back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 6 Dhjetor, 2024

“Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” – (Pjesa e Parë)

Gazeta

Pianistja ruse Maria Judina
Pianistja ruse Maria Judina

“Stalini, Moxarti dhe Maria Judina”

Poemë nga Jevrem Bërkoviç – Përktheu Lazër Radi

Pjesa e Parë – Poemë me Gjashtë pjesë

Kjo poemë antidiktator, antidiktaturë dhe antidhunë u përkthye në vjeshtën e vitit 1989, dhe qarkulloi nëndorë deri nga mesi i vitin 1991, kur iu rikthye përkthyesit… Ajo mbetet nji dëshmi e fuqishme se arti vërtet nuk bën revolucione, po ai pasuron shpirtin e njerzve dhe zvogëlon egërsinë e tiranëve… Ky është në fakt edhe misioni i artit të vërtetë.
Kjo poemë me gjashtë pjesë, e cila së shpejti pritet të ribotohet (botimi i parë 1993), mbetet gjithnji aktuale, sepse kohët tregojnë se egoizmi dhe tranformimi moral i individëve arrin ta deformojë pushtetin, edhe athere kur ata e vetshpallen legjitimë… përmes së ashtuquajturës “votë e lirë”…
Lexim të këndshëm të kësaj pjese të poemës... j.r.

Pagjumsia
 e Kob Xhugashvilit

Njizet e ma shumë vjet
njizet vjet e ma shumë,
njizet e ma shumë vjet
nga nata në natë,
njizet e ma shumë vjet,
shtatmijë e treqind net,
që Kob Xhugashvili, përpiqet me fjetë,
njizet e ma shumë vjet!

Njizet e ma shumë vjet,
shtatmijë e treqind net,
gjithçka i plotsohet, po gjumi kurrsesi:
triumfator mbi tokën,
triumfator mbi diellin,
triumfator mbi shiun,
mbi borën triumfator!
Triumfator mbi akujt dhe borën bashkë!
Triumfator mbi katër ernat e mëdha e t’fuqishme!
Mbi krejt nji sinoptikë Ai – triumfator!

Jevrem Brkoviç - Autori i Poemes
Jevrem Brkoviç – Autori i Poemes

Ai dashuron gjithçka,
dhe gjithçkaja e adhuron atë –
Po ama gjumë në sy, kurrnjigrimë!

Gjumi, e vetmja gja në gjithë Rusinë,
në gjithë Rusinë gjumi e vetmja gja,
gjaja e vetme në gjithë Rusinë,
që i bishtnon pushtetit të tij,
plotpushtetit të tij pa kufi,
veshit të tij dhe synit, veshit dhe synit të tij,
veshit të tij dhe atij syni prej Çopje në Murmansk
dhe kthim, prej Murmansku në Çopje,
shtri për së gjani veshit dhe synit të tij,
shtri për së gjani e për së gjati,
kryq e tërthor, veshit dhe synit të tij,
synit dhe veshit të tij!

Asht arratisë gjumi prej Kremlini,
prej Kremlini gjumi ka marrë arratinë,
kërkund gjumë në Kremlin;
as në Kullë të Spaskit s’e gjen gjumin,
jo, në Kullë të Spaskit jo,
as n’erëmykun e Kullës së Spaskit,
as ndër pëlhura merimangash,
as ndër fodullëqe perandorake,
as ndër kambana, as ndër kambanore, as ndër kulla,
as në llaçin e freskët bolshevik s’i gjendet gjurmë gjumit!

As në kishë të Shën Vasilit,
në asnji prej kullave e kupolave kremliniane,
asht zhdukë gjumi prej Kremlini,
n’Kremlin gjithçka asht e pagjumë,
gjithçka asht gjumprishun,
pagjumsia ndjehet në gjithçka kremliniane,
në çdo gur, te çdo njeri, ndër ikona e ndër kandilë,
ndër qirinj e kupa mbretnore,
në tri yjet pesëcepash,
në qiellin dhe retë që rrinë mbi të!
Ka ikë njiherë e përgjithmonë gjumi prej Kremlini,
e bashkë me gjumin edhe andrrat!
asht arratisë gjumi prej Kremlini,
s’ka me hy ma n’ata sy gjaksorë të Kobit,
e as n’at fytyrë vramëlije – s’ka me hy kurrë ma gjumë!

N’qepallat e randueme,
e n’qerpikët e rralluem,
n’ato qeskaloti të mavijosuna.
s’ka me hy ma gjumë n’at pagjumsi të tmerrtë
n’ata sy t’përgjakun të Kobit jo kurrsesi,
s’ka me u derdhë as në vodkë,
as ndër shishe vodke s’ka me u fut dot;
në natën ivantmerrtë kremliniane,
pagjumsia asht kudo e në gjithçka!

Këtu as EN-KA-VE-DEJA s’ban ma fajde:
as Jagoda, as Jezhovi, as Beria!
bile edhe vodka asht krejt e pafuqishme…
Pagjumsia asht mallkimi ma i madh i krimit!
S’don me hy ma gjumë n’at pagjumsi tmerri,
jo, s’e don ma at fytyrë të hirnosun,
ata sy të zgavërt gjeorgjianë,
ato mustaqe t’kreshprueme,
ato panxha të përgjakta… Jo dhe jo!

Lazër Radi - Savër 1989
Lazër Radi – Savër 1989

Kob Xhugashvili s’guxon ma me fjetë!
Josif Visarionoviçi diçka ma pak,
bash Josif Visarionoviç Stalin asht pagjums i vërtetë,
ky kremlinas natëbardhë e vodksarahosh,
ky terjaqi i thekun venash gruziane,
veç mos me fjetë,
veç gjumi mos ta joshë,
veç kapaku i synit t’mos i rrzohet mbi kapak,
veç t’mos i puthiten qepallat nji dekik,
veç me nxi sa ma shumë t’jetë e mundun – si nji mal Gruzie!

Kob Xhugashvili s’guxon ma me fjetë!
I trembet gjumit, andrrave n’gjumë u trembet!
Bolshevikët e vjetër (ndonëse të vdekun)
mund t’i kërkojnë llogari
për andrrën që e nisën së bashku,
krejt andrrat e tyne n’pagjumsinë e tij mund t’i shkarkojnë,
në shpirtin e pagjumsisë së tij;
në pagjumsinë e shpirtit të tij,
mund të futen krejt jetët e tyne,
se bolshevikët e vjetër bajnë gjithçka –
pse të atillë njerëz janë ata!

Gjithçka bajnë bolshevikët e vjetër:
mund ta gjejnë edhe testamentin e Iliçit
ndër rrjeta merimange mbas portretit të Kutuzovit,
diku në çanakun e trangujve turshi,
o n’grykën e braktisun t’oxhakut plot blozë,
o n’depot e vernave gruziane,
o n’at armën doracake,
futë ndër çizme atyne që kanë harrue t’ecin,
o n’tytën e revoles personale të Iliçit,
o n’mekanizmat e orës së murit,
o n’kutinë e kopsave dhe penjve,
o midis llullave t’Kobit, o n’shishet e shterruna të vodkës,
o ndër mure, o ndër shandanë e kandelabra,
te ndonji kryq i artë mshehun Kremlinit,
o n’gjinjtë e bollshëm të Matrona Petrovnës.

Bolshevikët e vjetër bajnë gjithçka,
e tillë racë janë ata,
i njeh mirë Kob Xhugashvili se ç’krijesa janë,
e sidomos ata – të pagjumët,
di gjithçka Kobi për bolshevikët e vjetër,
ua ka lexue gjithë letrat e dëshirat e paravdekjes,
ia mban mend mirë secilit të fundmet fjalë,
e di se çfarë mund të bajnë ata,
të vdekunit ma t’gatshëm – për të!

Bolshevikët e vjetër gjithçka munden,
i tillë asht ky soj njerzimi!
edhe Rus, edhe Çifut, edhe Gruzian!
edhe Polak, edhe Gjerman, edhe Serb, edhe Kroat,
edhe Malazes!
edhe Leton!
eh, shigjetarët Letonë
sa t’mrekullueshëm që janë!

Bolshevikët e vjetër gjithçka munden,
bile edhe ma shumë se aq:
ata e shtyjnë pagjumsinë e Kobit nga nji natë te tjetra,
e theksoj: të tillë njerëz janë ata.
Dhe Ai di çdo gja për ta
se i ka njoftë nji për nji me emën e mbiemën:
E qysh natën e parë prej nëntoke ku janë,
mund t’i futen drejt e në Kremlin!
Sa ma shumë ua mbulojnë varret,
aq ma të dukshëm bahen ata!
Prej varreve ata mund ta bredhin krejt Rusinë!
Të gjallë, qenë veç njerëz të rrezikshëm e kokëgdhenj,
të vdekun janë dinamit,
mund ta hedhin n’erë mbarë Rusinë
e Kremlinin ta zhysin n’Ferr!

Bolshevikët e vjetër gjithçka munden!
mundet Kirovi, munden Rikovi edhe Buharini,
mundet Kubishjevi, munden Kamenjevi edhe Zinovjevi mundet,
mundet Tomski, munden Blyheri edhe Tukaçevski,
mundet Orxhonikidze, munden Kosarjevi edhe Kosiori,
mundet Sokolnjikovi, munden Babeli edhe Pilnjaku,
mundet Serg Orxhonikidze,
mundet Orxhonikidze Sergej:
ai që para plotonit të pushkatimit pat nji vrejtje!
munden Kirovi edhe Rikovi, mundet Buharini,
Orxhonikidze Sergej sigurisht që mundet!

Stalini, Mozarti dhe Maria Judina
Stalini, Mozarti dhe Maria Judina Botuar 1993

Ndonëse gojët e vdekuna s’kuvendojnë
e as thashethemojnë,
ato mund të dëshmojnë:
Se n’andërr dhe në Kremlin gjithçka asht e mundun!
Në Kremlin e pamunduna asht gjaja ma e mundshme!
Atje kushdo mundet të kuvendojë!
Mundet të flasë Orxhonikidze Sergej
mundet edhe Tukaçevski!
Tukaçevski po, po, mundet!
Mundet Kambana – mbret të gjimojë!
mundet edhe krejt Rusia të shtanget nën at’ tingull!
Mundet Abel Jenukidze, shok i vjetër Gruzie,
mundet që prej Gruzie gruziani Abel Jenukidze,
Kob Xhugashvilin e vet për mustaqesh ta ndukë,
bile dy mustaqet bashkë t’ia mbërthejë,
mund edhe për faqesh ta xhvasë,
mundet sytë e vet gjeorgjianë
në sytë e tij gjeorgjianë t’ia ngulë,
munden dy sytë e njenit në dy sytë e tjetrit të ngulen,
mundet që zemrën t’ia coptojë me zemër,
mundet me sqep-orli zemrën dhe dy sytë t’ia nxjerrë,
mundet, që ashtu siç asht nga dritar’e Kremlinit ta hedhë,
si kufomë të gjallë, si kufomë jete,
si kufomë kufomash, si kufomë prej kufome
e ta degdisë në bjeshkët e nalta të Gruzisë,
që sytë shpendët t’ia nxjerrin
dhe vetëtimat ballin t’ia çajnë
që orlat gjoksin t’ia shqyejnë
e gjarpnijtë ndër eshtra t’i përbirohen;
në çdo eshtër nji gjarpën
e në kafkë kutullaç gjarpnijsh
me mbretin e gjarpninjve të Gruzisë.

Mundet Kremlini krejt të dridhet,
mundet gjer në themele të trandet,
mundet egërshani Abel Jenukidze nga varri
nëpër çatitë e Kremlinit, drejt e n’dhomë Kobit t’i futet!
e t’ia godasë tryezën me grusht,
e t’ia thyejë shishen e vodkës,
mundet që Kobit ugurin e zi t’ia shprehë
e shpendët rusë krejt Rusisë t’ia shpërndajnë!

Në andërr gjithçka asht e mundun
ndaj guxon shoku i rinisë Abel Jenukidze,
që t’ia prekë mustakun!
bile të dy mustakët bashkë!
ndaj guxon m’e ndukë për faqesh!
e dy sytë egërsisht t’ia ngulë! –
pse, kur ishte gjallë s’guxonte për asgja
veç të vdiste i bindun –
ndoshta ma i bindun se Buharini.

Kob Xhugashvili s’guxon me fjetë,
i pagjumi ma i tmerrtë i Rusisë bahet posa mbyll qepallat
i shfaqet e shoqja – Nadjezhda Sergejevna Alelujeva
e goditun në zverk me panxhë gruziane
tek mëkonte në gji vogëlushin Vasja Xhugashvili!
I shfaqet gjaku i saj në batanijen e mëndafshtë
që e punuen enkas për të fshatarkat rostovite.

Kob Xhugashvili s’ka fije gjumi në sy,
trembet mos Nadjezhda Alelujeva edhe n’andërr i thotë:
Ti je ma i tmerrshëm se vetë Tmerri!
Shok i saj i Idealeve dhe bashkëshort i saj
Kob Visarionoviç Xhugashvili!

E kur merr guxim e shtrihet, së paku kur e provon,
përnatë për Kobin kjo asht tortura ma e randë.
Shtatmijë e treqind net që drobitet,
që shkallmohet i gjithi kur ndigjon hapat e çizmeve të veta
në sallën Gjeorgjiane të Kremlinit,
nën llambadarët e kristaltë ndigjon vajtimet e Kolimës
ndigjon grahmat e vdekjes së Jon Jakirit dhe Abel Jenukidzes,
në tavanin e praruem në vend të ikonave të Rubljovit
sheh kokat e katër marshallëve të tij –
Tukaçevski prej tavani mbi mustakë gazin ia përplas!
prej muresh kremliniane rrjedh myk e pagjumsi:
këtu gjithçka tash i kujton veç vdekjen
po ma së shumti ato duert e tij gjakatare!

Pianistja e famshme - Marija Judina
Pianistja e famshme – Marija Judina

Pagjumsia i asht futë ndër eshtna Kobit,
pagjumsia ma e randë bahet kur ndër eshtna futet,
jo, ajo s’asht ma pagjumësi,
as reumatizëm s’asht,
asht kockëdalja prej nyjeve
e ndamja e nyjeve prej mishi:
asht tërbimi i njeriut kundër të cilit asht rebelue gjumi,
asht përçartje, e n’ato pamje të llahtarta.
janë vend-vuejtjet anekand Rusisë shpërnda,
asht gjysma e Azisë njaty,
janë njaty mija vende dikur të lavdishme
që tash s’e dinë as ç’emën kanë pasë!

Natë për natë Kob Xhugashvili torturon gjumin në vetvedi,
shtatmijetreqind net pagjumsi e përgjakun:
ndrron dhomat, mobiljet,
shtretnit edhe pllakat e gramafonit,
ndrron enët, vazot dhe lulet,
ndrron vodkën dhe librat,
ndrron fotografitë e komandantëve,
ndrron kushtet klimaterike përreth izbave,
nga Kremlini ikën në Podmoskovlje,
e prej Podmoskovljes në Krimè
prej Krimesë sërish në Kremlin –
mbrenda natës i vjen vërdallë krejt Rusisë
mos gjumi i ngecet diku ndër sy, mos sytë i ndalen diku në gjumë:
po gjumi asht arratisë prej Kremlini bjeshkëve të Gruzisë:
në ato gurra pravosllave,
n’ato logje zanash të mbretneshës Tamarë,
kopshtijeve mrekulluese të Shota Rustaveles,
larg, ndër lashtësi ma pak t’përgjakuna!

Kob Xhugashvili tashma e ka harrue gjumin,
dhe po e kërkon bash atje ku e ka humbë:
mes muresh kremliniane, nën kupola t’arta
në mesnatë, në Mauzolè të Leninit zbret:
i qahet atij për pagjumsi edhe Trockit!
e prej andej edhe ma i pagjumë kthehet!
Rojet e tij, gjeneralët e EN-KA-DE-VES,
Jevremovin, Krugllovin dhe Vllasikan
i shndërron në pagjumsa të tmerrtë, ma të egër se ai vetë!
i shtrëngon ta pijnë vodkë dhe peshq të gjallë të hanë,
të luejnë njiherësh ruletin rus dhe kazaçokun!

Kështu çdo natë deri sa zbardh drita,
kështu shtatmijetreqind net pafund,
në Kremlin e në Podmoskovlje
Kob Xhugashvili jeton veç net pagjumsie!
Pagjumsia asht vu në provë:
e Kob Xhugashvili andrron sikur e zen gjumi!

I pagjumi Kob Xhugashvili, nji agim të pagjumë,
futet drejt e n’dhomën e dados, Matrona Petrovna,
rrëzohet në gjoksin e saj, e rënkon pagjumsie,
kokën mbështet mbi ikonën e Shën Mrisë së Sevastopolit
që Matrona Petrovna n’gjoks e msheh!
Dhe lutet para saj dhe njashtu i përgjunjun i thotë:
“Mos kij frikë Matrona Petrovna
e di prej kohësh ç’ka mban nën këmishë!
Veç kur t’na shërbesh darkën në tryezë, Matrona Petrovna,
mos u përkul aq shumë para atyne plehnave
Berias dhe Abakumovit!
Ruaje çka msheh në gji,
Nënoçka ime, Matrona Petrovna!”

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.