back to top
18.5 C
Tirana
E hënë, 29 Prill, 2024

Pjetro Marubi (1834 – 1903) – nga Fritz Radovani

Gazeta

Pjetër Marubi (1832-1903)
Pjetër Marubi (1832-1903)
Pjetro Marubi (1834 – 1903)
nga Fritz Radovani
Shkodra – djepi i kulturës dhe i artit Atdhetar Shqiptar

Krahas hapjes së shkollave fillestare private Shqipe dhe atyne të mesme të Jezuitëve dhe Françeskanëve në shek. XIX, në Shkodër, në djepin e artit të Saj u përkund edhe fotografia e parë e ardhun me Studio Marubi,Trojet tona që në vitin 1850-1858.

Pjetër Marubi u le në Piacenza, më 14 gusht 1832, asokohe pjesë e Dukatit të Parmës, me emnin e lindjes Benedetto Pietro Lorenzo Marobbi, i biri i Antonio Marobbi-t dhe Maria Çervinit (Cervini); i ati ishte sharrëxhi (ma vonë punoi në një farmaci). Pietro ndoqi shkollën e arteve të institutit Gazzola të vendlindjes. Më 1858, mori një anije drejt Zarës ku ishte prezentue si piktor dhe litograf, shkoi në Budva dhe prej aty u vendos në qytetin Shkodër, në tetorin e 1858, ku u prezantua si piktor.
Fillimisht u vendos në ndërtesën e Familjes Rronkali dhe ma vonë në konsullatën ruse. Punoi si mësues vizatimi në seminarin e Etënve Jezuit, konsullatën franceze dhe atë ruse të Shkodrës.

Dinastia Marubi
Dinastia Marubi

Marubi kontribuoi për ndërtimin e Kishës ortodokse “Aleksandër Nevski” të qytetit (për të cilën u dekorue nga autoritetet ruse me medaljen e urdhnit të Shën Stanislavit), të konsullatës së re franceze, të selisë Arqipeshkvnore të Katedrales katolike e konsullatën e re italiane aty, ku ishte shtëpia e Filip Parrucës (ish Shtëpia e Kulturës) në Shkodër.
Dihet që më 1865, çili studion e tij, tue e përdorë së pari fotografinë në dobi të pikturës siç mund të kuptohet nga portretet e Nikoll Çobës dhe Ismail Pashës. Fotot ma të hershme të koleksionit të tij zanë fillë më 1860. Me çeljen e Kolegjit Saverian, u pajtue që të jepte edhe aty lëndën e vizatimit. Studioja e tij u specializue jo vetëm në shërbime fotografike private (portrete të personave e familjeve), por në vitet 1870, Pietro bani një shërbim si reporter për revistën italiane “Illustrazione Italiana” në vilajetin e Shkodrës. Organet e ndryshme botnore, revistat dhe gazetat lidhin kontrata. Ndërkohë, mjeshtri Pjetro fillon të dalë nga atelieja e të fotografojë në natyrë subjekte shoqnore, por edhe historike.
Kësaj periudhe i përkasin foto të tilla si shumë e njohuna “Lypës në rrethinat e Shkodrës” (1875) me forcë të madhe shprehëse, si dhe “Portrete grueje” (1878) e “Cigania e vogël”. Me vlera të mëdha asht dhe fotoja e Marubit që paraqet delegatët e njohun të Vilajetit e Lidhjes së Shkodrës (1878), si dhe ajo që pasqyron Kryengritjen e Mirditës (1876-1877). Me këto foto ai nis bashkëpunimin e gjatë me revista të njohuna europiane si “L’Illustration”, “La Guerra d’Oriente” dhe “The Illustrated London News”, tue u ba Fotoreporteri i Parë në histori të fotografisë Shqiptare. Fotot e Marubit mbi lëvizjet luftarake të shqiptarëve të Veriut për liri, janë pothuaj vërsnike me ato që mbahen ma të parat fotografi botnore të luftës si të anglezit Fenton dhe amerikanit Brady. Përmendim gjithashtu se ai ka realizue fotografitë e para në Mal t’Zi (1865). Kështu nuk asht e rastit që fotografitë e kohës së Marubit, gjinden në shumë gazeta italiane dhe franceze të kohës.
Aparatet e tij në fillim të veprimtarisë ishin prodhime franceze dhe gjermane me përmasa 30 cm me 40 cm. Shumë foto të tij janë shtypë edhe si kartolina postare që kërkoheshin nga të huejt për bukurinë dhe ekzotikën e tyne të panjoftun.
Për veprimtarinë e tij u nderue me medalje ari nga Shoqata e Meritorëve në Palermo më 1890, dhe kalorës nderi i Aeropagut të të Dekoruemve të të gjitha Kombeve me 1895.
Gjatë një smundje më 1893, me dy dëshmitarë dhe me përkthyesin e konsullatës italiane Pjetër Gurakuqin, nënshkruen nji testament ku përcakton vullnetin e tij për t’i lanë trashigimë ateljenë dhe pajisjet e saj, Kel Kodhelit: “Si shpërblim i të gjithë shërbimeve miqësore të bame nga ai në situata të ndryshme të jetës së Pjetrit”.
Pietro Marubi iku nga Italia dhe i mbështetun tek Kleri Katolik Shqiptar e Ai Jezuit në Shkoder, mujti me u vendosë dhe me punue si fotograf në këte qytet, që ishte “syni i principatës”. Asnjë nga “meritat’ e Klerit Katolik kjoftë Shqiptar apo i “huej” i vendosun që në shek. XII në pjesën e Veriut, tue fillue nga shkollat Amtare, Alfabeti dhe Gjuha Shqipe e deri tek muzika, fotografia, muzeumet, sporti, stacioni meteorologjik, kinema, teatri, letërsia jonë kombtare e atdhetare, shtypshkronjat dhe librat apo të përditshmet që lulzuen në Shkodër, endè vazhdojnë mos me u zanë me gojë nga “Akademia e Tiranës”, bashkë me gjenialitetet tona të papërsëritshme, që çdo vepër të vet ia dedikuen Shkodrës dhe Atdheut.

Marubi - Xhubleta e nji çifti malsorësh
Marubi – Xhubleta e nji çifti malsorësh

Lidhja miqsore me familjen Shqiptare Kodheli, krijon mundsinë e trashigimit të profesionit dhe të gjithë pasunisë së Pjetër Marubit, tek Mati Kodheli dhe trashigimtarët e Tij, të cilët, i trashiguen edhe emnin e Përjetshëm të Tij, në “Studjo Marubi” Shkodër, deri tek i fundit Gegë Marubi. Ambjenti dhe jetesa në qytetin e Shkodrës për Pjetrin ishin aq të knaqshme sa Ai e ndiente veten sikur t’ishte në Itali. Po duhet theksue se edhe Shkodra e konsideroi Atë si nji Shkodran të vetin të vjeter.
“Studio Marubi” ishte çerdhe edukimi Atdhetar e Rinisë Shkodrane.
Shtëpia plot dritë e Atelies së Parë të fotografisë, shumë shpejt kthehet në një nga çerdhet ma të besueshme të Atdhetarëve tanë, tue fillue nga Hamz Kazazi, Mati Logoreci, At Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Frano Ndoja, At Shtjefën Gjeçovi, Dom Ndre Mjedja, At Anton Xaxoni, Kolë Idromeno, Simon Rrota e deri tek “nxanësi” i talentuem Shan (Mark) Pici, mbasardhës i denjë i asaj Studjo, që u edukue me të gjitha tiparet e një artisti dhe mjeshtri të madh të fotografisë së natyrës shqiptare, kostumeve tona kombtare ndër Malet e Bjeshkëve të Nemuna, zakoneve e dokeve të Shqiptarit, e deri tek nji nga skutat “antishqiptare” të Malit të Zi, në pallatin e Krajl Nikollës apo të Ahmet Zogollit, e ma vonë të diktatorit Ever Hoxha, Sot janë dokumentet dhe faktet e Pakundershtueshme të Historisë së Vërtetë e të Trojeve të Shqipnisë.
Në moshë fare të re, kur ishe 11 vjeç dhe ma vonë në Shkodër, pata fatin me njohë brezin e talentuem të fotografëve të Shkodrës së artit nga Gegë Marubi, Shan Pici, Dedë Jakova, Prenk Jakova, Pjetër Rraboshta, Angjelin Nënshati, Ndoc Kodheli, Luigjina Perdoda, Augustin Kiçi, etj., ma të rijë, per të cilët ruej kujtime të veçanta e të paharrueshmme.
Me çiljen e Kolegjit Saverian, Marubi u pajtue që të jepte edhe aty landën e vizatimit. Studioja e tij u specializue jo vetëm në shërbime fotografike private (portrete të personave e familjeve), por në vitet 1870, Pjetri bani një shërbim si reporter për revistën italiane “Illustrazione Italiana” në vilajetin e Shkodrës.
Sot në Shkodër flet “Fototeka Marubi”!
Aty sot janë të gjitha thesaret e çmueshme të Fotografëve të Shkodrës!
Pjetër Marubi asht le me 14 gusht 1832 – dhe ka vdekë në qytetin Shkodër, 22 maj 1903. Me shumë respekt nderojmë Emnin dhe Veprën e Tij të Përjetëshme që ia dhuroi Shkodrës sonë, djepit kulturës e t’artit.
Melbourne, 12 Prill 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.