back to top
16.5 C
Tirana
E mërkurë, 15 Maj, 2024

Në kërkim të një humanizmi të ri… Refleksione mbi librin “Mosdënimi i krimit është krim i ri” të studiuesit Thanas Gjika nga Neli Naço

Gazeta

Thanas L. Gjika Mosdënimi i krimit është krim i ri
Thanas L. Gjika Mosdënimi i krimit është krim i ri

Në kërkim të një humanizmi të ri…

Refleksione mbi librin “Mosdënimi i krimit është krim i ri”

të studiuesit Thanas Gjika

nga Neli Naço

Kur merr në dorë librin e Profesor Thanas Gjikës dhe lexon thënien proverbiale: “Mosdënimi i krimit është një krim i ri” ke ndeshur edhe me kredon e cila ka qenë qëllimi kryesor i autorit, shpallja e një lloj humanizmi bashkëkohës që ai e ka qëllim ta shpallë dhe ta argumentojë përmes shkrimeve të tij. Kjo kredo është një besim i palëkundur i autorit ai e artikulon atë në shkrime të ndryshme, por e ka bindje që kjo kredo është shumë e rëndësishme që atdheu të zhvillohet dhe të përparojë nëpërmjet një procesi pastrimi shoqëror. Fshehja e krimit, sipas tij, quhet krim dhe mungesa e dënimit mundëson që të çojë në përsëritjen e tij. Kjo kredo, ky fill i ndërtimit është filozofia e teksteve të shumllojshme që përbëjnë librin, ato rrëfejnë, analizojnë, krijojnë, momente e situata të ndryshme, krijojnë portrete dhe zbardhin disa të tjera duke na dhënë shpeshherë imazhe të reja, por shpeshherë edhe duke i nxjerrë disa prej tyre nga gjysmerrësira në dritë, duke u fashitur hijet për të nxjerrë më mirë tiparet e tyre të vërteta, që në thelb janë tiparet e vetë qenies njerëzore që duket e përkryer shpeshherë, por nuk është e tillë dhe anasjelltas.
Procesi i njohjes dhe i analizës që Thanas Gjika përdor, është kthjelluar edhe nga një moment tjetër vendimtar. Duke jetuar jashtë atdheut, duke njohur botën dhe mentalitetin perëndimor, sidomos atë amerikan, duke e përdorur atë mentalitet dhe kthjelltësi mendore ai e ka më të lehtë të gjykojë ato procese në të cilat është ngatërruar bota postkomuniste e Europës Lindore, dhe sidomos bota postkomuniste shqiptare. Largësia dhe kuptimi i mentalitetit perëndimor e bën që analiza e tij të jetë e thjeshtë, e kapshme, e drejtpërdrejtë dhe kuptimplote. Ai i sheh problemet shqiptare që nga larg, si astronauti që sheh tokën nga hapësira dhe e kupton realitetin më mirë se vështrimet mendjengushta dhe të pjesshme të protagonistëve. Kjo e ndihmon atë në arritjen e përfundimeve të sakta dhe të artikuluara qartë në pjesët që ndërtojnë librin. Libri synon pra, jo vetëm një analizë letrare (dhe kjo është pjesa kryesore e strukturës së këtyre teksteve letrare), por edhe një mësim humanist të gjerë që do t’i shërbente lexuesve të cilët e marrin nëpërmjet interpretimit të tekstit autorial.
Libri ka në përbërjen e vet artikuj kritiko-letrarë që tregojnë për vlera artistike, kulturore, letrare që janë shpërdoruar nga kritika e socrealizmit dhe larg syrit vëzhgues të socrealizmit që i shihte gjërat vetëm bardhë e zi dhe shquan nuancat e holla që përbëjnë vlera të patjetërsueshme. Nuk gjykon dot për pasurinë e një pylli duke parë vetëm drurët e njëjtë të tij. Duhet të njohësh edhe shkurret, lulet, barërat shumëllojshmërinë që jep delikatja e tij, për të krijuar një ide të saktë mbi realitetin e tij. Edhe letërsia ka gjithashtu drurët e lartë, por edhe ata që janë në hije, ka lulet me aroma të holla e të mezikapshme, por që ndikojnë në atë totalitet e plotëri që figurativisht mund të quhet pylli letrar.
Thanas Gjika me kureshtje dhe pa komplekse i afrohet këtij pylli dhe sheh jo lart ato që shohin të gjithë drurët, por sheh edhe lulet e rralla, barishtet, shkurret dhe çdo gjë tjetër që udhëtarit të rëndomtë i shpëton. Ai sheh shumëllojshmërinë brenda një trualli ku mendohet se ka pak shumëllojshmëri. Edhe ky krahasim, si çdo krahasim çalon, por le të shohim më konkretisht se çfarë përfaqëson ky libër.

Visar Zhiti "Ferri i çare"
Visar Zhiti “Ferri i çare”

Shkrimtarë që kritika letrare i ka trajtuar pak ose aspak të bien në sy për analizat që u bën Prof. Gjika atyre. Një nga shkrimtarët që bie në sy, mbase më i njohuri i kësaj letërsie të heshtur të quajtur letërsia e sirtarit është edhe Visar Zhiti, një shkrimtar që nuk u dorëzua dhe që mbas suksesit si poet, korr sukses edhe në prozën tregimtare dhe romanore si një kapacitet i veçantë. Gjika e analizon me sukses romanin e tij “Ferri i Çarë” sepse kemi të bëjmë me një lloj proze të re të ndryshme nga proza tradicionale që jemi mësuar të lexojmë, sepse Visar Zhiti vjen në prozë si një dukuri e re, i plotë në formatin e poetit ai artikulon midis dy gjinish poezi e prozë bashkë duke të kujtuar shpeshherë edhe fenomenin Camaj. Profesor Gjika e karakterizon kështu Ferrin e ri të përshkruar prej Zhitit duke analizuar dhe përmbledhur: “Këta rreshta tingëllojnë si vargje poetike, ku tipizohet në gjerësi e thellësi jeta shqiptare nën diktaturën komuniste për të burgosurit, me nëntë rrathët e ferrit, por edhe për popullin, i cili jetonte gjithashtu i rrethuar prej disa rrathësh të të njëjtit ferr…” Thanas Gjikës nuk i shpëton madje edhe një karakteristikë e njëmendët e Zhitit, që gjendet njëherazi edhe në letërsinë, edhe në karakterin e tij: ai nuk është i dehumanizuar nga urrejtja dhe krijon një tipologji të ndryshme nga ajo e shqiptarit tipik të ashpër dhe hakmarrës.
Një trajtim mbresëlënës është ai për shkrimtarin Ismail Kadare, ai titullohet “Vepra e Kadaresë e shkruar gjatë diktaturës ka qenë vepër me tipare disidente, maksimalja e mundshme”. Ky shkrim bëhet duke e vlerësuar shkrimtarin e madh në situatat komplekse në të cilat është ndodhur ai gjatë regjimit diktatorial e vlerëson shkrimtarin në dritëhijet e tij. Ai merret me një problem që në këtë rast nuk mund të shmangej, me problemin e disidencës, trajtimin e së cilës e bën në një plan më  të gjerë duke e krahasuar me disidencën si fenomen në Europën Lindore i klasifikon këta disidentë në ata që u dënuan dhe në ata që e zhvilluan disidencën e tyre jashtë atdheut. Zgjerimi i fokusit kritik, gjerësia me të cilin e sheh tablonë profesor Gjika bën që shumë faktorë të ashtuquajtur faktorë jashtëletrarë të merren parasysh në analizën autoriale dhe të saktësojnë shumë momente dhe situata decizive të procesit të vlerësimit. Një përfundim i thjeshtë por i goditur në këtë tekst është ai që ka lidhje edhe me titullin e veprës. Autori shpreh në formë postulateve dhe përmbledhëse: “Vepra më e mirë e Kadaresë e shkruar dhe e botuar gjatë regjimit komunist nuk ishte një vepër disidente në kuptimin klasik të fjalës, por ishte një vepër me tipare disidente.”
Vepra e profesorit të njohur Sami Repishti “Pika Loti” është gjithashtu një vepër që është marrë në shqyrtim dhe vlerësuar lart nën vëzhgimin kritik të Thanas Gjikës, si një vepër e cila merr përsipër të thotë të vërtetën, të zbulojë por edhe të portretizojë njerëz të zakonshëm e të jashtëzakonshëm, nga veçoritë e karakterit e të dijes së tyre, por të gjithë të jashtëzakonshëm nga pikëpamja e fatit të tyre nën diktaturë, nga ajo çka përfaqësuan dhe ajo çka mbrojtën. Fatet e Qemal Draçinit, Hamdi Gjonit dhe Bego Gjonzenelit, Preng Kaçinarit, Qazim Danit dhe At Ciprian Nikajt, por edhe njerëzve të tjerë janë vlerësuar si shkrime që sjellin dhimbjen përmes një lirizmi karakteristik e stilit vetanak të Sami Repishtit.
Nën gjykimin e kësaj kritike pozitiviste dhe humaniste janë gjithashtu edhe mendimet për romanet “Rrugëtim me Psherëtima” të Makinsen Bungos dhe veprën autobiografike “Jetë në Diktaturë” të Hasan Kostrecit. Nën këtë gjykim pozitivist është edhe fati i familjes Kulla e dhënë nëpërmjet analizës së veprës historike “Jo të gjithë të vdekurit prehen në paqe” të Pëllumb Kullës. Në analizat e profesor Gjikës zbulimi i një humanizmi që kjo letërsi bart është pjesë e rëndësishme e vlerës së tyre dhe po ashtu humanizues dhe dinjitoz duhet të jetë trajtimi që pjesa tjetër e shkrimtarëve, duhet t’u bëjnë politikës dhe popullatës që ishte fajtore sepse u përpoq me sa mundi të zbulonte të vërtetën apo ta mbronte atë.

Faik Konica (1875-1942)
Faik Konica (1875-1942)

Nëpërmjet analizave të këtyre shkrimeve të gjinive të ndryshme letrare, shumica të pabotuara në kohën kur u shkruan, të njohura me emrin “letërsi sirtari”, na krijohet një imazh më i plotë dhe më i saktë për letërsinë shqipe, imazh që deri tani ka munguar për shkak të zbulimit rastësor dhe pjesor të tyre, në kohë dhe vende të ndryshme, nga shtëpi botuese të ndryshme dhe pa një kriter përzgjedhës, fakt që e nënvizon Thanas Gjika në analizat e tij. Disa pyetje të tjera mund të shtrohen për zgjidhje duke marrë shkas nga shkrimet për këta autorë, që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me çështje të historisë së letërsisë. A është dinjitoze ta quajmë këtë letërsi thjesht “letërsi sirtari” sikur ajo thjesht të mos ishte e botuar nga harresa apo nga pasiguria e shkrimtarit për vlerat e saj? Si duhet kategorizuar nga pikëpamja kohore kjo letërsi, si letërsi e kohës kur u shkrua, apo e kohës kur u botua? Sepse komunikimi me lexuesin nuk ka qenë normal si për pjesën tjetër të letërsisë. A duhet trajtuar kjo lloj letërsie si një “qark letrar” (po të përdorim një term të Profesor Eqrem Çabejt) duke i dhënë kështu një rëndësi më të madhe trajtimit të saj historiografik letrar si një letërsi më e plotë? A duhet që të mënjanohen shkrimtarë më minorë të kësaj letërsie dhe të trajtohen vetëm shkrimtarë që i përkasin kësaj letërsie, por me vlera të spikatura, siç mund të ishte rasti i dallueshëm i shkrimtarëve Martin Camaj, apo Visar Zhiti? Afërsisht kështu u veprua nga kritika pas viteve nëntëdhjetë e cila ngurron të shkruajë për fenomene të reja, por shkruan për fenomene të sigurta letrare. Edhe një sërë çështjesh të tjera të vlefshme burojnë nga analizat e Thanas Gjikës mbi këtë lloj letërsie.
Një shkrim kritik me një opinion vetanak të autorit është edhe shkrimi vlerësues për romanin “Doktor Gjilpëra…” një nga pjesët më të rëndësishme të veprës së Konicës, po ashtu të letërsisë shqipe në kohën e fillimit të modernizimit të saj. Profesor Gjika e quan që në titull Romani i parë realist i letërsisë shqipe dhe pas një analize kuptimplote e vlerëson kësisoj: “Doktor Gjilpëra… është një roman realist satirik me problematikë shoqërore.”
Në shkrimin tjetër që pason po për këtë figurë të ndritur të letërsisë dhe kulturës shqiptare të titulluar “Roli i Faik Konicës në gazetarinë dhe letërsinë shqiptare” ai shpreh mendimin e patundur se koleksioni i revistës Albania përbën kryeveprën, veprën më monumentale të Faik Konicës. Dhe a nuk fillon aty kritika letrare dhe kritika sociale, gjuhësia dhe gazetaria informative? A nuk fillon aty eseja dhe proza poetike? A nuk fillon aty pluralizmi i ideve dhe kërkesa për një unitarizëm kombëtar thellësisht perëndimor? Këto shkrime me karakter kritik e vlerësues, me gjithë gjerësinë e trajtimit të tyre, pasohen edhe nga dy shkrime për rolin e Fan Nolit në publicistikën shqiptare të titulluar “Për stilin dhe individualitetin publicistik të Fan Nolit” dhe “Mendimet ekumenike të Imzot Nolit janë aktuale edhe sot”. Nga letërsia fare natyrshëm profesor Gjika hidhet në politologjinë dhe kulturologjinë shqiptare, nisur nga mendimet e një dijetari, kulturologu dhe politologu siç është rasti i Imzot Fan Nolit në këtë analizë, të krijojë edhe mendimin e vet mbështetur në truall të shenjtëruar si ai që krijon Noli dhe Konica. Mendimi i cituar prej autorit të librit dhe i artikuluar prej Imzot Nolit është gati një postulat politik e kulturor: “Të mos ndryshojmë gjë prej gjëje: vetëm të krrejmë krerë fetarë me ndërgjegje. Kjo është më e mira udhë për të prurë bashkimin, se programi i ndryshimeve të rea në fetë do të jetë prishja jonë e përgjithshme.”
Në tekstet që të zgjojnë interesim mjaft të madh nga ky libër do të veçoja edhe portretet filologjike të disa autorëve të cilët me punën e tyre e kanë zgjeruar spektrin e vlerësimit personal, por edhe spektrin e vlerësimit të botës letrare në përgjithësi puna e vëllimshme e të cilëve duhet vlerësuar pa dyshim. Mbase ndër tekstet më impresionuese të gjithë këtij vëllimi është portreti filologjik, por jo vetëm filologjik, por edhe diplomatik i Fotaq Andreas, një njeri që ka marrë përsipër të shpalosë botën frankofone para lexuesit shqiptar, të zbulojë dhe marrëdhëniet e kësaj bote me botën shqiptare. Profesor Gjika e trajton këtë figurë letrare në disa dimensione, si përkthyes, si diplomat i shtetit shqiptar, si eseist dhe antologjist, si studiues arkivash dhe si një nga Konicologët më të përkushtuar dhe të dalluar. Ka lindur kështu bërthama e një biografie të ardhshme për përkthyesin, studiuesin, antologjistin, hulumtuesin e politikanin Fotaq Andrea. Të tjera vepra të ngjashme, bërthama monografish të ardhshme, janë dhe esetë kushtuar  historianit Ilia Karanxha, analistit Eugjen Merlika, poetit e piktorit të bugjeve Lek Pervizit botues i revistës “Kuq e Zi”, komunistit të zhgënjyer Thanas I. Qeleshi, ish-ballistit Sejfi Protopapa, etj. I. Karanxha ndriçohet si studiues i humanistëve shqiptarë dhe njëheresh pararojës së Rilindjes Shqiptare, si Beçikemi alias Barleti, Tomeu, Vitali, apo Dora D’Istria.

Lek Pervizi - autor i librit "Rrathët e Ferrit"
Lek Pervizi – autor i librit “Rrathët e Ferrit” (pikt. Leonard Pervizi)

Portrete me penelata të gjera, portrete shumë ekspresive janë edhe ato kushtuar Lek Previzit dhe Eugjen Merlikës që shpalosin një botë intelektuale e cila njihet pak prej lexuesit shqiptar. E zhvilluar kryesisht në mërgim ajo njihet pjesërisht dhe shkakton befasi tek lexuesi, shkakton kërshëri dhe zgjon interesin për të zbuluar më shumë për krijimtarinë e këtyre autorëve të mbetur në hije. Shumë impresionues është edhe portreti filologjik i përkthyesit të “Biblës” Vladimir Dervishi. Një vazhdues i denjë i traditës së Shën Jeronimit të Ilirisë, Gjon Buzukut, Vangjel Meksit dhe Grigor Gjirokastritit, si dhe i traditës jashtzakonisht pikante të Kostandin Kristoforidhit.
Përmes portreteve humane autori analizon fenomene shqiptare të botës së djeshme komuniste dhe botës së sotme tranzicionale dhe kaotike, ku me guxim intelektual ofron zgjidhje ose ide për zgjidhje për të rivendosur hierarkinë e vlerave të munguara qofshin intelektuale, politike apo letrare.
Një vlerë që i jep ngrohtësi librit janë edhe kujtimet për njerëz të njohur të botës shkencore shqiptare. Veçojmë kujtimet për Profesorin e nderuar Eqrem Çabej apo intelektualë të jerm nga Kosova, si Rexhep Qosja, Agim Vinca, Engjëll Sedaj e të tjerë.
Lashë pa përmendur edhe shumë analiza të tjera, kontribute intelektuale, letra të hapura, mendime analitike siç mund të jenë ato politologjike që kanë të bëjnë me botën gjermane dhe nevojën për zhvillim të vendit tonë në po atë shembull e të tjera, apo refleksionet që autori bën, nisur nga disa fakte jetësore, për ata që në kohën e diktaturës ndëshkuan të tjerët dhe nuk e ndjenë e as e ndjejnë si nevojë të ripërtëritjes së shpirtit të tyre, po as si detyrë humane që të kërkojnë falje e të bëjnë një ndjesë publike mbi të shkuarën e tyre të errët. Lashë edhe ndonjë autor pa përmendur sepse trajtimet në këtë libër voluminoz, ku ngërthehet lëndë e tre librave bashkë, janë të shumta. Por do të doja të falënderoja autorin më së shumti për punën e kujdesshme filologjike dhe analizat e mirëfillta që i përkasin botës së letërsisë. Më kujton ndonjëherë ky libër një punë analitike të Mitrush Kutelit të quajtur “Viti letrar 1943”. I keqkuptuar së shumti nuk ju dha asnjëherë vlerësimi si një përpjekje për ta institucionalizuar punën e kritikës letrare, për ta bërë atë një instrument shkencor. Ky libër më zgjon idenë që autori kërkon të ndjekë këtë vazhdë. Si profesionist, si intelektual me një ide të madhe në mes që është padyshim në kërkim të një humanizmi të ri për rigjenerimin e mendësisë së popullit tonë.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.