back to top
26.5 C
Tirana
E hënë, 17 Qershor, 2024

Ministria e Jashtme injoron dhe përçan shkollat shqipe në Itali – nga Artur Shkurti – Drejtor i shkollës “Udha e shkronjave”

Gazeta

Artur Shkurti - Drejtor i shkollës "Udha e Shkronjave" - Tiranë
Artur Shkurti – Drejtor i shkollës “Udha e Shkronjave” – Tiranë
Ministria e Jashtme injoron dhe përçan shkollat shqipe në Itali
nga Artur Shkurti
Drejtor i shkollës “Udha e shkronjave”
Autor i librit “Global Albania”

Aksioni për përçarjen politike të diasporës nuk ka të sosur në kuadër të veprimtarive politike të Partisë Socialiste në diasporë “Krenarë për Shqipërinë”. Cilësimi “organizim politik” nuk është opinion por fakt i pohuar nga disa drejtues të PS, veçojmë Damian Gjiknuri në A2CNN, ku për veprimtarinë në Greqi tha “Ky është organizim i Partisë Socialiste”.
Të ndash “politikën shtetërore” nga politika partiake, kur edhe shtetin e drejton një forcë politike, nuk është e lehtë dhe kjo ndodh pikërisht se partitë politike (edhe ato të opozitës kur kanë qenë në pushtet) e kanë të vështirë të investojnë në “shtet” dhe e kanë fare të lehtë ta “eksportojnë shtetin” tek Partia, dhe Partinë tek Individi.
Mendimin tonë për mesazhet e dhëna në takimin e 12 majit në Greqi e kemi dhënë në artikullin “Analizë e fjalimit të plotë të Edi Ramës në Greqi: dekurajim i kthimit në atdhe dhe nxitje e asimilimit” por edhe në intervistën që kemi dhënë në A2CNN me gazetarin Erion Dushi (shih videon).

Me shumë interes po ndjek veprimtarinë e radhës në Itali
Nuk vonuan të dalin shenjat e para të përdorimit politik të organizimeve në fushën e shkollave shqipe. Megjithëse shkollat shqipe e kanë të qartë edhe nga ligji italian që nuk duhet të përdorin statusin e tyre për organizim politik qoftë “politika” edhe një organizatë e huaj, ato nuk e kanë problem të ndajnë për komunitetet e tyre njoftimet e Partisë Socialiste që pikërisht për të kaluar “filtrin politik” u mungon logoja e Partisë Socialiste. Është mendimi im që Partia Socialiste më shumë do të fitonte të deklaronte logon, sesa përpiqet që pa deklarim të logosë “t’i kapë rrjeta më shumë peshq”. Nuk është e ndershme, nuk është kombëtare, është përçarëse, është ngatërruese, është finoke.

Kursi i Ministrisë së Jashtme “Jam shqiptar”
Më mirë do të ishte që Ministria e Jashtme t’i jepte përgjigje pyetjes, “Çfarë shqiptari kërkon të gatuajë” me shkollën e saj: një shqiptar politik dhe anëtar i Partisë Socialiste, apo një shqiptar që nuk identifikohet me një parti politike. Vetëm dy ditë para takimit të Edi Ramës në Milano, Ministria e Jashtme kujtohet të lëshojë një kurs për gjuhën shqipe të titulluar “Jam shqiptar” me nxënës shqiptarë dhe ai i kryer në Shqipëri dhe jo në Itali.

1.Pse kurs në Shqipëri dhe jo kurs në Itali?
Kjo sepse Ministria e Jashtme dhe Qeveria është e angazhuar që ky tur me diasporën të dekurajojë kthimin e emigrantëve në atdhe (për aq sa varet prej tyre dhe të dekurajojë shkollat shqipe dhe arsimin shqip (për aq sa kjo varet prej tyre).
Është jashtë çdo lloj logjike, koherence e standardi që Ministria e Jashtme ua ofron këtë kurs “Jam shqiptar” vetëm të rinjve nga Italia (edhe atyre 1 në 1000). Do të shohim që Ministria e Jashtme i ka hyrë detit më këmbë me këtë nismë dhe ajo qartësisht do të zbulojë synimet antikombëtare në çështjen e trajtimit të diasporës, duke marrë prej saj sa më shumë “politikën që i intereson” dhe ta bëjë “monedhë shkëmbimi” me Qeverinë e Italisë, të Greqisë, të Gjermanisë apo të Britanisë së Madhe. Është thënë që interesi i këtyre shteteve është ta mbajnë aty diasporën shqiptare sepse vërtetë marrin notën 10 (dhjetë) në “asimilim” pra asimilohen mjaft shpejt dhe me asimilim nuk kuptojmë vetëm harresën e gjuhës, por interesin dhe aftësinë e tyre për t’u përfshirë sa më mirë në shoqëritë e reja dhe për të patur rezultate të larta, rezultate që do të fshihen nga raportet pikërisht që publiku shqiptar këtu të mos thërrasë fort e të thotë “kthehuni se kemi nevojë”, “khehuni të bëni Shqipërinë”. Le të mos flasim për nënkuptimin “rracë e bardhë”.

Statusi i z. Igli Hasani, Ministër i Jashtëm, në 24 maj 2024

2.Mungesë e plotë transparence
Bashkëngjitur është fotoja e njoftimit të z. Igli Hasani, në faqen e tij në facebook (Link i statusit)
Ministria e Jashtme me mënyrën se si i komunikon nismat e saj tregon se nuk dëshiron t’i realizojë nismat e saj në komunikim dhe bashkëpunim të sinqertë me shkollat shqipe në Itali, por kërkon t’i injorojë, e t’i përdorë nismat e saj dhe investimet minimale për t’u bërë levë atyre, pra për t’i mbajtur nën presionin e “injorimit” (me stil).
Nga njoftimi i z. Igli Hasani në facebook, qëllimisht fshihet numri (njëzet) që ne e gjejmë në njoftim të Qendrës Kombëtare të Diasporës (shih linkun). Kjo do të thotë që fshihet fakti që numri i fëmijëve në kurs është jashtëzakonisht i vogël. Aq persona (pra njëzet) në Itali Ministria e Jashtme i mbledh edhe me fisin e vet brenda stafit të Ministrisë së Jashtme.

3.Ministria e Jashtme fsheh përmasat e problemit të shkollimit shqip
Edhe për ne që jemi shkollë private, dhe që natyrshëm jemi të interesuar në shërbime me pagesë në këtë drejtim, kur kemi marrë vesh përmasat reale të problemit, e lamë fare investimin tonë në çështjeve të kurseve private, apo të ofrimit të botimeve private dhe vendosëm që shërbimet tona, për shkak të njohurive në fushën e shkollimit t’i vendosnim në analizën e politikës me emigracionin me diasporën. Kjo është arsyeja që kemi botuar shumë artikuj dhe ato kanë marrë ditë të tëra, të mos themi muaj të tërë.
Pra, ne jemi shkollë private dhe po heqim dorë nga interesi privat në çështjet e diasporës. Ministria e Jashtme e ka për detyrë shtetërore e kushtetuese të mos devijojë interesin kombëtar dhe ata nuk e kanë problem ta devijojnë rëndë në interesin e Partisë Socialiste, brenda së cilës realizojnë interesin personal.

Le të shohim përmasat gjigande të problemit që Ministria e Jashtme e fsheh
Që të kihet parasysh se për çfarë flasim, po themi që numri i shqiptarëve në Itali i kalon 400.000 persona. Nga këta sipas raportit 2023 të Ministrisë Italiane të Punës dhe të Politikave Sociale (La comunita Albanese in Italia, rapporto annuale sulla presenza dei immigranti), del se rreth 94 000 janë minorenë.

Njoftimi i Agjensisë Kombëtare të Diasporës
Në këtë mënyrë presupozohet që të paktën 70.000 të vegjël ose adoleshentë (minorenë) duhet të jetë numri i shqiptarëve që janë në atë moshë për të qenë të edukuar nga grupi i shkollave shqipe ose që duhet të ketë politika kombëtare për mirëmbajtjen e identitetit dhe të kulturës kombëtare shqiptare.
Që ta shohim me sytë e biznesit, do të thotë që t’i mbajmë shqiptarë e t’i marrim në Shqipëri, të punojnë për Shqipërinë, qofshin edhe në Itali. Ky mund të jetë vetëm pjesërisht interes italian, sepse forcimi i lidhjeve të diasporës shqiptare me Shqipërinë, përmes nivelit të lartë të zotërimit të gjuhës dhe kulturës shqipe, nënkupto edhe interesin kombëtar, fuqizon Shqipërinë dhe ia heq Italisë një pjesë të fuqisë. Italia dhe çdo shtet tjetër ka një interes shumë të lartë në asimilimin e popullsisë, përndryshe ajo rrezikon të humbë qytetarë dhe pasuritë që ata krijojnë në Itali dhe të cilët do të marrin me vete jo vetëm pasurinë, por edhe dituritë me të cilat janë pajisur në institucionet italiane, në shkollat, universitetet, komunitetet, bizneset, qendrat kulturore.
Këtu vjen në ndihmë dikush nga Shqipëria që është në gjendje ta shesë diasporën duke përdorur teknikat e stërholluara të propagandës, politikën përçarëse, teknikat e patronazhimit, një për një.
Ministria e Jashtme duhet t’i japë shpjegime publikut se çfarë ka bërë e çfarë po bën me 70.000 të rinj shqiptarë që janë në Itali. Ndërkohë ajo thotë se do të marrë në Shqipëri 20 të rinj të moshave 14-17 vjeç. Me llogari i bie që po merr 20 persona nga 16.000 shqiptarë në Itali, afërsisht 1 në 1000 të rinj shqiptarë. Ka arsye të besojmë që kjo moshë, përveç lehtësisë në menaxhim jepet edhe për të patur kontaktet e të gjithë atyre 17-vjeçarëve që do të jenë të aftë të votojnë pas një viti.

Shkolla "Udha e Shkronjave"
Shkolla “Udha e Shkronjave”

4.Ministria e Jashtme qëllimisht krijon kushte për “përpunim individual” të pastandartizuar

Njoftimi online është bërë në 24 maj qartësisht dy ditë para, në vigjilje të takimit të Edi Ramës në Milano në datën 26 maj 2024, në kushtet e shpërdorimit të plotë të transparencës dhe të ndershmërisë.
Naim Frashëri thotë “Mos iu afro dhelpërisë, po së drejtës iu nis pas, në dëgjofsh fjalët e mia do të jesh gjithnjë në gas”. Por Ministria e Jashtme nuk e ka problem t’i afrohet “dhelpërisë” në komunikimin publik.
Si e provojmë këtë:
Ministria e Jashtme edhe pse e di që prindërit do të kenë pyetje të shumta, ajo refuzon të japë vetë paraprakisht informacion publik që do të duhej.
Nuk jep informacion se çfarë do të bëjë ajo me konkurrencën e aplikimeve. Nëse numri është 20, dhe dihet që teorikisht ky është një raport 1 me 1000 atëherë, ajo do të duhej të kishte shumë kritere që ky raport të vinte të paktën në raport 1 me 2 dhe jo 1 me 1000. Kjo do të thotë që asaj nuk i interesojnë ata që do të marrë sepse ajo e di shumë mirë se cilët do të marrë, po i intereson të marrë sa më shumë kontakte të atyre që nuk do t’i marrë. Ndaj u fsheh informacionin, që ata të gjithë të pyesin, por këtë duhet ta bëjnë përmes “e-mailit” ku ata duhet të identifikohen, duke thënë “Jam filan fisteku (e dhënë personale), banues në (e dhënë personale), që ndjek shkollën (e dhënë personale), me këtë datëlindje (e dhënë personale), me këtë interes (e dhënë personale) që ndjek prej (kaq) vjetësh kursin e gjuhës shqipe (e dhënë personale).
Ministria e Jashtme do t’i futë menjëherë në procedurën e vetingut duke sulmuar statusin e shkollave dhe të kurseve shqipe, ta zemë “A ka shkolla juaj mësues të lincesuar nga shteti ynë?”, “Na tregoni pak më shumë për mësuesit tuaj, për kursin tuaj etj”.
Pra, përmes komunikimit me e-mail, me investimin më të vogël, që për nga përmasat (e vogëlsisë) mund të karakterizohet si plotësisht “gënjeshtar” dhe “fyes”, do të marrë nën patronazhim këta individë. Shumë gënjehen nga këto praktika dhe futen në procedurën e “përpunimit ideologjik dhe politik” që u jepet për menaxhim shkollave shqipe që janë nën drejtimin e Partisë Socialiste në Itali dhe nën mbikqyrjen dhe vetingun politik të ambasadës shqiptare apo të konsullatave tona.
Ministria e Jashtme duhet t’i përgjigjet shqetësimeve tona që janë shqetësime të një shkolle në Shqipëri. Ajo asnjëherë nuk tregon vëmendjen më minimale ndaj propozimeve tona që janë propozime për një punë shtetërore dhe në funksion të objektivave e detyrimeve kombëtare e sociale të shtetit shqiptar që janë sanksionuar edhe në Kushtetutën e Shqipërisë.

5.Ministria e Jashtme qëllimisht anashkalon shkollat shqipe dhe organizimet patriotike në Shqipëri

Kjo punë bëhet me po atë metodikë që injorohet investimi i kërkimit shkencor në universitete. Po të investohej në kërkimin shkencor në universitetet shqiptare, atëherë pedagogët nuk do të lëviznin nga vendi, nuk do të kishin një qasje korruptive masive ndaj studentit dhe do të kishin një natyrë më kombëtare, më solidare, më të gatshme për t’iu përgjigjur nevojave të vendit. Megjithëse kursi “Jam shqiptar” është një “kruajtëse dhëmbësh” për nevojat komunitetit shqiptar në Itali, Ministria e Jashtme edhe atë “kruajtëse dhëmbësh” e shfrytëzon në shpërdorim të plotë të dinjitetit të një shteti, dhe të një partie politike, së cilës ajo po i shërben edhe me këtë nismë.
Nëse Ministria e Jashtme do të donte të bënte një seleksionim që i forconte organizatat shqiptare, atëherë ajo do t’u thoshte shkollave shqipe dhe organizimeve patriotike “Ne nuk kemi mundësi më shumë sesa 20 persona, por zgjedhjen e këtyre po jua lëmë ju. Ju vendosni vetë dhe na thoni”. Kjo do të ishte shumë e ndershme, shumë shqiptare, shumë kolegjiale, e hapur dhe do të forconte autoritetin e shkollave shqipe para prindërve, sepse vetë këto shkolla shqipe do t’ua transmentonin këtë kërkesë prindërve të tyre dhe kështu do të bëhej e mundur.
Por interesi i Ministrisë së Jashtme nuk është ky. Me sa duket është e kundërta: përçarje, përçarje, përçarje, me synimin “e pangopur” për përdorim politik. Ndaj ajo u bën levë shkollave shqipe (u nxjerr dhëmballët) duke u marrë kontaktet e nxënësve që kanë e duke i përdorur ato kontakte në mënyrë aspak transparente.
Nga biseda me një mësuese në Greqi na u tha se ambasada shqiptare në Greqi i ka kërkuar kontaktet e anëtarësisë shoqatës. Nëse kjo është e vërtetë, kjo sigurisht është krejt në kundërshtim me ligjet për mbrojtjen e të dhënave personale dhe është qëllimisht një kërkesë e turpshme me synimin që të justifikojë faktin pse ambasada nuk bashkëpunon me organizatat shqiptare. Pra “po deshët të bashkëpunoni me ne” bëhuni pjesë e shkeljes së të dhënave private dhe kthehuni në levë tonën jo për ta mbrojtur diasporën, por për ta survejuar atë politikisht, individualisht, pa dhënë asnjë garanci që kjo është mbrojtje kombëtare dhe nuk është sulm e përdorim politik.
Kërkesë për monitorim të transparencës të transparensës së Ministrisë së Jashtme
Ministria e Jashtme duhet të publikojë standardet e komunikimit me e-mail me këta persona dhe çfarë bëhet me kontaktet e tyre. z. Igli Hasani në statusin e tij shkruan “Nëse ke dëshirë të bëhesh pjesë e kësaj përvoje dhe të krijosh kujtime të paharrueshme, dërgo aplikimin tënd bashkëlidhur me dokumentet e nevojshme në adresën elektronike shkollashqip@mfa.gov.al.”
Me shumë mundësi personave që apliojnë dhe lënë në Ministrinë e Jashtme një seri të dhënash personale do t’u thuhet që “kontaktet tuaja do të ruhen për komunikime të mëtejshme për këtë kërkesë tuajën” që do t’i hapë rrugën që këto kontakte të shkojnë në ambasadën apo konsullatat tona në Itali, disa prej tyre duke i adresuar për përpunim të mëtejshëm nga Agjensia e Diasporës, nga Shkollat Shqipe afër Partisë Socialiste, etj. Në ç’mënyrë Ministria e Jashtme i garanton shkollat shqipe dhe organizatat shqiptare që nuk ndodh ky skenar shpërdorues e detyrimeve shtetërore?
Ministria e Jashtme, kundër praktikave më të mira, nuk ofron për aplikim një formular të interesit. Kjo do të thotë se ajo po shmang mundësinë që individi të mbrojë të dhënat e veta personale sepse formulari i aplikimit do të ishte i standardizuar për të gjithë (i barabartë) dhe në krye do të kishte edhe një paragraf sqarues sipas ligjit 9887 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” që sqaronte imtësisht politikën e mbrojtjes së të dhënave sipas kritereve, por ajo i fut menjëherë personat në komunikim dhe kështu ata humbin të drejtat e tyre që të kenë njëlloj standardi në këtë komunikim që ka niset prej vetëm një kërkese të veçantë. Ajo e di që në një e-mail personi nuk do të shkruajë “Pas këtij e-maili ju lutem fshijini të dhënat e mia”.
Mungon informacioni për pyetjen: Cili është programi mësimor i kursit të gjuhës shqipe?
Përderisa z. Igli Hasani e fillon statusin me fjalinë “Shkolla verore “Jam Shqiptar” do të hapë së shpejti dyert e saj.” atëherë ai duhet ta dijë që fjala “shkollë” është një fjalë e madhe. Në bazë të ligjit 69/2012 “Për arsimin parauniversitar” një kurs (në fakt ekskursion) dhjetëditor nuk është justifikim që institucioni që e mbulon të jetë “shkollë”. Shkolla mbulon një formim të plotë të një nxënësi në kopsht. ose në arsimin 9-vjeçar, ose në arsimin e mesëm dhe “kursi” apo “ekskursion” dhjetëditor “jam shqiptar” nuk mund të quhet shkollë.
Sidoqoftë nëse është “shkollë” duhet të ketë një adresë, një emër, një institucion. Me shumë mundësi do të jetë në vend të shkollës ndonjë agjensi turistike, sepse derisa në detyrat e saj ka vizitat dhe ekskursionet, këtë punë nuk e bën ligjërisht “shkolla”, por e bën një “agjensi turistike”.
Ministria e jashtme përdor në mënyrë shpërdoruese fjalën “program” sepse vetë fjalia që gjendet në videon shoqëruese apo në njoftimin e Agjensisë Kombëtare të Diasporës thotë shprehimisht, citoj: “Në datën 21 qershor 2024, përmes një programi të larmishëm, njëzet nxënës do të kenë mundësi të vizitojnë peisazhet mahnitëse të alpeve dhe rivierës shqiptare ku do të njihen me historinë, natyrën, artin, kulturën e traditën shqiptare.”
Pra 20 fëmijë të zgjedhur nga Ministria e Jashtme në farefisin e saj do të “hanë do të pinë, do të udhëtojnë” me paratë e Ministrisë së Jashtme dhe në fund do të bëjnë posterin gënjeshtar “Mora pjesë në shkollën verore “Jam shqiptar”. Kjo është turpëruese për një shkollë dhe për një kurs.
Nëse ardhja (21 qershor) dhe vajtja (30 qershor) nuk janë të përshtatshme për kurs atëherë mbetet që të jenë 8 ditë dhe në këto tetë ditë, fëmijët do të kalojnë nga Alpet në veri deri në Riverën Shqiptare. A ka shans që të ketë orë mësimi në këtë “shkollë verore “Jam shqiptar”. Qartësisht Jo!
Atëherë përse thuhet “shkollë verore” “Jam shqiptar”. Po të jetë kështu, vetë publiku paska bërë më shumë “shkolla verore” se vetë Ministria e Jashtme, se çfarë bëjnë ata që vijnë për pushime verore jo 10 ditë, por një muaj? Nuk shkojnë edhe ata nga Riviera në Alpe, nuk shkojnë në Muzeun e Krujës a në muze të tjerë, nuk dëgjojnë edhe ata ciceronin. Atëherë çfarë po bën Ministria e Jashtme përveç se një propagandë që është thjesht turpëruese për përmasat galopante të fshehjes së problemit të vërtetë që po i vëmë me shkronja të mëdha “90.000 minorenë shqiptarë në Itali presin programin kombëtar të shkollimit shqip për të mos u asimiluar!”
Vini re përçarjen dhe mundësinë për patronazhim në këtë fjali: “Për të aplikuar, nxënësit duhet të plotësojnë këto kritere: Letër rekomandimi nga mësuesi”.
Ministria e Jashtme duhet t’i përgjigjet pyetjes: Pse kërkesën për rekomandim nuk ua bën drejtpërdrejt mësuesve, por qëllimisht ua bën nxënësve? Kjo është për të përçarë shkollat shqipe. Teorikisht të gjithë nxënësit 14-17 vjeç do të duhet të aplikojnë, atëherë çfarë të bëjë mësuesi për të gjithë këta nxënës përmes rekomandimit? T’i diferencojë, të japë rekomandime të ndryshme, t’i japë prioritet njërit dhe jo tjetrit. Të gjitha këto do të krijojnë hatërmbetje. Me shumë mundësi kjo kërkesë bëhet që nxënësit të tërheqin prej mënge mësuesit, “Eja më jep rekomandimin”. Kjo do ta fyejë rëndë mësuesin që nuk dëshiron të japë rekomandim për një projektin e një Ministrie të Jashtme që ka teknika “finoke”, “dhelparake” komunikimi që tregon që nuk është e sinqertë, komunikuese, që nuk njeh mësuesit dhe bën sikur nuk i njeh, që nuk i respekton, nuk i nderon as me projektin më të vogël e minimalist të saj, që e shfrytëzon për të bërë një përçarje të madhe që do të jetë “nxënës me nxënës” (mua ma dha rekomandimin ty nuk ta dha) “nxënës-mësues” (nuk dëshiroj të lë gjurmë për Ministrinë e Jashtme), “prindër-prindër” (pse nuk ia dha rekomandimin fëmijës tim) “mësues-mësues” (pse ju jepni rekomandime, kur duhet të biem të gjithë dakort), “shoqatë-shoqatë” (pse morën nga ajo shoqatë dhe nuk morën nga e jona”.
Ministria e Jashtme është dredharake në atë që bën, me dinjitet shumë të ulët, aspak përfaqësuese e virtyteve të larta kombëtare të shqiptarëve. Mirë është që kursin e saj të mos e quajë “Jam shqiptar”, por “jam shqiptar produkt i patronazhimit socialist”, “i gatshëm t’ua hedh bashkëmoshatarëve, mësuesve të mi, shoqatave të tjera, kombit tim” vetëm që propaganda e Partisë Socialiste të jetë e madhe.

Çfarë u këshillojmë mësuesve të Diasporës
1.Qartësisht duhet të anashkalojnë mundësinë që Ministria e Jashtme të marrë kontaktet e nxënësve të tyre në atë mënyrë që ajo është fyese për shkollën shqipe. Me shumë mundësi, disa prindër të Partisë Socialiste brenda çdo kursi, do të duan të aktivizohen qëllimisht për nevoja të partisë. Ata a bëjnë këtë punë edhe kur e dinë që fëmija i tyre nuk do të fitojë gjë, por duan që të fitojë propaganda e partisë dhe mekanizmi i saj përçarjes. Nëse prindërit abuzivë nuk binden ndaj argumentit kombëtar e të ndershëm që jep një shkollë që nuk dëshiron të jetë politike, që nuk dëshiron të jetë rëndë e anashkaluar, ata thjesht duhen t’ua bëjnë të qartë këtë këtyre prindërve dhe t’u sugjerojnë që të gjejnë mësues e shkolla të Partisë Socialiste në emigracion. Ose duhet të binden që nuk ka politikë në diasporë, ose duhet të gjejnë shkolla të tjera. Me shumë mundësi ata do të binden sepse e kanë të qartë që nuk mund të jesh në diasporë dhe të bësh politikë përçarëse.

2.Nuk duhen dhënë letra rekomandimi nga ana e mësuesve dhe kjo duhet bërë në mënrë të hapur për komunitetin. Një letër rekomandimi është zbulim i plotë i mësuesit dhe i shkollës, pra Ministria e Jashtme shfrytëzon teknika finoke për të marrë të dhëna përmes nxënësve që këta të ushtrojnë presion mbi mësuesit e shkollat.
3.Duhen qartësuar nxënësit, prindërit që kjo nismë e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë është thjesht fyese dhe krejt “mikroskopike” në vlerën se saj, por shumë përçarëse në teknikën e saj.
Çfarë informacioni do të shkruajë mësuesi i gjuhës shqipe në Itali në letrën e rekomandimit?
4.Nxënësit nuk duhet të japin të dhënat e tyre personale. Si lejon Ministria e Jashtme që pa bërë një seleksionim paraprak dhe pa dhënë garanci që nxënësi do të jetë fitues të marrë “kartën e identitetit”? Ky dokument qartësisht kërkohet vetëm për ata që janë përfitues. Atëherë me çfarë të drejte ua kërkon të gjithë aplikantëve, përveç se me skemën e grumbullimit masiv të të dhënave personale?
5.Nxënësit aplikantë nuk duhet të dorëzojnë vërtetim nga mjeku i familjes sepse kjo është e dhënë personale shumë sensitive që jep më shumë informacion të dhëna personale nga sa kuptohet. Kjo mund të jepet vetëm nga personat që janë përfitues dhe ata janë 20 vetë gjithsej. Ndërsa teorikisht (potencialisht) Ministria e Jashtme po kërkon 16.000 karta identiteti, 16.000 raporte mjekë familje, 16.000 rekomandime, dhe qindra mësues që japin të dhënat e tyre në rekomandime.
6.Duhet sqaruar se nuk ka kurrfarë “kursi veror” “jam shqiptar”, por është thjesht një udhëtim turistik i sponsorizuar. Qëllimisht ngatërrohet fjala “program” turistik me konceptin “program shkollor” që është krejt tjetër gjë.
Nga kjo praktikë e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë nuk përfiton aspak kombi dhe komuniteti shqiptar në Itali, përkundrazi humbet të dhënat e veta personale, humb besimin tek shkollat shqipe që në një mënyrë ose tjetër stimulohen të merren me “patronazhim” (marrje të dhënash, dhënie të dhënash), përçahen.
Kujtojmë që në Greqi u anashkaluan rëndë shkollat shqipe dhe organizimet shqiptare. Çdo organizim shqiptar pavarësisht natyrës jopolitike do të ndihmonte mbarëvajtjen e veprimtarisë së çdo partie politike shqiptare. Atëherë me çfarë logjike Partia Socialiste injoron të gjitha organizimet shqiptare dhe u bën levë atyre duke futur praktikat e komunikimit “direkt” ose përmes shoqatave “të njohura” nga Partia Socialiste?
Kujtojmë që në Greqi nuk u ftuan shqiptarët në atdhe dhe nuk pati asnjë deklarim programi dhe strategjie shtetërore për shkollat shqipe.
E njëjta praktikë do të vijojë në mënyrë koherente edhe në Itali.
Kjo nuk ka emër tjetër veç praktikë për nxitjen e asimilimit të shpejtë të shqiptarëve të diasporës duke hequr investimin shtetëror në gjuhën dhe kulturën shqipe (ia ka krejt mikroskopiike sidomos duke i krahasuar me shpenzimet galopante për këtë tur që mund t’i kalojë vlerën 1 milonë dollarë), duke hequr komunikimin dhe bashkëpunimin me shkollat shqipe, duke ndihmuar dobësimin e tyre, përmes përçarjes politike.
Nga ky aksion do të përfitojnë shtetet pritëse dhe vetë Partia Socialste, dhe do të humbë kombi shqiptar.
Vini re që edhe opozita bën sikur është në gjumë, bën sikur nuk sheh.

Teknika DDOS e propagandës ndaj opinionit publik
DDOS (Distributed Denial Of Service) është një koncept i shkencës së kompjuterit për të përkufizuar një sulm të shpërndarë ndaj një serveri me synim sabotimin e shërbimeve të tij. Aftësia e Opinionit Publik (serveri) për të përpunuar ofertën e larmishme të propagandës (për të dhënë shërbimin) është e kufizuar, sepse sulmi (mbi opinionin publik) është i përditshëm dhe nga shumë anë.
Që të kuptohet kjo, po marrim një anëtar të opinionit publik. Mua më ka dashur disa ditë kohë të merremi me çështjet e turit në diasporë dhe të prodhoj disa artikuj që mendoj se janë shërbime për opinion publik në një këndvështrim ende të paeksploruar që është këndvështrimi i një shkolle. Kujtojmë që deri tani në këto çështje “analistët politikë” mbizotërojnë. Ne nuk e kemi atë këndvështrim, sepse nuk na duhet dhe nuk duhet vërtetë nëse këndvështrimi sigurohet nga përmbatjja e shkollës që i përgjigjet pyetjes “çfarë kombi duam”.
Mirëpo që të bëhet e mundur të kthehet përgjigje, një farë kohe duhet shpenzuar dhe duhet të jetë e përqëndruar në thelb dhe këto ditë analize duhen shpenzuar patjetër nëse do të duhet që përgjigjia të jetë ashtu si duhet.
Nga ana tjetër: ne e bëjmë përgjigjen, por a arrin ajo aty ku duhet? Pra a realizohet shërbimi (service)? Kjo është me pikëpyetje sepse me shumë mundësi propaganda qeveritare dhe partisë politike është një përbindësh që lëviz me shumë kokë e shumë tentakula, njëkohësisht në shumë mjedise.
Ndaj opinioni publik duhet të ketë një reagim të shtuar dhe në qendër të problemit.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.