back to top
22.5 C
Tirana
E hënë, 13 Maj, 2024

Revista “Leka” mbi Malin e Shenjtë të Oroshit dhe një shënim nga Engjëll Gishti

Gazeta

Abacia e Oroshit në 1905, pamje nga jashtë e saj.
Abacia e Oroshit në 1905, pamje nga jashtë e saj.
Revista “Leka” mbi Malin e Shenjtë të Oroshit
dhe një shënim nga Engjëll Gishti

Sipas një studimi të botuar në revistën “Leka” në vitet 40-të,
në Malin e Shenjtë të Oroshit, në shek. XII-XIII,
ishte një ndër qendrat kishtare më të rëndësishme të trojeve Arbnore.
nga Lin Kiku

***
Në vitin 395, kur u nda Perandoria Romake e Lindjes me atë të Perëndimit, Roma Lindore, ose Bizanti dhe Evropa Latine, Mirdita ishte pjesë e Evropës Latine perëndimore dhe kufiri ndarës i dy perandorive si dhe i dy kishave, asaj lindore me atë perëndimore. Kishat benediktine të ndërtuara këtu i përkasin në ndërtim të njëjtës periudhë kohore siç e paraqet historiku i krishtërimit në ballkan dhe i benediktinës në europën perëndimore. Në fundin e shekullit 8-të kanë qenë të ndërtuara në Mirditë këto kisha benediktine, sepse metoda e krahasimit me ndërtimin e tyre në vendet e tjera perëndimore na e vërteton këtë fakt. Pas shekullit të 8-të, ndryshuan rregullat politikë dhe ato fetarë në Ballkan, e sigurisht dhe në vendin tonë e këtu bën pjesë dhe Mirdita. Kishat benediktine të ndërtuara në atë kohë, ndërruan urdhër duke u kthyer në kisha bazilike te lindjes. “Në cilën kohë të saktë ky vend i është bashkuar përfundimisht Kishës Latine është e vështirë të thuhet, sepse i përkiste së pari perandorisë Bizantine, dhe më pas mbretërisë Serviane, dhe nga ana tjetër, nga afërsia e saj me Italinë, duke pasur në një periudhë të hershme pushtime dhe themelime nga Roma, Shqipëria e Epërme ishte për shumë shekuj skena e luftërave të vazhdueshme midis bashkësive lindore dhe perëndimore, dhe u lëkund prapa dhe përpara nga njëri në tjetrin, sipas forcës ose politikës së kërkuar. Shkrimtarët katolikë romakë përcaktojnë datën në të cilën ndodhi ndryshimi në A.D. 1250, duke cituar dy letra të Inocentit të Katërt” (Innocent IV).
Në të cilat aty shprehet se: “…e gjithë krahina e Shqipërisë, duke ndjekur shembullin e peshkopit të tyre, ishte bashkuar me Kishën Katolike…” por ka prova që tregojnë se Kisha Greke ushtroi një ndikim të fuqishëm në këto pjesë deri në një periudhë shumë të mëvonshme. Edhe në ditët e sotme, një numër vëzhgimesh Greke mbeten të mishëruara në ritin Latin, më i shquari prej të cilave është bashkimi i të dy llojeve”. (Henry Fanshawe Tozer, studiues, akademik britanik, “Studime në malësitë e Turqisë, përfshirë vizitat në malet Ida, Athos, Olimp dhe Pelion, te shqiptarët Mirditë dhe fise të tjera të largëta” (London 1869). “Për të shkëputur çdo lidhje me serbët e për të bashkuar shqiptarët, jo vetëm politikisht, por edhe fetarisht, si dhe për të fituar simpatinë e popujve katolikë, Dukë Balsha me të bijtë që ishin ortodoksë, në vitin 1368, i dërguan Papës, Urbanit të V, ipeshkvin e Shasit, për ta lajmëruar se ishin kthyer në prehërin e Kishës Katolike me një shumësi të madhe të popullit me vete. Shqiptarët të dëshiruar për liri, mezi e pritën për t’u bashkuar me atë Dukë…” (Marin Sirdani, Hylli i Dritës, 1932) Abacia e Nullius si abaci që varej direkt nga Selia e Shenjtë, u krijua me 25 tetor 1888 nga Papa Leoni XIII, me ndërhyrjen e abat Prend Doçit. Territori i Abacisë Nullius përfshin gjithë hapësirën e gjerë malore të Mirditës, me një trajtë krejt të veten.
Abacia e Shën Llezhdrit ishte abaci mitrale (d.m.th abatët e saj kanë qënë ipeshkëv të Arbërisë), seli peshkopale e Peshkopatës së Arbërit. Vend nderimi dhe pelegrinazhesh për të krishterët e krahinës e më gjerë. Qendra shpirtërore, politike dhe ekonomike e krahinës së Mirditës. Ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në proçeset historike e etnokulturore të saj. Pritëse e shumë kuvendeve krahinore dhe mbarë krahinore.
Mali i Shenjtit mbi Orosh ka qënë gjatë shekujve qendër e një nderimi të madh nga ana e popullsisë së krishterë jo vetëm të krahinës, por edhe më gjerë, që tregon për rëndësinë, emrin që kishte abacia e atjeshme dhe rolin e saj në histori.
1.Abacia e Oroshit ka qënë një nga qendrat benediktine kishtare më të famshme të vendit e më gjerë. Sfinksi monumental dhe kryekre i lashtë i katolicizmit në mbarë trevën. Ndoshta këtë tempull e themeloi ndonjë nga shenjtorët shqiptarë që u sakrifikua aty, siç na bën të mendojmë ndonjë gojdhënë.
2.Mungada e Malit të Shejtë kishte 72 mungarë. Juridiksioni i Mungadës shtrihej mbi një tokë të haptë fort, qi kishte për kufij Dejën, Matjen, Lurën e Kuksin, Duket se është e vërtetë se zakoni me i bartë të vdekunit e “bajrakëve të Mirditës” qysh prej Mnelës largët ka vijue deri tash vonë. Kujtohet edhe një keshtjellë që naltohej mbi mahallë të Vilës. Ai vend i shejt u rrënua nga Turqit. Sot prej gjithë atyne pronave të kuvendit të mungarëve kanë mbetë në këmbë vetëm rrënoja muresh.
Dokumenti i parë i Abacisë së Shën Llezhdrit në Malin e Shenjtë të Oroshit, është i vitit 1319. Sipas letrës së Johhanes (Gjonit) XXII, Abacia e Shën Lleshdrit (Sancti Alexandri diocesis Albanensis) ishte pjesë e peshkopatës së Arbërit, edhe para vitit 1319.
Sipas një studimi të botuar në revistën “Hylli i Dritës” në vitin 1938, në shek. XIII, në Malin e Shenjtë, kishte një ndër qendrat kryesore familja e Blinishtëve (një ndër familjet më të përmendura të Arbërisë në shek. XIII – XIV). Zotërimi i familjes Blinishti shtrihej ndërmjet lumit të Gjadrit dhe abacisë së Shën Llezhdrit në Malin e Shenjtë (S. Alexander de Monte).
Në vitin 1436, duke u kthyer nga Toka e Shejtë, kalon nëpër Raguzë, i biri i princit Prengë. Ky është kujtimi i parë i titullit princ, të cilin edhe sot e mbajnë kryetarët e Mirditasve katolikë, të cilët prej kohësh shumë të vjetra ishin në influencë shumë të fortë të abatëve të Shën Llezhdrit (Sanctus Alexandër de Monte) mbi Malin e Shejtë.
Preng Nikolli, kreu i Mirditës, pas një takimi me krerët e tjerë shqiptarë në Edrene, kishte ardhur për t’u takuar me Gjon Kastriotin.

Kullat dhe Abacia e Oroshit
Kullat dhe Abacia e Oroshit
Mirdita ka qenë 100% ortodokse… nga Engjëll Gishti

Shumë i bukur ky artikull.
Vetëm se Vija e Teodosit s’ka fare lidhje me Mirditën. Ajo ndiqte lumin Drinin tonë, por jo këtë Drin të Shqipërisë politike, por Drinin në lindje të Bosnjës që kalon në Bagna Luca. Për këtë arsye edhe Ulqini ishte ortodoks (Shkodra e Mirdita po se po), ndërsa matanë kësaj vije mbeti vetëm Tivari. Kjo është arsyeja se përse Tivari u bë qendra e katolicizmit shqiptar për disa shekuj.
Ishte politika “agresive” e Vatikanit, por akoma më shumë afrimiteti shpirtëror i popullit tonë me Romën ai që bëri që shumë princa shqiptarë (duke filluar me Balshajt, Jonimët, Dukagjinët e deri tek Kastriotët) që solli ndërrimin e fesë në këto troje nga ortodoksë në katolikë!
Edhe Mirdita ka qenë 100% ortodokse, dhe gjurmët e ortodoksisë janë akoma sot.
Por nga ana tjetër, Andrea Muzaka, i dërgon letër Papës edhe më herët, (1345) të cilit i kërkoi ndihmë për t’u mbrojtur nga sllavët duke i premtuar se në atë rast e gjithë Principata e tij do kthehej në katolike (nga ortodokse që ishte). Papa nuk dërgoi ushtri, Toskëria mbeti ortodokse!
Çeshtja edhe me interesante e mirditorëve (çka lidhet edhe me fenë e tyre ortodokse) është ajo e origjinës së hershme të mirditorëve! Të gjithë Mirditorët e dine mirë dhe e theksojnë shpesh se ata janë të ardhur në atë vend, por askush nuk na jep një përgjigje shteruese se ku ndodhej më parë ky fis e në cilin shekull ndodhi zhvendosja. Zgjidhja e kësaj enigme ka rëndësi sepse kështu ne mund të shofim edhe ritin e besimit të vendit të origjinës, që në gjykimin tim ka qënë përsëri ortodoks!
Pra, Mirdita e famshme, simbole e fesë katolike ka rrënjë ortodokse, por asnjë mirditor nuk na ka dhënë përgjigje shteruese në këtë drejtim!
Marrë nga Muri i FB Ben Oroshi, 11 prill 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.