back to top
31.3 C
Tirana
E enjte, 16 Korrik, 2026

Përfundime pa e lexuar Gjyqin Special – nga Kastriot Dervishi

Gazeta

Skena nga Gjyqi Special 1945
Skena nga Gjyqi Special 1945
Përfundime pa e lexuar Gjyqin Special
nga Kastriot Dervishi

Lexova disa faqe të librit “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore”, vëllimi i dytë (faqe 484), të autorit Paskal Milo. Në pjesën ku bëhej fjalë për qeverinë e fundit të luftës, atë të Ibrahim Biçakçiut, shkruesi ankohej se nuk kishte gjetur të dhënat e duhura arkivore nga dosja hetimore-gjyqësore nr. 282, por megjithatë kishte dalë në përfundime. Është e çuditshme jo vetëm se autori dilte në përfundime, pa njohur dosje të tjera të Gjyqit Special, (të cilat kanë vite që studiohen), akoma nuk e ditka ekzistencën e tyre. z. Milo së paku duhej të njihte faktin se proceset gjyqësore me shumë persona, nuk kanë dosje individuale, as titullohen të tilla, sepse nuk janë procese të veçanta.
Dosja kryesore hetimore-gjyqësore e Gjyqit Special është ajo nr. 1568 (e cila përmban vetëm procesin gjyqësor). Dosje plotësuese, hetimore-gjyqësore janë ato nr. 262, 259, 282 dhe 12551, të cilat nuk kanë peshën e dosjes kryesore. Ndërkohë, lënda hetimore, gjendet pjesërisht në dosje formulare dhe hetimore-gjyqësore të personave të caktuar.

Ibrahim Biçakçiu në Gjyqin Special
Ibrahim Biçakçiu në Gjyqin Special

Dosja hetimore-gjyqësore që ka lexuar z. Milo, për të arritur në përfundime shumë larg të vërtetës, ajo nr. 282 përmban të dhëna për shtetasit: Ibrahim Biçakçiu, Bilal Nivica, Bajram Pustina, Shuk Gurakuqi, Rrok Gera, Ndoc Naraçi, Sokrat Dodbiba, Et’hem Cara, Mihal Zallari dhe Xhavit Leskoviku. Kjo dosje për Ibrahim Biçakçiun përmban të dhëna të pakta si refuzimi për lirimin me kusht në vitin 1956 dhe fleta e lirimit në vitin 1962.
Më shumë informacione se dosja nr. 282, z. Milo mund të gjente në gazetën “Bashkimi” të mars-prillit 1945, në të cilën është botuar gjyqi special, madje në raste të caktuara, edhe më shumë se dosja nr. 1568. Aty do kishte edhe dëshmitë mbrojtëse pro Ibrahim Biçaçkiut nga dëshmitarët Myslim Peza, Muharrem Keta dhe Baltazar Benussi.
Ndërsa deklarimet e vlefshme të Ibrahim Biçakçiut, do t’i gjente në dosjen formulare nr. 560 të ngarkim të tij, në të cilën janë edhe pohimet e tij para komisionit hetimor në datat 6 dhe 20 janar 1945.
Nëse nuk do kish paragjykim, z. Milo mund të hulumtonte edhe mbi marrëveshjen e fshehtë të datës 17.9.1944 midis Këshillit Nacionalçlirimtar (të përfaqësuar nga Omer Nishani, Esat Dishnica dhe Shefqet Beja) dhe gjermanëve me ndërmjetësinë e qeverisë së Ibrahim Biçakçiut për tërheqje paqësore të ushtrisë gjermane. Se gjërat ndryshuan për faktorë të tjerë dhe Biçakçiu iu dha gjyqit si “kolaboracionist”, kur në fakt dihej pse e kish pranuar atë detyrë dhe nuk i kish bërë keq kujt.
(Në foto: Ibrahim Biçakçiu në gjyqin special, mars 1945)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.