back to top
24.5 C
Tirana
E enjte, 16 Maj, 2024

Vatra… një histori e së shkuarës! – nga Marjana Bulku

Gazeta

Stema e Vatrës
Stema e Vatrës

Vatra… një histori e së shkuarës!

nga Marjana Bulku

“E ardhmja, së largu na përqesh.
Dhe ne, që as me kujtimet tona s’arrijmë të ngjajmë.
E as të pranohemi siç jemi, s’guxojmë”
Lord Byron

Marjana Bulku
Marjana Bulku

Federata Panshqiptare Vatra mbetet pa dyshim institucioni me historinë më jetëgjatë në historinë shqiptare dhe kjo lidhet ngushtë me faktin që ajo lindi në tokën e lirë amerikane.
I takon së shkuarës tashmë roli i saj vendimtar në ruajtjen e tërësisë territoriale shqiptare nga tjetërsimi.
Iu afrova Vatrës në majin e vitit 2013, në një prej promovimeve më dinjitoze organizuar prej saj: “Jeta e Jashtëzakonshme e Charls Telford Ericksonit, për Shqipërinë dhe Shqiptarët” me autor ish-ambasadorin shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar, zotin Mal Berisha.
Nuk kishe se si të mos afeksionoheshe nga ai mjedis prej patriotësh që takimet me librin i konsideronin si të përzemërta e mes miqsh.
Por mbetet e shkuar tashmë kjo lloj historie.
Vizita e parë në “Vatër” ishte po aq historike dhe e paharruar; Artistja e Popullit Tinka Kurti do të recitonte vargjet e Nënë Terezës, pa kamera, pa skenar, por e prekur thellësisht nga rrënjët e një historie të shkuar varur mureve të një godine që duket se ende thërret për ringjallje.
Nëntorët shqiptare në Nju Jork, kanë ngjyrat e flamujve të vatrave tona që mblidheshin rreth Vatrës historike sa herë që i thërriste Gjoni, Agimi, Idrizi, Dalipi, Nazo, Asllani… po çfarë rëndësie kanë emrat kur thirrjet bëhen me zemër e dashamirësi dhe ato që të gjithë mblidheshin aty për një qëllim, për të mbajtur gjallë atë frymë që i dha jetë kombit në ditët më të vështira.
Nuk dua t’ia pohoj vetes se edhe këto lloj thirrje vllaznore i përket një historie të shkuar tashmë edhe pse me bindje mund të them se “Vatra” sot është tkurrur prej preferencialitetit, lakmive të çuditëshme për emër, ambicie enigmatike, etj etj.
Kisha filluar të besoj se “Vatra” është një lloj fryme që mbahet gjallë nga njerëz të penës dhe mendjes që i japin emër asaj. Dhe kjo bindje m’u përforcua kur Frank Shkreli promovonte veprën “Demokracia nuk pret”.
Kur Visar Zhiti nuk ikte kurrë prej Nju Jorkut, pa ndaluar në Vatër, kur Diplomati Mal Berisha e ftonte Vatrën në Institute kërkimore historike amerikane e ku virtytet shqiptare si: besa, mirënjohja dhe besnikëria do të ishin pasaporta më e mirë për një popull të vogël si ne, në një truall të huaj e shumëkombësh siç është Amerika.

Kuvendi i Vatres - 1920
Kuvendi i Vatres – 1920

Kur Vatrës i afroheshin fëmijët shqiptarë që fjalët e para të shqipes i shkruanin përbri portreteve të mjeshtrave të fjalës dhe mendimit si Noli e Konica që i dhanë jetë Vatrës dhe Dijes, vërtet besoja se ajo lloj fryme nuk do të ndalte kurrë.
Një ditë të ftohtë janari në Vatër do të këndonte për herë të parë tenori Riad Ymeri, një artist i ri që ndau me të pranishmit mesazhe dhe ide që iu përshtatën aq bukur Herman Bernstein, ish -ambasadorit amerikan në Shqipërinë e viteve ’30, një studim historik i diplomatit Mal Berisha “anëtar Nderi” i dhe nderues sistematik Vatrës. Një promovim mbresëlënës ku pata rastin të njoh drejtuesin dhe strategun e Vatrës inxhinjer Agim Karagjozin. Kisha dëgjuar aq shumë për të, por në atë ngricë janari kristalizova mendimin se patriotët e vërtetë japin nga vetja edhe kur nuk kanë. Aty kuptova se dashuria e tij për Vatrën është si fryma që vdes bashkë me trupin.
Ishin ditët e fundit të jetës së tij dhe mbahej me zor krahëve nga i biri, e megjithatë as të ftohtët dhe as mosha nuk e kishin penguar t’i jepte jetë këtij momenti jetik për Vatrën.
Në komunikimet televizive me ish-gazetarin Gjek Gjonlekaj kisha dëgjuar përkufizimin e tij unik për Vatrën “Vatra është gjaku i ri në shishe të vjetër” – siç shprehej ai.
E yshtur nga përmbajtja përtej kontekstit besoja vërtet se risitë në vatër janë ndërveprimi me të shkuarën, historinë tonë, nevojat e saj, korrekimet, rishkrimet, perspektivat…

Marjana Bulku me zotin Idriz Lamaj
Marjana Bulku me zotin Idriz Lamaj

Besoja se risi në vatër janë jo vetëm moshat, por edhe mentalitetet e reja ku konvergojnë mendime dhe ide që përmes debatesh perfeksionohen e maturohen.
Kam filluar vërtet të besoj se “Vatra” është një histori e shkuar, madje sa herë që miq nga Shqipëria interesohen për fakte arkivore, unë i drejtohem z. Idriz Lamaj pasi përfundimisht kuptova se kjo histori e shkuar e “Vatrës” arriti të prodhonte individualitete dinjitoze që do të mbeten vlera dhe vepra muzeale në memorien tonë, sepse ata e deshën Vatrën pa kushte, e mbajtën gjithmonë hapur atë portë patriotizmi me pendë, mendime dhe u qeshnin sytë e zemra sa herë trokiste dikush e hynte dikush.
Nuk ndalova kurrë së shkruari për Vatrën, sepse ndjeja se aty takoheshin dy kohë, dy botë, qindra ëndrra të cilat pas dhunës absurde të diktaturës që ndau dhe përçau shqiptarët për 50-vjet do t’ja nderonin liritë njëra-tjetrës…
Por… edhe kjo, mbetet një Histori e të shkuarës dhe mjaft e bukur për ta besuar, sepse ka në thelb liri!

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.