back to top
10.5 C
Tirana
E shtunë, 2 Nëntor, 2024

Gjergj Fishta – Gurrë patriotizmi e qytetarie Dr. Lazër Radi

Gazeta

At Gjergj Fishta (1871-1940)
At Gjergj Fishta (1871-1940)

Gjergj Fishta –

Gurrë patriotizmi dhe qytetarie*

nga Dr. Lazër  Radi

Zef e kishte emnin!
Dhe Zef Fishta i Zadrimës, do të kishte mbetë, sikur në vjetin 1893, tue u kthye prej Bosnje, veshë me zhgunin e kaftë me litar dhe sandallet e Shën Françeskut, mbasi qe shugurue meshtar, të mos e kish ndrrue emnin e lindjes nga Zef, në Gjergj.
Kështu pra, Ai u bà Gjergj: Po, Gjergj Fishta i shqiptarve!
A mos ishte nji rastësi? Pse? A s’mund të zgjidhte nji emën tjetër: fjala vjen, të ishte Donat, o Ernest, o Salvator… Jo! I vuni vedit emnin Gjergj. Se ai Zefi i Zadrimës, e njifte mirë historinë e Shqipnisë, i dinte luftat e Skanderbegut, ishte i brumosun me ndjenjat ma të pastra të atdhedashnisë – dhe s’mund të zgjidhte tjetër emën veçse: Gjergj! Ishte ma e vogla gjà që mund të bante në kujtim e nderim të t’madhit Gjergj Kastriot – Skanderbegut të Madh.
Tue e marrë kët emën, Zefi i Fishtajve, me siguri kishte mendue me i vù vedit nji detyrim e nji mision të madh…
Dhe, me t’vërtetë, me kalimin e kohës, ai e përligji ma s’miri at emën. Dalja nga errsina dhe prapambetja; liria dhe pavarësia, gjuha dhe kultura shqipe, tradita historike dhe etika kombtare: u ban për kët djalosh idealet e tija të shenjta!
Në kët drejtim, ai punoi me tana forcat e veta, sakrifikoi gjithçka e mbrriti me ngjallë ndër zemrat e shqiptarve jehonën e fuqishme të thirrjes atdhetare…
Ai foli shumë, punoi shumë, shkroi edhe ma shumë, dhe në gjithçka tha e gjithçka banì; si i tha e kur i tha; duken si thirrje të nxjerruna nga fundi i dheut, me dëshmue zanin e krejt nji populli që lufton me dalë nga errësina e shtypjes dhe robnisë në dritën e madhe të lirisë…
Breza të tanë shqiptarësh, në kohnat e turbullta të Pavarësisë, ma shumë se me bukë, janë ushqye me veprat e rilindasve, ndër të cilët Fishta mbetet gjithnji gurrë e pashterrshme patriotizmi, e ku njerzit e shuenin etjen e madhe për dije e qytetnim, duke thithë prej veprës së tij dashninë e flaktë për Atdhe…
 
***
Asht viti 1928…
Nji periudhë tejet e vështirë për jetën e krejt shqiptarve të Kosovës. Bajonetat serbe rrinin të ngrehuna mbi kokat e atyne që guxonin qoftë edhe me përmendë diçka shqiptare. As Lazër Lumezi, mësuesi i shqipes në Prizren, s’guxonte në klasë me na e përmendë emnin e Skanderbegut, veç jashtë e ndër shpija. Terrori serbo-sllav kundra shqiptarëve s’kishte të sosun. Në kët kohë, kur dridhej edhe foshnja në bark të nanës, nji prift i ri, atdhetari Dom Shtjefën Kurti, (i pushkatuem nga diktatura komuniste në Shqipni, në vitin 1972), na mblidhte ne fëmijëve n’oborrin e kishës, na merrte në qelën e vet, e mbasi i mbyllte mirë dyert me lloza, na mësonte kangët patriotike të Fishtës, duke i shoqnue vetë në harmonium. Aty, n’at qelë kishe, ndigjova për t’parën herë se në Shkodër ishte nji frat që quhet Gjergj Fishta, e kangët e bukura për Atdhe, që ai ka shkrue duhej me i mësue përmendsh e me i këndue çdo shqiptar. Eh, sa me qejf e sa shpejt i përpinim ato kangë:

“N’kamb pra nipat e Gjergj Kastriotit/ me lidh besë me armët ngjeshë,
kem Atdhe na ne dit t’sodit,/ kem Shqipnin na rexhineshë:
për Shqipni na do t’jetojmë,/ gjallë Shqipnin na nos ta lshojmë
që ta kem për jet’ e mot…

Ishim fëmijë, por… si rrihnin kto vargje në zemrat tona. O Zot, sa të lumtun ndiheshim mbasi kishim mësue nji vjershë të tillë. Ndoshta, jo me vetëdije, po thjesht me instinktin i shqiptarit, pse e ndjenim shtypjen e të huejit, e njikohësisht na flakronte në shpirt andrra e lirisë, nevoja me u çlirue prej prangave sllave:
 
“…shkunde pluhnin pra moj Shqipni,/ ngrehe ballin si mbretneshë,
se me djelm që ushqen ti n’gji,/ s’mund të quhesh jo robneshë…”.
 
I këndonim me zà të ulët: mbasi represioni sllav ishte i tmerrshëm. Dom Shtjefni na porosiste ta kishim mendjen, se po t’na zbulonin serbët mund t’i paguenim shtrejtë ato kangë, sidomos prindët tonë. Ato kangë ishin aq entuziaste, sa vetvetiu na naltohesh zàni dhe shpërthenim edhe në brohoritje mbrenda atyne mureve…
Në vitin 1930, na dëbuen prej Prizreni, dhe erdhëm në Tokën Amë… Aty pashë e ndjeva nga afër se ato kangë patriotike ishin në krejt shkollat shqiptare. Këndoheshin në klasa, në rrugë, shesheve, në dasma, në krejt manifestimet patriotike. Edhe sot, mbas kaq vjetësh komunizëm barbar, brezat ma të vjetër i kanë të gjalla e shpesh i kujtojmë dhe i këndojmë me mall ato kangë patriotike të shkrueme prej të Madhit: Gjergj Fishta…
At Gjergj Fishta (1871-1940)
At Gjergj Fishta (1871-1940)
***
Edhe pse i përbuzun për nji gjysë shekulli Gjergj Fishta mbetet poet i madh, pse jo: ma i Madhi i Gjuhës Shqipe.
U provue në gjitha gjinitë letrare: në epikë, në lirikë, në satirë, në prozë, në drama, në përkthime, e askund s’mbrriti kulm ma të naltë si n’epikë. Edhe pse në veprën e këtij kolosi të shqipes, s’mund të vehet nji kufi i premë midis asaj çka asht epike e asaj çka asht lirike; s’mund ta ndash lehtë çka asht dramatike prej asaj çka asht satirike, sepse Ai ishte dhe Ai mbeti shpirt i trazuem i kombit të vet. Krejt vepra e tij, mund të thuhet, asht nji përziemje e përhershme epiko-liriko-satirike!!
Në disa vepra satira e tij bahet mjaft e ashpër… po, edhe aty ajo ka qëllime fisnike: ai aty asht stigmatizues i prishjes së e zakoneve të vyeshme, fshikullon ata që pengojnë ecjen e popullit drejt mbarsisë, kështu që tonet satirike, i has kudo në veprën e Fishtës, qoftë n’ato në prozë, po edhe në poezinë e tij.
Nji nga shqetsimet e mëdha të Gjergj Fishtës, mbeti përpjekja me i shkulë nga rranjët mbeturinat e mbapshta të sundimit otoman. Dëshirë e madhe e tij që ta shifte Atdheun e vet të përparuem, të zhvilluem e të lulzuem, të paktën në nivelin e shteteve fqinje! Ajo mbrapambetje e përgjithshme e mundonte tepër aq sa shpesh ndërdyshej: të besonte, a t’mos besonte se Shqipnia mund t’ecte përpara… dhe s’dinte kah t’anonte ma shumë: te dyshimi a te shpresa që kishte te përparimi…
Në nji bisedë në Shkodër, n’ato vite, ai s’na e mshehu shqetësimin e vet për tendencat tepër centrifuge të mendimeve të shfaquna në shkrimet e Viteve Tridhjetë. Ishte i bindun se Shqipnia po e braktiste rrugën e traditave të mira, t’atyne traditave që e kishin mbajtë gjallë ndër shekuj shqiptarizmën. Ai ishte dakord, se edhe koha ban punën e vet dhe se ato s’duheshin pranue ashtu si ishin nji shekull ma parë, pra duhej respektue gjithsesi edhe shpirti i kohës edhe reformimi i tyne, pra duhej gjetë nji formë pajtimi midis së resë dhe tradicionales. Në mënyrë të veçantë ai porosiste me u ruejtë prej tendencave materialiste. Manteli i ri, mbi motorrin e atij majtizmi shkatrrues, që po depërtonte deri në qelizat ma t’thella të jetës shqiptare… ai e shifte si shkatrrim. Ishte i bindun se ecjes përpara s’mund t’i pritej hovi, por duhej edhe m’u ruejtë, e mos me u rrëzue në baltë, e mos me e futë vendin ndër doktrina e mentalitete që s’pajtoheshin kurrsesi as me natyrën e as me shpirtin e shqiptarit…
Fishta mendonte se prej Perëndimit duhej marrë kultura e vërtetë, aq sa ajo t’u jepte ngrohfësi e dritë virtyteve tona ma të mira dhe jo me i zhdukë e me i zhgulë me rranjë traditat. “Na shqiptarët, – na tha Fishta, – duhet me e gjetë mundsinë me i shprehë tana vlerat tona etnike, që na vlojnë nga gjaku i të parve…!”
At Gjergj Fishta (Pikturë)
At Gjergj Fishta (Pikturë)
***
Shqiptarizmën dhe dashninë për nji Shqipni të lirë e të bashkueme n’kufijtë e saj të natyrshëm, ai e derdhi me krejt forcën e vet shpirtnore te “Lahuta e Malcis”. Ajo luftë e rreptë dhe e pabarabartë midis shqiptarëve e serbo-malazesve, asht nji shembull i vërtetë frymzimi. Serbo-sllavët kishin përkrahjen e fuqishme të Rusisë, e falë asaj ndihme e asaj nxitje, ata mundën me i shtri lakmitë e tyne mbi shumë toka shqiptare. Krejt poema paraqet unitetin kombtar, ku protagonist asht populli – pa dallim feje e krahine. Ata luftojnë krah njeni-tjetrit me fitue lirinë e grabitun, me mbrojtë vatrat e tyne e me jetue në paqe e në harmoni n’at truell të stërgjyshënve të tyne!
Fishta luftoi pa kompromise veset e kqija të mjaft prej shqiptarëve e naltoi në piedestal virtytet e tyne! Prandej vepra e tij, edhe sot e ksaj dite asht e mbulueme me heshtje, pse ajo frymëzon fuqishëm ndjenjën e atdhedashnisë, pse ajo përpiqet me e ruejtë pastërtinë shpirtnore dhe idealin kombtar të shqiptarve…

Tiranë, 1992

Gjuha shqipe: Gjergj Fishta
Gjuha shqipe: Gjergj Fishta

(*Shënim: Nuk jemi në gjendje me e përcaktue se ku dhe kur asht botue ky shkrim, mbasi asht shfrytzue dorshkrimi i ruejtun në arkivin e Familjes Radi)

Related Images:

More articles

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.