
Një yll i Sorbonës në jurisprudencën shqiptare – dr. Fejzo Sejdini (1913-1987)
nga Klodi Stralla
Përkujtimore
Si një koinçidencë fatlume në datëlindjen e tij, mikja ime Lela Boga (Sejdini) më njofton në inbox për vlerësimin “Qytetar nderi i Elbasanit” të atit të saj, juristit të shquar dr. Fejzo Sejdini, titull i akorduar nga Bashkia e qytetit të tij të lindjes. Një vlerësim plotësisht i merituar, ndonse shumë i vonuar!
Dr. Fejzo Sejdini i përket asaj plejade juristësh elitarë që u formuan gjatë kohës të Mbretërisë, por që punoi si gjyqtar, avokat dhe së fundi si jurist në vitet e pasluftës deri sa doli në pension.
I formuar me kulturë perëndimore, fillimisht në Liceun Kombëtar të Korçës dhe mandej në Sorbonë të Francës, ku u diplomua si jurist dhe fitoi graden “doktor” në shkencat juridike, një arritje shumë e veçantë dhe e rrallë për kohën. Tema e punimit të tij “Mbi administrimin lokal në Shqipëri”, e referuar përpara jurisë të kryesuar nga profesori i njohur frëng Roland, mbetet edhe sot një pikë referimi për shkencën juridike shqiptare dhe për formimin e juristëve tanë të rinj.
Im atë e ka njohur kur ai ishte gjyqtar në Korçë dhe, kur përmendte kolegë të tij, përmendte me shumë respekt dhe konsideratë profesionale edhe dr. Fejzo Sejdinin.
Për të mësova më shumë kur, në bisedat e shpeshta me vajzën e tij, znj. Lela Boga (Sejdini), bashkëshortja e doktorit të njohur, prof. dr. Panajot Boga, një zonjë fisnike elbasanase, e rritur dhe edukuar në një familje me tradita atdhetare (Mbesë e Biçakçinjve) dhe me një edukatë familjare të spikatur, kam mësuar shumë më tepër për Familjen dhe veçanërisht edhe për atin e saj.
Ajo tregon me shumë modesti rreth familjes të saj, të gjyshit (dr. Qazim Sejdini) dhe gjyshes (Mynyre Jero), por edhe lidhjet familjare me Biçakçinjtë, dhe kjo ma përforcon bindjen time të kahershme se “ka qenë familja e mesme shqiptare, fisnike dhe atdhetare, ajo që ka i ka dhënë këtij vendi aq shumë, por që ka marrë shumë pak prej tij (bile as pronat e veta të trashëguara), për të mos folur pastaj për përndjekjet shumëvjeçare.
Nuk ishte e lehtë të ishe gjyqtar Sorbone në vitet e para të pasluftës dhe më tej, kur “fitimtarët” dënonin padrejtësisht armiqtë e tyre politikë; Jo me prova dhe fakte por me paragjykime klasore.
Gjyqtar Fejzo Sejdini diti ta ruajë me ndershmëri figurën e juristit profesionist kundrejt kërkesave absurde të kohës. Nuk ishte e lehtë.
Kjo sigurisht i shkaktoi edhe tatëpjetën e karrierës të tij profesionale: nga gjyqtar, në avokat dhe, pas suprimimit të Avokatisë, si jurist i thjeshtë në një institucion shtetëror (Agjensinë Telegrafike Shqiptare), derisa doli në pension.
Ndërroi jetë në vitin 1987, pa mundur të shohë ndryshimin e shumëpritur të sistemit.
Nderim dhe respekt për këtë atdhetar dhe profesionist elitar!
Tiranë, 2 Tetor 2026