back to top
25.5 C
Tirana
E diel, 28 Prill, 2024

Mistika dhe femërorja përmes dashurisë dhe poezisë, tek poezia Alda Merini & Emili Dicknison – nga Emrije Krosi

Gazeta

Studiuesja Emrije Krosi
Studiuesja Emrije Krosi

Mistika dhe femërorja përmes dashurisë dhe poezisë,

tek poezia Alda Merini & Emili Dicknison

nga Emrije Krosi

Alda Merini

“Non bisogna cercar di conoscere la parola, bisogna giungere a conoscere chi parla”
(Kausitaki, Upanishad)
“Nuk duhet kërkuar të njohësh fjalën, njeriu duhet të dijë se kush po flet.”
(Kausitaki, Upanishad)


Letërsia është mjeti ku njeriu shpëton nga tjetërsimi, po edhe ndërton një tjetër njeri, përtej përmasës së tij të vërtetë. Nën këtë imazh, përpjesëtimi dhe krahasimi në fushën e letërsisë krahasimtare sidomos të asaj femërore, tejkalon gjininë (seksin), për të kuptuar se a ka letërsi femore, kritikë femore, të përcaktuar tashmë si terma specifikisht në letërsi, por dhe si kritikë feministe (Moi: 1985: 294), ku përshtashmëria dhe transformimi krijues shkon mëpërtej eksperiencës femrore të të shkruarit, më përtej margjinalitetit të tyre, më përtej skajores, me një fuqi të pashtershme, ku është e vështirë të përcaktosh kufijtë e personaliteti të njeriut, që në çdo mënyrë, letërsia dhe arti përpiqet të shkojë përtej tyre, ku mbivendoset gjuha poetike, si mbulim e një mbindjesie të papërcaktuar përtej identiteti seksual (Kristeva: 1981: 33).
Përmes shkatërrimit të dikotomisë ose kundërvënies mashkull/femër të divës së poezisë italiane Alda Merini me poezinë toka e shenjtë (Merini: 2017: 54), shohim një figurë sa kontraverse aq edhe femërore, që vjen nëpërmjet pranisë/mungesës së saj plotësuese, në një atmosferë thuajse magjike, do të përballej me probleme serioze në gjetjen e punësimit dhe duke i shpëtuar stigmës sociale pas internimit, ku lindi teatri i shfaqjes së vet tragjik, i cili përzien irealen e çmendurisë me trishtimin dhe realitetin dramatik të azilit, një hapësirë pothuajse e përjetshme ku kontakti me botën dhe me veten u eksplorua përmes asaj poeme të fuqishme, me një sërë ndjenjash njerëzore shumë të gjera dhe me shumë shtresa të ndryshme stilistiko-letrare. Shpirti i individit edhe më parë ai i poetit, është zhveshur tërësisht dhe i nënshtrohet tensioneve të padëgjuara të cilat e bëjnë atë pothuajse të mos e njohë më veten, se këto struktura ishin të fshehura larg shoqërisë dhe të zbritura në margjinale. (Goffman: 1961: 433).

Alda Merini - Portret
Alda Merini – Portret

Ato si unë – Alda Merini

Ato si unë dhurojnë ëndrra,
madje edhe me çmimin se mbeten pa to…
Ato si unë dhurojnë Shpirtin,
sepse një shpirt i vetmuar është si
një pikë uji në shkretëtirë…
Ato si unë të zgjasin dorën
…dhe ndihmojnë që të ringriheni, edhe nëse ka rrezik
që të bien nga ana tjetër…
Ato si unë shikojnë përpara,
edhe nëse zemra mbetet gjithmonë disa hapa pas…
Ato si unë kërkojnë një kuptim për jetën dhe,
kur e gjejnë, përpiqen t’ia mësojnë
dikujt që është vetëm duke mbijetuar…
Ato si unë, kur dashurojnë, dashurojnë përgjithmonë…
dhe kur heqin dorë së dashuruari, kjo ndodh vetëm sepse
fragmente të vogla të qenies ndodhen
të pambrojtura në duart e jetës…
Ato si unë ndjekin një ëndërr…
për t’u dashur për atë që janë
dhe jo për atë që duan të jenë…
Ato si unë ecin nëpër botë
duke kërkuar ato vlera që, deri tani,
kanë rënë në harresën e shpirtit…
Ato si unë do të donin të ndryshonin,
por duke e bërë këtë do të kërkonin të lindnin sërish…
Ato si unë bërtasin në heshtje,
sepse zëri i tyre nuk shkëmbehet me lotët…
Ato si unë janë ato, të cilave ti arrin
gjithmonë t’ua thyesh zemrën,
sepse e di që ato do të lënë të ikësh,
pa të kërkuar gjë…
Ato si unë dashurojnë shumë, madje duke e ditur se,
në këmbim, s’do të marrin gjë, përveç se thërrime…
Ato si unë ushqehen me pak e mbi atë pak gjë,
për fat të keq, vendosin ekzistencën e tyre…
Ato si unë kalojnë pa u vënë re,
por janë të vetmet që do të të duan me të vërtetë…
Ato si unë janë ato për të cilat,
në vjeshtën e jetës tënde,
do të pendohesh për gjithçka që të kanë dhënë
dhe se ti nuk ke dëshiruar …
shqipëroi: Laureta Petoshati

Leximi i kujtimeve të Merinit, për sëmundjen si dëshmi e shkrimit autobiografik të jetës së saj të trazuar, përmes shkrimit epistolar (ditarit) me shumë hije dhe errësirë, ka tërhequr shumë studiues dhe biografë të saj. Ditari i saj, ka një lloj specifike nënshtresash të prozës dhe poezisë, që pak a shumë, vonë është vërtetuar shkencërisht nga studiuesit e veprës së saj, si misticizmëm femëror, ku përjeton shenjtërinë e mishërimit, si ekzistencë, konkretisht e trupit të femrës dhe vetë femërores, të cilën ajo e sheh si simbiozë vetëm tek besimi i krishterë madje akoma më tej, përmes Hyjnores dhe femrores, zhbërja, kontestimi dhe humbja, janë pjesë e terrenit ontologjik femror (Irigaray: 1993: 504). Në këtë poezi të përbotshme, poetja ka identifikuar të gjitha femrat, përmes togfjalëshit përemror: [ato si unë]. Vendi i përemrit [unë], shkon mëpërtej, sepse femrat dashurojnë, shpresojnë, ëndrrojnë, mëkatojnë, guxojnë më përtej vetes, ushqehen me thërrimet e dhembjes, mbledhin copërat e shpirtit të thyer, ecin nëpër botë të vetmuara, lindin sërish, bërtasin në heshtje etj. Përsëritja në krye të çdo vargu si anaforë, i jep zëshmëri klithmës së Merinit, kundër dhunës së fshehtë dhe të heshtur, të botës mashkullore që “shtyp” femrën. Vargjet: ato si unë janë ato për të cilat,/ në vjeshtën e jetës tënde,/ do të pendohesh për gjithçka që të kanë dhënë/ dhe se ti nuk ke dëshiruar, ku metafora e vjeshtës, është mosha e tretë ose pleqëria, ku femrat gjithmonë vetëm vigjëlojnë.
Shkrimi, si metaforë e rrëfimit autobiografik të vetvetes për Merinin është:
-rrëfim i sëmundjes dhe i traumës,
-trajtim gjinor dhe çnjerëzor,
-rrëfim i dashurisë tokësore dhe hyjnore,
-rishpikje e vetvetes si pafajësi,
-efekt narrativ si katarsis psikologjik,
-metaforë e ikjes nga femrorja drejt femizmit,
-qenie që shumëfishohet, nëpërmjet shkatërrimit dhe rigjenerimit të saj të vazhdueshëm,
-esencializëm si lëvizje dhe dinamikë mbijtetese,
-(ri)lindje plotësisht tokësore, apo plotësisht shpirtërore.

Ndërtimi i tekstit të Alda Merinit nuk është tjetër, veçse takimi me përsosmërinë e dhimbjes; shpëtimi është pagëzimi verbal si dëshpërim, jo vetëm si vokacioni shpëtimtar i fjalës, që bën të deformohet në dy kahe: duke përfshirë spiritualizimin dhe transcendencën si dhe mishërimin dhe imanencës, përmes një lloj “materniteti” ku poezia ende komunikon si një përvojë shpirtërore (Alunni: 2008: 511).

Emily Dickinson - (1830-1886) - Portret
Emily Dickinson – (1830-1886) – Portret

Emily Dickinson

Shumë ndryshe nga Merini, Dickinson është një poete që luan me imazhin. Imazhinizmi është gjuhë që i bën thirrje shqisave. Më së shpeshti, imazhet i bëjnë thirrje shqisave të vizionit, duke krijuar një tablo mendore, por autoria përdor edhe “gjuhën” që apelon tek shqisat e tjera. Imazhet mund të jenë fjalë për fjalë ose figurative. Me anë të imazheve literale, ajo përdor gjuhën shqisore për të përshkruar një gjë aktuale, pasi ajo ishte gjithmonë lozonjare e errët (Bloom: 2008: 10). Harold Bloom, përmes një studimi shumë të imët, e ka përcaktuar qartësisht poezinë e Dickinson-it, si një poete imazhiste, që tregon se poezia e Dikinsonit zbulon besimin, vetminë, puritarizmin, se poezia është një dhuratë nga Perëndia, si një (ç)rregullim i mundshëm i çdo lëvizjeje apo ecurie të linjës jetësore në mënyrë lineare përmes poezisë (Dickinson: 1960: 39), duke diskutuar imazhet e poezisë dhe sesa Zoti shfaqet në të.
Poezia e saj dallohet nga:
-metrika e poezisë tradicionale angleze,
-shpreshmëri e doktrinave tradicionale dhe fetare,
-sfera e humbjeve, vdekjeve ose mungesa erotike,
-dëshira e ndrydhur dhe pakënaqësia ndaj botës,
-imazhet fetare dhe imazhi i kohës/dritës/distancës, përmes fuqisë shprehëse të
simbolikës, ajo bëhet “zotëruese e vetvetes” (Bennett: 1986 : 35).

“Shpresa” është krijesë me pupla – Emily Dickinson

Shpresa është krijesë me pupla,
Që brenda trupit rri,
Këndon melodi pa fjalë,
E s’ndalon fare-kurrësesi.

Dhe mjaft ëmbël, n’stuhi dëgjohet,
Dhe e egër stuhia duhet të jetë
Që zogu i vockël të hutohet
Ai që mbajti grohtë kaq vetë

Në vendin më të akullt e kam dëgjuar
Dhe në detin ku mendja s’më ka shkuar
Prapë, kurrë, n’skaj qoftë dhe nga thua
Ai s’kërkoj një thërrime, nga mua.
Shqipëroi: Laureta Petoshati
Simbolika e identifikimi të vetes përmes zogut me pupla, ku ajo përtej hapsirave boshe të ditënatës sheh shpresën, brenda “vetëngujimit”si: shpresa është krijesë me pupla, /Që brenda trupit rri, është një kompozim dyfish i imazhit të shpresës/vetvetes dhe shumë dëshirave të ndaluara. Po ashtu, shpesh në poezitë e Dickinsonit, zogjtë zotërojnë njohuri që qeniet njerëzore nuk i kanë. Ata zogj janë një qëndrim për poeten, kënga e zogut është kënga e saj, shpresa e zogut është shpresa e saj, këngën e saj, madje këtu është pamundësia e çiftimit, se zogu jeton në tokën e akullit përkundër akull/zjarr, si një metonimi dhe metaforë e ftohtësisë së shpirtit femëror duke kërkuar dashurinë ideale, dhe e egër stuhia duhet të jetë/ Që zogu i vockël të hutohet. Zogjtë shikojnë “thërrmimet” e fama “subjekti” është një qenie e fragmentuar që nuk ka një trajtë thelbësore si {Idi (nënvetia e fsheh dëshirën)}, [stuhia e egër/zogu që hutohet] imazhet e frikës përkundër dashurisë dhe fshehja e dëshirave seksuale, janë analogjia ku identiteti ose vetja që qëndron e pandryshuar me kalimin e kohës (Gregson: 1996: 16). Vargjet: dhe mjaft ëmbël, n’stuhi dëgjohet,/ Dhe e egër stuhia duhet të jetë/ Që zogu i vockël të hutohet, qëndresa përballë vetes, por edhe frika nga njohja (fama), seksi si mëkat i mishit (ajo ishte katolike e devotshme), për të mos e torturuar “zogun”, që: ai s’kërkoj një thërrime, nga mua, sepse besimi individual përshkruhet si një ndjenjë e thellë shumë e vërtetë, por edhe për dyshimet dhe kufizimet kundër blafsemisë dhe dashurisë [si ndienjë njerëzore/ përkundër asaj Hyjnore, Perëndisë], për vetë natyrën që konfiguron edhe kontrastin mes frikës dhe pasionit: [frika = që zogu i vockël të hutohet/ pasioni = shpresa është krijesë me pupla], një konfuzion i shqisave, duke krijuar imazhe që sugjerojnë sinestezi (Wolff: 1986: 85). Poezia e Dikinsonit, në kontekstin e fjalës “moderne” apo “postmoderne” u kuptua edhe si proces i pavarësimit shoqëror dhe diferencimit kulturor (Sarup: 1993: 18). Dilemat e artit mbi parimet estetike si formë lidhet me argumentet poetike në kontekstin shoqëror, e cila lidhet me poezinë, në mënyrë profetike. Poetia vetëtrashëgon përmes vetes të gjitha elementet thelbësore të një poezie klasike/simbolike që quhej ndryshe e “imagjinatës së pastër” në mënyrë që i gjithë udhëtimi të jetë domosdoshmërisht vizionar si dëshmi prej një pikëpamjeje moderniste (Ashton: 2005: 8). Shprehja e mrekullueshme e dëshirës universale, vetëdija e saj e thellë, se të gjitha romancat poetike letrare dhe njerëzore, varen nga njohuritë jo të plota dhe të pasigurta, si “një dëshpërim vizionar”, që nuk është gjë tjetër, veçse dëshpërimi siç mund ta përjetojmë në jetët tona të përditshme, nën ndikimin e transcendentalizmit (The Princeton Encyclopedia: 2012: 1454)
Por, poezia e Dikinsonit ka elemente të mangësisë që janë:
-publikimi i poezisë është turp (Iden: 2008: 20);
-zotërimi i vetvetes,
-qëndrimi në mëvetësi (larg botës),
-fryma njerëzore vs frymës hyjnore,
-pastërtia e shpirtit dhe e motivit puritan,
-ndërgjegjësimi për fuqinë e gjuhës,
-frymëzimi hyjnor ose natyra fetare e poezisë,
-publikimi ishte një lloj neuroze, ose vetëkontroll mbi artin e shkrimit.

Elementet e Përbashkëta

Karahasimi mes poezisë moderne të Merinit vs poezisë simbolike së Dickinson, shihet jo vetëm në rrafshin krahasimtar të stilistikës por kryesisht në rrafshin e elementeve të përbashkësisë si:

  • Femrorja: [Merini (M)/Dickinson (D), përfaqësojnë kauzat femrore];

1.(Merini) përfaqëson femrën e fortë:
-qëndrestare,
-trasgresive,
-e hapur/moderne/e pabesueshme,
-posesive,
-kontradiktore mes femrores dhe shoqërisë.

2. (Dickinson) përfaqëson femrën e përulur:
-përulësinë,
-sekretet,
-anonamitetin/mosnjohja,
-vetmia dhe shpirti puritan

  • Fati/besimi:

1. (Merini):
-zbuloj ferrin,
-çmendurinë femrore,
-lartoj seksin patabu,
-besoj tek steriotipet femrore/ seksistet/ feministet/ pacifistet,
-rinjohu Krishtin.

2. (Dickinson):
-dhimbjen,
-paralizë shpirtërore,
-humbje e arsyes,
-vuajtja si lumturri,
-vuajtja si lartësim/katarsis/puritanizëm,
-vetmia/besimi tek trinia e shenjtë,
-autocensurë.

  • Dashuria/ndjenja:

1. (Merini):
-kërkonte dashurinë kudo,
-ishte idhtare e lirisë seksuale,
-kishte shumë martesa/divorce,
-ishte në kërkim të lumturisë,
-dashuria si liri/ motivi poetik.

2. (Dickinson):
-mbante sekrete,
-nuk besonte tek dashuria/martesa,
-vuante në heshtje,
-martesën e quante skllavërim,
-dashurinë e lirë kurvëri/imoralitet.

Studimi Krahasimtar:

Ky studim për herë të parë, sjell para lexuesit shqiptar, spiralizmin (lat. spiralismo), është një lëvizje letrare, një konceptim i tërë estetik dhe jo vetëm një çast i historisë letrare, bën paraqitjen e veprës letrare jo vetëm me fuqinë e fakteve, por edhe me lidhjen organike të zhvillimeve dialektike dhe historike të ndërthurura me vetëdijen e personazheve, që ndikohen nga prania e njëri-tjetrit dhe ajo e natyrës kemi një spiralizëm psikologjik, një përshkrim që ndërthur në formë spiraleje bashkëveprimin e natyrës me ndijimet, perceptimet, ngacmimet, ndjenjat, mendimet, përsiatjet e vazhdueshme dhe gjendjet e brishta shpirtërore që japin mesazhe të thella nga një personazh tek tjetri, por nuk mungon as Ens Realissimum (qenia më reale), pra Zoti. Spiralizmi ose trans/spiralizmi ndryshe nga realizmi, është art demokratik, por hera-herës bën dhe theksim të tepruar të disa elementëve të realitetit. Spiralizmi, është një lëvizje letrare që nuk e ndryshon ndjenjën e masës apo të shtrembërojë realitetin, si në poezi por edhe në prozë.

Bibliografia:

1.Alunni, Roberta. (2008): Alda Merini: l’“io” in scena. Florence: Società editrice Fiorentina.
2.Ashton, Jenifer. (2005): From modernism to Postmodernism, Cambridge University Press.
3.Bennett, Paula. (1986): My Life a Loaded Gun: Female Creativity and Feminist Poetics. Boston: Beacon Press.
4.Bloom, Harold. (2008): Bloom’s How to Write about Emily Dickinson. Anna Priddy, New York.
5.Dickinson, Emily. (1960): The Poems of Emily Dickinson. Ed. Thomas H. Johnson. 3 vols. Boston: Little, Brown.
6.Gregson, Jan. (1996): Contemporary Poetry and Postmodernism. Dialogue and Estrangement. London.
7.Goffman, E. (1961): Asylums: Essays on the social situation of mental patients and other inmates. Anchor Books.
8.Irigaray, Luce. (1993): Sexes and Genealogies. New York: Columbia University Press.
9.Kristeva, Julia. (1981): “Women’s Time”, Sings 7:1
10.Merini, Alda. (2017): La pazza della porta accanto, “Giunti”, Firenze-Milano.
11.Moi, Toril. (1985): Sexual/Textual Politics: Feminist Literary Theory, London (ed), 1986. The Kristeva reader, Oxford: Oxford University Press.
12.Sarup, Madan. (1993): Post-Structuralism and Postmodernism: Great Britain, Ashford Colour Press Ltd. Gosport, Hamshire.
13.(2012): The Princeton Encyclopedia of Poetry and Poetics. Princeton University Press.
14.Wolff, Cynthia Griffi. (1986): Emily Dickinson. New York: Knopf.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.