back to top
17.5 C
Tirana
E premte, 4 Tetor, 2024

Nji ditë në shtëpinë e Dr. Ymer Dishnicës – nga Dr. Lazër Radi

Gazeta

Dr. Ymer Dishnica - Prof. Hazir Shala - Dr. Lazër Radi - Krujë 1996
Dr. Ymer Dishnica – Prof. Hazir Shala – Dr. Lazër Radi – Krujë 1996

Nji ditë në shtëpinë e Dr. Ymer Dishnicës

nga Dr. Lazër Radi

Ky shkrim u botua në vitin 1995, kohë kur të dy figurat,
edhe Dr. Lazri edhe Dr. Ymeri ishin në kufijtë e 80 viteve…
Një tjetër rastësi, ishte edhe vdekja e tyne.
Ymer Dishnica vdiq me 22 shtator 1998,
kurse Lazri, një ditë ma mbas, me 23 shtator 1998.
E konsideroj fat që sëbashku me Lazrin,bamë një vizitë familjes Dishnica,
të cilet sapo kishin ardhë në Tiranë dhe ishin vendosë
diku te godina e Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”.
Aty pata mundësi të njihem doktor Dishnicën dhe familjen e tij,
e të kalonim sëbashku një mbasdite të kandshme …
jozef radi
.
Agim Musta dhe Dr. Ymer Dishnica
Agim Musta dhe Dr. Ymer Dishnica, në 80 vjetorin e lindjes së Lazër Radit
Për Dr. Ymer Dishnicën kam pasë stimë të veçantë për dy arsye:
Së pari për aktin e tij atdhetar të Konferencës së Mukjes, dhe më pas për qëndrimin burrënor në kohën e persekutimit politik;
Së dyti për artikujt e tij pikantë, inteligjentë dhe të kulturuar, botuar përgjat vitit 1945, në gazetën “Bashkimi”.
Mbas ’90, kishte ardhë puna të mendohej për Bashkimin Gjithëkombëtar.
Kujtuam historinë dhe tragjedinë e Mukjes dhe bashkë me Profesor Hazir Shalën, vendosëm një ditë të shkonim në Berat, vetëm ta takue dhe me dijtë mendimin e Dr. Ymerit, në lidhje me idenë e Bashkimit. E dija se ai i kishte kalue të 80-at dhe mendoja ta gjeja të mplakun, të kërrusun, me duer që i dridhen dhe me fjalë të shqiptueme përgjysë prej gulshi.
Kur pyetëm për doktor Dishnicën, e kush s’e njihte në Berat? Të gjithë. Ai i kishte ba vend vedit, qoftë me profesionin e tij prej mjeku, qoftë me rezistencën e heshtun e dinjitoze ndaj nji regjimi të rrezikshëm që të fshinte nga sipërfaqja e dheut, për kurrgjasend.
Sa morëm kthesën për kah shpia e tij, na kaloi pranë nji burrë i hollë e i gjatë, veshun elegant, me nji biçikletë përdore. Si atlet i shkathët, ai na vërejti dhe u nis e shkoi në punë të vet, kurse na vazhduem përpjetën për kah shpija e doktorit. U futëm mbrendë. Ishte nji shpi e thjeshtë përdhecke e rrethueme me gardh si barakat e Savrës. Thirrëm emrin e doktorit dhe na u shfaq nji zojë e hijshme, e qeshun dhe e lindun në mikpritjen shqiptare. Ishte shumë e përzemërt, dhe ne i treguem për qëllimin e vizitës.
-Ja tani, sa kaloi me biçikletë. A s’ju ra në sy? – tha ajo me nje akcent shkodran?
-E pamë, zojë, por s’na e mori mendja, se ai djali i ri, do t’ishte Dr. Ymer Dishnica. – e përcollëm me humor ne.
-S’ka gjà, ju urdhënoni mbrenda, se ja ku asht te furra. I çoj fjalë dhe vjen menjiherë.
-Jo! Po e presim këtu jashtë.
Zoja thirri nji djalë të vogël, dhe ia nisi Doktorit, ta njoftonte për ardhjen tonë.
.
Agim Musta, Qerim Lajçi, Ymer Dishnica, Lazёr Radi, Mujё Rrugova, Hazir Shala, Imer Ademi, Sami Mulaj,
Agim Musta, Qerim Lajçi, Ymer Dishnica, Lazёr Radi, Mujё Rrugova,
Hazir Shala, Imer Ademi, Sami Mulaj – Kruje 1996

* * *

Nuk e them, se ato çaste të pritjes, më kaluen pa emocione.
Nuk e dija pritjen që mund t’na rezervonte Doktori, aq ma tepër kur un isha dënue nga Gjyqi Special, dhe ai si “fitimtar” shfaqej si publicist e komentator akuze? Mos ndoshta në nënvetdije i kishte mbetë diçka nga fronti i të kundërtave në vitet ’44-’45 – ku unë në Gjyqin Special, isha cilësue Armik dhe Kriminel?!
Arriti Doktori, dhe e mbështeti biçikletën mbas gardhit dhe u drejtue kah ne. Si me droje ia thashë emnin. Qëndroi pak çaste tuj më shikue thellë e ndoshta, si në nji makinë elektronike, e kaloi të gjithë atë gjysëm shekulli të vakumit tonë, dhe m’u hodh i përmalluem. Prof. Haziri po na shihte thellësisht i mallëngjyem. Në fytyrë i lexohej qartë kënaqësia: ishte takimi i dy njerëve, i dy mentaliteteve, i dy epokave historike, i dy doktrinave… Ishin dy të çame të thella kombëtare, që n’at përqafim të prekshëm, sikur po mbylleshin e po merrnin pjesë së bashku në rrëzimin e murit të Berlinit, mes shqiptarëve…
I treguem qëllimin e vizitës, dhe pa asnji ngurrim Doktori tha:
-Gjithë jetën e kam pasë andërr dhe ideal Bashkimin Gjithkombëtar. Do të jem shumë i lumtun po të kem mundësi të kontribuoj sado pak për kët vepër kaq të naltë. Në çdo kohë, më keni në dispozicion.
Pa mbarue fjalën, e shoqja e tij besnike – (besnike në të mira po ma shumë në vuejtje) – Flora, u çue në kambë dhe tue e nënshkrue antarësinë, tha:
-Edhe unë bashkë me Ymerin jam për Bashkimin Gjithkombëtar, deri në vdekje…
Para Atdheut, para idealit të Bashkimit Gjithkombëtar, s’duhet të ketë pengesa: Të tanë duhet të jemi të bashkuem!
.
Botuar në Gazetën “Bashkimi i Shqiptarëve” 1995
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.