“Lufta jonë me gjetë njeriun, te njeriu s’do të ndalet kurrë…” – Requiem nga Rexhep Shahu

Gazeta

Izet Duraku & Rexhep Shahu
Izet Duraku & Rexhep Shahu
“Lufta jonë me gjetë njeriun, te njeriu s’do të ndalet kurrë…”
Largohet nga jeta shkrimtari Izet Duraku
Requiem nga Rexhep Shahu

Izet Duraku (1956-2026),
një mik i mirë, gazetar, poet, shkrimtar, publicist, botues,
drejtues institucionesh, prej ditës së sotme nuk është më midis nesh.

Miku im i ngushtë Izet Duraku, sot iku në qiell.
Nuk gjendet asnjë fjalë që ma lehtëson dhimbjen se kjo dhimbje nuk duron asnjë fjalë…
Të gjithëve ngushëllime ju miq që po lexoni këtë pikëllim.
Ku ta shkarkoj malin e dyshimeve, ku t’i derdh përrenjte e pyetjeve… vëlla i madh.
Ti u bëre si vëlla i madh për mua për 32 vjet me radhë që nga 1994, kur nisëm të bashkëpunojmë.
Më mësove durimin, qetësinë, kthjelltësinë. Më mësove të mos i kursej fjalët e mira për tjetrin se nuk varfërohem, më mësove t’i kursej fjalët e këqia se ato mbarohen e pastaj duhet me folë me hunj…
Fëmijët, familja, Kosova, Luma ishte gjeografia jote, forca e fuqia jote, përkushtimi yt.
Me doktoreshë Kujtimen bëtë një familje elitare, vajza Eva u bë doktoreshë kardiologe, djali, Vetoni u bë jurist dhe psikolog. Ishe prind shumë i lumtur dhe baba i përmbushur.
Shpesh në jetë ka raste që ua bëjmë të lehtë njerëzve me na urrye për shkak të krenarisë e kokëfortësisë tonë, por edhe me na dashtë. Ishe i ëmbël, i sertë, por gjithmonë i drejtë. Besnik e mik i rrallë që bëje për mikun, sakrifikoje për mikun, i gjendeshe mikut pa u kursyer. Ishe dorë e ngrohtë dhe mburojë e fortë për mikun. Në tre vitet e fundit që isha i pazoti me lëvize, 600 ditë erdhe më takove për kafe dhe qëndisëm bashkë qëndisma të arta.
Ti ishte burrë i urave, inxhinjier i urave e miqsive mes njerëzve.
Është fat kur ke kujt t’i besosh në jetë, unë e pata atë fat që të kisha ty mbi 30 vjet në krah në udhëtimin tonë të bukur nëpër kujtesë ku do të jemi të shënuar.
Ty të mori dhimbja e sëmundjes së ligë, ne na mbuloi pikëllimi.
Bisedat tona nuk do të mbarojnë kurrë, lufta jonë me gjetë njeriun te njeriu siç thoje ti, nuk do të ndalet kurrë.
100 numrat e parë të revistes illz që kemi projektuar bashkë gjatë një dekade do të dalin e do të ndriçojnë me ndihmën e Zotit e të Flamurit tonë.
Nën kujdesin tënd bëmë revistën Dy Drina, revistën Kallz, revistën illz, kampione e derisotme.Ti ishe gazetari profesionist në gazetën Bashkimi që ngrije probleme, po kurrë s’bëre problem as konflikt padrejtësie me askënd.
Ti u bëre drejtori i parë i radio Kukësit në pluralizëm dhe guxove e dite ta bësh radio Kukësin një radio kombëtare për Kosovën jo me këngë po me fjalë, dite të krijosh e të motivosh një skuadër gazetarësh profesionistë si misionarë lirie, të gatshëm për mediat e huaja botërore me emër, krijove një shkollë gazetarie buzë flakëve të luftës.
Këtë historia, jo politika, do ta dëshmojë edhe pse njerëzit nuk e tolerojnë atë që s’e bëjnë vetë.
Ti ishe ndër njerëzit më të ditur më të lexuar që njoha në jetë. Ishe shkrimtar i hollë. Ti dite të bësh poezi të bukur, letërsi të bukur e inteligjente që do të jetojë gjithmonë jo nga sasia por nga cilësia.
Dite të jesh kryetar i shkrimtarëve në Kukës, nga ai lloj kryetari që nuk i ikën e nuk i shmangesh askujt.
Po të lexoje çfarë shkrova, kishe me m’thanë, boll mo se fole gjatë.
Lamtumirë Izet, mik i rrallë që do të më mungosh rëndë.
Marrë nga Muri i FB, Rexhep Shahu, 21 tetor 2026

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit