back to top
29.5 C
Tirana
E mërkurë, 19 Qershor, 2024

Takimi i fundit me Dom Lazër Shantojën nga Lazër Radi

Gazeta

Dom Lazer Shantoja (1892-1945)
Dom Lazer Shantoja (1892-1945)

Takimi i fundit me Dom Lazër Shantojën

nga Lazër  Radi

Ishim në Burgun e Ri të Tiranës, n’at vit të ftoftë e të akullt, n’at janar ngricash e mornicash të fillimvitit ’45…
Para portës së hekurt të burgut ndaloi nji kamion ushtrie i zbuluem. Zakonisht, ksi lloj makinash sillnin të burgosun tё ri, po s’po dukesh asgjà. Mbi karroceri nuk shifesh tjetër, veç nja dhjetë partizanë më mashinka në krahë. Mbasi zbritën nji njeri, ai nisi me lëvizë kamba-doras, kurse të dytin e kapën si leckë dhe e hodhën si deng leshi me do zhele që i shtynë me kambë prej makinёs.
U ndigjue veç nji rankim i mbytun e mandej heshtje! Plakun që kishin zbritë të parin, tue e tërhjekë rrëshqanë ishte Sylçe Beg Bushati, dikur krenari e Shkodrës, ndërsa tё dytin, që e përplasën në cep të shkallës e që ishte veshё krejt në t’zeza ishte shkrimtari, poeti, muzikanti e prifti i “pianofortit” siç i thonim dikur… Dom Lazër Shantoja.
“O zot, po k’ta janë njerëz fisnikë!” – pshëretiu dikush…
Protestuem për at sjellje brutale… po na kërcnuen se mund ta psonim të njajtin fat nse guxonim me e hapë gojë!
“Asht kohë bishash!” – u nëpërdhambëm dhe u pamë ndër sy!
Dolëm disa të burgosun, i çuem në kambë dhe duke i mbajtë përkrahësh me shumë mundim i futëm mbrendё. Po ku t’i sistemonim? Burgu qe kthye i gjithi n’nji çerdhe milingonash. I tejmbushun me dykamsha njerzorë, që tashma kishin humbë çdo tipar njerzor, prej atyne bishash “çlirimtare”.
As kafshë s’mund të quheshim, sepse edhe kafshët ishin të lira tё gëzonin ma shumë të drejta se ne!
Andej-këndej i mblodhëm do shtresa e do mbulesa dhe i sistemuem disi te nji korridor, diku afër banjos. Mbas do kohe, kur erdh në vedi, Dom Lazri po na shihte me rradhë si i hutuem e s’po njifte asnjenin prej nesh. Iu afrova edhe unë… I përmenda disa raste të përjetueme sëbashku në Romë e në Tiranë. Po… asgja! Dikur vonë filloi ka pak me u kthjellë e na i kallzoi me shenja kockat e thyeme të kambve e plagët e hapuna në trup, e të mbushuna me krypë.
Ndjemë tmerr e rrёqethje…
Mbas disa ditësh erdhën dhe i morën… Ashtu siç e kishin sjellë: rrëshqanë e përplasën n’nji tjetёr birucë. Me nji gjykim somar (gjyq pa asnji procedurë normale) i dënuen me vdekje… U tha se i çuen diku në Breg të Lumit e meqë s’mund të qëndronte në kambë, pse i kishte krejt kockat e thyeme, e hodhën të gjallë n’nji gropë… dhe prej nalt i shkarkuen bataret prej “mashinkave”.
Thanë se i mbuluen aty shpejt e shpejt me dhè, po askush s’e di nëse i mbuluen të gjallë apo të vdekun… sepse dikush kishte thanё që i kishin mbulue të gjallë me dhe…
O zot, deri kur!!

1992

Related Images:

More articles

3 KOMENTET

  1. Ndoc Selimi:
    Dom Lazër Shantoja kishte shegert Mentor Xhemalin, ku Lazri i dha për herë të parë edukatën muzikore, pasi i binte pianos dhe e kishte në shtëpi. Sa filluan grumbullimet partizane, Xhemali iku dhe u kthye në kohën që u arrestua Dom Lazri. Kur shkuan në shtëpi të afërmit e tij për të marrë plaçkat, te dera u doli Mentor Xhemali dhe u tha: ” Ikni këpusni qafën, nëse nuk do të përfundoni edhe ju si ai krimineli.
    Këtu tani banoj une!”

  2. Askurrgja s’kam ditë për Dom Lazër Shantojën edhe pse kishte kenë shkrimtar, përkthyes, njeri i letrave. Kisha krye studimet e Nalta për Letërsi. Vetëm, kur u emnova mësues në rrethin e Kukësit, diku në Kala të Dodës, rreth 8 orë larg qytetit, tuj ba regjistrimet në nji shpi n’fshatin Bushtricë, kur i zoti i shpisë po xirrte pasaportat nga nji arkë e vjetër që ishte edhe me libra, m’ra n’sy nji librec i vogël, doracak si me thanë “Libër xhepi”. E pashë me habi, ku shkruhej: “Net Kazanash”, Dom Lazër Shantoja. A… prift, – thashë me vedi. Ishte viti 1966, e nji vit mbrapa do të bahej kasaphana n’institucionet fetare. Megjithatë, kryezotshpiaku, mbasi ia kërkova librin, ma fali tuj thanë: “Merre, o Shkodër, se unë s’e marr fort vesht çka shkruen se asht gjuhë që s’e kuptoj. E ka pas pru e lanë qaty baba i jem kur patën hi partizant n’Shkodër, i kanë gjetë tanë librat t’hallakatme nëpër sokak. Kush mujte mblidhte aso librash, po shumica e partizanëve ishin gjinde e pashkollë, i gjuejshin me shkelma, po dikush edhe i merrte, si puna e babës tem, që s’ka ditë me lexue. E kemi mbajte krejt kot. – Merre, merre, – më tha 2 herë. Unë e mora, e lexova ku kishte gjana me të vërtetë të bukura, si: Kash e lasha (gjëagjëza), “tvetje pa përgjigje” (pyetje), si: Pse mica kur futet n’odë te dera; nji herë sheh majtas, nji herë djathtas e mandej hyn? (Përgjigja: “Se s’mundet me pa njikohësisht në të dy anët” ose “Kush t’man ma xet se nji tallagan? (Përgjigja: Dy tallagana). Çka ban gamari n’diell?! (Pergjigja: Hije) etj.etj. Kishte edhe anekdota. Për rrezik temin at libër dikush, ndoshta shokët, m’fal o Zot, ma morën, po nuk m’ra n’dore ma. S’mujta me bzajtë se ishte prift shkrimtari e shpesh me thoshin: Ha kaurr-kaurri si me shaka, po mue nuk më vinte mirë. Shpesh namshin: “T’preftë kaurri”! – e kishin fjalën për shkijet se diftojshin kacafytje të shpeshta me ta. Kangët e trimnis krejt në luftë me serbin i kishin…
    Me shkrue për Dom Lazrin, s’përfundoj kurrë..

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.