Biografi e shkurtë e Ibrahim Sheh Karbunara (1877 – 1947)
Sheh Ibrahim Karbunara (Shehu) u lind në Karbunarë në vitin1877.
Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen e vazhdoi në Berat, ku u njoh me Babë Dudë Karbunarën dhe me Rilindas të tjerë, që punonin për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare dhe për sigurimin e Pavarësisë së Shqipërisë.
.
Arsimin teologjik e kreu në Stamboll dhe Teheran. Kur u kthye në vendlindje filloi detyrën Sheh, në Teqenë e Karbunarës. I kulturuar dhe i arsimuar në Universitetet më në zë të Stambollit dhe Teheranit, i shëtitur dhe i pajisur me kulturën e Lindjes dhe atë Perëndimore – evropiane, Sheh Ibrahimi u bë një ndër idealistët e rrallë në Myzeqe e më gjerë. Përpos punëve klerikale Sheh Ibrahimi merrej me veprimtari patriotike, iluministe, për çështjen shqiptare dhe do ta pësonte për këtë veprimtari në shërbim të kombit, por ai qe i vendosur.
Pavarësisht internimit në Peqin, Sheh Ibrahimi nuk u dorëzua kurrë. Sheh Ibrahim Karbunara përkrahu pa asnjë rezervë Çetën e Karbunarës, duke qenë figurë kryesore e saj.
Më 27 Nëntor 1912, ishte firmëtar i kryesor i telegramit të Pavarësisë së Lushnjës, drejtuar Fuqive të Mëdha.
Por veprimtaria e tij nuk mbaron me kaq. Luajti një rol kryesor, për thirrjen dhe organizimin e Kongresit në Lushnjë ku edhe zgjidhet delegat. Në Kongres, mbajti një lutje fetare, kjo e dokumentuar në fletën e parë të Proces-verbalit të Kongresit.
.
Mësojmë se ishte pro Republikës e kundër Monarkisë. Kur erdhi Zogu në krye të shtetit shqiptar, emigroi për në Itali. Pas Çlirimit në vitin 1945 u zgjodh deputet. Sheh Ibrahimi ishte kundër vendosjes së regjimit komunist. Dënohet me vdekje në vitin 1947, dhe ekzekutohet bashkë me të birin, Hysenin 27 vjeç, më 10 tetor 1947.
Më 9 dhjetor 1992, Presidenti i Republikës e dekoron me Medaljen “Martir i Demokracisë”, më 1995, Presidenti i Republikës e dekoroi me Urdhrin “Për veprimtari Patriotike” të Klasit të I.
Prej disa kohësh, Këshilli Bashkiak i Lushnjës i ka dhënë titullin: “Qytetar Nderi i Lushnjës”.