back to top
14.5 C
Tirana
E martë, 14 Maj, 2024

Promovim madhështor i librit “Mri Dedja e Merrnaçajve – Zoja e hekurt me shpirt florini” – nga Sokol Paja – New York, 16 Shtator 2023

Gazeta

Pamje nga Salla e Promovimit
Pamje nga Salla e Promovimit

Promovim madhështor i librit “Mri Dedja e Merrnaçajve

– Zoja e hekurt me shpirt florini”

nga Sokol Paja – New York, 16 Shtator 2023 

U promovua në New York libri i Jozef Radit:
“Mrì Dedja e Merrnaçajve, Zoja e hekurt me shpirt florini”

Në sallën e Konferencave “Nënë Tereza”, pranë Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale – New York, libri i studiuesit Jozef Radi, ngjalli kureshtjen e komunitetit shqiptar dhe mbarë diasporës shqiptaro-amerikane në New York e më gjerë. Me pjesëmarrjen masive të komunitetit, miqve e familjarëve, dashamirësve të librit, përfaqësuesëve të Kishës e mediave të komunitetit, libri “Mri Dedja e Mërrnaçajve, zoja e hekurt me shpirt florini” është një vepër e shkëlqyer rreth rrëfimeve në vetën e parë të shqiptares së shquar Mri Mërrnaçaj, përfaqësuese e dy prej familjeve më të nderuara e respektuara në Kelmend të Malësisë së Madhe, Nilaj e Merrnaçaj. Ky botim është një nderim i veçantë për vuajtjet, qëndresën dhe sakrificën heroike të femrës shqiptare. Libri homazh për prindërit e Mrisë, djalit Nik Merrnaçaj e bashkëshortit të ndjerë Marash Merrnaçaj, paraqet qendresën antikomuniste të familjes, arratisjen nga ferri komunist, emigrimin drejtë Malit të Zi e më pas rrugëtimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nën prezantimin brilant të Mikejla Nonaj, Famullitari Dom Pjetër Popaj teksa shpalosi tragjizmin dhe vuajtjet në libër, e quajti Mrì Mërrnaçajn një heroinë të vërtetë dhe në fjalën e tij foli për fetarinë, bujarinë, fisnikërinë, mirësinë e vlerat e jashtëzakonshme të familjes Merrnaçaj e në veçanti të Mrisë. Një dokumentar historik i përgatitur me profesionalizëm nga TV Albanian Culture paraqiti për pjesëmarrësit jetën e vështirë e plot sakrifica dinjitoze të Mri Mërrnaçaj e familjes së saj. 25 vite në shërbim të komunitetit shqiptar në Amerikë, Adem Belliu dhe familja e tij mediatike kanë pasur një lidhje e miqësi me familjen Mërrnaçaj që dokumentohet dhe në dokumentar.
Majori i Yonkersit, Mike Spano pasi falenderoi të pranishmit e organizatorët u shpreh se mësimet e historisë kalojnë nëpërmjet dhimbjeve e vuajtjeve. Mësuesja Liza Pllumbi shpalosi në detaje aspekte jetësore të familjes Merrnaçaj dhe u ndal te vlerat e larta të Mrisë në përballje me vuajtjet dhe fatin e jetës.

Mri Dedja e Merrnacajve - Rrefime t'nji jete - Jozef Radi
Mri Dedja e Merrnacajve – Rrefime t’nji jete – Jozef Radi

Prek Ndue Meri, apeloi për të pranishmit që të mos harrohet historia e lavdishme e Kelmendit. Pjesa muzikore me violinë e luajtur nga Rozeta Ujkaj e Mimoza Lleshaj shërbeu për pjesëmarrësit si një moment reflektimi, paqeje e qetësimi shpirtëror. Studiuesi Idriz Lamaj, u ndal në aspekte shpirtërore të rrëfimit të heroinës Mri Merrnaçaj. Studiuesi Lamaj kishte sjellë me vete një libër të vogël uratësh dhe ia tregoi Famullitarit Popaj në shenjë nderimi ndaj Monsinjor Zef Oroshit, që ia kishte dhuruar Idriz Lamajt plot 52 vite më parë. Lindita Harizaj Dema u shpreh se në libër gjejmë pjesë nga dramat tona, gjej shumë femra shqiptare. Ky është një libër i dhimbshëm e heroik ku kam gjetur dhe veten time, e ku Mrija është model i nënës, motrës e gruas shqiptare, tha ndër të tjera zonja Harizaj-Dema. Marjana Naçaj e cilësoi librin si rrëfim i nevojshëm për historinë kombëtare. Shkrimtari Mëhill Velaj në fjalën e tij e cilësoi librin si burim historik, dokumentar e letrar, i shkruar me një gjuhë të ëmbël me rrëfime e përjetime autentike. Libri përjetëson një figurë heroike të femrës shqiptare. Asllan Bushati lexoi kumtesën e Sami Milloshit i cili e quajti librin enciklopedi.
Autori i librit Jozef Radi shpjegoi etapat e përgatitjes së librit dhe deklaroi për pjesëmarrësit se libri është një monument për femrën shqiptare. Ai falënderoi në mënyrë të veçantë familjen Merrnaçaj, Mark Merrnaçajn, Prek Merin e Anton Përdodën. Personazhi që i dedikohet libri, Mrì Merrnaçaj në fjalën e saj falënderoi Dom Pjetër Popaj, At Gazmend Tinaj, Mark Merrnaçaj, Jozef Radi, të gjithë folësit e të gjithë pjesëmarrësit.

Me Luanin dhe Pertefen dhe nji mikun e tyne...
Me Luanin dhe Pertefen dhe nji mikun e tyne…

At Gazmend Tinaj në fjalën e tij deklaroi se rrëfimi i Mrì Merrnaçaj është shpallje, është simfoni e trishtë melankolike. Janë rrëfime zemre. Zemra është memoria e ngjarjeve të trishta të njeriut. Libri është si një rrëfim për të mos harruar kurrë, u shpreh At Tinaj. Mark Gjonaj në fjalën e tij theksoi se Marash e Mrì Merrnaçaj tragjeditë i kthyen në forcë e dhimbjen ne fuqi për të ecur përpara me dinjitet e krenari. Promovimi i librit “Mri Dedja e Merrnaçajve, zoja e hekurt me shpirt florini, – rrëfime t’nji jete” bashkoi shqiptarët e Amerikës në respekt, vlerësim e mirënjohje të familjes Mërrnaçaj, qendresën e tyre, shembullin e për gjithçka që ata i kanë dhënë komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në përfundim të promovimit familja Merrnaçaj shtroi një koktejl për gjithë të pranishmit dhe të ardhurat nga shitja e librit ia dhuroi Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” në New York.

Marrë nga Muri i FB Gazeta Dielli, 16 shtator 2023

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.