back to top
17.5 C
Tirana
E premte, 4 Tetor, 2024

Vendosja e komunizmit në Shqipërí… Fakte si edhe konsiderata (Bisedë televizive) nga Mërgim Korça

Gazeta

Mergim Korça (1932)
Mergim Korça (1932)

Vendosja e komunizmit në Shqipërí…

Fakte si edhe konsiderata (Bisedë televizive)

nga Mërgim Korça

Kaluan tashmë dhjetvjeçarë të tërë edhe vazhdon e është bashkëkohës debati në se “Dita e Çlirimit” ka qenë 28 apo 29 Nëndori i vitit 1944!?
Dakord, nisur ky nga fakti në se çlirimi i Shqipërisë nga shkelësi i huaj gjerman ka përkuar me ditën e Shpalljes së Pavarësisë apo është përzgjedhur ky përkim, nga ana e P.K.Sh. me… Shpalljen e Federatës Jugosllavisë, (vendim i ditës mbylljes të mbledhjes së dytë të AVNOJ-it). E doemos diskutimi i kësaj pikëpamjeje ka rëndësí themelore sepse, duke u vërtetuar se kjo dit’e shënuar ësht’e lidhur me faktin e dytë, (sepse fillimisht Enver Hoxha në fjalimin e tij më 28 Nëndor të vitit 1944, theksoi se ajo qé edhe dita e çlirimit, ndërsa në vazhdim vitesh u përzgjodh me votim dita e 29 Nëndorit si e tillë – shënim M.K.),
… i hidhet dritë një së vërtete që vazhdon e mbahet e fshehur nga të githë historianët me formacion ish komunist, të cilët nuk i ndryshojnë dot veprat e tyre që kanë qenë përçuese të ish vijës P.K.Sh. e në vazhdim të P.P.Sh., ku as që mund të mendohet se pranohej kolaboracionizmi në dëm të Shqipërisë i zbatuar nga drejtuesit komunistë të Shtetit Shqiptar vetëm për hir t’egoizmit të tyre!
Në vijim vazhdojmë me thelbin e problemit. I lemë tashti mënj’anë ditët kalendarike 28 apo 29 Nëndor, (duke mos i konsideruar aspak si vazhdimësí të tillë por me se janë të lidhura si pasoja), a ka qenë në parim Dita e Çlirimit vërtet’e tillë apo jo? Duke e kundruar vazhdimësín’e viteve nën diktaturën komuniste nga ky këndvështrim, e për të qenë krejtësisht të paanshëm, duhet pranuar se paslufta, si vazhdim i luftës civile, qé një krim që filloi me asgjësimin e klasës intelektuale shqiptare të krijuar dhjetravjeçarë me radhë e që filloi me pushkatimin e 39 intelektualëve në pragun e asaj që quhet dita e çlirimit. Kurse në vazhdim, duke pushkatuar qindra e qindra intelektualë të tjerë, patriotë si edhe fetarë të të gjithë besimeve! Cila qe arsyeja e urrejtjes skajore ndaj intelektualëve? Pushtetin e kish marrë në dorë dështaku intelektual Enver Hoxha, (i cili as një vit akademik nuk arriti të merrte – shënim M.K.). Ky i printe asaj mase të cilën e mashtroi me premtimin e lirisë, (sipas mësimeve të V. I. Leninit – shënim i M.K.), e duke u dhënë poste tamam pa shikuar fare vlerat e tyre intelektualo-teknike. Prandaj problemin duhet ta vështrojmë jo vetëm në thellësín’e duhur por edhe në të gjithë shtrirjen e tij!
Përkrahësit si edhe propagandistët e parë të ideve komuniste në vëndin tone kanë qenë Zai Fundua, Zef Mala, Sejfulla Malëshova e Koço Tashkua me shokë. Të gjithë këta në vijim u dënuan nga partia si elementë kundrapartí, trockistë, deviacionistë si edhe duke iu mveshur epitete akuzuese të tjerë. Lidhur me këtë kategori intelektualësh të cilët të frymëzuar fillimisht nga Manifesti Komunist i Karl Marxit e pastaj të inkuadruar si komunistë dhe ndjekës të vijës Leninit si edhe Stalinit, me përjashtimin e Zef Malës, tre të tjerët shkuan edhe në Bashkimin Sovjetik e bile që të tre dhanë edhe mësim në fakultete sovjetike. Duke qëndruar tek kjo fazë e zhvillimit të tyre ideologjik, a mund të mendohet se nga njera anë e kishin mësuar biografín’e Marxit dhe nga ana tjetër nuk e kishin vënë fare në punë mëndjen e tyre e ta gjykonin me sy kritik biografinë e figurës qëndrore frymëzuese të tyre për të nxjerrë edhe përfundime rreth tij? Ç’e ka karakterizuar figurën e këtij ideollogut që u premtonte masave të të varfërve të botës lirí, begatí si edhe zhdukjen e mbivlerës si pun’e papaguar punëtorit? Cila qe përvoja e tij në fushat që trajtonte? Karl Marksi vetë asnjëherë nuk ka qen’i punësuar, pa lé të ketë drejtuar qoft’edhe një sipërmarrje karakteri ekonomik. Në jetën e tij asnjëherë, e theksoj asnjëherë, nuk ka mbajtur bilance ekonomike të ndonjë sipërmarrjeje. Ai kurrë nuk ka mbuluar asnjë post politik. Tërë jetën e ka mbajtur ekonomikisht miku i tij Frederik Engelsi, biri i një pronari të pasur fabrikash. Është konsideruar nga një mas’e gjerë si filozofi m’i madh në fushat shoqërore, politike dhe ekonomike. E si përfundim që nxirret me kalimin e një qindvjeçari të tërë, kudo që teorit’e tija u zbatuan mes gjakderdhjesh e dhune të pashëmbullt, kudo ato dështuan! Jo më kot e ëma e Marksit, Henrietta, ka pasë thënë për të birin: “Në qoftë se Karli në vend që të shkruante kaq shumë rreth “kapitalit”të kishte grumbulluar ca, do të kishte qenë shumë më mirë!” Kjo është cektësía e par’e atyre që qenë ideollogët e parë të komunizmit në Shqipëri! Po arësyeja prej nga rrodhi ky dështim? Sepse duke qenë masat popullore të painteresuara në vazhdim lidhur me zhvillimin e ekonomisë si pasoj’e mungesës sw interesit personal si pasoj’e zhdukjes pronës private, ekonomia ishte e të gjithëve, por e askujt!
Nga ana tjetër, derisa e kishin marrë përsipër ta ngrinin e ta zhvillonin shoqërinë komuniste në Shqipëri duke pasë krijuar edhe grupet komuniste t’asaj kohe, nuk ka mundësi mos ta dinin citatin e famshëm dhe të zgjedhur të Leninit sipas të cilit: “Një revolucion socialist ësht’i pakonceptueshëm pa një luftë të brëndëshme, e gjithashtu pa një luftë civile”. (Vepra të zgjedhura, vëll. 2, faqe 277).
Ky mësim leninist, përbën pikën e dytë të dobët të atyre q’e mbollën farën e komunizmit në Shqipëri, duke qenë të vetëdijshëm se mbi cilët binarë duhej drejtuar revolucioni socialist. Por, nga ana tjetër, marr shkas t’u them edhe historianëve tanë ish komunistë si edhe ithtarëve në vazhdim të sistemit diktatorial komunist, të cilët çirren edhe shqyhen duke pohuar se L. NaÇl. nuk u shndërrua në Luftë Civile, se ky pozicionim i tyre jo vetëm që bije ndesh me orientimin e dhënë botërisht nga Lenini, por nga ana tjetër u kujtoj edhe se në ç’mënyrë të fundme e ka trajtuar këtë problem mbështetur në fakte e dokumenta arkivi, studiuesi Uran Butka në veprën e tij, “Lufta Civile në Shqipëri”!
E për të mos u zgjatur shumë nuk kam se si mos ta përqëndroj vëmendjen edhe tek pika e tret’e dobët e ideollogëve të komunizmit shqiptar e cila, sipas meje, përbëhet nga letra e dërguar Bela Kunit, (drejtues terrorist komunist i Hungarisë, përgjat 200 ditëve sundimi nga ana e tij me terror përgjatë periudhës 1918-’19), nga ana e Leninit ku ky i fundit i shkruan: “Në qoftë se ndërmjet socialistëve ose borgjezisë së vogël shfaqen mëdyshje ose lëkundje lidhur me diktaturën e proletariatit, zhduki nga faqja e dheut pa mëshirë. Nuk hiqet dot dorë nga përdorimi i terrorit pavarësisht nga ç’thonë hipokritët si edhe përhapësit e shprehjeve të bukura.”
Ç’përfundime nxirren tashti me shikim mbrapavështrues? Mjafton t’i hedhim një sy kundrues radiogramit të dërguar nga Enver Hoxha me datën 21-09-1944, komandantit të Korparmatës I-rë: Dali Ndreut, (të cilin në vazhdim e pushkatoi së bashku me të shoqen Liri Gegën): “Zai Fundo është armik i poshtër i partisë… torturojeni deri në vdekje dhe pastaj pushkatojeni, andej.” Dhe Zai Fundua, u pushkatua pa gjyq më 23 Shtator 1944, duke ia hedhur kufomën nuk dihet se në ç’rrëzë!
.
Mergim Korça - Mbi Kolaboracionizmin
Mergim Korça – Mbi Kolaboracionizmin
Po me ideollogët e tjerë të komunizmit ç’ngjau?
Koço Tashko, fillimisht zv/kryeministër i qeverisë kryesuar nga Enver Hoxha, që nga viti 1960 u përjashtua nga partia si revizionist dhe antiparti. U internua për tetë vite radhazi e në vazhdim u burgos për dhjetë vite të tjerë. Katër vitet e fundit të jetës qé liruar nga burgu por i kaloi n’internim dhe në mjerim të plotë!
Sejfulla Malëshovës, nga që në Plenumin e Beratit e kishte quajtur terroriste veprimtarín’e P.K.Sh., kurrë nuk ia harroi Enver Hoxha atë akuzë dhe sapo i forcoi disí pozitat e tija ky i fundit, më 1946 e largoi nga udhëheqja e partisë dhe që nga viti 1955, e largoi edhe nga Tirana duke e çuar magazinjer në Fier. Në magazinën ku punonte, Sejfullai vendosi një fotografi të Enver Hoxhës dhe kur e pyesnin si e kishte vendosur… ai përgjigjej shkurt: “E kemi udhëheqës të shtetit. Ne nderojmë shtetin!”
Sa i takon Zef Malës, krijuesit si edhe drejtuesit të Grupit Komunist të Shkodrës që në vitet ’30, i cili themeloi që në muajin Korrik të vitit 1939 me elementë komunistë të grupit lartpërmëndur edhe një Parti Komuniste, (dy vite para 8 Nëndorit të vitit 1941), kjo punë e tij avulloi e nuk la gjurmë, që në çastin kur pushtuesit italianë e internuan Zefin në Ventotene. Lidhur me Zef Malën, e shtrijmë pak më gjerë rrethin e hedhjes vështrimit si edhe të gjykimit, duke sjellë një “shkëndijëzë”, por shkëndijëzë tejet kuptimplote, të qëndrimit vërtet djallëzor të udhëheqësit të ardhshëm të partisë, Enver Hoxhës ndaj tij. Ky i fundit i dërgon një letër Zef Malës ku i thotë se autokritika e tij si edhe përmirësimi i qëndrimeve të tij mbajtur para gjyqit do të ndikojnë që partia t’ia falë të gjithë gabimet në mendime si edhe në veprime pararendëse të tijtë. (A.Q.Sh. Fondi 14/ Dosja 33/ Viti 1943). Por, kur Zef Mala lirohet nga internimi dhe shkon në Pezë, Babë Myslymi i thotë shprehimisht: “…Hik or babë, ene mçifu m’Tironë se dun me t’vrá!”. Në ktë përfundim kishte arritur Myslym Peza sepse kishte dijeni lidhur me letrën q’i kishte dërguar Enver Hoxha Nako Spiros ku i theksonte “…Zef Mala mos të shkojë në Kosovë por jepini një plumb pas koke.” Dhe un’e pyes lexuesin me sinqeritetin më të madh: A nuk është ky një shëmbull tipik q’e karakterizon figurën e Enver Hoxhës si njeri skajshmërisht intrigant dhe me shumë faqe i cili, për t’ia pastruar vetes rrugën nga pengesa eventuale, nuk stepet as para krimeve nga më të përbindëshmit?
E për ta mbyllur krejt fluturimthi edhe me Zef Malën, njerin nga ideollogët më të hershëm të komunizmit në Shqipëri, nuk rrijmë dot pa ia vënë në dukje faktin se më 1978-ën ai ka patur kurajën civile t’i pohojë Mehmet Shehut: “…Komunizmi si sistem politik është një zbythje për njerëzimin, është një utopí!”
Kaq, sa për të vënë në dukje se si njohurit’e atyre që deshën ta instalonin komunizmin në Shqipëri, ishin më se të mjaftueshme që ata ta kishin të qartë kuadrin e së ardhmes së menjëherëshme. Pra, ata nuk mund të quhen viktimat e komunizmit nga që nuk e dinin se ç’do t’i priste. Përkundrazi, ata vijën e përgjithëshme e kishin të qartë. E vetmja gjë që ata nuk kishin se si ta merrnin me mend, as me fantazinë më të çfrenuar, ishte se me çfarë krimineli djallëzor, të pabesë dhe egoist të skajshëm kishin të bënin, të personifikuara këto në udhëheqësin e ardhshëm Enver Hoxhën! Në këtë kuadër nuk e lemë dot pa e zënë n’gojë se si i qé përgjigjur pyetjes “Si përcaktohet një komunist?” Presidenti i Sh.B.A-ve Ronald Reagan: “Ësht’ ai që lexon Marxin dhe Leninin”; kurse në vazhdim pyetjes: “Po si përcaktohet një kundra-komunist?”, po Presidenti Ronald Reagan i përgjigjet: “Ësht’ai që i kupton Marksin si edhe Leninin!”
.
Utopia Komuniste
Utopia Komuniste
Pa u zgjatur më, por ama edhe pa dashur të mospërfill zërin e historisë të viteve të diktaturës komuniste në Shqipëri, që na tregon se si mbas eliminimit të qindra tradhëtarëve, duke filluar që me themelimin e P.K.Sh, në vazhdim me intelektualët, klerikët e pastaj me deputetët dhe grupin e tyre imagjinar, duke vazhduar me gjeneralët e ushtrisë, drejtuesit tradhëtarë të ekonomisë, disa zv/Kryeministra e gjithashtu edhe ministra të Punëve të Brendëshme, e së fundi edhe vetë Kryeministrin e 27 viteve me radhë, duhet pranuar se Enver Hoxha e drejtoi vendin nëpër një rrugë të drejt’e parimore shumë atdhetare për dyzet vite me radhë veç i rrethuar prej tradhëtarësh të atdheut! Kjo logjika që duan t’u trashëgojnë brezave historianët e diktatorit, ata që përgjatë dyzet vitesh dridheshin e veç sipas mësimeve të partisë edhe të diktatorit mendonin si edhe vepronin duke i shkruar veprat si edhe disertacionet e tyre. Kurse sot e kësaj dite, të trimëruar se shtetarë jo më vendi diktatorial, por të lirë të thon’e të shkruajnë sa e si të duan se nuk i pret më arrestimi e tortura, siç bënte pusht-shteti i tyre, vazhdojn’e duan ta mbajnë të shtrembëruar historinë si dikur… sepse veprat e tyre shkencore, shkruar e publikuar përgjatë diktaturës komuniste, nuk i lenë të flasin ndryshe!
Në vazhdim nuk kemi se si mos t’i zemë në gojë disa fakte, qoft’edhe fluturimthi.
Më 23 Nëndor, të vitit 1944, zhvillon punimet Plenumi i II-të i Beratit i quajtur nga Enver Hoxha në vazhdim “Prapaskena e Beratit”. Gjatë atij plenumi u dënua ashpër sektarizmi si edhe oportunizmi duke theksuar: “…Sektarizmi në vijë e ktheu partinë në një bandë terroristësh q’e ka humbur zemrën e komunistit e që nuk i dhimbset jeta e njerëzve.” Në vazhdim Enver Hoxhës iu drejtuan 14 pyetje me të cilat ai u gozhdua pas muri e kësisoji, mbasi u kërkua që ai të shkarkohej si Komisar Politik i Shtabit të Përgjithshëm, të përjashtohej edhe nga P. K. Shqiptare. Në këto kushte ai u detyrua të bëjë një autokritikë shumë servile si edhe të kërkojë falje. Në ato kushte atë e shpëtoi ndërhyrja e Sejfulla Malëshovës, i cili propozoi që qëndrimet si edhe veprimet e Enver Hoxhës të diskutoheshin pas kongresit të I-rë të P.K.Sh. Si rrjedhim Enver Hoxha falënderoi që iu dha edhe një herë dora!
Për periudhën diktatoriale mbas ditës që e quajnë ajo e çlirimit, e për 47 vite radhazi, duket qartazi, sipas përcaktimit të studiuesit të filozofisë dhe kritikut të marxizmit prof. Karl Popper-it, se edhe Shqipëria e përforcon pohimin e tij se: “Duke i analizuar mbas faktit të gjitha revolucionet në botë arrihet në të njajtin përfundim: Premtimi masave të varfëra i lirísë dhe begatísë mbas fitores së revolucionit… kudó përfundon në shtet totalitár e diktatorial!” E pra, në Shqipëri ky sistem u vendos dhe veproi si sistemi më gjakatar, (duke bërë krahasimet përkatëse), ndër të gjithë shtetet e ish kampit socialist për 47 vite me radhë! Kaq lidhur me të kaluarën.
Kundrojmë tashti situatën bashkëkohore për të nxjerrë përfundime rreth së ardhmes që duhet ndjekur nisur kjo… nga përvoja e kaluar.
Kaluan që nga shkërmoqja e diktaturës, jo pak por 26 vite! Nuk ka se si të mos na shqetësojë nga njera anë gjendja skajshëm e rëndë e kategorisë pensionistëve e gjithashtu edhe papunësía, në përgjithësí. Por shumë shqetësues në qytet ësht’edhe liveli skajshëm i lart’i korrupsionit me të cilin ballafaqohet përdit’e më shumë popullata, shto këtu edhe rritjen e madhe të krimeve. Kurse në fshat tregues vërtet i trishtueshëm është qoftë ulja drastike e banorëve të zonave rurale, (në 46.3 % ku 20% e popullatës iu bashkangjit krejt artificialisht popullsisë qytetare), të cilët nga prodhues e furnizues të qyteteve u bënë thjesht: konsumatorë! E sa për një shëmbull tipik të politikës gabuar ndjekur nga shteti që nga shkërmoqja e diktaturës, kemi faktin se si 80 % e tokës bujqësore u nda sipas ligjit tamam famëkeq 7501, gjë e cila solli dora-dorës gjendjen aktuale në bujqësi me të gjitha pasojat e saja në ekonomin’e përgithëshme të vendit! E përgjatë këtij vështrimi krejt fluturimthi të gjendjes, nuk mundemi t’u shmangemi dy momenteve tejet të rëndësishëm përgjatë kësaj vazhde: porosia e Katovicës ishte që klasa komuniste në pushtet për dy-tri legjislatura të shndërrohej në klasë kapitaliste, porosí e cila u zbatua deri në një nga Ramiz Alia e në vazhdim nga të përzgjedhurit e tij ku drejtuesit e vendit, të mëkuar me metodat diktatoriale të drejtimit, i gërshetuan këto me strategjitë më të sofistikuara të pasurimit të tyre vetë si edhe të përzgjedhurve prej tyre. E si moment të dytë nuk kemi se si mos ta theksojmë se si pa gjë të keqe, mbas mbi dy dhjetëvjeçarësh që ligji 7501, vazhdoi e zbatohej, ish kryetari i P.D.-së si edhe për tetë vite radhazi K/Minister i Shqipërisë, zoti Sali Berisha, deklaron në vitin 2014 se pas shpërbërjes së kooperativave bujqësore u gabua rëndë me zbatimin e ligjit 7501!(?)
Prandaj e shikoj të arsyeshme t’ua kujtoj tashti ndjekësve të këtij emisioni se si më 15 Dhjetor të vitit 1947, në mbledhjen e Byrosë Politike të K.Q.P.K.Sh, në pranín’e të dërguarit të Mareshallit Tito, Sava Zllatiç-it, ku Enver Hoxha deklaron, (proçes-verbali i asaj mbledhje ruhet në Arkivin e Shtetit – shënim M. K.): “…Tani që e likuiduam këtë pengesë, (Nako Spirun – shënim M. K.), duhet ta fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejt bashkimin de Facto të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat, (parti, ekonomi, ushtri, etj.), se Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur dhe aq më pak të ndërtojë Socializmin, pa u bashkuar me Jugosllavinë…” e duke vazhduar pastaj me të gjitha format e kolaboracionizmit në dëmin e atdheut në vazhdim pas Jugosllavisë me B.S., me Kinën e përgjatë këtij shtegu derisa e katandisi vëndin në autarkí të plotë duke e çuar vendin nga triskat në tallona!
.
Kenga e komunizmit
Kenga e komunizmit

Në vënd të përmbylljes

Ësht’e qartë që me kaq radhë nuk trajtohet dot gjendja e sotme, shqetësimet që lindin nga kjo gjendje, pa lé pastaj të jepen edhe mendime, (qoft’edhe modeste), lidhur me shtigje që nuk duhen ndjekur si edhe rreth mundësive si të dilet nga ky qorrsokak! Mirëpo, nga që shqetësimi ësht’i madh, skajshmërisht’i madh, së paku do të mundohemi të vendosim ndonjë “piketë”. E bëjmë këtë nisur nga fakti se përgjatë këtyre 27 vitesh t’ashtuquajtur “tranzicioni” nga diktatura e egër dhunuese si edhe gjakatare në një t’ashtuquajtur demokrací, vihen ré shfaqje tejet shqetësuese. Cila pamja që vihet ré me shikimin e parë? Dy vitet e para kriminelët e pashpirt dhe zbatuesit e egër të luftës së kllasave, as e nxirrnin majen e hundës së tyre nga pragjet e shtëpive sepse mendonin se do t’i gjente ata, (q’e dinin se kishin qenë skajshmërisht fajtor’edhe të pashpirt), po ajo q’i kishte gjetur të tjerët, paçin qen’edhe krejtësisht të pafajshëm, nga ana e të parëve. Mirëpo duke u vënë ré dora dorës se askush nuk po burgosej pa lé të dënohej për urdhra të dhënë si edhe krime të kryera, avash, avash jo vetëm që filluan të dilnin nga strofullat e tyre por… filluan të përjetonin një realitet që për ta nuk ishte i padëgjuar: u kishte pas thënë Ramiz Alia se duhej ndjekur rruga e porosive të Katovicës me pikësynim kryesor që pushtetin të vazhdonin ta mbanin në dorë komunistët por… me kushtin që të pranohej sistemi shumëpartiak si edhe zbatimi, (deri në njëfare mase), i të drejtave të njeriut! E doemos në krye të të gjitha partive, t’ashtuquajtura të majta e gjithashtu të djathta, drejtuesit e tyre të caktoheshin nga ish komunistët… sëríshmi në pushtet!
Ndalemi kështu tek një pike tejet e nxehtë dhe skajshëm trishtuese, se si po vazhdon e transformohet historia edhe të vërtetat e saja nga historianët e dikurshëm, hymnizuesit e diktaturës dje si edhe shtrembëruesit e të vërtetave edhe në vazhdim! Qëndrojmë pra, edhe trajtojmë një fakt historik, i cili skajshëm e trishton çdo njeri të ndershëm dhe që i di ngjarjet, e sot përjeton situata tejet trishtuese. Në vitin 1974, u botua në Lyon në gjuhën frënge “Historia e Shqipërisë – nga Origjina deri në ditët tona”, kurse në Londër, u botua po ky tekst në vitin 1981, nga Routledge & Kegan Paul Ltd. me bashkautorë të vëllimit shkencor profesorët si edhe akademikët zotërinjtë Stefanaq Pollo, tashmë i ndjerë, si edhe Arben Puto, edhe ky i ndjerë e me bashkëpunëtorë profesor Kristo Frashërin e ndjerë gjithashtu si edhe Skënder Anamalin, (për të cilin nuk kam informacion, shënim – M.K.). Në përkthimin anglisht, në faqen 245, është vendosur pohimi i përfaqësuesit të Jugosllavisë Velimir Stojniç-it, në Plenumin e 2-të të Beratit të datës 23 nëntor të vitit 1944, sipas të cilit ai shprehet si vijon: “Shqipëria jo që nuk e rrit dot ekonomín’e saj, por as e zhvillon dot atë sepse imperializmi do ta gëlltiste; …e vetmja zgjidhje e saj është të bashkohet në një konfederatë me Jugosllavinë!” E me kaq mbyllet në tekstin e historisë nga autorët problemi që ngriti në Plenumin e 2-të të Beratit përfaqësuesi jugosllav. Me këtë mosvazhdim, nisur nga diktatura gjakatare që ishte e pranishme në Shqipëri, sinqerisht as që më shkon në mendje t’i ngarkoj me përgjegjësí lidhur me heshtjen e tyre bashkautorët e vëllimit historik në fjalë. Por ama, heshtja e këtyre historianëve mbas shkërmoqjes së diktaturës në vitin 1991 e në vazhdim, sinqerisht që jo vetëm më bën t’i kundroj ata me përçmim nga ana karakteriale, por nga ana tjetër edhe më bën ta ngré fuqíshëm zërin ndërsa ata, jo vetëm q’e kërkuan sa ishin gjallë me forcë, sërishmi tashti në t’ashtuquajturën demokrací, e kërkojnë fuqíshëm parësínë në gjykimin e historisë duke e konsideruar edhe një të drejtë të tyre legjitime nga që i ngarkuan në vitin 2014 me rishkrimin e teksteve të historísë! E ftoj tashti dëgjuesin e këtyre fakteve ta japë gjykimin e tij krejtësisht të paanshëm dhe të ndershëm duke i a rikujtuar se pikërisht tre vite e 22 ditë mbas fjalës së përfaqësuesit jugosllav në Plenumin e Beratit, e pra në mbledhjen e Byrosë Politike të K.Q.P.K.Sh. të 15 dhjetorit të vitit 1947, Enver Hoxha u shpreh tekstualisht: “…duhet ta fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejt bashkimin de Facto të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat, (parti, ekonomi, ushtri, etj.), se Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur dhe aq më pak të ndërtojë Socializmin, pa u bashkuar me Jugosllavinë…” Pa as më të voglin mllef dhe krejt sinqerisht, (duke u munduar të jem skajshëm i paanshëm), por nuk mundem ta pranoj që trysníja e V. Stojniç-it në Berat të publikohet kurse, pohimi i Enver Hoxhës kaq vite që nga dita e shkërmoqjes së diktaturës në vitin 1991, e deri më sot, jo vetëm që nuk u paraqit nga historianët në fjalë ashtu siç ka qenë por bilé… edhe e anashkalojnë! Ky ballafaqim faktesh çfarë shpreh? Asgjë më shum’e asgjë më pak, por qëndrimin e historianëve në mbrojtje me çdo mënyrë të tradhëtísë Enver Hoxhës lidhur me atë shfaqje kolaboracionizmi skajor deri në shitje të interesave kombëtare shtyrë veç nga egoizmi personal i tij! Nuk qëndroj dot pa shtuar edhe faktin se si sot janë dhjetë gjuhët e huaja në të cilat teksti historik i zënë në gojë më lart është përkthyer, por ama pa iu bërë shtesat e nevojëshme që deri në vitin 1991, vetë zotërinjtë historianë autorë të tekstit nuk guxonin t’i shtonin. Kjo, pa u zënë në gojë në vijim se si as historianët e tjerë si z. Paskal Milo me shokë, të zënë ngushtë nga çka kanë shkruar duke e hymnizuar sistemin diktatorial dikur, këta edhe sot, me gjithë heshtjen e tyre kuptimplote rreth fakteve që deri në vitin 1991 as mendohej se mund të paraqiteshin, e kanë për ndér ta rishkruajnë historinë për tekstet shkollore!(?)
E si përfundim, natyrshëm lind pyetja: A ka mospërgjegjësí më të madhe nga ana e drejtuesve shtetërorë të sotëm që vazhdojn’edhe ecin përgjat të njajtit shteg si në kohën e diktaturës? Kujt i shërben ky qëndrim i mohimit të së vërtetave siç u bë për 47 vite me radhë? E pikërisht ky qëndrim zyrtar çon në valavitjen nga njera anë të pankartave me portretin e diktatorit mbas shpatullave të drejtuesve të sotëm të vendit e deri në shpotitjen madhore që u ka bërë kategorive të ndryshme popullore ish Presidenti Nishani duke u dhënë titullin “Nderi i Kombit” si kriminelëve gjithashtu edhe viktimave të tyre, (gjë të cilën e kam trajtuar qart’edhe shquar kur z. Nishani ishte akoma i ngarkuar me funksionet e Presidentit)!
.
Censurë komuniste...
Censurë komuniste…
Përkundruall këtij fakti sjellim shembullin tjetër: Cili qé ai që atdhedashurinë e shtynte deri në vetëflijim? Ja si shprehej në vargje Patër Gjergji Fishta:
Qé mue tek m’keni, merrni e m’bâni flí, / Për shqyptarí, me shue çdo mní mizore./
Oh! Edhe pa mue Shqypnija kjoftë e rrnoftë,/ E nami i sajë per jetë u trashigoftë./
 
Pikërisht Ai duhej mikluar e pastaj tulatur. Dhe hapin e parë qeveria fashiste italiane e bëri: i akordoi Patër Gjergj Fishtës, Provincialit te Françeskanëve të Shkodrës, me dekret mbretnor, një nga dekoratat më të larta që akordonte fashizmi italian. Por përgjigja e Titanit qé e papritur, qé e prerë: E refuzoi dekretin mbretëror duke u shprehur: “Kjo Dekoratë nuk àsht për mue!”
E megjithëse ky qëndrim i Patër Gjergjit, dihej botërisht e gjithashtu edhe fakti se Ai ndërroi jetë që në vitin 1940, historianët shtypen e përtypen dhe meazalla se ia heqin cilësorin fashist, tradhëtar, agjent i Vatikanit e shto të shtojmë! E për t’i vën’edhe kapak, historiani Arben Puto e cilësoi, (deri në ditët e tija të fundit), Patër Gjergjin edhe si kuisling!(???) Dhe unë shtroj pyetjen: Si mund t’u besohej rishkrimi i historisë kësaj kategorie historianësh të komprometuar deri në palcë me bëmat e diktaturës, të cilët në veprat e tyre kanë shkruar vetëm njerën anë të së vërtetës, atë që u vjen atyre për mbarë, (fjalën e V. Stojniçit në Plenumin e II-të të Beratit, por në heshtje e kalojnë fjalën e diktatorit në mbledhjen e Byrosë Politike të 15 dhjetorit 1947), ose, për të mos lejuar t’i hidhet dritë servilizmit të tyre, heshtin kur krimineli dekorohet dhe… vazhduan edhe heshtën kur viktimave të po atij krimineli u akordohej e njajta dekoratë! Prandaj vijmë edhe në përfundimin logjik se duhet shkruar dhe shkruar intensivisht që të mos quhet dhe të mbetet si histori ajo që kanë shkruar dhe vazhdojn’e shkruajnë historianët e diktaturës, shtrembërues të historisë. E këtë pozicionim’e mbështet fuqimisht njera nga tezat e quajtur nga më të famëshmet e historianit si edhe filozofit të madh Benedetto Croces, (i njohur si mbështetës i partive të majta), i cili në librin me famë botërore me titull: “Teoria si edhe Historia e Historiografisë” pohon ndër të tjera se “E vetmja histori e vërtetë ësht’ajo bashkëkohorja!” Dhe unë shtoj: Pa vënë dorë historianët e politizuar në të!
Me miratimin e dëgjuesve të kësaj bisede televizive dua t’i jap fund kësaj paraqitjeje fluturimthi faktesh me një pohim tejet aktual të mendimtarit dhe atdhetarit të shquar Sami Frashërit, i cili thuajse një shekull e gjysmë të shkuar pati pohuar botërisht: “Kalben njerëzit e ndershëm, atje ku lartësohen kriminelët…”, shprehje së cilës u lutem ndjekësve të këtij programi ta miratojnë në mënyrë retorike pyetjen: Cili do të qé reagimi i Sami Frashërit ta kish mësuar edhe faktin se si ajo tokë bujqësore që njihte ai e transformoi vendin e Tij në eksportues të fuqíshëm Kanabisi?!
Përgatitur nga: Mërgim Korça

 

 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.