back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 6 Dhjetor, 2024

Mësuesi Kel Kolë Vila – (1894-1963) – Smajl Bala

Gazeta

Mësuesi Kel Vila (1894-1963)
Mësuesi Kel Vila (1894-1963)

Dy fjalë në përkujtim të mësuesit Kel Vila…

nga Jozef Radi

Kel Vila, asht daja i vetëm i Lazër Radit, prej të cilin e kam ndigjue shpesh të fliste me stimë e respekt të veçantë, (jo thjesht pse ishte daja i tij), po duke vlerësue përkushtimin e Kel Vilës, në kohë m’u dha mundësia me e ndërtue me mendje figurën e këtij mësuesi që i ka dhanë mjaft arsimit dhe shkollës shqipe, po që ne s’mujtëm as me e njoftë, as me ruejte kujtime, për faktin se ai iku herët pa i mbushë 70 vitet… po edhe pse ai u ndëshkue dhe u hesht gjatë ndaj tij, po edhe pse ne tjerët, qemë degdisë larg e keq, për me mujtë me i mbajtë afërsitë e domosdoshme me njerzit tonë ma të afërm…
Veçse di me thanë, se Kel Vilën e kisha të ruejtun në kujtesë jo veç përmes përshkrimeve të tim eti po edhe përmes do fotove të pakta që i kishim ruejtë në familje… dhe vite ma vonë… Kur kohnat u banë “pak ma normale”, në shtëpinë e njenës prej vajzave të Kelit, zonjës Ana Kamsi, munda me gjetë e me i hjedhë nji sy nji dorshkrimi me kujtime të Kel Vilës… dhe me i shtue atij edhe nji përmasë tjetër vlere! Ishte nji njohje emocionuese… sepse gjeta ma s’pari at kaligrafinë e tij të përsosun prej mësuesi; pashë at rregullsinë e tij strikte, si i ardhun prej “dojçkulturës”; njofta at pasionin e tij me dëshmue at pjesë energjike të jetës së vet kur themelohej shteti shqiptar dhe ndjeva at sinqeritetin e tij në të rrëfyem me nji gegnishte aq të bukur e aq të ambël… Pra, gjeta shumçka prej tij… dhe m’u duk si të ishte nji zbulim arkeologjik…
Dhe besova se Kel Vila, s’e kishte lanë vedin me ikë prej kësaj bote pa lanë gjurmët e veta.
Iu luta së bijës Anës, nëse mund t’i lexoja me kujdes e t’i kaloja edhe në kompiuter ato shënime, i bindun se ato 5-6 fletore dorshkrimesh, ishin nji thesar i vogël, dhe se në vlerësimin dhe stimën e tim eti ndaj dajës së vet, po shtoja edhe unë diçka të vogël, krejt të vogël, të nxjerrun prej harrese…
Mandej, kohë ma vonë, figurën e Kel Vilës e gjeta edhe në nji foto të vitit 1923, midis Shkodrës intelektuale dhe ky ishte edhe nji sodisfaksion plotsues jo i vogël për mue, aty afër At Gjergj Fishtës, e shkodransh të tjerë me mjaft emën…
Mësues Keli, në këto shënime kallzon të vërtetat e veta të nji kohe të largët. Ato faqe të pakta të mbrrituna deri te ne, do të jenë të domosdoshme me u përcjellë edhe ndër lexues të tjerë…
Me lejen e familjes, kam me publikue herë mbas herë pjesë me interes prej këtyne shënimeve… mjaft prej tyne do të jenë pjesë të asaj historie, për të cilat janë krejt të paktë ata që na kanë lanë ndonji shënim të jetës së tyne… e pra mësuesi Kel Vila e ka ba nji gja të tillë, pa shpresue ndonji lloj lavdie, pa dëshmue asnji lloj heroizmi…
28 qershor 2014

Shkodra e dikurshme
Shkodra e dikurshme

Mësuesi Kel Kolë Vila – (1894-1963)

nga Smajl Bala

“Historiku i shkollave dhe mësuesit e Shkodrës”

Lindi në Prizren me 2 tetor 1894, në nji familje me tradita patriotike, kulturore e arsimore. Të parët e tij ushtruan dhe trashëguan më së shumti profesionin e kujunxhisë, përmes të cilit përballonin jetesën.
Mësimet e para Keli i mori në vendlindjen e tij, ku qysh në fillore shfaqi shenjat e nji fëmije të zellshëm e të zgjuar, që i përpinte gjitha mësimet e kështu arriti të renditej ndër më të mirët nxënës të klasës e të shkollës. Për fat, aso kohe ai pat mësues emra të përveçëm të arsimit shqiptar, si Mati Logoreci, Ndoc Kodheli e Hoxhë Tahir Efendinë.
Rezultatet mjaft të mira që arrin në mësime i hapin rrugën, që falë gjendjes së mirë ekonomike, po edhe ndihmës së Imzot Trokshit, Arqipeshkëv i Dioqezës së Shkupit, në vitin 1907, Keli 14 vjeçar do të udhëtojë drejt Austrisë. Siç duket një vit ai ka qëndruar atje për të mësuar gjuhën, mbasi e shohim të regjistruar në shkollën tregtare të Vjenës, në vitin 1908, ku vijon rregullisht deri në vitin 1911. Zotërues i tri gjuhëve të huaja si: italishtes, gjermanishtes dhe turqishtes, shpejt studenti shqiptar do t’i bjerë në sy të stafit të pedagogëve për vullnetin që e karakterizonte. Gjithnji duke shfletuar libra, sa në auditore sa në biblioteka. “…Ka një zotërim të thellë të lëndëve dhe për ketë çmohet e vlerësohet mjaft mirë në diplomën që merr atje.”

Mati Logoreci (1867-1941)
Mati Logoreci (1867-1941)

Për këtë shkollim të Kel Vilës, në IASH, kemi nji konfirmim dokumentar: “Eshtë mësues në Shkollën e Parrucës. Ka kryer Shkollën Tregtare të Vjenës së Austrisë. Lexon shumë Libra!”
Emrimin e parë, pas kthimit në atdhe, e merr si mësues në Berat, në vitin 1913, me dekret të qeverisë së Ismail Qemalit. Më pas shërben po si mësues në rrethe si Durrësi dhe Kukësi, madje në rrethin e Kukësit ai ka kryer edhe detyrën e inspektorit të arsimit, duke dhënë një kontribut të çmuar patriotik e atdhetar në hapjen e shkollave të Krumës, Tropojës e në ndërtimin e konviktit të Bicajt, që shpejt u pat bërë qendër e arsimimit dhe e edukimit të fëmijve të kësaj krahine po edhe më gjerë të Kukësit, të Vlorës, të Lezhës, të Koplikut dhe Shkodrës.
Me transferimin e tij në Shkodër fillon mësues në konviktin “Malet Tona” e më pas në shkollën fillore të Parrucës. Në nëntor të vitit 1924, është mësues në shkollën orthodokse në Shkodër, ku ka dhënë lëndët: gjuhë shqipe, histori, e dheshkronjë.
Më pas si për gjithë mësuesit e tjerë, pasojnë disa emërime e transferime edhe për Kel Vilën: në shkollën fillore “Teuta” (1926-1926) ku dha mësim në klasën e parë, sërish në shkollën orthodokse (1928), më pas në Shkollën e Jezuitëve e të Françesknëve në Shkodër, ku dha mësim në Klasat e para. Viti 1929, e gjen mësues në shkollën “Skanderbeg”; në vitin 1931 në shkollën “28 nandori”; në vitin 1933 transferohet zv.drejtor i Konviktit të Malsisë së  Lezhës; dhe pas dy vitesh sërish nji rikthim në shkollën “28 Nandori”. Në vitin 1936, transferohet në shkollën e Koplikut, ndërsa dy vite më pas zv.drejtor te “28Nandori”, ku njëkohësisht dha mësim në klasat e I dhe të III.
Mbas çlirimit të Shqipërisë nga nazifashistët, shërben si mësues në disa shkolla si në Bobot, Vidhgar, “10 Korriku” e Hot i Ri, e ku mbas 37 viteve karrierë, me 15 mars 1951, pushohet nga puna, e më pas arrestohet dhe interrnohet për motive politike në kampin e Tepelenës, mbasi djali i tij ish-student në Gjimnazin e Shtetit në Shkodër, qe antikomunist, dhe si i tillë arratiset nga Shqipëria në vitin 1951.

Shkodra Intelektuale 1924 (Kel Vila me X)
Shkodra Intelektuale 1924 (Kel Vila me X)

Gjatë gjithë karrierës së tij si mësues, Kel Vila është vlerësuar nga organet përkatëse mësimore për aftësinë mësimdhënëse dhe rezultatet në ngritje në përparim, frekuentim dhe cilësi note të nxënësve. Mjafton të citojmë vetëm një pjesë nga raporti vjetor i shkollës “Teuta” për të në vitin 1925 drejtuar IASH dhe të bindemi: “Ka dhanë mësim në klasën e I e ka tregue mjaft zotësi, kujdeset dhe ka frut…”. Është marrë me përpilimin dhe hartimin e teksteve për shkollat fillore. Ishte veprimtar i shoqërisë “Dija” që drejtohej nga Gjergj Pekmezi, nji shqiptar nga Struga.
Me 28 Nëndor të vitit 1912, merr pjesë në ceremoninë e ngritjes së Flamurit Kombëtar dhe të shpalljes së Pavarsisë së Shqipërisë. Në 1913, merr pjesë në çetën e rinisë së Beratit pro qeverisjes dhe kundra kryengritjes së Haxhi Qamilit në krahinat e Vlorës, Fierit dhe Lushnjes. Me ardhjen në fuqi të qeverisë së Esat Pashë Toptanit Kel Vila emigroi jashtë shtetit, në fillim në Brindizi të Italisë, më pas në Trieste, Zyrih, Vjenë, Bukuresht dhe Sofie…
Për kontributin e tij në fushë të arsimit, por edhe në fusha të tjera, Presidenti i Republikës, Sali Berisha, me Dekretin nr. 459, dt. 13/02/1993, i jep Kel Vilës titullin “Mësues i Merituar” (pas vdekjes), me këtë motivacion: “Mësues me aftësi të larta mësimore e metodike, i përkushtuar për formimin shkencor e kulturor të nxënësve, inspirues i proceseve demokratike…”
U nda na jeta me 7 mars 1963
Marrë nga “Historiku i shkollave dhe mësuesit e Shkodrës (1662-1945) vëllimi i parë  (Smajl Bala) fq.182-184

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.