Saimir Pirgu – Fëmija i Metalurgjikut, Don Alfredo i Botës

0
9
Tenori Saimir Pirgu - 2013
Tenori Saimir Pirgu - 2013
Tenori Saimir Pirgu - 2013
Tenori Saimir Pirgu – 2013 (foto a. jolie)

Fëmija i Metalurgjikut, Don Alfredo i Botës

Intervistë e Saimir Pirgut nga Alida Jolie

Shënim: Kjo intervistë mjaft interesante e realizuar me shumë dashuri nga Alida Jolie, është botuar kohë më parë… por vetëm para pak ditësh, mbasi e lexova së pari, në bisedë me realizuesen e saj, i shfaqa jo vetëm mendimin tim, po u përpoqa ta bind, se kjo intervistë kaq e veçantë e delikate e Saimir Pirgut, të rishfaqet edhe falë arritjeve të tija reja deri sot… po tashmë nën nji dritë tjetër… Edhe pse ngurruese, ajo pranoi!
Në harkun e një viti e gjysëm nga paraqitja kësaj interviste në revistën Mapo, karriera e djaloshit nga Elbasani ka njohur vetëm kurbën e ngjitjes, duke korrur sukses si në skenat europiane edhe ato amerikane, por ajo që më bëri më shumë përshtypje në kët bisedë të shlirtë e tejet miqsore mbetet figura e protagonistit Pirgu, ku si fotot edhe biseda janë zhvilluar jo vetëm nën dritën e suksesit, po edhe nën at dritën e brendëshme të këtij djaloshi, që rri aq lirshëm si në skenë edhe në një bisedë, që di ta rrëfejë aq thjeshtë këmbënguljen e tij në mbrritjen e suksesit, po në të njejtën kohë s’harron asgjë nga e shkuara jo e largët, dhe përpiqet me talentin e tij në gjitha skenat ku ngjitet, të jetë jo vetëm ambasador i muzikës, kësaj gjuhe të përbotshme, po edhe i nji Shqipërie ndryshe…
Prandaj, falenderime i përkasin jo vetëm Saimir Pirgut, po edhe autores Alida Jolie, që ka arritur ta sjellë si përmes fotove edhe nëpërmjet pyetjeve, të plotë si askush tjetër figurën e tenorit të ri shqiptar… j. radi

***

Takohem me tenorin shqiptar në apartamentin e tij, në një lagje të qetë të New York-ut (Nju Jorkut). Një mjedis i thjeshtë, por veshur me elegancë e hijeshi, me pikturat me stil impresionist, e deri te pianoja që nuk mund të mungonte në anën tjetër të dhomës. Kam patur fatin e mirë për ta ndjekur Pirgun në natën premierë, ku ai debutoi përkrah Placido Domingos dhe Diana Damraut. Një shfaqje “sold out” për gjithë sezonin e operës ‘Traviata’. Një gjë e tillë nuk ndodhte prej vitesh në Met (Metropolitan Opera në Nju Jork). Artisti me buzëqeshje të ëmbël por “asnjëherë naiv”, siç e përshkruan veten, tashmë ka zënë vendin e tij të nderit duke u rreshtuar me tenorët më të mirë në botë. Duartrokitje pa fund dhe emocione të papërshkrueshme të kaplojnë kur shikon Saimir Pirgun të interpretojë në rolin e Alfredos. Një rol që nuk është kryesor, siç ndodh jo pak në opera, por që u prezantua me shumë dinjitet, dhe u mirëprit shumë ngrohtë nga publiku amerikan. Siç thotë ai “rolet e dukëve, dhe të mbretërve i kanë sjellë suksesin që me herën e parë”… a. jolie

Intervistuesja dhe fotografja Alida Jolie
Intervistuesja dhe fotografja Alida Jolie

Ju po riktheheni për herë të dytë në Metropolitan Opera. A mund të na tregoni diçka rreth përshtypjeve dhe eksperiencës suaj gjatë kësaj kohe, dhe a ka ndonjë ndryshim nga hera e parë kur ju debutuat më 2009? Sigurisht, nga 2009-ta dhe tani më 2013 ka një ndryshim, pasi kam më tepër se 4-5 vjet karrierë në nivele ndërkombëtare, dhe kur kam ardhur atëherë kam ardhur si i ri që debutoja në një teatër me një rol relativisht pak më të vogël. Ndërsa tani vij me një rol të repertorit operistik botëror, dhe fakti që jam edhe me Placido Domingon dhe Diana Damrau, të cilët janë që të dy artistë të një niveli me të vërtetë absolut, edhe nga Metropolitan Opera, bën që ky të mos jetë më një debutim, por ti je një artist që ata kanë menduar që do ishte mirë në këtë dyshe, apo në këtë treshe. Kështu që për mua shtohet përgjegjësia, sepse duhet, në një farë mënyre, të përmbush kërkesat e Metropolitan Opera dhe kërkesat që publiku amerikan apo publiku i Metropolitan Opera është mësuar të ketë. Deri tani, fatmirësisht, kam bërë pesë shfaqje, kam dhe dy të tjera dhe janë mjaft të kënaqur si publiku ashtu edhe kritika, e cila ka pasur reagim tepër të mirë që nga NY Times dhe Associated Press, e shumë gazeta të tjera dhe me të vërtetë jam i kënaqur, sepse zakonisht publiku nuk përputhet me kritikën. Ka raste që publiku është tepër pozitiv dhe kritikat janë më pak pozitive. Ndërsa këtë herë ka qenë goxha reagim i mirë dhe jam tepër i kënaqur, sepse nganjëherë Alfredo del si i anashkaluar ngaqë s’diskutohet, se Violeta është roli kryesor dhe Alfredo është ai që është më pak agresivi dhe arrin deri aty sa ta ofendojë atë dhe ta paguajë me gjithë paratë që kish shpenzuar ajo për të. Kështu që ndonjëherë ai edhe urrehet nga publiku. Sado që arrin të qajë në fund, në aktin e tretë, prapë ai nuk ka peshën e duhur, por nganjëherë ia vë fajin babait, nganjëherë ia vë fajin atij vetë. Kështu që, duke pasur dhe Domingon në rolin e babait të personazhit tim, shumë vetë mund të mendojnë që mund të ishte pak vështirë, por për mua ka qenë vetëm ndihmë. Sepse vërtet, dhe shumë kritikë e vunë në dukje, që shumë mirë unë mund të isha fëmija i Domingos! Dhe realisht, me flokë të zeza, ju kujtohej Domingoja i ri, dhe fakti që ai e ka kënduar disa herë… Jo, ai  më saktë e ka kënduar për tridhjetë vjet (buzëqesh) këtë rol dhe mbahet si një nga më të mirët e kohërave si Alfredo.
Në fëmijërinë tuaj ju keni ndjekur Tre Tenorët, të cilët ju kanë frymëzuar për të ndjekur rrugën e tyre. Tani, në një moshë më të rritur, ju këndoni krah për krah me njërin prej tyre, të madhin Placido Domingo. Ç’mbresa keni dhe si ka ndikuar ky bashkëpunim me Domingon në karrierën tuaj? Mund të them që Domingo… për më tepër që unë kam njohur dhe Luciano Pavarotin, kam qenë mik, kam studiuar me të, mik shtëpie. Pastaj, me Domingon kam kënduar dhe them që çdo gjë që Domingo ka bërë në jetën e vet unë e kam provuar me të, si dirigjent, si drejtor artistik, si tenor dhe si bariton tashmë herët e fundit. Kështu që mund të them që Domingo ka bërë karrierën time në Amerikë. E kam nisur në Los Angelos Opera, ku ai ishte drejtor artistik dhe është akoma, kur më ftoi për produksionin e parë të Gianni Schiccis, me regjinë e Woody Allen, dhe që atëherë kam ardhur në Washington, në Santa Fe, në Chicago, në Metropolitan. D.m.th., ka qenë ndër të parët që më ka mbështetur në Amerikë, po gjithashtu, dhe ai vetë si njeri i mbështet shumë të rinjtë. Mund të kujtoj që shumë këngëtarë të tjerë kanë dalë nga konkursi i tij, si Josif Gjipali, Inva Mula etj., që këndojnë sot nëpër botë. Kështu që, për sa i përket Domingos, unë mund të flas vetëm gjëra të mira për të.

Mbyllja e shfaqjes ne Metropolitan
Mbyllja e shfaqjes ne Metropolitan (foto a. jolie)

A mund të na jepni një ide se çfarë emocionesh përjetoni përpara fillimit të shfaqjes, teksa perdja po ngrihet? Zakonisht jemi mësuar të dalim në skenë. Por, siç ishte rasti i kësaj shfaqjeje, dhe unë vij me një background… “Traviata” mund të them që është produksioni im i pesëmbëdhjetë dhe, për një karrierë relativisht të re që unë kam, pesëmbëdhjetë produksione janë shumë. Mund të them që ka mbi njëqind ose njëqind e pesëdhjetë “Traviata”, dhe mund të them që është edhe roli që kam kënduar më tepër. Sidoqoftë, sadoherë që e këndon një rol, kur je në vende të këtij lloji, shtohet përgjegjësia dhe njerëzit e shikojnë me lupë të madhe çdo lloj gjëje që ti bën. Por, nuk ka qenë dhe aq emocioni sesa dëshira për të dhënë diçka më të bukur, dhe për të qenë, mos të themi i barabartë, por dhe më tepër. Pra, është kjo krenaria jonë që ne shqiptarët kemi, që në këtë rast ka dalë për mirë dhe jam tepër i gëzuar për këtë. Nuk kam pasur emocion, kam dashur vetëm të jap maksimumin që unë kam.
Në gjithë karrierën tuaj artistike cilin personazh do të veçonit si rolin që ju ka angazhuar më së tepërmi, në sensin që ju është dashur të punoni për të më shumë se zakonisht? Ka shumë role që unë kam në fillimin e karrierës sime, se tani unë jam vetëm te fillimi, pothuajse jam vetëm tek A-ja, ose mund të them tek A e gjysmë, s’kemi arritur ende te B-ja…(buzëqesh). Ka pasur disa role që i kam kënduar shpeshherë, por që nuk janë realizuar maksimalisht, dhe një nga këto mund të jetë edhe roli te “Traviata”, ndonëse ka dalë me shumë sukses, prapë them që nuk është i perfeksionuar deri në fund. Ndërsa ka disa role që kanë qenë më të vështirët e repertorit operistik, siç mund të ishte Idomeneo, që me herën e parë, me mundimin e parë, vërtet kam studiuar shumë. Por kanë pasur një pjekuri… janë disa role që ngjisin më tepër se disa të tjerë. Është punë edhe e karakterit të njeriut. Ndonëse Alfredo për mua është shumë më thjesht të ekzekutohet, sepse i përmbush gjithë ‘kërkesat’: jam djalë i ri, zëri OK; domethënë i ke çdo gjë në skenë që ta realizosh mirë një Alfredo… Je Alfredo. Kush më sheh në rrugë thotë: ky është Alfredo.
Ndërsa Idomeneu është diçka tjetër, është një rol tjetër. Idomeneu është një njeri i lodhur, një njeri i vuajtur, një njeri që ka gjithë peshën e mbretërisë së vet, dhe që ka humbur. Nga një ide e tij kanë vdekur me qindra njerëz dhe kjo gjë i peshon atij tepër… nuk jam duke të shpjeguar gjithë Idomeneun. Ishte tepër e vështirë, sidomos se duhej të luaje një të vjetër, një plak, por nga ana tjetër ishte më kollaj. Nganjëherë është më lehtë të luash diçka që nuk je, sesa një diçka që je. Mund të them me siguri që ky është roli që mua më ka dhënë sadisfaksionin më të madh nga ana artistike, sepse e kam goditur që herën e parë. Ndërsa ka role të tjera që p.sh. gjithmonë i përmirëson, ose të tjerë që gjithmonë sa vijnë e bëhen më të këqij, ose më të vështirë. Roli i Luçias, ku roli i tenorit është shumë i vështirë vokalisht, dhe sa herë që këndohet e shikon me frikë se “bobo, a do e bëj dot apo jo”? Por, të gjitha këto janë gjëra që ne artistët i kemi brenda vetes dhe nuk para shprehen në publik, por mbeten te ne dhe bëhen pjesë e asaj historisë që mbase dikush që e njeh më mirë artin tonë e kupton më mirë se cila është dhe ku ka dalë më mirë Saimiri. Por zakonisht dukët, mbretërit, janë role që më kanë dhënë goxha sukses… (buzëqesh).
Në operën “Traviata” që u shfaq së fundmi në Met, ju luani rolin e Alfredos, i cili përballet me ndjenja të forta dashurie dhe xhelozie. Sa i përafrohet personazhi i Alfredos Saimirit në jetën reale? Si arrini të mishëroni personazhin në skenë, fati i të cilit mund të jetë shumë i ndryshëm nga situata në të cilën ju ndodheni vetë? Alfredo është pak më naiv se Saimiri. Saimiri nuk është naiv, mbase mund të dalë pak naiv me buzëqeshjet që ka Saimiri, por zakonisht nuk jam kaq… Njeriu që takohet me mua kupton pas 2-3 minutash që është pak më e vështirë të kapësh Saimirin atje ku do… (buzëqesh). Alfredo ka dy gjëra të bukura, që mua më pëlqejnë. Sidomos, ajo që neve shqiptarëve na del në pah më tepër, është ajo egërsia që kemi në historinë tonë. Na del në çdo cep dhe është e kotë që ne ta fshehim e të dukemi ndryshe, apo të shesim mend që jemi ndryshe për atë që ne nuk jemi, është e pamundur. Na ecën drama, na ecën… e kemi në gjak, nuk di ç’të them…

Traviata - Ermonela Jaho e Saimir Pirgu
Traviata – Ermonela Jaho e Saimir Pirgu

Kur këndonim “Traviatën” me Ermonela Jahon në Londër, në Cohen Garden, më besoni domethënë mua më rrëqethej mishi, gjithmonë në aktin e fundit me të, dhe shikoja aty tek ajo gjithë dramën e njeriut, gjithë dramën që ne kemi vuajtur. Dhe kur them që kot e kemi që të hiqemi ndryshe, sepse nuk ia dalim dot. Është e vërtetë. Ne duam që gjithmonë të dukemi ndryshe nga ata që jemi. Duam që të jemi më aristokratë seç jemi dhe kam thënë gjithmonë që ne shqiptarët, në qoftë se do tregohemi siç jemi, mbase do kemi më tepër sukses në jetë. Dhe, në rastin tim, kjo me ka ndihmuar. Kur mundohemi të shesim mend apo t’u tregojmë botës sesi jemi, apo që ne dimë më tepër, e kemi të humbur që në fillim lojën. Dhe mendoj që ka ardhur koha që ne, gjithë këta talente që ne kemi nëpër botë, dhe janë me qindra, – mund të them vetëm në orkestrën e La Scala janë pesë instrumentistë, në Vjenë gjithashtu, kudo, në Berlin; dhe flas vetëm për artin, imagjino këngëtarët dhe të tjerët. Dhe këta e kanë kuptuar që ne kemi një diçka. Ama, ne duhet të gjejmë mënyrën tjetër të mos jemi të egër kur ta prezantojmë këtë gjë, por vetëm të vetëdijshëm që ne jemi këta, dhe kaq. Jemi këtu dhe s’ka asnjë problem të jesh tenori shqiptar në Metropolitan Opera. Pse? Çfarë kemi mangut? Maria Callas ishte nga Greqia. Nuk kishin nxjerrë më përpara ndonjë tjetër, doli Maria Callas. Pse jo Ermonela Jaho të mos jetë nga Shqipëria, apo Inva Mula nga Shqipëria? Kjo është e bukura dhe ne duhet t’i besojmë kësaj gjëje që ne kemi me qindra, e qindra talente që janë në çdo fushë, në arkitekturë, në shkolla, në balet, në muzikë, modele, ku ta di unë, çfarë nuk kemi… fotografë, i kemi të tërë. Dhe është e vetmja mundësi që kemi, vetëm këta duhet të jenë të lirë të shprehen siç duhet, dhe po ia arrijmë qëllimit që kemi.
Atë që ne nuk kemi pasur deri diku, një identitet tonin, tani e kemi. Dhe nuk dëgjon pak herë: ky artist, ky violinist, ky balerin, ky këtej, ky andej; dhe kjo është kënaqësia më e madhe që ne si popull kemi arritur në këta 20 vjet liri.
Titulli i gazetës NY Times ju cilësonte si “tenorin nga ana e errët e hënës”? Çfarë nënkupton kjo për ju dhe a mendoni që ky është një karakterizim i drejtë? Mendoj se po. Ne jemi vërtet nga ‘ana e errët e hënës’. Nuk na njeh njeri. Historia jonë është akoma… nuk e njohim ne akoma historinë tonë dhe, siç edhe Kadareja thotë, duhet që ata historianët shqiptarë të fillojnë të mendojnë me të vërtetë sesi është historia, se ka shumë keqinformim. Ne nuk merremi vesh se çfarë ka ndodhur. Dhe për të gjithë këtë histori, për të gjithë këta shekuj që kanë kaluar, në daç periudha otomane, por dhe më përpara, ka shumë keqinformim, dhe nuk kuptohet që ne jemi një popull nga më të vjetrit në Ballkan, dhe ne kemi një identitetin tonë dhe fundi flasim një gjuhë që nuk ngjan me asnjë tjetër. Ka një përse, ndonëse ne kemi qenë myslimanë, kemi qenë bektashinj, kemi qenë ortodoksë, katolikë, ne prapë kemi mbijetuar dhe po mbijetojmë akoma falë një gjëje të brendshme që kemi ne; që jemi shqiptarë. Dhe kjo tani, po mundohen koha-kohës njerëzit të gjejnë diçka tjetër, të na nxjerrin sikur është faji i shqiptarëve. Përse? Mund të jetë edhe i yni. Por, nuk e di, dua që të rishkruhet, ose të shkruhet ashtu siç është me të vërtetë, se çfarë me të vërtetë jemi. Dhe pikërisht për këtë kam folur në intervistën që unë kam dhënë për NY Times. Ka qenë një intervistë prej tri orësh. Sepse zakonisht, një intervistues që vjen, një muzikant, ose një gazetar, ose një kritik muzike në këtë rast, nuk e njeh Shqipërinë absolutisht, nuk e dinte as ku binte Shqipëria. Ky kritik e dinte që Shqipëria ishte në Europë, por jo aq shumë, sepse kemi qenë të izoluar. Dhe nga ‘ana e errët e hënës’ do të thotë që për këta njerëz nuk dihet diçka. Gazetari më pyet “a kishte opera, a kishte…?” Dhe nuk është çudi kjo, sepse informacioni që vjen këtej, vjen o për luftën e Kosovës, ose ku ta di unë, ndonjë krim të rëndë që ka bërë ndonjëri; ose për emigrantët që janë në NY nga Shqipëria.

Buzqeshja e Saimir Pirgut
Buzqeshja e Saimir Pirgut (foto a. jolie)

Kështu që në Amerikë për Shqipërinë i bie të flitet shumë pak, u vjen shumë pak herë në mend. Kur flitet për Shqipërinë, për çfarë do flitet? Nuk është se ne kemi një industri të rëndë, apo prodhojmë diçka që vërtet i duhet Amerikës. Për Amerikën mjafton që ne jemi në vend dhe ata të kenë një mbështetje. Kjo ishte ideja e gazetarit, donte me të vërtetë të dinte se çfarë ishte Shqipëria dhe sa kishim vuajtur. Dhe i shpjegova punën e komunizmit në Shqipëri, që ndonëse unë kam qenë i vogël prapë, deri në vitet 1989-‘90, kam qenë në klasë të parë dhe kam vuajtur tërësisht atë periudhën e ndryshimit të komunizmit, të ndryshimit kur nuk kishte asgjë në Shqipëri.
Kështu që ‘nga ana e errët e hënës’ mbase është pak abstrakt, dhe shqiptarëve nuk do t’u vinte mirë një titull i tillë, por për mua është një realitet me të cilin ne duhet të përballemi. Dikush në Shqipëri duhet të punojë më tepër që Shqipërisë t’i dalë emri për bregdetin e shkëlqyer që kemi, për malet e bukura që kemi, për historinë tonë të fortë të qëndresës, që jemi shqiptarë. Historia e shqiptarëve është njëlloj si e hebrejve. Me vite e vite të tëra, ndonëse e kemi pasur gjithmonë territorin tonë, kemi vuajtur nga prezenca e shumë gjërave të huaja. Sot e kësaj dite vuajmë të njëjtën gjë. Kështu që ka ardhur koha që ne sa më shumë të flasim për artistët, për artin, për gjërat e bukura që ka Shqipëria, më mirë do të jetë!
Kush mendoni se mund ta bëjë këtë më mirë, sesa ju? Të gjithë ne. Nuk është politika ajo që ndryshon Shqipërinë. Janë individët. Në qoftë se individët në Shqipëri nuk do mendojnë ndryshe, nuk do ndryshojnë. Çdokush mund të arrijë maksimumin në jetë, mjafton të besojë. Nuk është se do ta ndryshojë Berisha apo Edi Rama Shqipërinë. Nuk mendoj këtë gjë. Shqipëria ndërtohet nga ne dhe gjithsecili nga ne jep kontributin e vet.

Saimir Pirgu (foto a. jolie)
Saimir Pirgu (foto a. jolie)

A mund të na thoni diçka rreth vetes, diçka që publiku nuk e di? Si për shembull, si e kaloni ditën kur nuk jeni duke u marrë me prova, apo duke u përgatitur për ndonjë aktivitet artistik? Me aktivitetin kaq të gjerë që kam, është e vështirë ta kaloj ditën ndryshe. Ia bëj qejfin vetes në çdo lloj aspekti, por problemi është që unë kam një aktivitet shumë të ngjeshur. Ditët e mia janë të zëna me studimin e pjesëve që luaj. Me një aktivet kaq të ngjeshur artistik do të thotë që jeta private është shumë e cenuar. E vetmja mundësi që unë kam, falë Zotit, kam mundësinë që të ftoj njerëzit, miqtë e mi, prindërit e mi, familjen dhe të mund t’i takoj. Në qoftë se unë nuk do kisha këto mundësi, do të ishte e pamundur që të kisha jetë private. Kjo është e vetmja gjë që unë e vuaj, por e vuaj me kënaqësi ama, pra që nuk ke më ata miqtë e dikurshëm dhe shkoje në bar, të pije një birrë, apo një kafe. Jo, e ke të pamundur! Me ta takohesh një herë në dy vjet ose një herë në tre vjet.
Natën e premierës pata fatin e mirë që të takoja prindërit tuaj dhe t’i falenderoja, sepse ju jeni produkt i tyre… Ne jemi rritur me një dashuri, por jo vetëm unë. Unë them se të gjithë prindërit shqiptarë i rrisin fëmijët e tyre me një dashuri kaq të madhe, saqë vetëm kur arrin mbi moshën tridhjetë vjeç fillon e kupton se çfarë sakrificash kanë bërë prindërit për ne. Kur them që ime më e hiqte qumështin pluhur që e merrte në Metalurgjik për t’ua dhënë dy binjakëve, mua dhe vëllait tim, nuk besohet. Ta tregosh këtej, nuk e beson njeri. Ose e besojnë, por të marrin se je nga Afrika; jo që jemi në Europë dhe 30-40 km në vijë ajrore larg Italisë. Është e vështirë t’u tregosh botës vuajtjet tona ose të prindërve tanë. Kështu që jam i kënaqur kur ata nëpërmjet meje, apo të gjithë prindërit shqiptarë nëpërmjet fëmijëve të tyre, shohin gjërat e bukura që ata kanë investuar dhe që kanë pretenduar të kenë. Është si çdo njeri që pretendon që të ketë diçka të bukur. Dhe prindërit e mi e kanë kaluar, sepse unë kam një vëlla të shkëlqyer i cili ka një familje shumë të bukur dhe me gruan e tij, e nipin tim të paparë. Thonë që i ngjan xhaxhait, por unë nuk e di (buzëqesh). Dhe për atë më ka marrë malli tepër! Ja, këtë e vuaj, se është tepër i vogël dhe nuk mund të lëvizë e të mbajë një udhëtim prej nëntë orësh e të vijë në Amerikë. Dhe do kisha shumë qejf ta kisha këtu, se ata kur janë kështu të vegjël aty e kanë bukurinë e tyre.

Metropolitan Opera - New York
Metropolitan Opera – New York (Met)

Kur mendoni të riktheheni në Metropolitan Opera? Me siguri në sezonin 2015-2016, jam në Met përsëri. Titulli është akoma në diskutim. Por, do jem në Amerikë përsëri vitin tjetër, në San Francisco, në operën “Traviata”, pastaj në Los Angelos me operën “Lucia”, dhe në fund të vitit, nga nëntori e dhjetori, do jem në Washington DC, në Kennedy Center, me operën “Boheme”. Kështu që jam pothuajse prezent në publikun amerikan, gjithashtu dhe në atë europian. Vitin tjetër do jem në Vjenë, e po ashtu në arenën e Veronës, ku kam operën “Rigoleto”, një eveniment, pasi  është Viti Verdian, dhe do dirigjojë prapë Domingo. Pastaj do mbyll vitin në Paris me operën “La Clemenza di Tito”, kështu që aktivitet janë të pafundme.
A mendoni të jepni ndonjë kontribut për operën në Shqipëri? Unë gjatë kohës që kam filluar të këndoj nëpër botë nuk e kam anashkaluar Shqipërinë. Mund të them që kam debutuar operën “Elisir” për herë të parë në Shqipëri. Operën “Traviata” që unë po e këndoj këtu, e kam kënduar për herë të parë me të madhen Mariana Leka. Mund të them nga këngëtaret më të mira shqiptare, jo vetëm se është në Shqipëri, por po të ishte këtej mund të bënte karrierë të madhe. Sa herë që unë kam kënduar kam dashur që Shqipëria të përzihet në gjithë metropolet që unë jam. Është kryeqyteti ynë. Është pak më i vështirë bashkëpunimi në Shqipëri, edhe për faj të kohës që unë kam, sepse jam shumë i zënë me produksionin që kam këtej. Koha mbetet tepër e shkurtër. Është pak vështirë dhe në Shqipëri të gjesh situata, të mos ndikohesh politikisht. Sepse ne artistët nuk kemi nevojë për politikë (buzëqesh).
5 Qershor 2013
Intervista dhe fotot nga Alida Jolie

Related Images:

Artikulli paraprakUlkonja dhe bijtë e vet… Zef Pllumi (Rrno vetëm për me tregue 3)
Artikulli tjetërLamtumira e Ambasadorit Arvizu… nga katakombet e Spaçit
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.