back to top
23.5 C
Tirana
E hënë, 29 Prill, 2024

Unë e Baba n’mulli… rrefim nga Bukra Hysenukaj – Kastrati

Gazeta

Mullini i Blojës së Bereqetit
Mullini i Blojës së Bereqetit
Unë e Baba n’mulli…
nga Bukra Hysenukaj – Kastrati

N’at prrue, rrjedhës t’cilit gjithkund tjetër kishin me i thanë lumë, janë kanë dy mullijt e Hysenukaje. Prroni që sot gati ka shterrë përshkojke nji luginë krahhapune me nji pjerrtsi t’fortë, çka e ka ba vendin e duhun me u ndërtue aty mullijt. Lugjt e tyne degzojshin krejt pak ujë prej tan asaj rrjedhe t’rrmyeshme akull t’foftë, verë e dimën. Unë mbaj mend ka blue, vetëm mullinin e poshtëm. I epërmi nuk ish vndue n’punë prej viteve kur u kooprativizue gjiçka. Për aq tokë sa na kish met, nji mulli i mjaftojke 10 katundeve. Mullini i poshtëm, qysh thanke Baba, s’e kish shoqin n’Malsi se gurt i kish prej Mitrovice. Sot, sa her ndigjoj për heroizmat e mitrovicasve, m’vijnë ndërmend gurt e atij mullini, si bluen tan jetën e prap s’u sosën. S’pari n’mulli kam shkue me Babën. Edhe sot e maj mend at thes n’shpind t’tij, mush ma pak se gjysa me drith morav e ù mas tij. Duhet t’jetë kanë pranvera, kur rezervave dimnore u vjen fundi. Po, pranverë asht kanë se prroni i mullinit ushtojke prej ujit t’shtuem që prujke bora e shkrime malesh. Kur kam hy s’pari n’mulli, jam tutë. Mullini ish i ndërtuem prej drrasash. N’shtruem, drrasat kishin hapsinë ndërveti, sa rrjedha e ujit poshtë tyne, ta shtike frikën deri n’asht, por isha me Babën. Mullini asht mishërimi ma i plotë i t’dhanave mà t’bekueme t’Zotit. Mullini asht bukë, ujë, gurë e dru. Baba i ngjiti kadal dy shkallë e zhgarkoi drithin n’lug t’drunit që kish formën e nji hinke gjigande. Unë po pritsha tan kureshtje, qysh mundet me u bà drithi miell, kur tan ajo çka pajsha, ishin dy gurë ndërmjet dy lugjeve druni. Baba u ul e mbi njanin gurë, vndoi nji tip spatule drunit, ma e vogël se nji shplakë dore e gurt nisën me u sjell. Kur kam pa shumë ma vonë në tv, tuj vndue n’punë gramafonët e vjetër, m’asht dokt ai momenti krejt si i mullinit. N’t’dyja rastet ka nji mjet aq t’vogël që vndo n’punë e që sjell krejt botën. Sa t’freskt e kam n’kujtesë at momentin kur muzikaliteti i nji orkestre prej uji, guri e kokrrash drithi, filloi me prodhue at pluhnin magjik. Veç çka pash, Baba ma shpjegoi edhe me fjalë krejt procesin e t’bluemes. E lam thesin skej lugi e sipër tij nji enë druni që shërbejke me marr miellin e dolëm tuj e avitë derën që kurr s’pat nevojë me u myll me dry. Baba e dijke mirë kohën, edhe me minuta kur afrojke fundi i blojs.

(Foto e marre nga FB “Sofra e Gollakut”)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.