
Profesionisti humanist Stavri Çeço
përballë profesionistit karrierist Rustem Gjata
nga Klodi Stralla
Përkujtesë
Në çdo fushë të dijes, por sidomos në Jurisprudencë, nuk mjaftojnë vetëm dijet e thella profesionale për të qenë i vlerësuar, duhet edhe zemra e ngrohtë njerëzore. Pa të dyja nuk ka Drejtësi!
Stavri Çeço dhe Rustem Gjata ishin thuajse moshatarë, ishin lindur në kohën e mbretërisë, Stavri në Korçë dhe Rustemi në Pejë të Kosovës. Të dy u shkolluan si juristë në atdhe, në fillimvitet 60-të të shekullit të kaluar, por ndërsa Stavri iu përkushtua mësimdhënies në Universitetin e Tiranës, Rustemi ndoqi edhe karierën si gjyqtar, deri antar i Gjykatës të Lartë komuniste. Të dy nuk rrojnë më, Stavri ka mbi 20 vjet që ka ndërruar jetë, ende i ri, ndërsa Rustemi vdiq dje në një moshë të thyer. Kjo është edhe arsyeja që po i kujtoj sot, ndonëse në vlerësime të ndryshme:
Të dy i kam njohur nga afër, Rustemin shumë më pak, ndërsa me Stavrin kemi bërë biseda të gjata se si mund të riorganizohej Drejtësia postkomuniste, në kushtet tejet të vështira të politizimit të saj ekstrem. Unë në fillim të viteve ‘90-të ndiqja pa shkëputje nga puna Fakultetin juridik, si degë të dytë pas Fizikës dhe kontaktet me ata ishin kryesisht në ditët e provimeve. Në ato vite Rustemi u shkëput nga fakulteti për t’u emëruar nga Berisha si Kryetar i Gjykatës Kushtetuese të posakrijuar, ndërsa Stavri vazhdoi të ligjëronte në fakultet lëndën më të vështirë por edhe më të dashur për të – Të Drejtën Civile dhe atë të Procedurës Civile, ekuivalentet e Mekanikës Kuantike në degën e Fizikës.
Rustemi ndonse vinte nga një karierë e lidhur ngushtë me organet represive të ish diktaturës (gjyqtar), i mori shumë shpejt kthesat në regjimin e ri demokratik. U bë mbrojtës i flaktë i të “Drejtave të Njeriut”, të drejta që ai i kish shkelur sistematikisht me vetëdije për tre dekada ndaj viktimave të tij në proceset e montuara gjyqësore. Rasti i dënimit me vdekje në vitin 1973, të priftit katolik Hil Gjoni dhe veçanërisht arsyetimi i vendimi të tij është emblematik: “Ai ka agjituar dhe propaganduar për një kohë të gjatë kundër pushtetit popullor, të cilin ai e ka urryer vazhdimisht. Ka sharë udhëheqësit tanë dhe ka shprehur dëshirën se, po të kishte mundësi, do t’i vriste të gjithë. Personaliteti i tij është shumë i keq, armik i vendosur, që e quan veten fajtor vetëm se nuk ka bërë më shumë kundër pushtetit popullor, si gjatë hetimit paraprak të çështjes dhe gjatë gjykimit ka mbajtur një qëndrim shumë të keq. Ai ka pranuar të tradhtojë atdheun vetëm e vetëm t’i shërbyer Papës në Vatikan (Pjesë nga arsyetimi i vendimit).
I ngjan një hartimi dhe jo një vendimi gjyqësor të bazuar në prova dhe fakte. Ashtu si botkuptimi dhe zemra e shkrimtarit “flet” me veprën e tij, edhe arsyetimi i një vendimi gjyqësor “flet” për botkuptimin dhe zemrën e gjyqtarit që e ka shkruar. Rustemi, për mua, ishte dogmatik dhe fanatik i vijës të Partisë (besoj ka qenë edhe anëtar partie), karakter që e shfaqi shpejt duke veshur kostumin e demokratit dhe vjelë përfitimet që të vinin prej tij (anëtar i PD-së, deputet i saj dhe kryetari i parë i GJK).
Stavri Çeço ishte i kundërti i tij si karakter: Ishte i thjeshtë e njerëzor, nuk e pëlqente pompozitetin, karrierën dhe dukjen, shumë i arsyshëm, profesionist në shpjegimin e lëndës dhe sidomos dashamirës në vlerësim e studentëve të tij të shumtë që e respektonin aq shumë. Ai ishte humanist në shpirt dhe një njohës shumë i mirë i lëndës që shpjegonte. Kjo më kujtonte të paharrueshmin Niko Thomo, lektorin homolog të Mekanikës Kuantike, në degën e Fizikës, me të cilin, çuditërisht, ngjasonin edhe në pamjen e jashtme dhe gjestikulacionet në sjelljen.
Për Stavrin qëllimi i Drejtësisë nuk duhet të jetë ndëshkimi i fajtorit por reabilitimi i tij në shoqëri, me dashuri dhe dhemshuri njerëzore. Kushdo mund të gabojë, prandaj duhet reabilituar – më thoshte shpesh, gjatë bisedave tona të gjata, kur e takoja këtu në Tiranë. Drejtësia nuk është shpatë që vret por një infermjere që mjekon plagët, që jeta shkakton vazhdimisht – shtonte ai, me atë buzëqeshjen e tij karakteristike. Ai vetë, në jetën e tij personale, pati një fatkeqësi me bashkëshorten e vet, të cilës i shërbeu me përkushtim shembullor deri në çastet e fundit të jetës të saj fatkeqe.
Respekt e mirënjohje për këtë burrë fisnik, të ditur, të thjeshtë dhe zemërartë!
Tiranë, 29 prill 2026