back to top
7.5 C
Tirana
E hënë, 9 Dhjetor, 2024

Samuel Ph. Huntington dhe teoria e tij e Përplasjes së Qytetërimeve

Gazeta

Prof. Samuel Huntington (1927-2008)
Prof. Samuel Huntington (1927-2008) 

Samuel Ph. Huntington (1927-2008)

dhe teoria e tij e Përplasjes së Qytetërimeve

Samuel Phillips Huntington (New York, 18 prill 1927 – Vineyard Martha-s, 24 dhjetor 2008), qe nji studiues, shkencëtar dhe politikan amerikan. Nji prej ekspertëve ma kryesorë dhe këshilltar i politikës së jashtme të administratës amerikane në ditët e Presidentit Jimmy Carter; Drejtor i Studimeve Strategjike dhe Ndërkombëtare në Universitetin e Harwardit; themelues i Politikës së Jashtme, dhe autor i rreth njizet eseve që përbëjnë historinë e gjeopolitikës së njizet viteve te fundit. I njohur për analizat e tij të marrëdhënieve midis Qeverisjes civile dhe Fuqisë ushtarake; për studimet e tij të “Grushteve të Shtetit”; tezat e tij mbi aktorët kryesorë të Shekullit të Njizetenjitë; si dhe Qytetërimet që do të tentojnë të zëvendësojnë Shtetet-Kombe.
Studioi së pari në Universitetin e Yales, dhe mbas shërbimit ushtarak, specializohet në Universitetin e Çikagos dhe Harward, ku vetëm 23 vjeç, ai bëhet profesor. Pas Luftës së Dytë Botërore, luan një rol të randsishëm në fillimin e lëvizjes neo-konservatore, së bashku me Irving Kristol, Norman Podhoretz, Seymour Martin Lipset, Daniel Bell, Jeane Kirkpatrick dhe James Q. Wilson. Të gjithë këta nxënësa të Leo Strauss-it, filozof politik me origjinë hebre, i cili ishte admirues i Nietzsche-s, Heidegger-it dhe Carl Schmitt-it.
Huntington u ba i famshëm në vitin 1968, me botimin e esesë “Rregulli politik në shoqëritë në ndryshim”, ku i kundërvihej teorisë së modernizmit klasike duke vënë “ndër thonjza” faktorët ekonomikë, e duke theksuar faktorët socialë (urbanizimin, arsimin, ndryshimet sociale) në zhvillimin e shoqërisë. Për më tepër, kjo ese sfidoi teoritë konvencionale mbi modernizimin, të cilat mbështesnin idenë se përparimi ekonomik dhe shoqëror do të çonte në shfaqjen e demokracive të qëndrueshme në vendet me të kaluar koloniale.
Në vitet e fundit ai u mor mjaft me problemet e shkaktuara nga Emigracioni në Shtetet e Bashkuara.
Samuel P. Huntington ka dhënë mësim në Universitetin e Harwardit dhe ka qenë anëtar i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë.
Ai vdiq me 24 dhjetor 2008, në ishullin e Martha Vineyard-s, në Massachusetts.

Francis Fukuyama (1952)
Francis Fukuyama (1952)

Përplasja e qytetërimeve

Për ma shumë mund të lexoni “Përplasja e Qytetërimeve dhe Rendi i Ri Botëror”.
Në vitin 1993, Huntington i hap rrugë nji debati midis teoricienëve të marrëdhënieve ndërkombëtare me botimin e nji artikulli të paraqitun nga Ministria e çeshtjeve të Jashtme, i cili pati nji ndikim të jashtëzakonshëm, me titull: “Përplasjen e Qytetërimeve?” (The Clash of Civilisations?) Artikulli ishte kundra tezës, mbi dinamikën kryesore të gjeopolitikës së Post-Luftës së Ftohtë, e shpalosun nga Francis Fukuyama në 1992, në librin e tij “Fundi i Historisë dhe Njeriu i Fundit”. Nëse në veprën e Fukuyama-s qe trajtue fundi i historisë dhe ardhja e globalizimit e udhëhequn prej demokracive liberal-perëndimore, sipas Huntington, ishte e kundërta, fundi i Luftës së Ftohtë nuk mund të pretendonte nji model të vetëm, përkundrazi, ai do t’i çlironte Qytetërimet e ndryshme nga zgjedha e bipolariste politike dhe ideologjike e SHBA dhe BRSS, duke i lanë ato të zhvilloheshin lirshëm e në mënyrë të pavarun. Vëzhgimi i Huntingtonit qëndronte te balanca e pushtetit midis qytetërimeve të ndryshme që janë në ndryshim e sipër, ndërsa ndikimi i afërm i Perëndimit ishte në rënie. Huntington, më vonë u zgjerua mjaft mbi kët artikull, duke e bërë atë nji libër, i cili u botua në vitin 1996, nga “Simon&Schuster” me titull “The Clash of Civilizations and the Remaking of World Order!” (Përplasja e Qytetërimeve dhe Ndërtimi i Rendit të Ri Botëror).
Sipas artikullit dhe librit, konfliktet më pas Luftës së Ftohtë, do të shfaqen me nji frekuencë edhe ma të madhe edhe ma e dhunshme përgjat vijave ndarëse të kulturave dhe aspak politike apo ideologjike, siç kishte ndodhun në Shekullin e Njizetë. Huntington-i beson se ndamja e botës në shtete do të zvoglohej, dhe kjo ndamje do të shkojë në vartësi të qytetërimeve, ku ai asokohe numëronte nantë: perëndimore, latino-amerikane, afrikane, islamike, sinike, hindu, ortodokse, budiste dhe japoneze.

Nantë Qytetrimet sipas Huntingtonit
Nantë Qytetrimet sipas Huntingtonit

Me sa duket, për t’i kuptue konfliktet aktuale dhe të ardhshme, duhet ma së pari të kuptojnë dallimet kulturore, dhe se kultura (ma shumë se shteti) duhet të pranohet si nji fushë përplasjeje. Për kët arsye, – nënvizon ai – vendet perëndimore mund ta humbasin dominimin e tyne në botë, nëse s’do të jetë në gjendje me e njoftë mirë natyrën e këtij tensioni të papajtueshëm.

Citime nga vepra: Përplasja e Qytetërimeve…

“Mendimi im asht se burimi themeltar i konfliktit në botën e re, në të cilën jetojmë s’do të jetë në thelb as ideologjik dhe as ekonomik. Ndarjet e mëdha të njerëzimit dhe burimi kryesor i konfliktit do të jetë i lidhun me kulturat. Shtetet-kombe do të mbetet lojtarët nyje në kontekstin global, por konfliktet ma kryesore do të ndodhin midis kombeve dhe grup qytetërimeve të ndryshme. Kështuqë, Përplasja e Qytetërimeve do ta dominojë politikën globale. Linjat ndarëse midis qytetërimeve do të jenë ato mbi të cilat do të konsumohen betejat e së ardhmes…”
(Përplasja e Qytetërimeve dhe Rendi i Ri Botëror, 1996)

Përplasja e Qytetërimeve dhe Rendi i Ri Botëror
Huntington – Përplasja e Qytetërimeve dhe Rendi i Ri Botëror

“Perëndimi nuk e fitoi botën si rezultat i superioritetit të ideve të tij, të vlerave apo të fesë së tij, po nëpërmjet superioritetit të tij në përdorimin e dhunës së organizueme [fuqisë ushtarake]. Perëndimorët shpesh e harrojmë kët gja, jo-perëndimorët, kurrë!”

“Në botën që po lind, nji botë e mbushun me konflikte dhe përplasje të qytetërimeve etnike, bindja e perëndimorve mbi universalitetit të kulturës së tyne përfshin tre probleme: ajo asht false, asht e pamoralshme dhe asht e rrezikshme… imperializmi mbetet pasojë logjike dhe e domosdoshme e universalizmit”
(Përplasja e Qytetërimeve dhe Rendi i Ri Botëror, 1996)

(Nga faqja e Wikipedias)
Përktheu dhe përshtati në shqip Jozef Radi

Related Images:

More articles

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.