back to top
13.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Halil Jaçellari: Nji shënim, nji tregim dhe skeda e nji shkrimtari…

Gazeta

Halil Jaçellari (1940-2009)
Halil Jaçellari (1940-2009)

Halil Jaçellari – Nji shënim, nji tregim dhe skeda

e nji shkrimtari të ikur shpejt…

nga Jozef Radi

Halil Jaçellarin e kam njohur qysh herët, jemi ndeshur e përshëndetur shpesh në rrugët e qytetit të përbashkët, Lushnjes… dhe rrallë kemi folur apo diskutuar bashkë… Më shumë se kam folur me Halil Jaçellarin, e kam lexuar ashtu me kureshtje djaloshare… sepse të lexoje nji shkrimtar dhe të nesërmen ta ndeshje në rrugë, ishte diçka e rrallë e pothuaj e pamundur, diçka që mund të quhej fat… dhe nëse diçka e tillë mund të quhet fat, sot që Halil Jaçellari s’është më mes nesh, mund të them jo pa kënaqsi se: kam pasur fatin ta njoh, ta lexoj dhe ta vlerësoj Halil Jaçellarin në të gjallë të tij…
Ndërsa përpiqem ta përmbledh portretin e tij, ajo çka më del natyrshëm është ajo thjeshtësia e tij e ngulitur në kujtesën time… Pamja e nji njeriu të thjeshtë, pa asnji shenjë të dallueshme dukjeje apo deliri… aq sa më dukej herë si murator, herë si elektriçist, herë si marangoz, herë si sportist, herë si mësues, e herë… mund të vendos mjaft prej zanateve… sepse ajo çka më habiste te Halili ishte fakti se tek ai jetonin në nji harmoni të paqme e të përvuajtshme njeriu dhe artisti, thjeshtësia dhe fisniku, pa kërkuar asgja ma shumë se çka ai meritonte… Dhe kjo më mbetet e gjallë, prej gjithë asaj çka unë kujtoj më mjaft respekt dhe stimë, për tregimtarin Halil Jaçellari…
Prandaj me guxim shkruaj për të… sepse Halil Jaçellarin e kam njohur qysh herët, jemi ndeshur shpesh në të njejtën rrugë, po edhe pse kemi folur rrallë mjaft rrallë bashkë… mund të them se e kam lexuar dhe respektuar në kohën e tij, duke e quajtur fat edhe përshëndetjen e tij, ndaj këta pak rreshta të sotëm më dalin ashtu thjesht si ajo përshëndetja e jonë e dikurshme… që sigurisht rri ende pezull në ajrin e atij qyteti të përbashkët… Lushnjes…
Tregimi i tij “Ulkonja” është ndër dëshmitë ma të thjeshta, të kësaj çka shkrova…
26 dhjetor 2013

Halili dhe i biri artisti Ilir Jaçellari
Halili dhe i biri artisti Ilir Jaçellari

Ulkonja

tregim nga Halil Jaçellari

Malo Stralli i kishte kaluar të tetëdhjetat, kur djemtë më në fund e kandisën ta linte fshatin dhe të shkonte me ta në qytet.
Blenë një shtëpi në periferi, një shtëpi dykatëshe me oborr e me avlli, që sidoqoftë, plaku të mos mërzitej, të englendisej, siç thoshin ata, pak me baçen e pak më bletët, që i kishin sjellë larg nga fshati. Bletët u zhdukën që vitin e parë, vdiqën, siç thonë fshatarët.
Malo Stralli dilte në oborr, vështronte kosheret bosh dhe i dukej sikur boshllëku që ndjente brenda vetes rritej e rritej. Gjithë pamja e tij e kohëve të fundit, sikur kishte një padurim të çuditshëm, sikur mezi priste të ndahej me këtë botë të re, me këtë mënyrë jetese të padurueshme. Ishte vërtet tetëdhjetë e ca vjeç, kur la fshatin, por mbahej për bukuri. I qetë, me një urtësi të dhimbshme, gjithë jeta e tij kishte qënë e kulluar si ujrat që rrjedhin mes shkëmbinjve, që s’ngjanin fare me ujrat e pista të lumit që shkonte jo larg shtëpisë së tyre të tanishme.
E shtrëngonte dhimbjen përbrenda i heshtur, si heshtja misterioze e atyre shkëmbinjve, mes të cilëve ishte rritur e plakur. Kishte mall për borigat e lajthishtet, më kot i biri u mundua ta përzjente me pleqtë e qytetit, që vinin luanin domino apo tavëll, në një shesh, nën hijet e pemëve, pranë shtëpisë së tyre. Malos i vinte çudi, se si mund të rrinë burrat pa lëvizur me orë të tëra, me sytë mbërthyer në ato kutiçka dërrase, duke hedhur e pritur, ata dy gurë të bardhë me ato pika aq të zeza. Ishte mësuar t’i kalonte ditët në pyll, gjithmonë në lëvizje. Atje ditët kalonin shpejt dhe kur mbrëmja binte, vërtet i lodhur ngjiste shkallët e gurta të oborrit, që gumëzhinte nga bletët, por në shpirt ndjehej i lehtë, kurse këtu e ndjente shpirtin të lodhur dhe të zymtë. Kujtonte sheshin e fshatit, ku fëmijët e luanin topin, ndërsa dikush i bënte zë atij që larg, se një ujk kishte rënë gjene në bagëti. Njihej në gjithë krahinën si një qitës i rrallë.
Tani, kur Malo Stralli kthehej në shtëpi, sapo hynte në oborr, sytë do t’i shkonin drejt e te kosheret bosh të bletëve. Ato dukeshin të shkreta e të braktisura si shtëpia e Bejçes në fshat, që edhe gurët e skalitur të qosheve ia kishin marrë, duke ia shndërruar pamjen, nga një shtëpi e bukur për qejf, me gurë të skalitur nga një dorë mjeshtëri, në një gërmadhë që të kallte lemerinë, si e kafshuar nga qentë. E dinte se atë përfundim do të kishte edhe shtëpia e tij, megjithatë, pasi  përkëdheli me dorën e ashpër muret, i vuri kyçin dhe porositi komshijtë, që e vështronin me dhimbje, por në dhimbjen e tyre fshihej e përzjerë një buzëqeshje tallëse: Eh, pa do të vinte prap aty Malo Stralli, bile më mirë t’mos vinte kurrë, për mos e parë edhe shtëpinë e tij të kafshuar dhe pa qeramidhe.
Plaku hyri në dhomën e tij për të fjetur. Para se të shtrihej, drodhi ngadalë një cigare të trashë. E ndezi me masat e eshkë, nuk i shikonte dot me sy shkrepset dhe çakmakët, që lënë pas ndezjes atë erë të qelbur, ndërsa eshka të gudëliste flegrat e hundës, me atë aromë mali. Psherëtiu, si bashkë me atë aromë aq të njohur, t’i vinin pranë gjithë kujtimet e vendeve ku kishte kaluar jetën.
E zuri gjumi vonë atë natë. Në ëndërr u gjend në fshat: Shkonte Udhës së Kalidheve. Kishin mbetur tre viça në pyll, njëri i Fatmirit, tjetri i Asllanit dhe i treti, viçi motak i tij. Ka dy netë që nuk janë kthyer, i tha Landa, vajza e Fatmirit. Me pushkën e vjetër në sup, bëri përpjetë. Poshtë oshëtinte përroi. Përplasja e ujit me shkëmbenjtë, ishte një melodi e dashur për të.
Mbi përrua, në Shpellën e Ujkut, vite më parë, Malo Stralli, kishte vrarë një ujkonjë dhe gjashtë këlyshët e saj të vegjël i pat marrë në një thes. Me lëkurët e të shtatëve kishte marrë shpërblim nga shteti njëzetëmijë lek. Shteti shpërblente mirë atëherë për çdo ujk të vrarë. Ata si gjithë armiqtë e socializmit dëmtonin pasurinë e popullit.
Ktheu kokën nga Shpella dhe për çudinë e tij prej andej, doli duke qeshur ujkonja që kishte vrarë shumë vjet të shkuara. Ajo jo vetëm që qeshte, por filloi të flasë si njeri:
– Hë, Malo Stralli, ma hëngre të satëme, po ngordh atje në atë vrimë të qytetit, ku nuk ngopesh dot me frymë… Të zuri gjynahu i gjashtë këlyshëve të mi.
Malësorit plak iu mbushën sytë me lot dhe i erdhi turp nga vetja për këtë. Pasi u vrau t’ëmën, edhe sikur mos i duheshin, e mos i sillnin ato goxha para, ata këlyshë dy-tre ditësh lindur, nuk do ta kishin të gjatë. I rritur mes shkëmbinjve dhe borigave, keqardhja e tij, për ato qenie të vockla, të pambrojtura, ishte aq embrionale, sa e ndali vetëm një çast, para se t’i mbyste. Po tani, kjo pikë e zezë!… po qante për ujkonjën e këlyshët e saj?!… Apo po qante nga malli për gjithçka të atyre vendeve dhe flaka e këtij malli ishte aq e madhe, sa po e digjte edhe  për egërsirat e pyllit. Ishte një zjarr brenda tij ai mall, si ai i pyjeve, që kur bije, nuk njeh kufi.
-Ju na vrisni dhe pastaj ikni Malo Stralli, i braktisni këto vende, se doni makina dhe punë të rehatshme dhe doni të pispilloseni si gratë. Jeni si qentë, që për një kothere bukë, pranojnë të rrinë në zinxhirë gjithë jetën. Ne edhe pse ju na ndiqni me ato pushkët tuaja të mallkuara, nuk e ndërrojmë me asgjë dot pyllin. Na vrisni ne, vrisni njeri-tjetrin, jeni rracë e mallkuar nga Zoti, ju njerëzit.
Malo Strallit iu ndez gjaku. Diçka deshi të thotë, por i dridheshin buzët nga mallëngjimi. Donte t’i përgjigjej ujkonjës, por çfarw t’i thoshte? Atëherë plaku malësor, që kishte ngritur belxhikun drejt ujkonjës, uli grykën e pushkës dhe pasi e hodhin në sup atë, i tha bishës:
-Nuk do të vras, ti je më e zgjuar se djemtë e mi…
Ndjenja e pakënaqësisë ndaj djemve, që e kishin hequr nga këto vende, fshihej e heshtur brenda tij prej kohësh.
-Megjithatë unë u solla më mirë me ty, se u sollën djemtë e mi me mua… Vërtet t’i vrava këlyshët, por nuk t’i çova atje, – Malo Stralli nuk ia rregullonte dot emrin kopshtit zoologjik, ku e kishin shpënë për ta zbavitur njëherë djemtë. – Ti nuk mund ta kuptosh ç’do të thotë kjo. Të vërtitesh tërë ditën e natën në ata kafazë hekuri, mes pisllëkut, të pëgërave,  i burgosur. Më mirë të jetosh një ditë të vetme këtu, në këtë aromë borigash dhe mos e provosh kurrë, qoftë edhe një orë atë jetën e atjeshme.
Malo Stralli u zgjua. Pylli me boriga, përroi që ushtonte, shkëmbinjtë, Shpella e Ujkut, të gjitha u zhdukën. Nga jashtë dëgjohej zhurma e një makine që kishte ngecur diku. Zhurma vinte me tërë nervozizmin e shoferit që e bënte rrotën të vërtitej si e marrosur. Në dhomë ishte errësirë dhe atij iu duk sikur nuk po ngopej me frymë. Binte një shi i qetë që pllaquriste pellgjeve përjashta.
-Më kanë mbyllur në këtë kafaz, djemtë. – tha me zë. Ndezi abazhurin dhe sytë i shkuan padashje tek fotografia në mur e së shoqes. Një lot i ngrohtë iu mblodh tek cepi i syrit. -Ehe, Malo Stralli, të bëri Zoti të fortë dhe vdekja nuk po e gjen rrugën për tek ti. Kushedi sa mall do të ketë plaka e gjorë?… Patjetër, mendon, se ti e ke harruar. Edhe dheu, sipër varrit të saj, ka mall për një dorë ta përkëdhelë. Të lamë vetëm moj e mjerë!… Të bëri Zoti të fortë Malo Stralli… Do të ishe tani i shtrirë pranë plakës dhe ajo do të ndjehej më rehat. Era e bekuar e borigave do të përkëdhelte barin e mbirë sipër teje dhe muzika e ëmbël e përroit do të dëgjohej në jetë të jetëve.
(Marrë nga libri Tregime “Onufri” 2002)

Halil Jaçellari (1940-2009)
Halil Jaçellari (1940-2009)

Skedë e jetës dhe vepres së tregimtarit Halil Jaçellari

14 korrik 1940 – 23 tetor 2003

Tregimtar, romancier, poet dhe publicist shqiptar. Lindi në Lushnje në mes e luftës dytë botërore dhe u rrit në Shqipërinë e izoluar nga një nga diktaturat më të egra komuniste. Jeta dhe krijimtaria e tij, do të duhej të përballej jo rrallë herë me vështërsitë, që ajo kohë, rëndomtë i rezervonte shqiptarëve dhe sidomos shkrimtarëve shqiptarë.
Jeta në atë ambient, ku liria e të shkruarit dhe e fjalës përballej me dhëmbët e hekurt të diktaturës, dhe ku rreziku se një interpretim i gabuar, shkrim i gabuar ose recensiòn i gabuar mund të kushtonte jetën, nuk e ndaluan Halilin për te vëne në jetë pasionin dhe talentin e tij më të madh. Një pasion ai i të shkruarit që jo pak herë i krijoi probleme dhe rreziqe, por që gjithashtu i rezervoi kënaqësi të panumërta. Krijimtaria e tij nisi gjatë viteve të gjimnazit, të cilin e kreu gjithashtu në Lushnjë, kohë kur u dashurua me letërsinë, dhe shkroi tregimet dhe poezitë e para. Tregimet e para i botoi në revistat letrare të kohës si Nëntori, Rinia, Drita.
U martua më 1968, me Afërdita Hasanbelliun, e cila vinte nga një familje bejlerësh e luftuar ashpër nga regjimi komunist shqiptar.
Në vitin 1976, botohet më në fund libri tij i parë me tregime, “Mirmëngjes njerëz!” Dy vjet më vonë, në vitin 1978, boton librin e dytë me tregime “Hapat e ti” Në konkursin letrar të vitit 1978, me këtë libër fiton çmimin e dytë të tregimeve duke mos pasur një çmim të parë për atë vit.
Dy libra të pritur mirë nga lexuesi shqiptar në përgjithësi, dhe të vlerësuar nga shkrimtarë të ndryshëm si Dritero Agolli dhe Ismail Kadare. Dy emra të mëdhenj të letërsisë shqiptare që përveç vlerësimit si koleg, nuk kursyen dhe interesimin në aspektin human për të.
Por koha ishte e tillë që kishte më shumë rëndësi vlerësimi i partisë se sa i gjithë të tjerëve, dhe kështu për të botuar romanin e tij të parë “Nesër është e dielë”, ju desh të priste nga 1984 deri më 1988. Roman për të cilin në recencencën e tij Ismail Kadare shkruan: “Meritë e romanit është se personazhet janë tepër të besueshëm, tepër të afërt. Besueshmëria dhe sinqeriteti janë karakteristika të çmueshme të këtij libri, i cili është një rrëfim i ngrohtë, i zgjuar tërë lirizëm, dashuri jete, mbushur me humanizëm të vërtetë”, ndërsa në të tijën N. Jorgaqi shkruan: “Përvoja si tregimtar i ka ardhur autorit në ndihmë. Ai ka një gjuhë të punuar, emocionale, me një dialog të gjallë”.

Halil Jaçellari dhe familja (1990)
Halil Jaçellari dhe familja (1990)

Për këtë pritje katër vjeçare Halili pas viteve 90 do të shkruante “Nesër është e diel” edhe pse me një recensiòn shumë entuziast nga shkrimtari Kadare, ai u prit me një ftohtësi të akullt nga redaksia. Në atë kohë redaktor te Redaksia e Romanit punonte edhe dhëndri i një anëtari të Byrosë Politike, i cili kish qenë më parë drejtor i një biblioteke të një qyteti të madh. “E ç’është Ismail Kadareja që u dashka të udhëhiqemi nga mendimi i tij…?!” – më tha. Më kthehu një përgjigje gjysmë faqe, ku vinte në dukje gabime të thella ideologjike te romani dhe shtonte se nuk mund të botohej!!”
Por pritja që i bëri lexuesi qe krejt e kundërt me mendimin zyrtar. Gjitha kopjet u shitën në pak ditë, dhe nga statistikat e bibliotekës qendrore shqiptare, ai rezultoi libri me i kërkuar i atij viti. Edhe pse suksesi kishte qenë shumë i madh romani nuk u ribotua. Shkrimtari Fahri Balliu shkroi në “Drita” ku vinte në dukje se vetë drejtori i shtëpisë botuese “Naim Frashëri” i kishte thënë: “Nga gjithë Shqipëria kanë ardhur letra, kërkojnë ribotimin e romanit ‘Nesër është e diel'”.
Me ndryshimet pas rënies së murit të Berlinit, në fillim të vitit 1991, tre ditë para rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës, në gazetën e re “Republika” botohet më 17 shkurt 1991, një artikull i Halil Jaçellarit, Letër e hapur drejtuar Ramiz Alisë Sekretar i Parë i KQ të PPSH-së ku kritikohet ashpër regjimi komunist dhe diktatori Enver Hoxha.
Mbas rënies së diktaturës punoi në fillim si drejtor i bibliotekës së Lushnjes. Në të njëjtën kohë botoi dhe drejtoi për afro dhjetë vjet gazetën lokale javore “Hapsirë Mendimi”  ku botonin shpesh shkrimtarë dhe poetë të Myzeqesë, si Faslli Haliti, Vath Korreshi, Visar Zhiti, Bujar Xhaferri, Ilir Levonja, Fatbardh Rustemi e shumë të tjerë.
Nga 1995 deri në 2002 mbuloi detyrën e drejtorit të Muzeut Historik të qytetit të Lushnjes deri në daljen në pension.
Gjatë kësaj kohe në 1996, ribotoi romanin “Nesër është e diel”  si një detyrimi moral kundrejt atyre lexues të shumtë që vite më parë kishin kërkuar ribotimin e këtij romani. Botohet me disa poezi në “Antologji poetike me autorë lushnjarë” të vitit 1999 të “Onufri”. Botoi në 2002, një përmbledhje me tregime të zgjedhura dhe në 2005, romanin e mirëpritur “Sezoni pa dasma” gjithmonë nga shtëpia botuese prestigjioze “Onufri”.
Për një kohë të gjatë ishte anëtar i kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë dhe kryetar për  Lushnjen.
Në 2007, transferohet në Itali për t’u kuruar nga një tumor në spitalin shtetëror “Umberto I” të Romës. Në shtator të 2009, dorëzoi në shtyp tek “Onufri” romanin e tij të fundit “Humnera e mëdyshjes” dhe librin e fundit me tregime “Anni rubati” në shtëpinë botuese italiane “Edizioni D’Agostino”. Gjendja tij shëndetësore u rëndua më shumë dhe në darkën e 23 Tetorit 2009, u shua në shtëpinë e djemve të tij në Romë.
U varros në qytetin e tij të lindjes me nderime të mëdha nga bashkëqytetarët e tij, shkrimtarë e artistë dhe politikanë nga e gjithë Shqipëria.

Papa Francesco dhe Ilir Jaçellari
Papa Francesco dhe Ilir Jaçellari

Veprat e botuara prej Halil Jaçellarit

Mirë mëngjes njerëz, 1976 (Tregime)
Hapat e tij, 1978 (Tregime)
Nesër është e djelë, 1988 (Roman)
Nuk është kjo dashuria, 1996 (Tregime)
Përralla Hans Christian Andersen, 1996 (Përkthime)
Nick Sniffle and Dr. Yeah, 1997 (Përkthime)
Tregimet e Guy de Maupassant, 1999  (Përkthime)
Tregime, 2002  (Tregime)
Sezoni pa dasma, 2005 (Roman)
Humnera e mëdyshjes, 2009 (Roman)
(Marrë nga Wikipedia)

 

Related Images:

More articles

2 KOMENTET

  1. Prenjo Ymeraj
    I paharruar kujtimi dhe vepra e njeriut të mirë, atdhetarit dhe demokratit, intelektualit dhe shkrimtarit të talentuar, mikut tim Halil Jaçellari. Përgëzimet e mia të veçanta për z. Jozef Radin për kujtimin dhe vlerësimin e këtij njeriu të rrallë! (marre nga muri i fb. 27dhjetor, 2013)

  2. No comment…
    Mund të them Jozef, se e ke përshkruar aq bukur portretin e Halilit sa dhe unë që e kam njohur më shumë se ty, nuk do mundja të shprehesha kaq saktë për të…
    Halili ishte dhe mbetet i fuqishëm në stilin e tij të thjeshtë, ashtu siç ishte dhe në jetën e tij!!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.