back to top
30.5 C
Tirana
E diel, 21 Korrik, 2024

Ulkonja dhe bijtë e vet… Zef Pllumi (Rrno vetëm për me tregue 3)

Gazeta

At Zef Pllumi (1924-2007)
At Zef Pllumi (1924-2007)

Ulkonja dhe bijtë e vet…

Zef Pllumi: Rrno vetëm për me tregue (pjesë të zgjedhuna 3)  

Shoh se Paulinin po e zbrisnin shkallve. Ai trup i gjatë dymetrosh ishte kërrusë dyfish. Mezi gjimonte. Nuk e lidhën aty në hamamxhik por e nxuerën n’oborr, diku afër murit, në kambë, i hodhën nji batanije në krye si të gjithë tjerëve që mos ta njifshin shoqishojnë. Roja me automatik në dorë sillej andej e këndej nëpër oborr. Mandej u ndrruen rojet që i dorëzojshin njani-tjetrit në prani të kapterave inventarin njerzor: pesë në këmbë, gjashtë palmuç, nji tjetër të lidhun në mur, në shkallë apo në trumë. Më shkundën edhe mue në atê pjeshkë. Mbas asaj zhurme që shkaktoi ndrrimi i rojeve u bâ nji qetësi e cingrimtë, ku ndigjoheshin zanet e mbytuna të pshertimave. Nuk mund thom nji orë, mbasi un në atê gjendje që ishem kishem humbë edhe nocionin e matjes së kohës, nuk jam i sigurt nëse e numroshem me shekuj apo me kilometër a me milje, por mbas do kohe u ndie nji brimë e çmendun: Ndal! Ndal! dhe nji e shtime breshnije automatiku. N’atê çast filloi nji stuhi e vërtetë zhurmash të ndryshme. Nga të gjitha anët e ndërtesës e oborrit turreshin njerëz me armë e fenerë dritash. Brima, të shame e ulurima. Urdhna. Un ishem i varun aty në pjeshkë, n’atê pozicion që e shumta e skenës zhvillohej mbrapa meje. Ata që kishem para ishin palmuç porsi thasë. Nuk mujta me kuptue mirë çka flitej për vdekje apo plagosje në kambë. Me çka pash në terr, sepse dritë elektrike nuk kishte, pa fenerë vajgurit bajtën nji njeri për kambësh e për krahësh dhe e dërguen për nuk dij se ku. Mandej i muerën të gjithë ata që ishin drejt në kambë, mbulue me batanije. Disa i ngjitën nalt, disa poshtë.
U erdhi radha atyne 4-5 vetve që ishin palmuç para meje, nji nga nji i zhdukën. Mbeta për pak minuta un i vetëm i varun. Por më muerën dhe më shtinë në nji dhomë aty poshtë ku mund ishim nja gjashtë njerëz, palmuç nën batanije. Dhoma nuk kishte dritare. Nji fener vajguri kishte tymosë aq shumë sa gadi m’u xu fryma: pamvarsisht dhimbjeve si i varun, ishem kenë pothuej mâ shëndosh atje jashtë në cingrimë. Të gjithë ishin të shtrimë palmuç e mbulue me batanije lecka, perveç meje që më urdhnuen me ndejë në kambë. Në të vërtetë edhe ata që ishin përtokë ishin shumë ngusht. Mbas pak kohe erdhi kapteri e më dërgoi përsri në hetuesí, te ai oficeri i naltë. Ishte i tërbuem nga operacioni që kishte drejtue pak minuta para. Çfryni kundra meje me shputa, grushta, kërcnime e të shame: “Asnji nga ju qelbanikët nuk do mbetet i gjallë…!” Mandej thirri kapterin. Ai më muer, më zbriti për shkallësh. Kur mbrrijtem n’atê dhomën që ishim, i largoi ata njerzit palmuç porsi thasë në mjedis të dhomës; me nji çils hapi nji dry: ishte nji kapanxhë drrasash. E çoi kapakun dhe ashtu të lidhun më hodhi mbrendë. Ishte nji podrum i naltë sa me nxanë nji njeri në kambë. Krejt terr. Kur e mbylli kapanxhën, u solla ashtu në terr tue prekë me duer para. Nuk ishte aq i madh. M’u duk se dikund ndesha në nji gomë automobili o dishka të tillë. Mandej ndesha në nji gjâsend si thes. Ishte kenë njeri dhe më foli:

Tortura e rrotës në Mesjetë
Tortura e rrotës në Mesjetë

-Kush je?
-Jam un fra Zef Pllumi, – iu përgjegja. – Po ti që kur gjindesh këtu?
-Jam N. N. Më kanë prû kot, krejt kot. Me emnin tim gjindet dhe nji tjetër burrë në Mirditë, por ai asht i arratisun në mal dhe flitet se ka vra X oficer partizan. Mbasi kemi të njajtin emën më kanë kapë mue për të. Ka mâ shumë se dy javë që jam këtu nëntokë. Puna asht se na kena të njajtin emën, por nuk jemi në të njajtin katund. Ndërsa këta thonë se “të gjithë mirditorët thirren me tre emna, e kështu mendoni ju se do të na e hidhni neve!!”.
U ula aty në batanijet që kishte. Më tha se ishte i mbushun në morra. Kapanxha hapej vetem nji herë në ditë për të dhanë racionin e bukës e shpesh nji tas ujë. Për nevojë, i kishin thanë: “Bëje aty!”. Më tha se aty ishte nji si gomë makine dhe se ulej aty mbi të. Më pveti se ç’ditë ishte, mbasi ai aty tue mos pá dritë kurr me sy, nuk përcaktonte se kur mbaron nji ditë e kur fillon nji tjetër. Më tha se ishte arrestue në muejin gusht, se kishte kalue atje nalt tre muej torturash mâ të tmerrshmet. Më kallxoi se mbasi e kishin torturue për shumë ditë tue i lidhë korrentin ndër veshë, atëherë ai hetuesi ia kishte lidhë telat edhe në organet e ulëta trupit. E kur me të sjellun të manovelës ai kishte provue ato therje të çuditshme që e bâjshin me u hjedhë përpjetë e me u përplasë përtokë, ai kishte çue duert nalt për me folë dhe u kishte thanë: “Or burra, tash sa ditë që këta tela m’i keni bâ provë në krye. Po si mendoni se kur nuk din gjâ kryet po din gjâ b…!?” Qysh atëherë ata e kishin lanë të qetë nga torturat tjera, por e kishin hedhë për së gjalli n’at varr të qelbtë ku jetonte tash. Ai mendonte se ishte tash dy javë, tue e llogaritë me bukë që i kishin dhanë, por mbante mend deri diku ditën që e kishin hjedhë aty me 15 Nandor, e kështu i takonte që t’ishte aty prej mâ shumë se nji mueji. E kishte marrë malli me folë e nuk pushonte. Un kishem gjumë dhe i kërkova të falun. Ai me dashamirsinë mâ të madhe më vuni brí vedit. Dhoma ose varri ishte shumë i ngrohtë. Fjeta, e për ku ishem fjeta mirë. Nocionin e kohës e kishem bjerrë tashma edhe un, prandej mund thom se fjeta gjatë, por edhe në gjumë i ndjejshëm dhimbjet e trupit të dërrmuem prej varjes e të rrahunave.
Kur erdhën e më nxuerën, un ishem në kulmin e bisedimeve me atê malok aq të mendshëm e praktik. Kishem mësue prej tij gjakftohtësinë edhe në vuejtjet e pabesueshme. Jeta na ndau përgjithmonë, por kujtimi më mbet i pashlyem. Ai oficeri i naltë bukurosh u tregue shumë i shqetsuem për gabimin e kapterave që më kishin shtí me pushue n’atê varrin e X-it. E kishte humbë durimin e mbas disa ushtrimeve të boksit mbi trupin tim hapi defterin ose “dokumentat” siç i thirrte ai, për nji akuzë absurde. Më tha se Kleri Katolik ishte mâ obskurantisti i shekujve dhe kishte djegë gjallë Galileo Galilein e Xhordano Brunon.
M’u kërkue llogari për Kryqzatat dhe Inkuizicionin. Un iu përgjegja se nuk ishem as Pier l’Eremite, as Torquemada, bilè nuk kishem të bâj fare me ta, un ishem për dashuninë me të gjithë njerzit, ishem nji bir i padenjë i Françeskut që ka për moto Pax et bonum. Kje nji gabim fatal. M’u turr si i tërbuem:

Pushkatimi i Intelektualëve (grafikë nga Lek Pervizi)
Pushkatimi i Intelektualëve (grafikë nga Lek Pervizi)

-Më dashke armikun? Po ky është diversioni më i madh i shekujve. Mejtoni se i ha këto proçka proletariati?! Neve kemi luftën e klasave që do ta rregullojë njerzimin dhe do vërë drejtësinë mbi njerzit e jo gënjeshtrat tuaja. Mandej nxori prej sirtarit nji bllok shënimesh, format mesatar.
-E njeh ti këtë?
-E njoh. Asht nji lloj ditari që mbajshem.
-Ç’ke shkruar apo ç’ke katranosur këtu?
-Disa mendime të mija.
-Mejtime? Po çfarë mejtimesh se? Ti je mishërimi reaksionit borgjez. Dhe ne do t’ia këpusim kokën borgjezisë. E do ta këpusim edhe ty. Ja ç’ke shkrojtur…
Dhe mbasi i lexoi tha me tërbim:
-Pse gjerman na konsideron ti neve? Më zi se fashistat jemi ne, kështu thua ti? Fol!
-Un e kam shkrue këtë kur ju pushkatuet 10 burra prej familjes së dajave të mij vetëm për raprezalje: Mue nuk më duket e drejtë që të pushkatohen 10 për nji.
-Po a mejton ti se ai një ishte Babë Rexha. E din ti se kush ishte Babë Rexha?
-Kushdo që t’ishte, zakonet shqiptare i lajnë burrat gjak për gjak dhe nuk kemi nevojë të veprojmë sipas ligjeve të luftës që kishin vû gjermanët. Kjo nuk ishte logjikë.
-Ti do të na mësosh neve logjikën? Ti… ti, – dhe nuk u përmbajt mâ, por veproi simbas logjikës partizane. Kur u lodh tue më rrahë, atëherë thirri kapterin dhe e urdhënoi që të më varte në pjeshkë.
Oborri ishte vû përsri në veprim. Ndërsa po më varshin kqyra nëse po i shof kund ato njollat e gjakut. Paulinin nuk e pashë mâ kurr. As atê burrin lidhë në trumë bishtshkurtë. Dita dhe nata ishin shumë të ftohta. Nji firifickë e hollë ma merrte shpirtin. Por tjera tortura filluen mbrenda meje: mendimet!
Mendime gjithfarësh, njani mâ zí se tjetri. Ai burri atje poshtë në varr më pati tregue: “Ndër biruca të Lezhës, kisha ndejë gadi nji muej me nji frat, i cili na fillonte uratët e rruzaren: sa burrë i mirë që ishte, na mësote e na këshillote. Por mbas disa kohe që më prunë këtu në Shkodër, bâj bé se e kam pá të veshun ushtarak dhe kur un e kqyra me çudi ai m’u zhduk!” Për tregimin e malsorit nuk kishem kurrfarë dyshimi, ishte i saktë, por m’u lodhte mendja tue pvetë: kush mund ketë kenë ai? A thue mund t’ishte kenë ndonji prej shokve të mij? Cili? Për nji ishim të sigurtë se ishte Juda, por kishim dyshime edhe për të tjerë. Na kishim jo vetëm dyshime, por edhe fakte ndoshta për mâ shumë se nji.
Mendime të pafundme!
A thue ndonji oficer ose nënoficer mund të ketë luejtë pjesën e fratit? Problem me shumë të panjohura, por që më mundonte aq. Ku ishin gjithë ata fretën profesora e superjora të mij që nuk shifshem asnjanin prej tyne? Apo ndoshta ishte ndonjani prej këtyne të lidhun palmuç këtu para meje e të mbuluem me batanije…?. Edhe pse trupi m’ishte mpi krejtsisht, për çudi truni vazhdonte veprimet e veta në rregull apo jo?
Kush e di…?
Në nji moment të caktuem, ndjeva çizmet e lustrueme të oficerit (N. K.) tue ngjitë shkallët e hymjes. Trupi filloi të më dridhej në nji mënyrë të çuditshme, nji të dridhun frige. Mbas shkrepjes së çizmeve do të vinte tortura me korent. Normalisht ishte krejt e pamundun që të ndigjoheshin ngjitjet dhe zbritjet e atyne shkallëve që ishin në të hymen kryesore të shtëpisë: ishin shumë larg. Mandej po t’ishte ashtu pse nuk ndigjoheshin kur hypshin dhe zdrypshin tjerë oficerë e kaptera, por vetëm ato të oficerit bukurosh. Sidokjoftë të dridhunat e mija i ranë në sy rojes. M’u avit e më tha:
-Kërcllin dhëmbët? Aty të ngordhësh!
Pak mâ vonë nuk m’erdh fare çudi kur erdhi kapteri, më hoqi nga pjeshka e më shoqnoi atje nalt në zyrë. Dridhjet vazhdojshin. Ato çizme të lustrueme!!
“Qumshtin e mëmës! Ne nuk lodhemi, jemi pranë zjarrit, nuk dridhemi si ti. Është më mirë të flasësh, se do të vuash më pak. Këtu nuk ka burra që nuk i përulim. Këtu jemi e me gjithfarë mjetesh. Fol!”

Demaskimet publike, arrestimet dhe vrasjet e klerit.
Demaskimet publike, arrestimet dhe vrasjet e klerit.

Ndërsa ai fliste m’u përfytyronte shkrimi në WC “Un Dom Vlash Muçaj, sot më 22 korrik…”, takimi atje nalt në zyrë kur At Pali më tha: “dorëzoji, e sheh si jam”, Paulini i gjatë…, Guljemi në raft…, ai mirditori në vorr… O Zot më shpëto!
Atê çka kishem mâ tepër frigë, atê ma suell: aparatin e vjetër telefonik. Dridhjet që kishin fillue para nji ore n’oborr u shndrruen në dhimbje tjera, të padurueshme, të tmerrshme. O Zot, pse më lshove doret? Miliona gjylpana therse… Përplasje në dysheme. Përplasje. Atëherë nuk munda të rezistoj mâ gjatë. Çova duert e lidhuna nalt si shejë se doja me folë. M’i hoqën telat prej veshve, tue më qeshë me nji gaz përbuzës. Më lanë me pushue pak, mandej: Fol!
-Shikjo, – thashë un, – ju shkrueni çka të doni dhe un firmosi…
-E dimë, – tha, – që do të firmosësh si gjithë të tjerët ose me lënë shpirtin. Por na trego ne këtu ato lidhjet që ke ti.
-Po ç’farë lidhjesh, kur nuk kam lidhje me kurrkend?
-Mos u shtir naiv. Ata reaksionarët që janë me pushkë në dorë ndër male kush i drejton? Juve, ju kleri katolik!?
-Po, un nuk jam kleri katolik, por nji zog i tyne.
-Nji zog shumë i rrezikshëm, që jep urdhëra të vriten njerëzit tanë. Ja dokumenti, ja letra e shkruar me dorën tënde, fashist i qelbur.
Dëgjo! Dhe dhe lexoi: “Për veprime tradhtare që ke bâ tuj u shërbye anmiqve të fesë e Atdheut shpërblimi asht ky: Plumbi”. Kjo letër është gjetur mbi kufomën e një njeriut tonë të vrarë prej reaksionit me vulën tënde. Ç’thua?
-Kjo nuk kërkon nji dije të madhe, – fola un – Mjafton t’i krahasoni shkrimet e mia që i keni këtu, me këtë shkrim gërmë për gërmë. Të lutem avite ta shoh, konfrontoi gërmat.
-Njeriu shkruan si të dojë.
-Jo, nuk asht ashtu.
-Ti do ta firmosësh. Harrove ç’the paresh?
-Jo nuk asht e drejtë!
Atje poshtë në rrugë u ndie nji sinjal fishkullimë. Oficeri bukurosh iu avit dritares. Hapi xhamin dhe i tha: “Prit se erdha”. E kuptova që e thirrte nji vajzë.
O dashuni, – thashë me vedi, – vetëm ti duhet të sundosh botën. Vetëm ti mund t’i zbutish kafshët e egra!
Oficeri bukurosh e mbylli seancën e pvetjeve. Më kthyen përsri te ajo pjeshkë që priste mue ose nji tjetër. I varun aty filluen mendimet. Nuk e ndjejshem aq shumë premjen që shkaktojshin litarët nën sjetulla. O Zot i madh! Kështu e krijove ti botën…? Dhunë e dashuni…? Dhunë e dashuni?! Po, e gjithë historia njerzore asht dhunë e dashuni! Ç’kërkon ajo vajza aty me këtë kriminel sadist? Si mundet nji femën shqiptare të bajë dashuni me nji kafshë, me nji egërsi, me nji ujk që ka etje vetëm për gjak…?! Jo, ajo nuk asht njeri, ajo nuk mundet të jetë nanë. Nanë!
Nanë simbol i dashunisë! Ajo femën asht ulkojë, nji ulkojë e zezë e untë për gjak njerzor… Jo, çdo femën shqiptare që don ta shtojë këtë racë antinjerzore, meriton me u zhdukë. Kjo nuk asht dashuni, asht vetëm nji instinkt i ndytë. E ky instinkt që synon me përjetsue krimin sadist nuk ka të drejtë me egzistue në shoqninë njerzore. Asht e poshtër ajo femën shqiptare që në këto çaste, nuk flitet për çaste, por për nji periudhë kritike fatale, të paimagjinueshme në historí, nji periudhë e zezë me lot e gjamë nanash, me lot e vaj fëmijsh, me torturat mâ çnjerzore për burrat, për njerzit, për shoqninë, për kombin e këto femna t’i përkdhelin këta përbindsha njerzorë, t’i dashunojnë, të shtojnë farën e tyne? Jo, jo, ky asht krimi mâ i madh. Ato duhet ta bojkotojnë këtë krim. Vetëm kështu i jepet fund së keqes mbi tokë. Ato duhet të jenë të ndërgjegjshme për damin e madh që po i bâjnë shoqnisë njerzore e kombit shqiptar. Tue shtue këtë farë të keqe ato janë edhe mâ kriminele se vetë kriminelët. Duhen zhdukë: ato për instinkte shtazore të vetat degradojnë shoqninë e kombin. Për to nuk duhet me pasë mëshirë, jo. Gratë e vërteta shqiptare, e dimë nga historia se, u hodhën nga shkambi për të mos plotsue dëshirat e kqija të anmikut… Ato po, shembull heroik. Ndërsa këto…? Këto…! Po sikur këto të bâjshin si mendoj un ç’do të ndodhte? Populli shqiptar do të shuhej: të mirët po i zhdukin këta, të kqijtë po i zhduki un. Ç’ka mbetet? Kurrgjâ. Vdekje. Vdekje me nderë! E kush e din si do ta gjykojnë tjerët. Vdekja asht vdekje: asgjasimi, kulmi i së keqes asht hiçi. Ndërsa jeta asht jetë, ka të mirën e të keqen. Ka shpresën: ajo me gishtin shënues të drejton kah e mira. Kanuni i ynë: “Prej të keqit len i miri e prej të mirit len i keqi!”.
E mira dhe e keqja. Filozofí e vjetër, besim i vjetër. Ai njeri i vjetër nuk ishte budall si mendojmë na, ai ishte filozof i vërtetë. Fajet i ka Zoti. Zoti para materjes, para nesh krijoi Engjëjt: shpirtin pa materje. Ata shpirtën i krijoi të mirë dhe gjysma e tyne u banë të kqij. Pra para materjes kje e mira dhe e keqja. Edhe mbas krijimit të materjes Zoti, si demokrat i vërtetë, e lejoi të mirën e të keqen: lejoi lirinë. Liria asht e mirë apo e keqe? Asht e mirë dhe e keqe. Dhe i Biri i Tij predikoi: “Mos i zhgulni barnat e kqija deri të vijnë korrat. Kur të vijnë të korrat barnat e kqia hidhni në zjarr e grunin në hambar”. Hambari i njerzimit. Po hambari i njerzimit, ai i historisë, mjerisht ka mâ shumë të kqij se të mirë. Njerzimi asht në rrugë të gabueme. Ai kultivon me saktësi të gjitha kafshët e gjalla e bimët e kopshtit, kultivon vetëm racat e zgjedhuna. Kultivon frytet e arave e të pemve, të gjitha raca të zgjedhuna, jo vetëm të bukura, por frytdhanse. Kultivon racat e kuajve, lopve, berreve. Edhe të derrave. Por nuk kultivon vehten. Raca njerzore duhet kultivue. Seleksionimi asht nji detyrë e domosdoshme për me dashtë me shpëtue njerzimi; të gjithë të marrtë, idjotët e të smundët nuk dijn me bâ kurrgjâ tjetër, por me shtue marrinë, idiotësinë. Njerzimi do të bahet nji xhahil handikapatësh, i cili do të përpijë gjallë njerzit e mendshëm. Shtatë lopët e liga të faraonit që përpijnë lopët e majme. Si rrjedhim duhet të neutralizohen të gjithë idjotët, të smundët e të poshtrit. Të kultivojmë racën e zgjedhun. Mirë e ka Hitleri: “Pastroje tokën prej së keqes, pastroje me zjarm” e vrau miljona. Po mirë, vrau miljona çifutën dhe tjerë. Po kush i njofti që janë të kqinj? Çifutët thonë për vedi se janë mâ të mirët: popull i zgjedhun. Thonë se janë mâ të mirë se gjermanët. Po, gjithkush thotë për vedi se asht mâ i miri në botë, edhe na shqiptarët.
Ndoshta edhe jevgjit e thonë. Kush e ka këtë të drejtë të vendosë se cili asht i miri e cili i keqi?
-O Kanuni ynë i maleve, ti je mâ i urti i botës: “Prej të mirit del i keqi e prej të keqit del i miri”. Ani le të shtohet edhe kjo racë e keqe se të bijtë e tyne kanë për t’i përpi. Po a kanë për të kenë të zotët bijtë e tyne? Revolucioni asht nji ulkojë që han bijtë e vet… Edhe këtu ashtu do të ndodhin. Të bijtë e ktyne, së paku nipat e ktyne do t’i dënojnë randë.
Brezat, vitet kalojnë. Jeta gjallon.
Kundra çdo anmiku jeta vazhdon ciklin e vet me të mirë e me të kqij…
Trupi aty varun në pjeshkë ishte mpi krejtësisht, bâ akull, dru. Vetëm truni kishte jetën, gjallninë, bilè mendonte me reformue njerzimin.
Un nuk ishem ma në këtë botë. Erdhi roja e më zgjidhi nga pjeshka. Mezi lëvizja kambët e ajuna. Kur mbrrita në WC nuk dijshem ç’të baj, syni më ishte ngulë aty në mur ku ishte shkrue: “Un Dom Vlash Muçaj këtu me 22 korrik, piva urinën time për mos me dekë etjet!”. Jeta ban çmos për me jetue. Un thashë me vedi: “Pse?” Roja uluriti me tërbim:
-Hej, ti atje, ç’bën? Shpejt!
Un nuk mujshem mâ as shpejt, as kadalë. Erdhi e më kapi për krahu. Iu duk se po i rezistoja. Po të kishem fuqi me rezistue, edhe aty i varun në pjeshkë dojshem me jetue.
Pse?

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.