Sa herë ndalem… dhe shoh pas në jetën time… Adriana Dine

5
16
Adriana Dine
Adriana Dine
Adriana Dine
Adriana Dine

Sa herë ndalem… e shoh pas në jetën time…

nga Adriana Dine

Jeta e krejt brezit tim, e gjithë atyre që lindën në vitet ’60, është përplot privime e përplot sakrifica, një jetë e trishtë, që sa e herë e kthej kokën ndër kujtime… me duket sikur njeriu ecën i çoroditur midis nji shkretëtire pa pasur asnjë ide se nga mund të dilet…
Edhe jeta ime, ka qenë e mbushur plot më kësi çastesh të dhimbshme, dhe sa herë përpiqem ta hedh në letër kët pjesë jete, më kap një trishtim i madh, dhe ngjarjet shpesh janë aq të shumta, sa padashur kaloj prej një episodi në tjetrin, prej një dhimbje në një vuajtje, aq sa më trishton edhe fakti i të shkruarit… dhe më duket sikur do të ishte më mirë të mos e ndërmerrja aktin e të shkruarit, sepse janë ngjarje tronditëse, ku ne vuanim jo vetëm fizikisht e materialisht, por shumë edhe shpirtërisht…
Edhe pse kam lexuar mjaft në jetë, të shkruarit nuk është një zeje fort e lehtë për mua, sepse kërkon jo vetëm aftësinë për të rrëfyer, por edhe të gërmosh thellë në vetvete, bile edhe të futesh në komunikim me një botë më të gjerë.
E megjithatë vendosa të shkruaj, sepse jam e bindur se diçka prej gjithë kësaj jete vlen, dhe se janë të shumta ato si unë që e kanë ndrydhur jetën dhe të vërtetat e tyre…
Mund të them se humbja e fëmijës së parë, ardhja e fëmijës së dytë, dhe së bashku me të edhe arrestimi i burrit; humbja e menjëhershme e vjerrës, (nji grua e njimijë sakrificave; rritja me njëqind perpeci e djalit; udhëtimet e vetme të jetës sime ato nëpër burgjet e Spaçit, Qafë-Barit, Zejmenit dhe kompleksit sportiv Dinamo, në Tiranë; përballja pa mbushë të njëzetat me vështirësitë e përditshme të jetës (që veç jetë s’mund të quhet); ajo luftë e mallkuar “klasash”, në at humbëtirë mes balte ku ndodhej Gjaza; të gjitha këto dhe shumë të tjera më kishin bërë jetën të vështirë e pothuaj të pamundur.
Sot, ndërsa rri përballë kompiuterit dhe përpiqem ta ftilloj kët lëmsh jete, më duket sikur s’di nga t’ia filloj, sikur e gjithë jeta më derdhet njiherësh dhe unë ndjehem e mpirë prej trishtimit dhe dhimbjeve, që ende janë pjesë e jetës sime…

Punë bujqësie
Punëtore bujqësie

***

Vetë jeta në një kamp interrnimi, puna e rëndë në bujqësi, oraret pafund, kërcënimi me ditën e punës, pagesa e ulet, ktheheshin në një tmerr të vërtetë, në veçanti për ne të deklasuarit. Duke na dërguar në punët më të vështira, jo vetëm  lodheshim, po edhe shpërblimi qe minimal, e shpesh edhe atë punë që bënim s’na e merrnin në dorzim… na akuzonin për sabotim… na tregonin me gisht nëpër mbledhje…
Për sa u përket brigadierëve s’mund të them se ishin të gjithë shpirtligj, por edhe ata që kishin krijuar njëfarë respekti ndaj nesh, kishin frikë të na favorizonin edhe për gjënë më të vogël, sepse i raportonin, dhe mund t’i ndëshkonin, pse nuk po e bënin si duhet luftën e klasave. Po kishte edhe mjaft brigadierë që ishin shpirtligj të lindur. Thoma X. ishte njëri nga ata, dhe shprehjen tij të preferuar e thoshte me zë të lartë sikur bënte ndonjë heroizëm: “Do t’u paguaj veç aq sa të blini bukë dhe kripë… asnjë qindarkë më shumë…” Dhe me të vërtetë ashtu vepronte.
Ishte dimër dhe në at periudhë bënim vija për kullimin e grurit… por na çonin edhe të hiqnim bar në parcelat me grurë të sapombirë… Të hiqje (tëharrje) barë në grurë të sapombirë ishte të dilnin sytë vendit, duke kërkuar gjilpërën në një thes kashte… Më kujtohet si sot, atë 15 ditësh punova bashkë me disa shoqet e mia… dhe pothuaj s’na u mor puna në dorëzim asnjë ditë. Mbasi gjithë ditën na kishin dalë sytë duke tëharrur barë, dhe ishim tharë së ftohti, duke e hangër edhe bukë si qeni në anë të kanalit, ashtu të mbështjella, që mos ngrinim së ftohti, brigadier Thomai, me atë shprehjen e tij në majë të buzëve s’na e merrte punën në dorëzim… duke na lënë gjithë kohën në përsëritje të së njejtës punë.
Sa herë më vijnë ndërmend ngjarje si kjo, më duken edhe për të qarë, edhe për të qeshur, dhe uroj jo veç veten po gjithkënd që kjo e kaluar të mos përsëritet kurrë më.
Kur erdhi fundi i atij 15 ditëshi, shkoj të marr rrogën… Mbasi kisha pritur një orë në shi dhe në të ftohtë, arkëtari mbasi e gjeti emrin tim në borderò, më thotë: “Ti s’ke asgjë për të marrë, bile ke për të paguar edhe 100 lekë… U habita dhe s’po u besoja veshëve. Ja ku e ke: 12 ditë pune rroga jote është 150 lekë të vjetra ke paguar qeranë e shpisë dhe dritat 250 lekë, ke për të kthyer edhe njëqind lekë!!! Mbeta ashtu e shtangur me sy hapur, pa ditur se ç’të bëja… Edhe pse e dija që të shumtën e ditëve s’na qe marrë puna në dorëzim, më dukej e pabesueshme ajo që më thoshte arkëtari: Të punoje 12 ditë dhe t’i mbeteshe borxh shtetit ishte e pabesueshme. Me çfarë do të ushqehesha për ato 15 ditë, për vete as bëhej fjalë, mbasi kisha edhe fëmijën për të rritur, edhe burrin në burg për ta mbajtur…
Prap, falenderoj Zotin se gjithmonë kam qenë e rrethuar me njerëz që më kanë dashtë e më kanë ndihmuar në çdolloj situate që kam kaluar… Dhe s’mund t’i harroj ata që më janë gjindur në vështërsi…

Vjelja e pambukut
Vjelja e pambukut

***

S’mund të rri pa e kujtuar edhe një episod tjetër mjaft të dhimbshëm… Vdekjen e Diktatorit… Ishim vazhdimisht nën survejim, dhe qe mjaft e rrezikshme për ne, sepse na shihnin çdo lëvizje, çfarë bisedonim, çfarë bënim… dhe për çdo gjë ishin ato mbledhjet e tmerrshme demaskuese, ku duhej të jepje llogari edhe për shpifjet e ndokujt… Atë ditë prilli, me thënë të drejtën u ngrita herët si zakonisht, dhe e para gjë që bëja hapja radion… Më dukej sikur ajo ma mbushte shtëpinë me zëra dhe jetë, më dukej sikur nuk isha krejt vetëm, dhe në të njejtën kohë dëgjoja ndonjë lajm, ato lajme që jepte Radio Tirana!!
Atë mëngjes në vend të emisionit të muzikës popullore po jepesh muzikë funebre… Mbas disa pjesësh të tilla… mendova se diçka e rëndsishme duhej të kish ndodhur… kapërceva me ngut nga gardhi i shtëpisë së Xhevit Matjanit, komshisë sime dhe shkova drejt e te Zanka (Sazan Dine). I tregova se çfarë kisha ndjerë atë mëngjes, për të kuptuar nëse edhe ata e kishin ndjerë se çfarë po ndodhte!! S’mundem ta përshkruaj gjendjen shpirtërore që ndjeja ato çaste… Nuk është mirë të dëshirosh vdekjen e kërkujt në botë, por ai nuk ishte një njeri, ai qe shëndrruar në personifikimin  e së keqes së një populli, dhe mund të them se aq shumë na e kish nxirë jetën, qysh pa lindur akoma, sa ai nuk meritonte asgjë tjetër veçse një ndëshkim të tillë, dhe sa më i shpejtë të ishte ai ndëshkim, aq më mirë do të ishte për krejt një popull që po vuante për bukën e gojës…
U ktheva në shtëpi, u përpoqa ta mbledh veten dhe të dukem e qetë… Shkova të marr planin e punës… po nuk vura re asgjë. U ktheva në shtëpi dhe vazhdova të ndjek me kofortësi mendimin tim, e bindur në vazhdimin e asaj që kisha parandjerë.
Në radio po e njejta muzikë…
U nisa në punë me mendimin se ai njeri kish vdekur, dhe se ajo e keqe e madhe për ne, shpejt do të merrte fund. As nëpërmend s’e shkoja se me vdekjen e tij, jo që nuk shpëtuam po jeta na u bë edhe më e zorshme edhe më e vështirë.
Atë ditë na qëlloi edhe puna shumë e vështirë… duhej të hidhnim superfosfat në tokat e sapopunuara, ku me një thes pesëdhjetë kilesh plehu mbi shpinë duhej të ecje nëpër plisa që thyheshin, dhe që ishte një torturë e vërtetë…
Më kujtohet si sot… ishim një grup që punuam bashkë atë ditë: Gjystja, Dini, Lidi dhe të gjithë i kishim folur njeri tjetrit për çka po ndodhte… I jepnim kurajo dhe forcë njeri-tjetrit, se edhe pak dhe e  keqja jonë do të merrte fund. E kështu, me shpirt nëpër dhëmbë e mbaruam punën e asaj dite deri në drekë. Kur u kthyem u shpall lajmi i vdekjes… dhe nisën kështu ato mbledhjet pafund me të qara e të çjerra njerzish, që më të shumtën e herëve më dukeshin si një teatër banal. Ato ditë më takonte të shkoja në Savër te prindët dhe të shihja djalin tim…
U nisa nga Gjaza në këmbë, me mendimin se rrugës, do të kisha aq fat sa të gjeja ndonjë mjet. Kur arrita në Fier të Ri, në të kundërt dallova një makinë “zis” me disa njerëz sipër… midis tyre ishte edhe operativi i Degës për Gjazën… S’e ktheva kokën po vazhdova drejt në rrugën time. S’kaloi as një minutë dhe dëgjova një zë që e thirri me britëm emrin tim. Kthej kokën dhe shoh Atë, operativ Pllumbin me një pushkë në krah dhe me një zë që të tmerronte. M’u hakërrye duke më pyetur se për ku isha nisur. Në fillim mbeta pak e shtangur, por e mora veten dhe pata kurajon t’i ktheja përgjigje… se po shkoja në Savër të shifja djalin tim. Me një hakërrimë prej bishe m’u kthye duke më thënë se kush më kishte dhënë leje mua që të shkoja në Savër. Dhe unë me kurajo iu përgjigja se s’kisha nevojë për lejen e askujt, se unë nuk isha e interrnuar. Ai vazhdoi prap më atë hakërrimën e tij të neveritshme, duke më thënë se nëse të nesërmen s’do të kthehesha në mëngjes herët në sektor, do të kisha pasoja… dhe se do të ishte ai që do të kontrollonte nëse isha kthyer a jo… Mbas asaj skene fyese në sy të gjithë atyre njerzve të fshatit, dhe atyre që ishin në makinë, më la të shkoja… E gjithë rruga deri në Savër, rreth trembëdhjetë kilometra më shkoi duke qarë. Atë natë nuk vura gjumë në sy. Në të vërtetë duhej ta gëzoja vdekjen e asaj bishe që e kishte mbushur vendin me bisha si opertaiv Pëllumbi, po s’qe e thënë… Si gjithmonë ishte baba im, që shfaqej si mburoja ime… Ai m’i dëgjoi në heshtje ankimet, mërzitjen dhe lotët e mia, dhe vazhdimisht më thoshte që të mos mërzitesha, se ai ishte stili i sjelljes së këtyre njerzve… më jepte shpresë se “shumë shpejt, gjithçka ka me ndryshue, ke me e pa edhe vetë! Sa ma keq të sillen me ne, tregon se po ju rrëshqet toka nën kambë!!”.
E terrorizuar siç isha, të nesërmen u ktheva në kohë, dhe s’ia pashë më askund surratin atij njeriu të pshtirë… E kish bërë gjithë atë hakërrimë veç  të më friksonte… mbasi ajo ishte e vetmja mënyra e sjelljes së tyre… thoshte im atë!

Adriana Dine me nënën dhe djalin - 1982
Adriana Dine me nënën dhe djalin – 1982

***

Kjo histori është pak groteske, por mbetet gjithsesi nji dëshmi se si propagandohej kundra nesh tek njerzit e thjeshtë të fshatrave që ishim rrotull Gjazës…
Një ditë po punoja me një vajzë të re, të ardhur nga nji prej fshatrave aty rreth. Ajo kishte mbaruar gjimnazin e Krutjes, dhe në njëfarë mënyre mund ose duhej t’i gjykonte vetë, prrallat dhe shpifjet që thuheshin për ne… Atë ditë, ndërsa po bënim pushimin e drekës ajo me mjaft ndrojtje m’u afrua dhe më thotë: Moj Adrianë, moj Adrianë, do të them një gjë tyjan una… Hë moj i thashë, çfarë të ka ndodhur? E di ti qysh e dinjim neven… Që ju të terrnurit (internuarit) e Gjazës hanjit njerëz, mee… po imen që una po punonj me juven, ju hanè sa t’mirë qenkshit mee… ju qenkshit edhe ma t’mirë na neven mee… Atijen në fshat neven ça nuk na thoshnjin për juven mee… kur do shkonjim këndej na rrugë e Gjazës, na thonjin: Kujdes na ata të tërrnurit se ju shqyejnë ata… Mo u llafosni me ta…
Të them të drejtën më hypi gazi, edhe pse s’kishte asgjë për të qeshur. Po s’di si mund ta merrja ndryshe atë rrëfimin e saj të sinqertë… U përpoqa t’i tregoj se ne jemi njerëz si gjithë të tjerët… që na ka zënë halli dhe jemi të detyruar ta mbajmë…
Ajo vajzë e thjeshtë fshatare… prej asaj dite, më shihte me ca sy dhemshurie… sikur kërkonte të më ndihmonte, po s’kishte se çfarë të bënte se gjithçka rrotull saj vazhdonte me atë poshtërimin e  pafundmë…

Related Images:

Artikulli paraprakZai Fundo (1899-1944) – Antifashist i një lloji tjetër Klodi Stralla
Artikulli tjetërHeshtja – e vetmja shkencë! Hans – Joachim Lanksch
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

5 KOMENTET

  1. E kam theksuar dhe në rrefime të tjera të Adrianes, edhe bashkëshortit të saj Dines, se të dy kanë stil rrëfimi përtej së zakonshmes. Ne rrefimet e Adrianës ndjej vuajtjen dhe dhimbjen, por njëkohësisht ndjej edhe vlerësim për njerzit e thjeshtë, për popullin e atyre zonave ku ajo ka jetuar. Nuk ndjeva kurrë urrejtje për njerzit në rrëfimet e Adrianës… urrejtje vetëm për sistemin dhe pushtetin, e që është tejet i ligjshëm.
    Adrianën nuk e njoh, po nëpërmjet rrëfimeve të saj më duket sikur e njoh, sikur bashkë me të kam bërë një copë rrugë në vuajtjet e saj. Gjëja më me vlerë është se Adriana është mirënjohëse ndaj atyre që e kanë ndihmuar financiarisht, por edhe atyre që i kanë dhënë forcë qoftë edhe me një fjalë të vetme…
    Dhe për mua kjo është VLERE!

  2. Së pari më duhet të falenderoj Jozef Radin për sitin e tij, mbasi çdo ditë gjejmë shkrime te larmishme dhe interesante, duke na dhënë mundësi të komunikojmë, të shprehim të vërtettat tona, po edhe të debatojmë me njerëz që i njofim po edhe me njerëz që nuk i njofim… Falenderoj të gjithë lexuesit e shkrimeve të mia modeste, për pëlqimet e shumta që kam marrë, për komentetet dhe përgëzimet që më kanë bërë. Mbrëmë lexova shkrimin e Tashi Dedejt dhe të them të drejtën, ju drejtohem juve zotëri sepse më bëri pak përshtypje fakti, pse ndjeva pak mllef në komentin tuaj.
    Në ato pak shkrime të miat, ose më mirë në ato rrëfime reale nga jeta ime personale, jam përpjekur të mos akuzoj askënd…. Gjithmonë kam njohur personazhe të mrekullueshëm që nuk i kanë përkisnin klasës sonë fatkeqe… Në këto rrëfime unë thjesht kam përshkruar disa çaste jete ashtu siç i kam përjetuar unë… pa i zbukuruar… Mendoj se kjo është e drejta ime .. Edhe ju zotëri, keni të drejtë kur flisni për vuajtjet e fshatarëve, të kooperativistëve, të cilat unë i di dhe i njoh shumë mirë, sepse jam rritur rreth e përqark tyre, por zotëri këtë nuk e kam anashkaluar unë, unë kam rrëfyer pjesën time, ashtu si të rrëfenit për jetën tuaj është detyra juaj.
    Që në barkun e nënës unë isha e internuar, a mund të më thoni ju, si mund t’ja shpjegosh një fëmijë të pafajshëm që sa kalon pragun e derës, përballet vetëm me sharje e me fyerje!!! Unë nuk kisha si ta dija që kishte njerëz si ju të pakënaqur nën atë pushtet se edhe sikur ta dija duhesh të bëja sikur nuk dija asgjë, sepse fare kollaj secilit prej nesh mund t’i kushtonte një 10 vjetsh burg të paktën. Pse ju zotni më kërkoni llogari mua se anashkaloj gjëra… Unë ju pyes ku ishit ju kur çdo 3-4 muaj në një prej sektorëve të internimit fusnin dikë në burg… ku ishit ju më pas, kur ishin grahmat e fundit të atij pushteti kur ata na demaskonin, ndqr ta edhe babnë tim, a thua se s’kishte hequr gjithë jetën dhe i mungonte vetëm demaskimi. Nuk pashë asnjëherë asnjë nga ju të na dilte zot, qoftë edhe me fjalë, kur na shtynin, kur na pështynin kur na ofendonin me gjithfarë emrash. Dua të tregoj zotëri se njëherë kur e futën Dedë Markagjonin në burg, i shkreti ishte i pafajshëm dhe burrë fisnik e i mrekullueshëm, dhe tek po kalonte me prangat në dorë, a e di se çfarë tha mësuesja e fshatit: “Ja kështu i bëjme ne dasmat socialiste, nuk e lemë armikun të bëjë xhap…” Me këto shfaqje mendon ti, se unë mund ta dija se kishte edhe nga ju që nuk e donit atë sistem!!! Kur ma futën burrin në burg, unë punoja me një nuse të ardhur nga fshatrat aty rreth… Ishte një grua mjaft e mire, por nuk e dija se burrin e saj Bashkimin e kishin thirrur t’i dilte dëshmitar burrit tim. Ajo me atë çiltërsinë e saj një ditë me tregoi se Bashkimi e kishte parë Dinen dhe se nuk ishte njeri i keq (burri im tregoi më m,bas se dy operativë të ardhur nga Tirana e kishin rrahur në sy të tij) dhe jam e sigurt që ai është tmerruar nuk kish si të kundërshtonte. Unë kurrë s’e mora inat atë grua, se tek e fundit ç’faj kishte ajo.
    Unë jam rritur mes fshatarëve dhe kooperativisteve dhe e them se është shumë e vërtetë që vuanin si qeni, po kishte edhe shumë prej tyre që na donin e na respektonin në heshtje. Dhe sinqerisht kam mall kur shkoj atje për çdo gjë, se edhe ajo jetë mizerabël e një kampi interrnimi kishte vlerat e veta. Nuk kam aspak urrejtje në zemrën time ndaj njerzve të thjeshtë, mendoj se populli është popull kudo në botë. Por më duket se ju gaboni zotëri kur thoni se kur ndërroi sistemi ne u bëmë më keq se Thomai dhe se operativi… Unë nuk merrem me politikë… po për mua asgjë s’ka ndërruar, nuk jemi ne, por si në njerën parti si në tjetrën parti janë po ajo pjella të Partisë së Punës, dhe se… e vetmja gjë që ne fituam zotëri, si ju edhe unë është se mund të flasim e të shkruajmë sa të mundemi për ato që kemi hequr, dhe ashtu si thoni edhe ju t’ua mësojmë brezave që vijnë të vërtetën…

  3. Shumë i bukur tregimi, por dua të di nëqoftëse e di z. Adrianë, ai Thomai dhe operativi a jetojnë sot, dhe mbase janë bërë demokratë. Si nuk qe e mundur që të merrej në dorë vetë udhëheqja e klasës së të dënuarve politikë me këto mendje që ka patur dhe ka, por e lamë fatin që të na udhëheqin prap komunistët… që me udhëheqjen e tyre bënë vetëm përçarjen duke i ndarë të dënuarit në shumë grupe. Pse kështu?!?

    • Zonja Adrianë,
      …Zgjodha mënyrën që m’u duk më e drejtë, me përgjigjen t’jap dhe komentin!!
      jam ndër ta që në njërën apo tjetrën mënyrë nuk po e doja regjimin, duke qënë i “lirë” siç quheshim neve që jetonim me ju, por më ndryshe se “ju”!? E futa ju-në në thonjëza për t’u treguar i respektuar ndaj represionit që patët direkt, dhe më të zbuluar ndaj furtunës diktatoriale të atij regjimi…! E vërtetë ajo që thoni, dhe nuk e vë në dyshim, por i mungon një e vërtetë tregimit, që t’a bënte më të sinqertë, dhe më të besueshëm! Sepse pak më lart un thashë që edhe unë, po sa si unë nuk e donin atë regjim ju dini gjë? Si ti, po sa si ti, (punëtorët e lire) punonin për të tëharrur grurin? Normat kanë qënë njëlloj, por individi, dilte edhe më i madh se diktatori, dhe ky ishte ai Thomai apo operativi, që na e bënte jetën skëtërrë ty më shumë, dhe neve të tjerëve më pak, por dilnim që të dy (si i interrnuari dhe i liri) në një qafë! Rreziku ishte i njëllojtë, si ti që ishe dënuar e para, tjetrit i vinte radha mbrapa! Pra numri juaj nuk ngeli i pa ndryshuar… Kështuqë ju nuk e përmendni këtë fakt, por e anashkaloni si një dramë vetëm e juaja! Unë jam nga fshati, dhe jam rritur për 18 vjet në kooperativë, ku hahej bukë e zezë misri! Fshati im, ku jam rritur unë paguhej me pikë dhe mesatarja e ditës së punës i binte 4 lek të të reja! Mamaja ime di që njëherë e gjeta duke qarë se i thanë si puna juaj që kaq ke dhe ik mos bëj llafe… ne ishim 7 kalamaj në atë kohë, dhe s’kemi qënë të interrnuar… Ju s’i tregoni këto gjëra! Kam qënë në N.B. Remas (Bedat) i lirë por si juve, hanim njëlloj, punonim njëlloj, paguheshim njëlloj, por ju kishit një shans, nuk u thërrisnin në mbledhjet e frontit, kurse neve na tërhiqnin zvarrë për t’i dëgjuar prrallat e tyre! Ju këtë nuk e thoni! Ne dhe ju hanim bukë gruri dhe ushqimi nuk na mungonte, kurse fshati im që lashë dhe 65% e popullsisë hanin bukë misri dhe dhallë, dhe atë ja hoqën! Ju këtë s’e thoni! Kur u bënë lëvizjet dhjetorit, janarit e të shkurtit unë dhe populli shqipëtar u ngritëm të gjithë dhe ja dolëm të gjithë! Ju këtë nuk e thoni, dhe çuditërisht kur morët pushtetin nuk bëtë më dallim nga ai Thomai zemërkeq dhe operativi famëkeq, e neve që ishim popull i thjeshtë! Për ju mjaftonte që kush ka qënë i lire ishte armik, gjë që s’është e drejtë! Familja ime ka rrezikuar dy herë në bedat për të kaluar tek ju, por nuk di si na shpëtoj zoti! Me ndihmën e një vajze mësova që në këshillë ishim spostuar klasi II. Mësojini fëmijëve të vërtetën, se përse dënohet një njeri dhe përse të dënon një njëri, ndoshta gjen dhe përgjigjen! Sepse unë si pjesë e këtij populli, e mësova pse kemi vuajtur e po vuajmë shumë… nga shqiptaria!

      • Vetëm me lot në sy i kam lexuar tregimet e historisë së dhimbshme të Adrianës. Gjuhë e thjeshtë se ka të bëjë me sinqeritetin, vërtetsinë… çdo fjalë pikon… Kam edhe unë për të treguar… pasi kam hequr shumë unë dhe fëmijët e mij kur ma burgosën tim shoq.
        E kam bërë me qindra herë rrugën e Spaçit, të Zejmenit deri në Tërnovë. Ah ç’kemi vuajtur? Nganjëherë them se kam hequr mbase edhe më shumë se ai që ishte në burg.
        Adrianën e ka ndihmuar i jati, mua vëllai… po fjala është se pse duhet të vuanim kaq shumë. Ishim të pafajshëm. Kur shkonim për në burgun e Zejmenit duhet të kalonim në këmbë urën e Milotit. Era e fuqishme na merrte me vehte. Nuk na mbanin këmbët edhe nga pesha e çantave me ushqime. Para nesh ecte një grua edhe ajo me çanta në duar. Djali im që ishte 10 vjeç ju afrua dhe i mori një nga çantat për ta ndihmuar. Gruaja pati frikë, dhe na tha se po shkonte ne zejmen për të takuar kushëririn e vet, më duket Dedë Markagjonin. Ju mbushën sytë me lotë duke thënë se asaj nuk i fliste njeri me gojë nga frika. Ishte grua fisnike, që kish marrë rrugën e vetme nga internimi për të takuar kushëririn, i cili nuk kishte njeri tjetër. sepse ishin nëpër burgje familja e Markagjonajve. Po megjithate ka ndryshim të madh të jetoje në kryeqytet, si në rastin tim me jetën në internim duke punuar më së shumti në bujqësi. Me mentalitetin e fshatarit… si në rastin e Tashi Dedejt. Si mundet që të shkruaj në këtë mënyrë. Pse ne duhet të luftonim për të gjitha padrejtësitë. Vetëm nga ne paskeni pritur?? Kur paske qenë kaq i pakënaqur duhej të kishe bërë diçka për ndërgjegjen tënde, por ke duartrokitur në mbledhje.
        Kurrë nuk mund të kesh vuajtur si Adriana 21 vjeçe me një fëmijë të vogël, duke u torturuar . Historia e mikpritjes se familjes pukjane është fisnike, me atë fukarallëk, të flesh në korridor i thënçin mos të kesh një copë mbulesë. A nuk mjafton kjo, për ta përshkruar gjendjen e mjeruar edhe të atyre që ishin të Lirë? Si fjalët e fshatares që ja kishin mbushur mendjen se shtresa jone hante njerëz Nuk është edhe kjo “e lirë” me shpirt të mirë… po aq dinte. Kjo histori na ndodhi në Itali. Në 1993. Vajtëm te një miku jonë, i cili ndante banesën me një djalë nga Fieri. që duke qene ushtar kishte hedhur pushkën dhe hipur në anije me të tjerë në eksod dhe kishte ardhur në Itali. Kur u takua me ne filloi të tregonte se babai i kishte thënë se bejlerët hanin njerëz. Im shoq i tha: ç’thua more? Edhe unë bej kam qenë! Ueu… thirri dhe u tmerrua. Ne qeshëm po ai ia mbathi…
        Adriana Respekt. Shendet dhe suksese. Por mos e lodh më trurin. Se siç duket akoma ka njerëz që çuditen se gjoja nuk e kanë ditur se çka ndodhur. Flas për ata që nuk duan dhe na quajnë “Burgaxhinj” si te ishte zanat…
        Kur shteti nuk bëri atë që duhej: t’i shpallte tradhëtarë, tani të dalin me portretin e xhelatit dhe të festojnë 29 Nëndorin. Kur hetueset e atij regjimi, kane bërë krime e papara, mbas Demokracisë u pasuruan me zyra Avokatie ose noterie. Kur jetojnë akoma më mirë. Asnjeri nuk kam dëgjuar që të paktën një grusht ti binte… Si frika e djalit tënd në shkollë që mësuesja e rrihte përditë dhe ai nuk të tregonte se mos ti i kërkoje hesap mësueses. Edhe ai mendonte se mos të humbiste edhe ty. Mua sa me dilte hetuesi përpara e shaja nëpërdhëmbë dhe djali im kishte frikë mos dëgjonte ai dhe me thoshte: Mami po ai që po torturon babin, mund ta bejë edhe ty!!” Kurse në shkollë… nuk ia kontrollonin detyrat, i vinin nota të ulta, i fyenin dhe ishin me kokë të këputur, pa asnjë shpresë për të vazhduar studimet. Unë isha vajzë kulaku… fëmijët e mi – fëmijët e armikut…
        Natën e mirë dhe do dëgjohemi…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.