back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Një jetë e përkushtuar për Mirditën dhe atdhedashurinë – Kapidan Nikollë Gjomarku (1927-2018) – nga Tomë Mrijaj

Gazeta

Kapidan Nikollë Gjomarku (1927-2018)
Kapidan Nikollë Gjomarku (1927-2018)

Një jetë e përkushtuar për Mirditën dhe atdhedashurinë

Kapidan Nikollë Gjomarku (1927-2018)

nga Tomë Mrijaj

Pema gjenealogjike e parë e familjes së madhe dhe e mirënjohur shumë shekullore e Gjonmakajve, sipas burimeve të saktë arkivore historike vjen nganga Pal Dukagjini
Maria Greco, një gazetare italiane do të magjepsej nga historia e familjes së Gjomarkajve. Në një nga artikujt e saj më të spikatur është dhe historia e familjes ndër më të njohurat në Shqipëri.
“Gjomarkajt deri në 7 prill 1939, me ardhjen e komunizmit kanë qenë udhëheqësit e Mirditës”, e fillon ajo artikullin e saj.
Fillimi i sovranitetit të Gjomarkut, i përket shekujve të mëparshëm, sepse ato janë pasardhësit e Lekë Dukagjinit. Princat e Dukagjinit ishin një nga familjet më të vjetra dhe fisnike shqiptare.
Principata e tyre u konfigurua veçanërisht në fundin e shekullit XII, sepse ato kishin një origjinë më të lashtë. Trashëgimia më e madhe, që i ka lënë Dukagjini popullit të tij është Kanuni i Lekë Dukagjinit. Nga shumë këndvështrime kanuni, që është një e drejtë zakonore e vjetër ruhet si një vlerë e pallogaritshme.
Armiq të mëdhenj ndaj turqve, pas vdekjes së Gjergj Kastriotit këto të fundit pushtuan Shqipërinë dhe një pjesë të territorit të Dukagjinit ndaj ato u shtrënguan në Mirditë, që për sa i përket relievit mund të konfigurohet si një vend i ashpër me male.
Në Mirditë, Gjomarkajt vazhduan luftën e tyre antiosmane, krenar për fenë e tyre katolike derisa e detyruan Perandorinë Otomane (turke) të merret vesh me këtë krahinë krejt ndryshe nga krahinat e tjera të Shqiperisë.
Në shekullin XV dhe XVI, feja e krishterë u ruajt e paprekur vetëm në Mirditë, me të gjitha vlerat e dashurisë dhe humanizmit.
Për të mbrojtur katoliçizmin dhe pavarësinë, mirditorët jetuan gjithmonë mes luftrash dhe gjakut, ku Gjomarkajt ishin të gatshëm gjithmonë të mbronin Atdheun e tyre ndaj armiqve të kombit. Kur kërkohej ndihma e tyre, në bashkimin e trojeve shqiptare ato vraponin të jepnin ndihmën e tyre si në vitet 1444, 1878-1912, 1920, 1944-1990.
Gjatë gjithë shekujve ata duruan burgun, sfiduan vdekjen në mijëra luftëra, etj., duke lënë përjetësisht në histori emrin e tyre heroik.
Të tillë Kapidan mund të përmendim disa, si: Gjon Marku I, Lleshi i Zi, Bib Doda, Preng Bib Doda, Marka Gjoni, Gjoni i Markagjonit, Dr. Mark Gjomarku (Ministër i Brendshëm i Shqipërisë), juristi Ndue Gjomarku kryetar i Blokut Indipend, oficer Llesh Gjomarku, i perskutuari politik Dedë Gjomarku (1944-1990), i cili, provoi të gjithë burgjet dhe kampet e internimit në kohën e komunizmit në Shqipëri, Nikollë Gjomarku, i arratisur nga Shqipëria në kohën e komunizmit të zi, i cili, ndërroi jetë sot, i rrethuar nga familja në shtëpinë e tij në New York.
.
Djem të Derës së Gjonmarkajve
Djem të Derës së Gjonmarkajve
Në Orosh të Mirditës, para 91 vjetëve, do të lind në vitin 1927 Nikollë Gjonmarku, që i shton gëzimin prindërve të vet, sepse ishte djali më i vogël mbas 4 djemëve të tjerë. Kjo familje e madhe oroshase, do të ketë 10 fëmijë, pesë djem dhe pesë vajza.
Aty lindën fëmijët njëri mbas tjetrit, duke filluar me Markun, që është fëmija i parë dhe më pas u lind Ndoja, Lleshi (Aleksandri), Deda, Nikolla dhe motrat: Dava, Gjela, Marta, Dila dhe Bardha.
Kapidani Nikollë Gjon Marku, nga nëna ishte nipi i Bajraktarit të Kurbinit i Gjok Pjetër Pervizi, një personalitet i njohur asokohe për besë, burrëri, zakone e tradita të hershme dhe bashkëkohore shqiptare.
Nikolla, mësimet e para i mbaroj në Orosh të Mirditës. Kur komunizmi pushton Shqipërinë Nikolla ishte në moshën 17-vjeçare. Ai në këtë moshë fillon të provoi mbi kurriz vuajtjet e rregjimit komunist.
Nikolla, së bashku me me antarë të tjerë të familjes me gratë dhe fëmijë internohet në kampin e punës së deyrueshme në Berat.
Ai më vonë transferohet në kampet e tjera të punës, si: Uznovë, Kuçovë, Shijak, Valias. Sikur të mos mjaftonin këto vuajtje, Nikolla provon sërisht vuajte të reja në kampet famkeqe të internimit në Tepelenë dhe Turan, në rrethin e Gramshit në Elbasan.
Atje puna ishe shumë e rëndë, sikurse më thoshte shpesh Nikolla, gjatë takimeve që kemi pasur së bashku në New York.
Ai ndër të tjera tregonte edhe detaje vuajtjesh, ku midis të cilave ishte ushqimi dhe përbuzja e madhe, që komunizmi kishte për të gjithë kundërshtarët politikë antikomunist.
Ai thoshte se çdo ditë kampi i punës së detyrueshme na jepte 800 gram bukë në ditë, s’do të dilte as për të ushqyer zogun e shkretë… Kushtet e banimit ishin shumë të tmerrshme, me lagështi, baltë, dërrasa të kalbura etj.
Nikolla tregonte, se në prill të vitit 1945, të gjithë familjen tonë na mbyllën në shtëpinë e Guljem Lukës, përballë shtëpisë sonë (Gjonit të Markgjonit), në të cilin ishte vendosur komanda e Sigurimit të Shtetit, ndërsa shtëpia e shkodranit Guljem Lukës ishte një burg i vërtetë, me mure të larta rrethuese dhe roje të shumta policie.
Në qershor të vitit 1945, të gjithë familjen e Kapidanit, sëbashku me familje të tjera të grumbulluara nga katundet e thella të Veriut të Shqipërisë, i internojnë në Kampin famkeq të Beratit.
Nikolla, tek më tregonte për vuajtjet në kampet e internimit, ai thotë një detaj shumë delikat, për gjyshen e vet në moshën 85-vjeçare. Nikolla tregon, se: “As pushtuesit e huej nuk janë sjell me ne sikurse komunizmi! Gjyshja e jonë ka kalue nji kalvar të papërshkruem në komunizëm… Ma në fund ajo ndërroi jetë në kampin e internimit në vitin 1947…”
Vdekjet vijnë njera mbas tjetrës. Kështu në kampin e Savër të Lushnjës, vdes nëna e Nikollës, gruaja e Gjon Marka Gjonit. Sërisht aty vdes edhe kunata Martja, gruaja e vëllait Dr. Mark Gjon Markut ish Ministrit të Brendshëm… Ky kamp famkeq, ka ekzistuar deri në rrëzimin e komunizmit.
.

Familja Markagjoni ne interrnim
Familja Markagjoni ne interrnim,
mes tyre siper Bardha
Në pranverë të vitit 1949, ose më saktë në maj të atij viti, Nikolla së bashku me nëntë shokë dibranë then perden e hekurt dhe arratisen nga kampi i Turanit.
Largimi nga vendi nuk ishte i lehtë. Në ato çaste ata u përlasën direkt me forcat e ndjekjes së Sigurimit, ku fatkeqsisht kapen tre prej tyre, ndërsa Nikolla me gjashtë shokë bashkëvuajtës të tjerë kalon kufirin dhe hyn në territorin e ish Jugosllavisë, në pjesën e Maqedonisë.
Në atë kohë kujtonte Nikolla, shefi i UDB-së së ish Jugollavisë për zonën e Dibrës së Madhe ishte Mustafa Lleshi, një i afërm i kupolës komuniste Haxhi Lleshit, Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë Komuniste, i cili, urdhëron menjëherë policinë jugosllave për t’i rikthyer në Shqipëri.
Për të fat mirë asokohe Nikollën dhe gjashtë vetë të tjerë nuk i dorëzuan tek forcat e Sigurimit shqipar të Enver Hoxhës, por i kanë futur brenda territorit të Shqipërisë në Dibër, ku aty ata janë strehuar në famijet bujare dibrane. Pas disa kohe të qëndrimit nëpër miq e dashmirë ata u arratisën sërisht në ish Jugosllavi.
Kësaj here ata kishin fat, sepse shefi i UDB-së ishte një qytetar maqedonas, i cili, i mori në dorëzim. Nikolla ato ditë u arratis sërisht së bashku me Abdullah Kaloshin, Jonuz Ndreun dhe Xhelal Dinen, të cilët mbas shumë peripecish u vendosën në New York të SHBA-së.
.
Kapedan Nikolla në rreshtin e dytë në mes (foto e Simon Qafës)
Kapedan Nikolla në rreshtin e dytë në mes (foto e Simon Qafës)

.

Nikolla, qëndroi për shtatë vjet në ish Jugosllavi. Ai gëzoi respekt nga të gjithë nacionalistët e njohur shqiparë, të cilët ishin në dijeni për sakrificat e shumta të Derës së Gjomarkut kundër komunizmit të zi.
Në nëntor të vitit 1956, ai u lejua të kalonte në Itali, ku u bashkua me babanë Gjonin dhe vëllain Ndue Gjomarkun.
Nikolla u martua në vitin 1963 dhe ka dy djem dhe një vajzë: Mark Gjomarkaj, Aleksander Gjomarkaj dhe Anna Maria Gjomarkaj.
Me ardhjen në New York, së bashku me vëllain e tij Ndue Gjon Markun, që ishte kryetar i Bllokut Indipendent, Nikolla zhvilloi një veprimtari të dendur atdhetare në media dhe më së shumti dejtoi revistën nacionaliste: “Lajmtari i të Mërguemit”.
Pushoftë në lumnin e pasosun!
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.