back to top
25.5 C
Tirana
E diel, 14 Prill, 2024

Mosnjohja e Vetvetes nga Kapllan Resuli (botuar ARS – 30 Qershor 2002)

Gazeta

Revista letrare "Ars" 2002 - 15 vjetori
Revista letrare “Ars” 2002 – 15 vjetori

Mosnjohja e Vetvetes

nga Kapllan Resuli (botuar ARS – 30 Qershor 2002)

Është për të ardhur keq se emigrantët,
megjithqë nuk kishin pas zverkut as thundrën e hekurt,
asgjë nga ato që përmenda, nuk kanë krijuar,
me përjashtim të Arshi Pipës, Martin Camajt, Myrteza Pezës,
Sami Repishtit dhe Petro Janurës, edhe këta jo ndonjë vepër
për t’u shënuar as si kontribut i veçantë i letërsisë… kapllan resuli
.
Kapllan Resuli
Kapllan Resuli

Megjithë persekutimin e pamohueshëm dhe total të shkrimtarëve, me gjithë indoktrinimin me enverizëm edhe të atyre shkrimtarëve që në aparencë nuk ishin të persekutuar, fenomene këto që e kanë penguar seriozisht zhvillimin normal të letërsisë dhe të arteve në përgjithësi, ato kanë arritur suksese të shënuara dhe me peshë, të rëndësishme dhe për admirim, pa marrë parasysh autorët e atyre veprave, a ishin të diktaturës, apo të antidiktaturës. Është pasuruar fondi i artë i letërsisë dhe i kulturës në përgjitësi si kurrë më parë. Në asnjë periudhë të zhvillimit të vet, populli shqiptar nuk ka realizuar vepra arti si në atë periudhë persekutimi më monstruoz. Në asnjë periudhë nuk kemi pasë vjersha e poema më të bukura në të gjitha aspektet, tregime dhe novela, bile edhe romane, drama. Mohimi i kësaj krijimtarie nuk është me vend dhe shpreh vetëm verbësinë e mohuesit, ose urrejtjen e tij klasore. Nën thundrën e hekurt të social fashistëve, në gojën e ujkut dhe të çakallit, nëpër baltat e internimeve, nëpër qelitë e burgjeve, ku e kishim edhe të ndaluar të shkruanim, nën simfoninë e zorrëve që na gërryenin nga uria, duke u dridhur nga të ftohtit e besa edhe nga frika se mos u binin në duar armiqve tanë shkrimet tona, ne kemi krijuar dhe po krijojmë. Është për të ardhur keq se emigrantët, megjithqë nuk kishin pas zverkut as thundrën e hekurt, asgjë nga ato që përmenda, nuk kanë krijuar, me përjashtim të Arshi Pipës, Martin Camajt, Myrteza Pezës, Sami Repishtit dhe Petro Janurës, edhe këta jo ndonjë vepër për t’u shënuar as si kontribut i veçantë i letërsisë, se si kontribut për çështjen e popullit e të atdheut, për çështjen e luftës së tij për liri e demokaci jo që jo. Në vitin 1991, mbërrita në Zvicër, pa një lek në xhep. Pas një viti, duke e hequr kafshatën e bukës nga goja ime dhe e fëmijëve të mi, botova dy libra. Nuk kanë mundur ta bënin këtë gjë edhe ata që kanë shkuar atje, në emigracion, qysh në vitin 1944-’45?! Nuk kanë mundur ta bënin këtë gjë ata që i kanë pasë dhe i kanë xhepat plot?! Njoh në Gjenevë shqiptarë që kanë blerë edhe vetura 100.000 frangash zviceranë, po në shtëpinë e tyre nuk kanë qoftë dhe një libër shqip. Ka njeri që kjo gjë nuk e revolton?!

Mbaj mend se në vendlindjen time, në Ulqin, në fillim të viteve ’50-të, nuk kishte asnjë fletushkë në gjuhën shqipe, se gazetarë e shkrimtarë shqiptarë jo që jo. Edhe gazeta e Prishtinës “RILINDJA”, jo vetëm që nuk kishte korrespondent nga Ulqini, por as ndonjë abonent. Banorët shqiptarë të Ulqinit as që dinin se ekzistonte ajo gazetë. Në librarinë e qytetit shiteshin në gjuhën shqipe vetëm librat shkollorë për tetëvjeçaren. Kjo ishte e vetmja literaturë. Ulqini ishte i izoluar edhe nga Kosova, se jo më nga Shqipëria. Kështu, qysh në atë kohë, unë u njoha me literaturën jugosllave, malazeze, serbe, kroate dhe boshnjake, kurse 12 vjeç çava nga Ulqini në Shkup, ku u njoha edhe me literaturën maqedone, bile dhe bullgare, edhe ruse. Aty rashë në kontakt, sidomos si student, edhe me literaturën shiptare dhe me korifejt e kësaj literature në atë kohë, siç ishin Esat Mekuli, Hivzi Sulejmani, Zekiria Rexha, Sytki Imami dhe Sinan Hasani. Lëvizja letrare mes shqiptarëve të Jugosllavisë sapo kishte nisur. As Esat Mekuli akoma nuk kishte arritur të botonte librin e tij të parë. Menjëherë u inkuadrova në radhët e tyre, duke patur për krah Adem Demaçin, Ramiz Kelmendin dhe Rexhai Surroin, si prozatorë. Kurse si poetë ishin afirmuar Rexhep Hoxha, Murat Isaku, Lutfi Rusi, Mehmetali Hoxha, Ganimete Nura, Adem Gajtani, Ali Musai, Mark Krasniqi, etje. Në atë kohë vepronin në Jugosllavi edhe shkrimtarët e arratisur shqiptarë Martin Camaj, Myrteza Peza dhe Petro Janura. Të tre i kam njohur personalisht. Myrteza Peza edhe u pranua në Lidhjen e Shkrimtarëve të Maqedonisë në sajë të rekomandimit tim dhe të përkthimit që i bëra serbisht dramës së tij Parajsa e Humbur. Për këtë gjë më hoqi vërejtjen Esat Mekuli, që ishte mecenat i të gjithë neve, brezit të ri, të pasluftës. Roli dhe meritat e Esat Mekulit për zhvillmin e letërsisë në gjirin e shqiptarëve në ato anë janë të jashtëzakonshme. Ai ka rrezikuar edhe veten duke na dhënë dorën dhe duke na mbrojtur nga UDB-ja. Ma ka dhënë edhe mua dorën dhe më ka mbrojtur ashtu siç nuk më ka mbrojtur as babai im, sidomos kur më arrestuan në Tetovë.
Në Shkup, kam rënë në kontakt edhe me veprat e shkrimtarëve të Shqipërisë. Motra ime, e martuar në Shkodër, më dërgoi një pako me libra, botimet e Kin Dushit, Llazar Siliqit, Kolë Jakovës, Fatmir Gjatës, Petro Markos, etj. Në bibliotekën e qytetit të Shkupit gjeta edhe librat e Ernest Koliqit dhe të disa autorëve të tjerë shqiptarë. “Hanko Hallën” e Ali Asllanit e mësova menjëherë përmendësh. Po ashtu edhe disa pjesë të “Lahutës së Malcis”, që sot e kësaj dite nuk i kam harruar.
Tragjedinë më të madhe të letërsisë do ta quaja Mosnjohja e Vetetes. Shqiptarët akoma nuk e njohin veten, as atë që ka ndodhur dhe as atë ç’ka po ndodh me ta. Ata që e kanë zbuluar të vërtetën, ose nuk u leverdis t’ua thonë të tjerëve, ose nuk marrin guxim t’ua thonë.
Nga ana tjetër mendoj se televizioni është duke e shkatërruar librin dhe spektatorët e vet, që po na i bën jo vetëm analfabetë, por edhe memecë. E megjithë këtë, libri ka jetuar dhe do të jetojë. Ata që janë trullosur pas televizionit, rishëm do të kthehen te libri. Pa lexues nuk ka letërsi. Lufta për lexuesin është lufta për letërsinë. Për sa i përket pengesave që po na bëhen në punën tonë krijuese, u them atyne që po na i bëjnë pengesat, se këmbët e penguara ecin dy herë më shpejt…
ARS Nr. 4, Fq. 5 | Dt. 30 Qershor 2002

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.