtare shqiptare e progresin shoqëror nuk ka pushuar asnjëherë. Ai punon dhe aktualisht.
Lindi më 8 prill 1900, në qytetin e Prizrenit, kryeqendër historike e kombit shqiptar, aty ku morën rrugë idealet kombëtare për zhvillim liri e pavarësi, për dinjitetin kombëtar shqiptar. Aty ku e ka zanafillën Shqipëria e re demokratike. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje pranë një shkolle katoliko-shqiptare të Prizrenit me rezultate shumë të mira. Në moshën 12-vjeçare me interesimin e austriakëve dërgohet me bursë për studime në Grac të Austrisë. Pasi kreu arsimin e mesëm, arriti të kualifikohet në arsimin e lartë, duke marrë dy doktoratura, të parën në 1929 në Filozofi dhe të dytën në 1934 në shkencat juridike.
Ushtroi detyrën e profesorit të rregullt në Akademinë Tregtare në qytetin e Gracit dhe njëkohësisht profesor pranë këtij universiteti për letërsinë shqipe e ballkanike. Për kontributin pedagogjik e shkencor, qeveria austriake i akordoi titullin “Oberst-studientat”, kryekëshilltar arsimor2).
Në formimin e tij kulturor, qytetar e progresist shoqëror, veç arsimimit e kualifikimit në Austri, ka ndikuar edukimi atdhetar në Prizren e Kosovë. Ai rrjedh nga një familje dhe ambient tradicional katolik kosovar të shquar në besnikërinë e identitetin kombëtar shqiptar.
Në rininë e tij të hershme dhe më vonë ai u njoh me trashëgiminë letrare patriotike të shkrimtarëve të traditës veriore si të Gjon Kazazit, Pal Hasit, vëllezërve Bogdani, Andrea e Pjetër Bogdani, për të vijuar më pas me Ndue Bytyçin, Shtjefën Gjeçovi e mësuesit që hapën shkollën shqipe të Prizrenit si Mati Logorecin, Lazër Lumezin, por edhe Zef Mirditën, Mark Krasniqin bashkëkohës të Krist Malokit etj. Ai ishte një erudit i spikatur dhe njohës i mirë i kulturës, historisë dhe letërsisë kombëtare shqiptare e asaj ballkanike.
Në gjithë veprimtarinë e tij Krist Maloki u ndikua nga rrymat e kohës, duke i qëndruar besnik kulturës së shkollës katolike shqiptare me qendër Shkodrën i lidhur ngushtë me Fishtën, Arapin, Mjedën etj.
Shkolla e klerikëve të Veriut luajti një rol historik në ndërgjegjësimin e shqiptarëve për t’u përballë me sfidat e ardhshme për liri e pavarësi dhe progres kulturor e ekonomik. Gjatë gjithë jetës, ndonëse i vendosur në Austri, Maloki nuk i shkëputi lidhjet e kontaktet me Shqipërinë e shqiptarët. Ndihmoi studentët kosovarë e shqiptarë në sistemimin dhe mbarëvajtjen e punës së tyre. Ai u prezantua me punë si një studiues serioz dhe guximtar, me ndikim të madh në qarqet intelektuale.

Oriental apo okcidental - Krist Maloki

Oriental apo okcidental – Krist Maloki

Në 1940 u ngarkua me drejtimin e Katedrës për problemet e Evropës Jug-Lindore në Universitetin e Gracit, nga ku vuri në lëvizje studiues të rinj shqiptarë e të huaj për historinë, gjuhën e kulturën shqiptare. Megjithëse i penguar nga etiketimi i vendosjes së personalitetit të tij nga paragjykimi komunist në Kosovë e Shqipëri në “pozicionin reaksionar”, si shkencëtar me popullaritet dhe me pasaportë të shtetësisë austriake, arriti ta vizitojë në 1962, Shqipërinë e më parë e më pas dhe Kosovën e tij të dashur. Ai u ftua nga Komiteti i Marrëdhënieve Kulturore me Botën e Jashtme vizitoi Tiranën, Shkodrën dhe u prit me kufizime edhe në Universitetin e Tiranës, në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Vizitoi me interesim disa nga muzetë dhe institucionet kulturore të vendit. Takoi njerëz të thjeshtë, nxënës dhe studentë, nëpunës të pushtetit vendor e u njoh me punën, jetën e sidomos problemet e kohës. Ndonëse Shqipërinë e 1913, të ndarë nga Kosova e quajti si vend i mallkuar nga Djalli, për rrethanat e njohura historike-shoqërore që sollën shekujt mbi të, por dhe vend të bekuar nga Zoti, sepse çdo dorë grabitqare mbi të, digjet, shkrumbohet e cungohet për të zezën e vet. Prandaj Shqipëria ka mbijetuar e do ekzistojë në jetë të jetës. Disa herë ai ka vizituar dhe vendlindjen e tij, Kosovën, nga e cila nuk u shkëput asnjëherë. Por dhe aty, ngaqë nuk pranoi t’i nënshtrohet vënies në shërbimin agjenturor jugosllav e ngase dhe atje e konsideruan “i padëshirueshëm”, nuk u mirëprit e nuk iu siguruan kushtet për komunikim direkt me intelektualët kosovarë. Në një letër që i drejton Kazim Prodanit në 1965, e në shkrimet e mëvonshme, sidomos në ciklin e bisedave në Radio Austria, ai paraqet zhgënjimin e thellë për sistemin komunist në Shqipëri dhe Kosovë, me të gjithë problematikën e kohës. Po në të njëjtën kohë, duke mos qëndruar në pozitën e kontestuesit e moralizuesit pa kufi, jep dhe rrugëzgjidhje afatshkurtra (zhvillimin arsimor e kulturor veçanërisht të rinisë shqiptare) dhe afatmesme (marrjen në dorë të problemeve të Kosovës deri në shkëputje nga vetë kosovarët e sidomos rinia kombëtare shqiptare në Kosovë e Shqipëri. Sot Kosova është e pavarur, shtet sovran i shqiptarëve që respekton dhe pakicat kombëtare joshqiptare. Në këtë arritje historike është dhe kontributi i Krist Malokit e atdhetarëve të tjerë në mërgim, mendimet e të cilëve janë testament për rrugën e progresit. Krist Maloki jep një kontribut të qartë në përcaktimin e raporteve: “Të vjetër” e “Të rinj”, “Komb” e “Shtet”, “Shtet autoritar”e “Shtet demokratik” “Shteti nuk është komb” etj. Prirjes negative për ta quajtur popullin shqiptar të Kosovës – Komb i ri (?!) i shprehur më parë dhe sidomos kohët e fundit, edhe Krist Maloki jep përgjigje dërrmuese atë përgjigje që jep gjithë historia e gjallë e kombit shqiptar. Një përcaktim i tillë, i cili nuk ndeshet për herë të parë, si ide e tillë e mbrapshtë s’ka për t’u realizuar kurrë.

Sa qe gjallë Krist Maloki, si dijetar shqiptar, me emër nuk la ndonjë libër si vepër të veçantë, por ka lënë një opus të madh shkrimesh e dorëshkrimesh me vlera të mëdha në fushën e mendimit filozofik e progresiv për kulturën shqiptare. Sot studiuesit shqiptarë kanë dy botime librash seriozë ku janë përfshirë e sistemuar pjesë të rëndësishme nga vepra e Krist Malokit si “Oriental apo Oksidental” botuar nga “Plejad” Tiranë 2003, gjithsej 21 tituj shkrimesh të mbledhura nga mediumi i kohës e sistemuar me kujdes nga Ndriçim Kulla3). Botimi tjetër “Krist Maloki – Refleksione”, botimi “Faik Konica” Prishtinë 2005, përgatitur nga A. Ramaj, me shkrimet kryesore, të botuara që nga 1926 te “Hylli i Dritës” si: Ideja Shqiptare, Patriotizmi Shqiptar, Shteti apo Kombi, Kombi në rrezik etj. Në këtë përmbledhje janë përfshirë edhe shkrimet vlerësuese për Krist Malokin, nga Hamdi Uruçi, Romeo Gurakuqi, Isak Ahmeti etj., në “Hylli i Dritës”, “Shejza”, “Phoenix”, “Iliria” etj. Me interes është edhe vlerësimi që i bën Krist Malokit edhe Prof. Dr. Koço Bihiku në revistën “Të drejtat e njeriut”, Viti VI Nr. 1 (21) Tiranë, 2000. Po, me shumë vonesë ky shkrim vlerësues sepse është paradoksale dhe e papranueshme që te “Historia e Letërsisë Shqiptare” Tiranë 1983, për Krist Malokin e jo vetëm për të por edhe për Branko Merxhanin e Vangjel Koçën, nuk shkruhet asnjë rresht për kontributin e tyre letrar, përveçse për anateminë e tyre si rrymë reaksionare.
Duke parë në kronologji punën studimore e krijuese të Krist Malokit, mund të veçohen si studimet më të rëndësishme të tij:

1925: Për Naim Frashërin në 25-vjetorin e vdekjes.
1933: Shqipëria si problem ekonomik e politik.
1936: Kombi në rrezik.
1936: Diktaturë, Liberalizëm apo Shtet autokrat.
1937: Oriental apo oksidental.
1938: A ashtë poet kombëtar Lasgush Poradeci?
1960: Gjergj Fishta, Kujtime dhe Kundrime rreth 20-vjetorit të vdekjes etj.

Krist Maloki është vlerësuar më 1966, pasi doli në pension, duke iu dhënë dekorata më e lartë nga Akademia e Shkencave e provincës së Korintisë (Austri). Qe fatkeqësi që vitet e fundit të jetës humbi shikimin, gjë që e shkëputi nga veprimtaria studimore, duke e lënë në brengë për mospërfundimin e dy monografive, njërën për Bajram-Currin dhe tjetrën për Luigj Gurakuqin. Në gjithë veprën e tij studimore letrare e historike del në pah tipari kryesor i një studiuesi me kërkesa të rrepta. Përfundimet janë të mbështetura në të dhëna e fakte të verifikuara.
Duke qenë njohës i mirë i realitetit të kohës ai nxjerr konkluzione që të bëjnë të mendosh medoemos për zgjidhjen e problemeve e për t’i dhënë rrugë progresit. Në shkrimin “Kombi në rrezik”4) ai jep një tablo reale të gjendjes së nivelit ekonomik dhe shoqëror të vendit që përbëjnë dy shtyllat kryesore të shtetit. Nga nivelet shumë të ulëta të prodhimit bujqësor, me disnivel të madh në krahasim me vendet fqinj, është shumë i ulët edhe import-eksporti.

Krist Maloki, mes studentësh në Grac

Krist Maloki, mes studentësh në Grac

E gjithë gjendja e mjeruar e arsimit nga mungesa e kuadrit, godinave shkollore dhe bazës materiale për të mësuar, konsiderohet nga autori si problemi më emergjent, nga zgjidhja e të cilit, do merrte rrugë i tërë progresi shoqëror. Veç këtij kontestimi ai me guxim jep parashikimet e zgjidhjes, duke caktuar një afat 20-vjeçar. Dhe vërtet, kështu ndodhi kur këto çështje i mori në dorë inteligjenca kosovare e sidomos lëvizja studentore pas 1974 e 1981.
Autori i studimit, që më 1936, shpresën e shpëtimit e mbështeste tek rinia. Tek ajo rini e frymëzuar nga patriotizmi e përkushtimi, duke theksuar se “…shpëtimi i kombit varet vetëm nga ndërgjegjja e popullit. Dhe këtë ndërgjegje mund ta zgjojë dhe ta ndezë vetëm flaka dinamike e një djalërie të pastër, të një djalërie vetëmohuese dhe plot aktivitet shembullor”. Me studimin “Oriental apo oksidental”, Krist Maloki mori pjesë në polemikën e kohës midis “të Vjetërve dhe të Rinjve”. Që në fillim, në mënyrë serioze, ai jep kuptimin etimologjik e semantik të këtyre termave, që me “oriental” tipizoheshin “të Vjetrit”, ndërsa me “oksidental” vetëquheshin “të Rinjtë” si idhtarë të mendësisë evropiane të kohës. “Orientalizmi” si mendësi dhe praktikë që paraqitej në Shqipërinë e kohës, sipas Malokit, nuk duhej ngatërruar e lidhur vetëm me trashëgiminë shpirtërore që lanë pushtuesit osmanë. “Orientalët” modernë shqiptarë si ideal kanë kolltukun, rehatinë vetjake, të arritur në kurriz të së mirës së përgjithshme. “…orientali shqiptar bëhet kur e do nevoja edhe patriot e tradhtar, monarkist e bolshevik, përparimtar e reaksionar, bile edhe shok i fortë me të tjerët. Porse në shpirt asht oriental, kryekëput rrënimtar, destruktiv…”.
Po Krist Maloki, nuk kursen kritikën edhe ndaj oksidentalizmit, tek i cili, ndonëse me veshje evropiane, në shumë raste strehohen orientalët e konservatorët shqiptarë për periudhën kur ai shfaqej deri në nivelin monarkik. Sidoqoftë, oksidentali para së gjithash, shquhet nga fryma e lartë qytetare dhe ndjenja e përgjegjësisë përpara shoqërisë dhe popullit, prandaj ana nga e cila ne duhet të shkojmë është oksidenti.
Ndryshe nga Branko Merxhani 5) i cili në vend të tradicionalizmit mbështeste modernitetin, Krist Maloki i mëshonte idesë se flamuri i veprimtarisë sonë kulturore ishte tradicionalizmi, prandaj ngulmonte që “Ne përkrahim dhe duhet që ta ndjekim me të gjitha përmasat e veta përparimin në çdo degë të diturisë dhe të jetës, por tradicionalizmin duhet ta ruajmë me vetëdije të plotë si komb”.
“Jemi të bindur se po deshëm me rrue në botë si shqiptarë, duhet të vëmë në themel të bashkëjetesës sonë kombëtare, traditën, që breznitë e ardhme ta endin jetën e tyne me elementat ma bujare të përvojës së Etënve të lashtë. Kush lakmon përtëritjen e shkëputun nga tradita, ai verbërisht përgatitet me marrë traditat e të huejit”. Dhe vazhdon më tej kur thekson se “Tek gjendja jonë e varfër shpirtërore sundon e kaluara, gjenden hijet e pushtimeve të huaja e fryma e keqe, që ata krijuan e na lanë”.

Krist Maloki, Vizatim nga G. Freitag

Krist Maloki, Vizatim nga G. Freitag

Lufta midis “Pleqve” dhe të “Rinjve” tek ne dallohet nga drejtimi që ajo ka kundër një armiku të padukshëm e të rrezikshëm për shpirtin e kombit – përçarja kombëtare. E kjo luftë është lufta e djalërisë shqiptare kundër armikut të zemrës së vet, është lufta e një mendjeje të shëndoshë kundër një mendjeje të mbrapshtë, është lufta e dritës kundër errësirës në llogoret e së cilës pastrohet ndërgjegjja e kombit drejt prosperitetit oksidental dhe evropian. Këtë mësim e gjen pikërisht te lëvizja kulturore e plejadës se mendimtarëve të viteve ’20-’30, përfaqësuar nga grupime e rryma të ndryshme filozofike, por si pikë të përbashkët ato patën frymën e ndryshimit.
Këtë e kërkonin pasuesit e Rilindjes si Noli, Asdreni, Lumo Skëndo, Çajupi, Fishta, Mjeda, Ali Asllani, L. Poradeci etj., për të vazhduar me prurjet më të reja të mendimit shqiptar si Branko Merxhani, Krist Maloki, Vangjel Koça, Anton Harapi, Tajar Zavalani e Ismet Toto apo Nonda Bulka, Shuteriqi, Spasse, Migjeni, Gasper Pali, Mitrush Kuteli etj. E njëjta gjë ndodhte në trojet shqiptare jashtë ku pasurohet mendimi përparimtar shqiptar nga Martin Camaj, Esat Mekuli, Mark Krasniqi, Hivzi Sulejmani.
Mediumi i kohës përfaqësuar nga organet më në zë si: “Shkëndija, Demokratia, Hylli i Dritës, Illyria, Minerva, Rilindja, Bota e Re, Neo-Shqiptarizma, Dielli, Shejzat etj.”, ku shkruanin këta mendimtarë, krijuan një edukatë të re qytetare në truallin politik kulturor shqiptar. Me tolerancë a pa inate, jashtë meskinitetit e interesave personale sollën frymën e re për t’u bërë forcë e re ndryshimi. Ata e luftuan doktrinën fashiste e njëherësh lëshuan alarmin për rrezikun nga bolshevizma në Shqipëri. Kjo u pasqyrua në polemikat me revistat ultra të majta si: “Rilindja” apo “Bota e Re” etj.
Në qendër të krijimtarisë dhe punës studimore ata vunë interesat kombëtare, për të zgjuar nga gjumi energjitë e pashtershme të popullit, kryesisht të rinisë shqiptare, për ta bërë Shqipërinë zonjë të nderuar midis kombeve të tjera.
Në këtë plejadë mendimtarësh progresistë u shqua edhe Krist Maloki me pjekurinë dhe individualitetin e tij po në unison në mbrojtje të idealit kombëtar shqiptar. Ai ka lënë një trashëgimi të çmuar edhe në vlerësimet e gjykimet për letërsinë dhe artet. Për poezinë shqiptare, ai me mjeshtëri dhe takt, po edhe duke zgjuar traditën polemizuese të Konicës, pa fyer asnjë, ai i bëri analizën krijimtarisë së Naim Frashërit, të cilin e ç’mitizoj dhe veç vlerave të mëdha si poet kombëtar, vuri në dukje dhe ndikimin e tij nga poezia persiane si dhe përshkrimin e poezisë së tij nga fryma mistiko-fetare dhe erotike.
Pavarësisht se është bashkëkohës, i njohur e mik i poetit Lasgush Poradeci, ai me takt hyn në polemikë me Mitrush Kutelin i cili nga Rumania i kishte bërë një vlerësim shumë të lartë Lasgushit. Krist Maloki, pa fyer as Lasgushin e as Kutelin, i nisur nga misioni i poetit që duhet të jetë pasqyrë e shpirtit të kombit, lajmëtar i dëshirave, ëndërrimeve, shpresave dhe brengave më të fshehta të tij, i bëri një vlerësim krejt ndryshe nga Kuteli poezisë lasgushiane.
Ai te shkrimi “A është poet Lasgush Poradeci?” 1938, ndër të tjera shkruan: “Lasgushi është ndoshta një farë poeti, por jo në kuptimin e naltë të fjalës sepse në poezinë e Lasgush Poradecit nuk gjetën jehonë ngjarjet e mëdha historike të së kaluarës apo fatet e kombit”. Këtë konstatim Maloki e konkretizon me poezitë: “Kënga pleqërishte”, “Poradeci”, “Kroi i fshatit tonë” etj aq sa shprehet se ato nuk ndriçojnë asnjë problem shqiptar, madje në lirikat dashurore apo filozofike duke u arratisur nga realiteti, shfaqi mospajtimin e tij me gjendjen politike-shoqërore të vendit.
Me këto mendime e sugjerime për poetët e shkrimtarët Prof. Maloki e vë veten në të njëjtën linjë me traditën e rilindësve, po dhe me idenë e re se: “Po nuk u muar shkrimtari me shoqërinë, dhe po nuk qe dhe ky i fundit i dobishëm për atë shoqëri, as që është nevoja të quhet shkrimtar” dhe “ Duhet të themi të vërtetën. Të mundohemi të jemi sa më realist”.6)
Gjatë 50 vjetëve të së kaluarës emrat e Krist Malokit, Branko Merxhanit, Vangjel Koçës, Anton Harapit, Ismet Totos etj., u vendosën në një “pozicion reaksionar” ose u lanë në heshtje hermetike, duke mos u trajtuar deri edhe në “Historia e Letërsisë Shqiptare” Tiranë, 1983. Erërat e lëvizjes demokratike të pasvitit ’90 bënë të mundur që të rifunksionalizohet qëndrimi ndaj kësaj plejade të mendimtarëve progresistë shqiptarë të viteve ’20 -’30 për t’i kthyer në “shtëpinë” e tyre, ku “utopia” u kthye në realitet për ecjen drejt përparimit progresist në familjen e madhe euroatlantike.

Refleksione - Veper e Krist Malokit

Refleksione – Veper e Krist Malokit

Referencat

1.Zemerek- mekanizëm që vë në lëvizje akrepat e orës. Burimi gjuhësor: fjalë me rrënjë – zemër organi jetësor që vë në lëvizje qarkullimin e gjakut. Fjalor i gjuhës së sotme shqipe. Tiranë 1980, fq. 2223
2.Krist Maloki: “Oriental apo Oksidental” Plejad, Tiranë 2003, fq. 159
3.Krist Maloki vepër e cituar fq. 7
4.Krist Maloki vepër e cituar, fq 143 dhe gazeta “Arbënia” 1937
5.Branko Merxhani: “Vepra” Plejad Tiranë 2003, fq. 206 e 305
6.Historia e Letërsisë Shqiptare. Tiranë 1983 fq. 476
Gazeta Standard, 13 nëntor 2008
Ps.*(Shkrimi është pa autor. Nëse ndokush paraqitet si autor i shkrimit, emri tij do t’i bashkangjitet këtij shkrimi

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook