Vinicius de Moraes – Gjashtë poezi – Jozef Radi (2)

1
18
Vinicius de Moraes (1913-1980)
Vinicius de Moraes (1913-1980)

Vinicius de Moraes

– Gjashtë poezi –

perkthye nga Jozef Radi (2)

“Eh, sa jam lodhë me de Moraes-in,
po edhe ai ama
ma ka shpërblye shumfish..”
j. radi

Soneti i Montevideos

Mos qesh me mue, pse lotët e mi
janë ujë për lulet që ti i ke mbjellë
n’trishtim të qenies sime, e kjo besoj
mjafton me i dashtë përditë e ma shumë…

Mos më len mbas dore, pse ke zbulue
gjakftoftësinë e shikimit tim n’vetminë e paqme
dhe mos u largo prej meje, veç kur t’jetë shterrë
n’ty ajo ndjenjë në t’cilën je tretë e tana.

Mos ma msheh asnjiherë fytyrën tande, ma lsho
gjithnji at lamtumirën tande t’ambël që me e pritë
nji tjetër lamtumirë e ambël, s’vonon kurrë.

Për t’dashtunin tand t’shtrenjtë që asht këndellë
prej pamjes tande t’papërlyeme, engjëllit mbrojtës
që s’i la kurr kohë largsisë me kambngulë…

Pezull...
Pezull…

Pezull

Jashtë meje, n’hapsinën endacake,
muzika e dhimbshme e nji valsi;
mbrenda meje, n’thellësitë e qenies sime
muzika e dhimbshme e trupit tand,
ma s’fundi, duke jetue çastin e gjithçkaje
muzika e natës kthjellet, e ritmi
i trupit tand ngjeshet mbas trupit tim.
Vërtitja e ambël e ktij valsi t’largët, ndërdysh
sytë e mi që pijnë sytë e tu, ftyrën tande.
dhe dëshira e përlotjes m’vjen prej gjithçkaje

Poema e Krishtlindjeve

Bash për kët jena krijue
me kujtue dhe me qenë të kujtuem
me derdhë lot e me i ba tjerët me u përlotë
me hjedhë nji grusht dhe mbi t’vdekunit e dashtun
prandaj i kemi krahët e gjanë për lamtumirat
dhe duert me e mbledhë çka na asht dhurue
dhe gishtat me e gërmue sa ma thellë tokën

Kështu ka me qenë jeta jonë
nji mbramje që duhet pritë gjithnji
nji yll që shuhet n’terr të natës
nji shtegtim midis dy skajeve
prandaj na duhet me vigjilue
me folë nën zà, me ecë ngadalë, e me e kqyr
natën që dremit në heshtje.

Nuk ka shumë gjana me thanë
nji kangë e këndueme mbi djep
nji varg, shpesh plot dashni
dhe nji lutje për gjithçka ikën
po at çast s’duhet me harrue –
se prej tij zemrat tona
braktisen, ashpër po natyrshëm

Se bash për kët jena krijue
me shpresën se ka me ndodhë mrekullia,
e n’jehonë të magjisë poetike
me e pa vdekjen drejt e në sy
pse përplasje tjera ma s’presim…
Sonte nata asht rinore, prej vdekjes
posa kemi lindë, fuqishëm.

Dialektikë

Asht e qartë se jeta shfaqet e dashtun
dhe hareja, e vetmja ndjenjë e parrëfyeshme
asht e qartë se e gjej t’bukur sa s’thuhet
dhe bekoj në ty dashninë për gjanat e thjeshta,
asht e qartë se jam i dashuruem mbas teje
dhe kam gjithçka me qenë i lumtun
po më ndodh që ky t’jetë trishtimi im

***

Me u ndje krijesë, me u riprodhue,
me e transformue dashninë në mish dhe mishin në dashni,
me lindë, me frymmarrë, me u përgjumë, e me u ushqye
me dashtë me klith, për me kërkue ushqimin
me dalë nji ditë në dritë dhe me pa botën e me ndigjue
me nisë me dashtë dhe mandej me buzqeshë
me buzqeshë edhe ma shumë për me mujtë me qa
dhe me u rritë pse duhet të dijsh me qenë, me pasë dhe me humbë
me vuejtë e me ndje krrupë prej të qenit i dashuruem
me u ndje i mallkuem, dhe me harrue gjithçka
derisa t’mbrrijë nji dashni e re për me e jetue kët dashni
deri n’vdekje dhe me e zgjedhue kët folje deri në amshim…

Soneti i ma t’madhes dashni

Jo, s’ka dashni ma t’madhe e ma t’habitshme
se imja, që s’i jep nji çast qetsi gjasë ma t’dashtun
dhe kur e shef të hareshme, ndjehet trishtë
e veç kur zhytet n’zymtì, i vjen buzqeshja.

Dhe gjen qetësi, veç kur i ban qëndresë
zemra e dashurueme, dhe ndjehet gazmor
ma shumë se prej aventurës s’përjetshme
që e ndjek, prej nji jete të mbytun n’fatkeqsi

O dashnia ime e çmendun, që posa prek plagos
e kur plagos drithron, po do të dëshironte ma mirë
të plagoste se sa t’merrte fund e t’jetonte ashtu kot

Besnike e bindjes së vet në të gjitha çastet
njashtu dritdhanse, e çmendun, delirante
në pasionin e gjithçkaje dhe të vetvedit…
Oxford 1938

Përshtati në shqip Jozef Radi

De Moraes dhe Toquinho
De Moraes dhe Toquinho

Skeda Vinicius De Moraes

Vinicius de Moraes lindi në Rio de Janeiro, me 19 Tetor të vjetit 1913. I ati qe i dashunuem mbas recitimit të vargjeve, kurse e ama i binte plot pasion kitarrës ndër festat e familjes.
I biri ndoqi prirjet e të dy prindve: si muzikant ai kompozoi kangën e parë me vlleznit Tapajòs, kur ishte ende në të mesme; kurse si poet, njiherit studionte në Fakultetin Juridik, dhe lexonte në publik vargjet e librit të tij të parë “Shtegu i Largësisë”
Si poet, Vinicius qe tejet i vlersuem prej Giuseppe Ungaretti (ma i madhi përkthyes i veprës së tij), me të cilin u njoft në vjetin 1936 në San Paolo, në shtëpinë e Carlos Drummond de Andrade.
Ungaretti shkruen për të: “Largësia, mungesa, dhe njifarë  melankonie, e rrënoi dhe e zhyti thellë, megjithatë i mbeti në sipërfaqe nji mjegull krejt e lehtë, nji vel pothuej i padukshëm, i tillë që me gjithë ngrohtësinë e pakapërcyeshme përreth, u ba burim frymzimi i poezisë së Viniciusit; asht ky sensualitet, ky sensualitet që e xhvesh atë prej gjithçkaje, edhe prej vetvedit, e ban u ndje i gjithi te tjetri, dhe duke dashtë, bahesh edhe personi tjetër…”
Mbasi u laurue, ndërmerr fillimisht rrugën e karrierës diplomatike: në Los Angeles, ku u emnue zëvendës konsull për pesë vjet, dhe kështu nisi dhe pasioni i tij artin e shtatë. Në vitet ’50 shkroi së bashku me Antonio Carlos Jobim, filmin muzikor “Orfeu da Conceição” dhe prej athere nisi me bashkpunue me muzikantët ma të mëdhenj të kohës: prej Pixinguinha te Carlos Lyra, prej Baden Powell te Edu Lobo. Me kitarristin Baden Powell krijoi afrosambën, dhe me diskun “Os afro sambas”, ripërtërinë magjinë dhe ambiguitetin e macumba al candomblè. Së bashku me Jobim, për pak kohë u bà “guru” i “bossa nova”: dhe të dy së bashku kompozuen ndër të tjera edhe të pavdekshmen “Garota de Ipanema” dhe “A felicidade”. Në gusht të 1962, jepet shfaqja e tij ma e madhe, në nightclub Bon Gourmet, con Tom Jobim e João Gilberto…
Tashma e kishte braktisë përfundimisht karrierën diplomatike (Në 1957, ban pjesë në delegacionin e Brasilit në UNESCO), Vinicius, bahet kështu ai që kishte dëshirue gjithnji: nji poet e kangtar: spektaklet e të cilit mbeten çaste të paharrueshme, në të cilat ai alternonte krahas kangëve, anekdotat, poezitë e tij dhe muzikën… Në dhjetë vitet e fundit të jetës së tij, ai nisi nji bashkpunim mjaft të frytshëm me djaloshin e njoftun Toquinho, me të cilin udhëtuen shumë në gjithë botën duke korrë kështu nji sukses të jashtzakonshëm ndërkombëtar, në veçanti në Argjentinë dhe në Itali…
U shue në të dashtunën e tij: Rio de Janeiro, me 9 të korrik 1980... j.r.

Related Images:

Artikulli paraprakRoza Luksemburg (1871-1919) – Robnia
Artikulli tjetërDr. Mag. Ina Arapi: Shqipja shkruhej edhe para Buzukut…
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

1 Koment

  1. Brazili asht nji vend i madh… asht vendi i njerzve pasionantë, i atyne që dijnë të qeshin e të këndojnë… i atyne që dinë festojnë Karnevalet ma të mëdha të botës, e që pasionin e lojës së futbollit e ka në ADN krejt nji popull…
    Nesër nis aventura e nji tjetër Botnori, ku Brazili dhe brazilianët janë mikpritsat e Botës… Edhe unë pasionin tim të lashtë për futbollin dhe Botnorët… po jua përcjell me nji brazilian që kahera e kam fort për zemër: Vinicius de Moraes…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.