back to top
27.5 C
Tirana
E enjte, 13 Qershor, 2024

Savër, 20 Gusht 2015 – si ditë e përkujtimit të vuajtjes në Kampet e interrnimit

Gazeta

SNji grup te rinjsh nga Savra, 1963
Nji grup te rinjsh nga Savra, 1963

Savër, 20 Gusht 2015 –

si ditë e përkujtimit të vuajtjes

në Kampet e interrnimit

nga Jozef Radi

Te baraka e dikurshme e Familjes Dukagjini
Te baraka e dikurshme e Familjes Dukagjini

20 gushti i 2015, për shumë nga ish të interrnuemit e Myzeqesë,
ishte me të vërtetë nji “Ditë Ndryshe”.
Dy organizuesit e palodhur të këtij takimi,
Sofo Kuqeshi dhe Tefta Mersini – Çapaj,
prej kohesh i kishin hedhur kët ide, por vetëm me 20 gusht…
me mjaft vështërsi, ata ia mbrritën ta realizojnë nji gjë të tillë…
Meritojnë nji falenderim të madh
jo vetëm prej atyre që mundën të ishin pranishëm,
po edhe prej gjithë atyre që s’mundën të ishin për arsye të ndryshme,
e para – largësia. Sepse nuk është e lehtë
që njerëz tashmë të shpërndarë në gjithë botën,
të mund të mblidhen e të përkujtojnë në vendin e vuejteve të tyre nji ditë,
aty në Savër, ku edhe sot e kësaj dite ka njerëz të persekutuar, që jetojnë aty,
edhe pse kanë kaluar 25 nga Rënia e Murit…
Shumë prej pjesmarresve vizituan edhe Nënë Savën – Vojsava Kuqeshin,
gruan 102 vjeçe, simbolin e një Nënë Shqiptare
që rriti tetë femijë pa burrë dhe që vazhdon te jetoje
në kampin e dikurshëm, edhe prej gati 60 vitesh.
Në fund të fundit Ajo sot është Simboli i Gjallë i gjithë nënave të vuajtjes…
Gjithnji ka nji herë të parë…!
Urojmë që nji përkujtim i tillë të përsëritet dhe të shërbejë
si shembull civilizimi dhe fisnikërie i gjithë atyre që pësuan pa të drejtë…
e që njëherësh shpresojmë që ky akt kolektiv ta shtyjë edhe shtetin
të mendojë pak më ndryshe se ka menduar deri sot!!!!
jozef radi.
22 gusht 2015

Mbas 25 vitesh... bashke
Mbas 25 vitesh… bashke

20 Gushti 2015… një ditë e paharruar!

nga Bedra Kaba

Atë natë pothuajse s’fjeta fare. Jo vetëm unë, po edhe komshijen time të dikurshme, ardhur enkas nga Greqia s’e zinte vendi! Ndjeheshim tepër të emocionuara…
Ishte nji emocion i paprovuar ndonjëherë. Të takohesh mbas 25 vitesh!
E enjtja, e 20 gushtit, qe lënë, (unë s’e mora vesh mirë, se kush ishin organizatorët, por njoftova të gjithë ata që munda), se atje në Savrën tonë, në vendvuajtjen e tmerrit të shumë prej familjeve shqiptare, do të mblidheshin të gjithë ata që kishin jetuar aty dhe kishin mundësi të vinin!! Shumë vetë e kishin përkrahur kët mendim me entuziazëm, e megjithatë ne të dyja ndjeheshim tejet të shqetësuara. A thua do mblidheshin mjaft njerëz?! A do të mund të vinin shumë prej atyre që dikur kishin jetuar aty, e që tashti ishin të shpërndarë në gjithë botën…?! A thua stina e verës ishte një mundësi më shumë, apo secili kishte ikur për pushime, pa e kthyer kokën pas, te ato kujtimet dhe vuajtjet e dikurshme…?!
Ja, këto mendime na kalonin nëpër mendje, dhe jo vetëm emocionet po edhe dyshimet na bënin që gjumi atë natë mezi të na zinte.
Në të zbardhur të ditës, mikja ime u ngrit e para, dhe e shqetësuar më thotë: “Bedra shihe s’i u bë koha jashtë! Mos bëhet kjameti sot, se qielli është nxirë dhe rrufetë gjëmojnë e të trembnin nga katër anët… A thua e Keqja edhe nga lart nuk do na lerë rehat të shkojmë në atë rrugëtim aq emocionues që besojmë se na pret kët mëngjes gushti, nga Tirana drejt Savrës!!
Me këto mendime e biseda, mikja ime Mardalena më thotë… “Bedra, si duket ne na mallkojnë përsëri…!”. “Poooo – i ktheva unë – dhe e di si thonë… Prap këta reaksionarët duan të bashkohen!” Qeshëm!
“Jo… – tha ajo – ndoshta Zoti na i qan hallet tona, të paktën për këtë ditë do të na ndihmojë të mblidhemi…!!”

Valbona çoku - Mirakaj te baraka e sak
Valbona çoku – Mirakaj te baraka e saj

Me këto biseda vinim vërdallë duke u bërë gati, po edhe duke u lutur që shiu të pushonte dhe dita të hapej, që ne të mund të merrnim rrugën drejt atij takimi aq të dashur, mbas 25 vitesh…
Nëpër shiun që sa vinte e rrallohej, dolëm në rrugë, ku vëllai me gjithë familjen e tij erdhi të na merrte për t’u nisur, drejt Savrës së vuajtjeve tona, ende të parrëfyera si duhet. E morëm rrugën, ndërsa dielli nisi të shfaqej gjithnji e më i plotë, me gëzimin se në atë takim të përmallshëm do të gjenim shumë nga bashkëvuajtësit tanë… ata njerëz me të cilët ne ishim rritur, kishim jetuar, kishim ndarë ditë të mira, (po më shumë të këqija) në gjithë vitet e egra të komunizmit.
Tashmë mbrritëm… Savra m’u duk ndryshe, oh sa ndryshe… dhe sot më 20 gusht, janë aq shumë makina që vijnë njëra, pas tjetrës. Njerëz që zbresin, që afrohen me pak ndrojtje, e që pas nji hezitimi takohen e përqafohen me shumë mall me njëri tjetrin… Diçka shumë  emocionuese, tek i sheh disa dhe s’i njeh, dhe sa dëgjon emrin e tyre shpërthen në nji habi e madhe, po janë plot që edhe nuk i njeh se vitet kanë bërë të vetën, dhe asnjëri nga ne s’është më ata që ishim dikur. Gjithkund sheh njerëz që pyeten me njeri tjetrin, sheh duar që shtrëngohen, e përqafime të përmallshme, diku diku gjen edhe lotë gëzimi e trishtimi trazuar bashkë… Pastaj ulemi diku dhe pyesim se kush ka ardhur… dhe ku mund të takohemi me gjithë të ardhurit. Ndue Gjergji, është ndoshta ndër më të vjetrit, rreth të 80-ve, ai ka ardhë bashkë me gruan Katerinën… S’e njoha fare Milaveten me të shoqin Idrizin, edhe pse i kam pasur shumë vite komshinj, pothuaj tridhjetë vite pa e parë, eh sa u mundova ta kujtoj… po nuk munda, atëhere e pyeta, dhe ngela krejt habitur dhe e mallëngjyer. Me tej një zonjë tjetër edhe atë jo, s’e e njoha: Ishte Irena Dukagjini – kishte ngelë po ajo Irenë megjithëse vitet kishin ikur… po ajo femer prap e bukur, krejt elegancë e hijeshi. Dhe njerëzit vazhdonin e vinin me grupe, kurse ne kohë pas kohe përballeshim me emocione tepër të bukura e të veçanta. Aty jeton familja e Ahmet Canes, gruaja, po djali dhe vajza e tyre Valentina, kanë ardhur nga Greqia. Pas pak gjeta shokun tim të klasës Shpëtim Turanin, që ishte me gruan dhe motrën e tij, ashtu në këmbë fiksoja dhe takoja njerëz që vinin që bënin shaka, që të flisnin gjithë mirësi e respekt. I takoja dhe i përqafoja ata njerëz të mrekullushëm të viteve të mia të rinisë…

Gezim Baruti, Dine Dine, Valbona Miraka, Pjeter Delia, Sokol Miraka
Gezim Baruti, Dine Dine, Valbona Miraka, Pjeter Delia, Sokol Miraka

Ndërkohë erdhën edhe fisi Bami, për shumë vite komshinjtë e mi… Takoj Flamurin me gruan dhe djalin, takoj Petritin shokun e klasës, dhe me tej është i vëllai, Zanin me gruan, dhe befas  sytë më mbushen me lotë! Oh sa shumë vite kisha pa i parë komshijet e mija të mira… Oh sa mirë kemi kaluar me ta.
Befas me bie telefoni, e ngre: “Bedra… Adriana jam… Ku je ti?” Unë kam arritë… – i them, – po ti ku je…?! Jam duke ardhë me dajat e mi Simonin dhe Sokolin bashkë me gratë e tyre… Po ishte kjamet moj Bedra s’kishim mundësi me dalë…!” Desha t’i them se atë kisha menduar me miken time… po e kalova… Hajde se po ju presim… i thashë, – kanë ardhë shumë, e po vijnë vazhdimisht! Ndërkohe shoqja ime Vali më thotë… “Bedra po shkoj të thërras Entelën, s’e di pse po vonohet, ajo donte patjetër të të takonte. E ndërkohë vazhdojnë të vijnë njerëz në gjitha rrugët… ka mjaft edhe nga “të lirët” e dikurshëm, që vijnë aty dhe na takojnë përzemërsisht, na përgëzojnë, dhe duket se edhe atyre iu pëlqen ky ritakim mbas kaq shumë vitesh, iu ringjall mall edhe atyre ky rikthim në vendin e vuajtjeve tona… Ata vijnë na takojnë, përqafemi dhe na përgëzojnë për këtë organizim të parë.
Tashmë grupe njerëzish vijnë çdo moment. Disa rrijnë në këmbë në biseda pa fund, disa të tjerë afrohen, takohen e përqafohen me njëri tjetrin, disa janë ulur në klube dhe pijnë diçka, gjithkund bëhen foto, foto pa fund. Kujtime dhe dhimbje bashkë. Fytyra të dashura edhe pse disi të panjohura.

Irakli Daka, Kadri Prengjoni, Ndue Gjergji, Sokol Miraka, Pjeter Delia
Irakli Daka, Kadri Prengjoni, Ndue Gjergji, Sokol Miraka, Pjeter Delia

Një djalë i ri mundohet të filmojë e të kapë me kamer çdo njeri, çdo grup, të regjistrojë çdo skenë emocionesh pa lënë asnjë çast të këtij takimi kaq të të rrallë në jetën e nji kampi interrnimi, që vjet kishte përvjetorin e 60-të të ngritjes… ndërkohë shoh para meje Entelën, ajo më përqafon fort dhe vërtet emocionohem, më dalin lotë jo nga sytë po nga shpirti… Sa e vogël ishte dikur, sot është një zonjushë e bukur. Diku mblidhen gratë e moshuara dhe shkoj afër Fetijes, Bales e Dylberes edhe ato tregojnë e s’pushojnë për fëmijët, për hallet dhe për jetët e tyre. Dëgjohet zëri i dikuj që na fton të shkojmë drejt lagjes sonë, atje ku dikur banuam… dhe marrim rrugën ashtu grupe grupe, spontanisht, ecim drejt asaj rruge kujtimesh pafund… Lagja jonë e shtatë barakave të famshme, duke i përmendur me radhë emrat e njerëzve që dikur banuan… Shpesh ndalemi dhe i shohim ashtu të kantandisura si mos më keq… Ato duhej të ishin në këmbë e të ruajtura… pse aty është nji pjesë e historisë dhe kujtesës së këtij vendi që ka kaluar prej ketyre barrakave sot rrënoja…
Vazhdojmë të ecim e të takojmë njerëz dhe kujtime.

Entela dhe Bedra
Entela dhe Bedra

Ja motrat Spahiu, Najada dhe Brunilda të bijat e Gjeneral Tahsin Spahiut, që po kërkojnë atë barakën e tyre të dikurshme. Edhe Irena Dukagjini është ndalur te baraka e saj dhe shpreh dëshirën për të bërë një foto të gjitha gratë së bashku aty. Dhe Shpëtimi u bën një foto ashtu grup para barakës së saj të famshme ku dikur u përkthye vepra “Orlandi i çmendur” nga Profesor Guljelm Deda, komshiu i saj i dikurshëm. Baraka është pothuaj e shkatërruar… ajo është simboli i dhimbjes!
Vazhdojmë të ecim ashtu së bashku, grupe grupe drejt asaj dhimbje që s’harrohet… Diku shfaqet një vajzë e re që na thotë… “S’po e gjej mamin, s’e di nga vajti!” – dhe ashtu e mërzitur kërkon me sy gjithandej. Dikush i thotë… “Po merre në telefon…!” Eh, – bën ajo e emocionuar, kishte harruar se mund ta kërkonte aty përmes telefonit!!!
Mbas pak shfaqet e ëma, që kishte qenë te shtëpia e saj për ta parë nga afër. Ishte Bajamja Celiku, ajo ishte e bija.

Gra dhe vajza te Savres...
Gra dhe vajza te Savres…

Tek tuk sheh edhe pak banorë të rinj që na shohin si me habi. Dikush thotë: “Eh, këta ishin njerëzit më të mirë të Savrës!!” Ndërsa ne jemi bashkuar të gjithë dhe nisemi për një drekë së bashku.
Në këtë takim kaq miqësor, secili e di se ku të shkojë, sikur s’ka shumë nevojë ta drejthet nga askush… duket sikur të gjithë merren vesh me sy me njeri tjetrin, pa folur fare.
Qe një drekë e thjeshtë, po tepër të bukur, ku gjithçka kishte marrë ngjyrat një feste entuziaste. Shefqet Dobra, foli dy fjalë duke i përgëzuar dhe uruar gjithë pjesëmarrësit për këtë takim të mrekullushëm, ku të gjithë brezat ishin bashkë, dhe shprehu dëshirën e lënies së kësaj dite… si nji ditë e shënuar për t’u mbledhur dhe për t’u ritakuar edhe në vitet që vijnë.
Ide e bukur dhe fisnike…!

Dreka e Festes
Dreka e Festes

Ne ishim aty, dhe s’kishte as parti, as premtime elektorale, as demagogji që aq me shumicë ka ky vend… ishim thjesht bashkë në një takim malli dhe gëzimi, në nji takim përkujtimi të së keqes që s’duhet harruar, dhe si dëshmi se ende s’është bërë asgjë për t’i respektuar ata njerez që kaluan në atë v nd ditët më të vështira të jetës nën diktaturë… Ishim të gjitha bashkë dhe nji fill gëzimi e shihje tek të gjithë, reflektohej në fytyrat e gjithkuj që ishte i pranishëm në atë sallë.
Befas nisi një valle, më pas muzikë e lehtë një vals, një tango dhe mendja na fluturoi në kujtime të largëta, dhe ndjeva të më tërheqë vëmendjen një grua tepër e bukur që unë s’e njihja, ose e mbaja mend pak. Ndërkohë pyes miken time se kush ishte ajo. Me tregoi se ishte Tefta Capaj, motra e Eqeremit, Fadilit dhe Lefterit, dhe ai vallzimi i bukur i saj me kujtoi vallzimet e shumë çifteve që kërcenin aq bukur në dasmat tona aty në kamp…
Dreka vazhdoi, nën ritmin e muzikës, fotove pa fund, haresë, humorit dhe gëzimit të secilit pjesmarrës… Gjithkush dukej i çliruar brenda shpirtit të tij, dhe kur të shpërndahen do të marrin me vete kujtimet e këtij takimi të mrekullushëm brezash… Ndërkohë dëgjohet zëri i Sofokli Kuqeshit, njeri nga organizatorët kryesorë, se dikush do të japë diçka për tre njerëz të veçantë… dhe ashtu me humor jepen ca zarfa, po ndoshta shumë pak e kishin mendjet aty.

Ne shtepine e Nene Saves
Ne shtepine e Nene Saves

Kur drekës po i afrohej fundi, u shfaq një tortë e madhe për të gjithë, një tortë e ardhur për ta nderuar këtë takim të mrekullueshëm nga familja Ciroka.
Më në fund erdhi koha të ndahemi. Ishte një dite të rrallë, por me shpresë se do të përsëritet… një dëshirë e shprehur nga të gjithë për t’u riparë çdo vit në një ditë si kjo, nji ditë e shenjtë lirie, po edhe një dëshmi se asgjë nuk mund të harrohet… Po të gjithë brezat duhet të punojnë që të mblidhen aty në çdo 20 gusht, të viteve që vijnë…

(Fotot u përzgjodhën në albumet e kësaj dite nga Bedra Kaba, Sokol Miraka dhe Shpëtim Turani ne Fb, dhe ui përshtatën shënimeve të B. Kabes)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.