back to top
12.5 C
Tirana
E hënë, 29 Prill, 2024

Puzzlle, me krijue nji portret të Pessoas përmes ndjesive – Parathanie nga Jozef Radi

Gazeta

Fernando Pessoa /Poeti kjo krijese e shtirun
Fernando Pessoa /Poeti kjo krijese e shtirun

Puzzlle, me krijue nji portret të Pessoas përmes ndjesive

Parathanie nga Jozef Radi

Nostalgjia ma e dhimbshme asht ajo ndaj gjanave që s’kanë ekzistue kurrë…
Fernando Pessóa

Pessoa ka kenë nji njofje graduale, nji dëshirë me e eksplorue botën, n’at jehonë që kishte marrë vepra e tij, n’veçanti mbas vdekjes… Kështu fillova me e lexue Pessoan, me e shijue botën e tij të magjishme. Ma e para vepër që lexova ishte nji libërth që në vjetin 2003, kishte edicionin e 11 të botimit.
E blèva… e m’ka shijue mjaft: “Poeti kjo krijesë shtirake”. Drejt me thanë qysh n’at kontakt t’parë, pata nji shtysë emocionale me pasë nji qasje pak ma ndryshe. N’ato vite bashkëpunoja me revistën “Ars”, ku mbuloja nji rubrikë, “Qiell i Përtejmë” me intervista, përkthime dhe esse që lidheshin me botën e letrave jashtë Shqipnie… Në njenin prej numrave të kësaj reviste, nisa me përkthye pjesë prej këtij libri, mbasi besoja se raporti me Pessoan, kishte me përparue e kishte me e kapërcye dukshëm at raport ndjesish t’nji lexuesi të thjeshtë, mbasi po formoja rreth tij gradualisht at ndjesinë e përkushtimit. Rreth vitit 2005, përgatita nji shkrim shoqnue me aforizma të Pessoas edhe ky ishte hapi im i parë i guximit drejt tij.
Librin e kisha përkthye qysh herët e mbeti nji knaqësi e rrallë, sepse ajo përzgjedhje e realizueme prej nji poeti italian, si Antonio Tabucchi, i cili kishte vjelë me kujdes nga pjesa ma e madhe e veprës së tij at nektarin filozofik edhe humanist të Pessoas… E kështu fillova me u marrë me Të, bile edhe ta kryeja si detyrim shpirtnor, mandej e lashë në heshtje, pse pashë që e kishin përkthye edhe të tjerë, edhe e lashë pak “me fjetë” në pritje t’nji emocioni shtytës ma të fuqishëm me guxue me e sjellë Pessoan në shqip… Sot e quej tejet të randsishme që Pessoa i kësaj vepre, asht tue shkue, edhe simbas frymës seme, ndër lexuesit shqiptarë. Simbas konceptit tim, mbasi e kam kalue shpesh nëpër duer kët lloj përkushtimie ia kam dhurue at dozën e e latueme e të domosdoshme të gegnishtes, që e ndërfutun në shpirtin poetik të Pessoas, i ka dhanë nji frymarrjen edhe ma të gjanë atij… E kët hapsinë, Pessoas ia jep gegnishtja, kështu lexuesi sqimatar i shqipes ftohet me u futë në Botën magjike të Pessoas edhe përmes këtij botimi. Besoj se ky libër esencial, ka me qenë nji shërbim i vyem për shumë dashamirë të vlerave të vërteta të artit poetik e të shkrimtarëve të vërtetë…
qershor 2023

Fernando Pessoa /Poeti kjo krijese e shtirun
Fernando Pessoa /Poeti kjo krijese e shtirun

Fernando Pessoa, (1888-1935) veç mbas vdekjes mbrriti m’u vlersue si nji prej figurave ma të randsishme në letrat portugeze të shekullit të 20-të, dhe jo vetëm, por mbas vitit 1942, kur Akademia Portugeze e botoi veprën e tij të plotë, ai erdh tue u njoftë në krejt Europën po edhe ma gjanë. I lindun në kryeqytet, në Lisbonë, aty ai kaloi edhe pjesën ma t’madhe të jetës. Pessoa asht i njoftun për opusin e gjanë që përfshin vepra e tij, tue fillue prej poezive, tregimeve e deri te esetë filozofike, nji grimcë e të cilave asht përfshi edhe në kët vepër. Por ajo çka e ban edhe ma të veçantë figurën e këtij metafiziku të shkëlqyem n’letërsi asht shumsia e heteronimeve të cilat ai përdori, si të thuesh pseudonime ose personalitete fiktive mbi të cilat ai u mbivendos tue krijue e nënshkrue vepra letrare me këta emna, produkt i nji fantazie tejet të lulzueme. Mbas çdo heteronimie te krijueme prej tij, o mbas çdo peudonimi të vetvetes nuk ishte thjesht nji emën i sajuem prej tij, po nji personalitet që kishte gjithçka të konfigurueme kjartë në karakterin, stilin, mënyrën e të menduemit e të shkruemit…
Janë të pafundme heteronimitë e përdoruna prej Pessoa gjatë tanë jetës së vet.

***
Fernando Pessoa, si nji ndër personazhet ma të mëdhenj të letërsisë së shekullit të XX, nji pjesë të mirë të jetës letrare e ka jetue thuajse n’heshtje të thellë brenda nji rrethi të përcaktuem shoqëror. Tue qenë nji eksperimentalist i vetvetes dhe i botës rrethuese, mund të thuhet se ai ka qenë ndër shkrimtarët ma të randsishëm në kërkim të thellësive të vetvetes dhe thellësive të njeriut… Në t’njajtën kohë ai ishte poet, prozator e eseist i nji përmase të rrallë, thuejse i papërcaktueshëm për arsye të heteronimive të shumta me të cilat e kishte “mbytë vedin”, me gjithë botimet dhe vlerat që ai na ka përcjellë, ende ka pjesë enigmatike, të cilat vazhdojnë me e plotësue figurën e tij, tue e çue pak nga pak n’ato naltsi e n’at vend që ai meriton në letërsinë Europiane edhe atë të përbotshme…

***
Fernando Pessoa, kjo figure enigmatike, ndër ma komplekse e letërsisë portugeze edhe asaj botnore… ky artist i madh fragmentar, për të cilin asht pak e vshtirë me dhanë nji përcaktim të plotë e i saktë, po asht gjithsesi e pamundun mos të thuesh se Ai asht shkrimtari madh…! Po… shumë i madh! Pessoa ka lanë mbas vedit nji vepër shumpërmasash, nji shumsi shkrimesh si konstelacione, që prekin zhanre të ndryshme krijimi, prej të cilave del nji mendim i trazuem dhe origjinal, i karakterizuem prej pikpyetjesh e enigmash të shumta, që e bajnë edhe ma joshëse e ma të dashtun veprën e tij…
Pessoa, ka me mbetë ndër ata poetë që m’ka mundue ma së shumti në sjelljen e tij në shqip… pse n’vend që me gërmue un te Ai, asht Ai që pa e kuptue ka gërmue mbrenda meje e s’ma ka ba të lehtë m’u marrë me të… pse ai tehu i mprehtë i fjalës, i mendimit dhe ndjenjës, të vret n’se ti s’e ke kuptue si dhe sa duhet botën e tij, lene mandej po ta kesh keqkuptue… apo keqshkrue!!! Ky pra, asht Fernando Pessoa sipas meje, me të cilin merrem prej ma shumë se nji dekade… e kam botue veç pak gjà prej tij, diku e dikur n’Ars-in e 2004-ës… e mundem me thanë: s’asht lehtë m’u mbrritë Pessoa, dhe s’di edhe sa m’duhet që Ai nji ditë t’më pranojë si mik të vetin… Mundem me thanë se u banë shumë kohë që me droje ia lypi kët nder… Ai veç hesht… e asgjà ma shumë…
Ju mbetet lexuesve të mi, m’u ba fjalëmirë, n’se e ndeshni Pessoan n’përkthimet e mia!!
2003-2014

Tabakhania, kjo Poemë magjike e Fernando Pessoa-s, mundet me u shijue prej gjithkujt, e n’veçanti prej atyne që mbrrijnë me e kuptue mundimin për me e sjellë sa ma bukur e sa ma korrekt n’nji shqipe të ambël, përmes njasaj dashnie e atij përkushtimi pafund që meriton kjo poemë…
S’asht fjala n’se mundesh me kenë i kënaqun veç ti prej asaj çka ke mbrritë, po secili që merr guximin me e lexue e me i dalë n’bregun tjeter kësaj poeme t’pashoqe… Shpesh m’asht dukë, sikur kësaj poeme, i kam dhanë mjaft prej vedit, shpesh e kam ndje si nji kantier gjithnji n’kambë për ma shumë se dhjetë vite… Nëse them se: i jam kthye kësaj poeme edhe njiqind herë, m’besoni, më duken pak… nëse ndokush mendon se e kam mbarue, e s’kam me e prekë ma, gabon…!! Veç mbas leximit t’asaj pakice poetikisht e kultivueme (uroj gjithnji të jetë o të bahet shumicë), n’se kjo poemë ju shfaqet gjithnji e ma e bukur e ma e dashtun për Ju, mund të jetë dëshmia e vetme pse m’asht dashtë me u sjellë i matun i kujdesshëm me krejt magjinë e derdhun prej Pessoas në këto vargje të saj… Kjo poemë, (gjithnji simbas meje), ka mbrenda gjithçka, që quhet magji e jetës…
jozef radi, 13 qershor 2014

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.