back to top
22.5 C
Tirana
E mërkurë, 15 Maj, 2024

Puzzle i paplotë kujtimesh… me Fotaq Filipeun nga Dine Dine

Gazeta

Fotaq Filipeu (1915-1992)
Fotaq Filipeu (1915-1992)

Puzzle i paplotë kujtimesh… me Fotaq Filipeun

nga Dine Dine

Fotaq Filipeun e kam njohur qysh herët, diku aty nga mesi i viteve ’60, kur u regjistrova në nji kurs fizarmonike në Shtëpinë e Kulturës së Lushnjes, e ku Fotaqi që binte në sy për atë korrektesën dhe seriozitetin e tij, jepte mësim për kitarrë dhe violinë.
Nji ditë, ndërsa kursantët s’kishin ardhur akoma, unë po luaja gjithë qejf nji pjesë të shpejtë muzikore në fizarmonikë. Quhej “Samba Moskito”, dhe ma kishte këshilluar Rudak Ismaili. Si duket Profesori, më kishte ndjekur me vëmendje dhe pa u ndjerë m’ishte afruar dhe më pyet:
-Ku e ke mësuar kët pjesë muzikore?
Ia shpiegova… dhe pasi më dëgjoi deri ne fund me vëmendje, me mjaft mirësjellje më këshilloi:
-Më dukesh djalë i talentuar, ndaj të këshilloj të heqësh dorë nga ky stil të mësuari, sepse nuk të shpie askund! Mëso së pari solfexhin ashtu si duhet, përvetso meloditë që ke në metodë, dhe vetëm kështu, hap pas hapi do të mësosh t’i deshifrosh edhe melodi të vështira si kjo që ta kanë sugjeruar të tjerët…
Mbasi duhej edhe nja njëzet minuta të fillonte kursi, ai me at natyrën e tij të kujdesshme po edhe kureshtare më pyet se kush isha e nga vija. Pashë t’i ndrisnin sytë kur mësoi se vija nga një familje të cilën ai e njihte mirë dhe kishte mjaft respekt. Bile u bë edhe konfident e më tregoi një episod për xhaxhanë, Fiqiri Dinen, kur kish qenë kryeministër, gjë e cila më bëri të ndjehem edhe më i afërt me të. Kur i thashë se edhe unë e njihja mirë atë, bile shumë kohë më parë, ai s’mundi ta fshihte habinë po edhe njifarë gëzimi.
Pasi vështroi me kujdes rreth e rrotull mos ishte ndokush, biseda mes nesh u bë edhe më e afërt, bile kur i thashë se isha edhe nipi i Llan Kaziut, (me të cilin ai kishte ndarë për vite të tëra vuajtjesh në Burgun e Burrelit), dhe i kujtova edhe ca ngjarje prekëse që u përkisnin të dyve, dhe ai i mbante mend mirë, pa edhe nji herë me kujdes para e mbrapa, mos e ishte kush, dhe ma vuri dorën mbi sup, ndërsa unë vërejta se sytë e tij ndritën nga lotët.
Me dorën në sup, më shoqëroi derisa u fut në sallën ku jepte mësim dhe më tha:
-Mos harro se jemi miq, dhe nëse e gjejmë kohën do të shmallemi ashtu si duhet!
Me sa kujtoj, daja im Llan Kaziu, kishte vuajtur në Burgun e Burrelit gati 17 vite, dhe me sa kisha dëgjuar prej tij, Fotaqi duhej te kishte vuajtur rreth 14 vite dënimi…
Prej asaj dite, me Profesor Fotaqin u bëmë mjaft miq, por gjithsesi e ruanim njëri tjetrin pa e ekspozuar përballë asaj vigjilence të shumtë që na rrethonte si atë edhe mua.
Më së shumti, rasti e sillte të ndesheshim në rrugë, dhe sa herë më shihte, ai kishte diçka për të më thënë, e që s’duhej ta merrnin vesh të tjerët. Gjithnji me at shikimin e shpejtë majtas djathtas dhe mbasi sigurohej, më fliste me zë të ulët. Shpesh herë më këshillonte për muzikën me atë mirësinë dhe buzqeshjen aq njerzore që e karakterizonte gjithë qenien e tij prej artisti.

Profesoresha e Solfexhit Suzan Hoxha e Dine Dine (Saver 1963)
Profesoresha e Solfexhit Suzan Hoxha e Dine Dine (Saver 1963)

***

Një herë tjetër u takuam në qytet, dhe pasi vështroi si zakonisht, unë e sigurova të ishte i qetë se e kisha bërë unë përpara atij atë veprim dhe ai, me ata sytë e ëmbël që gjithnji rrezatonin shkëlqim e dritë, qeshi dhe më dhuroi një përqafim të ngrohtë, që nuk e harroj kurrë, dhe para se të ndaheshim ma kapi dorën dhe ma mbajti të shtrënguar për një kohë të gjatë.
Kujtoj edhe një rast disi tragjikomik, kur mbas nji vetvrasjeje të ndodhur në qytet, dhe ai po më thoshte se: “Këta, të gjithë pak nga pak do të hanë njëri tjetri, veç duhet të kemi durim…!” – kur befas dikush po afrohej pa u ndjerë mbas shpinës së tij. Unë ndërhyra si pa takt dhe e ndrrova bisedën, duke i folur për bluzën e bukur me vija që mbante veshur, dhe i thashë se gjoja mua më pëlqente aq shumë. Paksa i hutuar nga kjo ndërprerje, ai më pa drejt e në sy, por kur vërejti njeriun mbas shpine, e kapi fillin dhe ma vazhdoi bisedën: “Pse vërtet të pëlqen kjo bluzë, Dine?”
-Po – i thashë – më pëlqen shumë!”
-E pra të jesh i sigurt se kam dy, dhe një do ta jap… ta kesh kujtim nga unë.
Ndërsa njeriu mbas shpine qe larguar ca, unë qesha dhe i thashë…
-Të falemnderit Profesor, po unë e kam një tillë, po duhesh ndrruar pak muhabeti… apo jo?!
Ai qeshi me shumë përzemërsi, dhe ne vazhduam qetësisht bisedën e lënë përgjysëm.

Për vlerat dhe kontributin e tij muzikor, ndoshta është folur shumë. Kjo ishte edhe arsyeja themelore pse e mbanin në punë. Veç kësaj, ai me kish thënë se: “U jepte mësime private muzike, fëmijëve të “Mëdhenjëve” të qytetit të Lushnjes…!!”
Mund të shtoj në veçanti, poetin dhe shkrimtarin Visar Zhiti, i cili e ka paraqitur plot dinjitet dhe vlera portretin e Profesor Filipeut në shkrimet e veta, ashtu siç e meritonte ai, si njeri dhe si pedagog muzike…

***

Nji herë tjetër, sapo kisha mbaruar orën e mësimit të fizarmonikës, dhe po dilja pak i shkujdesur jashtë, në nji qoshe pranë një dyqani frutash, pashë Profesor Filipeun që ma bënte me dorë. Iu afrova.
-Dëgjo Dine, – më tha si me ngut – kanë vendosur t’ju përjashtojnë nga kursi, si ty edhe atë shokun tënd, Zefin. Si zgjidhje kanë sajuar t’ju kërkojnë një dokument nga Ndërmarrja, që ju lejon ta vazhdoni kursin! Sot është e mërkurë, të premten ata do të çojnë dikë, që të merren vesh me ndërmarrjen, dhe t’jua refuzojë kërkesën. Në të vërtetë, ky është thjesht një pretekst, pasi ata gjithsesi e kanë marrë vendimin që t’ju largojnë nga kursi i fizarmonikës. Por ti, pa njoftuar askënd, shko edhe merre atë pusullë, qysh përpara, dhe kur ata ta kërkojnë, ti jepua, që të mbesin si guakër kur ta shohin si edhe këtë ti e ke… Gjithsesi ata do t’ju përjashtojnë, sepse kjo është filozofia e tyre, po ti mos u mërzit, vazhdo të punosh me durim dhe këmbëngulje. Jetës s’i dihet asnjëherë! Ti je i ri, dhe sigurisht talentin nuk ta vrasin dot!
Bëra ashtu siç më këshilloi ai. Vërtet mbas ca ditësh na përjashtuan të dyve, edhe pse unë e kisha siguruar dokumentin që kërkonin nga ndërmarrja, ata nuk u turpëruan fare, kur ua dhashë. Veçse ai u mërzit dhe u trishtua shumë… Unë s’mund ta harroj atë pamjen e tij, ditën që i hypa biçikletës… për mos t’u kthyer kurrë në kursin e fizarmonikës…
Kohë më vonë, gjetëm rast dhe diskutuam gjerë e gjatë për këtë padrejtësi që asokohe justifikohej me “luftën e klasave”, dhe ai si gjithnji më këshilloi: “Durim, vetëm durim dhe gjakftohtësi…! S’ka rrugë tjetër Dine!”

Profesor Fotaq Filipeu
Profesor Fotaq Filipeu

***

Mbas ca vitesh, më transferuan në Kampin e Gjazës.
Prej andej duhesh një leje e veçantë nga Dega, për të shkuar në qytet, kështu që për vite s’u pamë fare, o krejt rrallë me Fotaq Filipeun.
Nji ditë, na erdhi aty në Kamp, regjizori që merrej me teatrot e fshatrave, Llukan Kola, dhe më njoftuan se më kish kërkuar ta takoja. U preka shumë kur më tha se “Ke të fala dhe përshëndetje nga Profesor Filipeut…” Dhe regjizori me pretekstin, se ishte “tejet i zënë” me teatrot e tjera, me rekomandoi mua ta kryeja detyrën e tij në Gjazë, duke u shpjeguar kryesisë, se “…unë isha edhe më i zoti se ai…!” Dhe vërtet shkoi mirë… e kur gjithçka po ishte drejt përfundimit dhe ne qemë gati të jepnim shfaqjen e parë, papritmas, dhe pa ndonjë njoftin shfaqja u pezullua… si duket gjithkund fuste hundët ajo e shkretë luftë klasash, për të cilën aq shpesh flisnim me Priofesor Filipeun… Unë i mbeta mirnjohës atij, që edhe atje në Gjazë, ai qe përpjekur të më ndihmonte!

***

Mbasi u arrestova, u dënova dhe kreva dhjetë vitet e burgut, dola i lirë aty nga fundi i viteve tetëdhjetë. Nji ditë vere, krejt rastësisht, takoj në qyetet Profesor Filipeun. Ishte koha kur kishte rënë Muri i Berlinit dhe kishin nisur të ndjeheshin ndryshime në gjithë Lindjen. Mbasi u çmallëm si asnjëherë, pa e rrotulluar më kokën as majtas e as djathtas, dehur edhe nga nji lloj euforie, e ftuam njeri tjetrin të pijmë nga një kafe, gjë e cila s’kish ndodhur kurrë më parë.
Ishte mesi i gushtit të vitit 1990, kur me Filipeun, u futëm te Pastiçeria përballë Bankës së Lushnjes… Mbasi pimë nga një aranxhatë midis zhegut, i tregova me hollësi Profesorit historinë e sorollatjes që më kishin bërë për dhënien e pasaportës… Po më së fundi e kisha marrë, dhe ashtu gjysëm i çoroditur prisja çastin të nisesha jashte. Pashë që e gëzoi shumë ky fakt. Dukej edhe atij i kish dalë frika, sepse me bindje dhe jo pa humor më tha:
-Po mos u mërzit dhe mos u çudit fare Dine. Se ti je, dhe mbetesh “Armik i klasit të parë”. Thjesht, ata nuk duan të kenë ferrë nëpër këmbë! – dhe qeshte me atë ëmbëlsinë e tij karakteristike. Pastaj futi dorën në xhep dhe diçka shkroi me të shpejtë në një copë letër me tha: -Ky është numri i telefonit i vëllat tim, në Amerikë. Merre, ndoshta të hyn në punë!
Dhe që i vëllai të mos dyshonte, ai i shkroi një fjalë që vetëm ai dhe i vëllai e përdornin. E lamë të takoheshim mbas një ore. Si njeri preciz, ai erdhi dhe më solli edhe një letër të mbyllur mirë, me besimin se mund t’ia çoja të vëllait të tij në Amerikë.
Në mes të Tetorit të atij viti, vendosa të nisesha. Në aéroport m’u bë një kontroll aq i rreptë, sa asgjë nga gjithë porositë e marra prej miqve dhe shokve të mi, nuk kaloi. M’i konfiskuan të gjitha, duke më shkatërruar edhe rrobat e fëmijve… Kështu humbi edhe porosia e Profesor Filipeut.

Qendra e Lushnjes
Qendra e Lushnjes (Shtepia e Kultures ne fund)

***

Me Profesor Filipeun s’u pamë më kurrë në kët jetë. Kam pyetur vazhdimisht për të, dhe kam ndjerë shumë dhimbje kur mora vesh se ai kish ikur shpejt nga kjo botë e ashpër… Por, më shumë më dhembi fakti që s’mundëm kurrë të uleshim e të flisnim me njeri tjetrin si njerëz të lirë, dhe si miq të vjetër…
Sigurisht në kujtimet e shkruara prej meje, figura e Fotaq Filipeut do të jetë më e plotë, dhe mjaft nga bisedat tona ashtu të trembura, do të jenë një dëshmi ndoshta e parëndësishme, e atyre “njerzve të vegjël” që s’u pajtuan kurrë me të “keqen e madhe”…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.