back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 26 Prill, 2024

Legjenda e Fran Djallit nga Vermoshi… Jozef Radi

Gazeta

Fran Tinaj mes djemve të kampit  Savër -1989
Fran Tinaj mes djemve të kampit Savër -1989

Legjenda e Fran Djallit nga Vermoshi…

nga Jozef Radi

Fran Tinaj, ishte nji malsor i thjeshtë prej Vermoshi. N’rini të vet kishte krye detyrën e luftëtarit në krah të legjendës së Kelmendit, Prek Calit, kundër aradhave komuniste që msynë rezistencën e fundit shqiptare: atë të malsorve kelmendas… të cilët duke u rezistue midis dimnit të egër dhe ekspeditave ndëshkuese të Mehmet Shehut dhe jugosllavëve që: “u dhanë besë të pabesëve” dhe tragjedia e tyne tashma dihet… Frani i ri, e pat ma të lehtë me marrë arratinë e me dal në Mal të Zi… se me u dorzue! Mbasi kalon disa vite në mërgim… ai rikthehet në atdhe mbas nji amnistie… po tash jo vetëm… sepse n’at humorin e tij klasik prej malsori të zgjuet, do të shprehej: “Po burra, s’hika dot pa jua përla nji shkinë, qenve t’Malit t’Zi…!! Pse a, pak na kan ra n’qafë… Po t’u kcejmë edhe na nji herë n’shpinë atyne… e t’shofin shqiptarë me sy…!” dhe Hahahaha… e tij, ajo e qeshun sa e çiltër aq edhe djallzore… rrinte pothuej pezull, i gatshëm për ndonji batutë tjetër…
Fran Tinajn, prej maleve të Vermoshit, e zbritën në baltat e Savrës aty rreth vitit 1959-60… Babë i tre djemve dhe nji vajze, Mirashit, Martinit, Tomit dhe Ritës, me gruan malazeze të quajtur Kostandina Kastratoviç – Tinaj jetuan aty per gati 14 vite! Asnjeri n’botë s’ia gjente kuptimin, pse Frani e thërriste gruan e tij “Mace”, çka na detyroi natyrshëm edhe gjithë ne të tjerëve komshinj, e banorë të Savrës që e njihnim dhe e respektonim, ta thërrisnin at grue mjaft fisnike… asgja ma shumë… pos ashtu si Frani: Mace…! “Hajt burra, Mace, edhe e ka tepër… Bile duhet me na thanë edhe falemnders!”… por në të vërtetë e donte dhe e respektonte mjaft!
As interrnimi i gjatë në Savër, as njëzet vitet e burgut që do ta ndiqnin ma pas, s’ia thyen aspak as burrninë dhe as krenarinë e tij malsore. Përkundrazi e banë atë edhe ma t’paepun deri kufijtë e  njeriut legjendë… Sepse atëherë, në fëmininë tonë, shfaqej nji film “Legjenda e Fra Diavolos” ku nji prift i famshëm i quejtun Fra Diavolo, i luejtun mjeshtërisht nga aktori francez Zherar Filip…  tallesh me krejt nji ushtri, njashtu edhe ai burri prej Vermoshi, Fran Tinaj tallej me krejt pushtetin e nji shteti… Ai ka për t’u mbajtë mend prej gjithë atyne që e kanë njoftë, dhe atyne që e kanë ndeshë rastësisht, po edhe prej atyne që s’e kanë njoftë kurrë, sepse historitë, sfidat dhe shpërfillja e tij ndaj pushtetit dhe pushtetarëve të kuq, janë rrëfye kaq shumë dhe janë përcjellë aq me dashuri, sa unë mbetem i bindun se kanë me u rrëfye gjithnji… sepse krahas humorit, që ai e kishte kaq të natyrshëm dhe spontan, ai kishte edhe shumë kurajo malësori. Ai kurrë s’u pajtue me pushtetin komunist, përkundrazi në çdo çast e në çdo rrethanë ishte i gatshëm për sfidë, në shpërfillje të krejt konseguencave që mund t’i sillni qëndrime të tilla…
Ky rrëfim për Fran Djallin e Vermoshit s’mund të jetë kurrë i plotë, sepse asht thjesht rrëfimi im, asht thjesht njohja ime (jo e pakët) me at njeri… Po jam i sigurt se ditë mbas dite, ka me ardhë duke u plotësue figura e tij… Sepse s’janë të paktë ata që e kanë njoftë në interrnim, në burg, po edhe në Vermosh, ku ai u rikthye mbas 40 vitesh odise vuejtjesh, e ku vdekja e tij… mbetet sigurisht nga ma të dhimbshmet që mund të rrëfehet…
Në këtë rrëfim timin, krahas të vërtetave të shumta, ka me pasë edhe mjaft humor të improvizuem prej Fran Tinajt… sigurisht humor-sfide ndaj Pushtetit… çka e ban atë nji ndër personazh model të antikonformizmit, antikomunizmit e të malsorit rrebel e shpërfillës ndaj regjimit, i cili vërtet ia shkurtoi dhe ia rrënoi jetën dhe familjen… por edhe ai i dëshmoi se burrnia e malsorit asht nji sakrificë për të cilën dikush duhej me pague…
Dhe Ai malsori i Vermoshit i quejtun Fran Tinaj, pagoi si askush tjetër!!Dy djemte e Franit - Mirashi dhe Martini

Dy nga djemte e Franit (Mirashi dhe Martini)
Dy nga djemte e Franit (Mirashi dhe Martini) – Saver 1965
***
Në mbramjet e fëminisë sime, n’ato barrakat prej pupuliti e katramaje, shfaqej Fran Tinaj, njashtu epik siç janë zakonisht malsorët, ndër recitime të gjata ku thuheshin përmendësh vargje pafund prej “Lahutës së Malcis” së Gjergj Fishtës… Rridhte aq bukur recitimi i tij sa na mahniste gjithë ne fëmijve… Na dukej e pabesueshme, që nji njeri mundej me recitue ashtu pa u ndalë aq shumë vargje, që rimonin e ritmonin aq ambël aq bukur… Na dukej si nji përrue qi rridhte ndër melodi… dhe veç dikush prej nesh ia prishte sadopak at magjinë e recitimit: ai e linte “Lahutën…”, dhe ashtu i nxehun e po gjithnji tuj qeshë zbrazte nji prej atyne shprehjeve të famshme të vetat: “Hajt qena, krisni bythën e shkoni, se po s’harxhoj frymë kot me do mushka katundi!!!”
Ne ishim fëmijë… dhe përrallat tona të para qenë ato kangë të “Lahutës së Malcis”; ata personazhe të gdhendun mjeshtërisht prej Padër Gjergjit si: Oso Kuka, Soko Tona, Kerrni Gila, Gjergj Elez Alia, Kaçeli, Zana e Durmitorit, Zana e Vizitorit, Ora e Shqypnisë, që ma s’pari n’jetë i kam ndigjue me nji habi mahnitëse prej atij malsori vermoshas: Fran Tinaj! Edhe sikur vetëm kët gja te kishte ba, duhet t’i mbetem përjetë mirnjohës atij njeriu…
Më duhet me theksue shpesh, se Frani ishte i lindun me humor të hollë e brilant, se ishte krenar për vendlindjen dhe traditat malësore… se ishte prind i katër fëmijve, e të katërt ata ishin të parët e klasës… Se ai i tallte ata si askush, bile edhe gruen e tij malazeze, edhe pse e donte dhe e respektonte mjaft, e shpesh me tallje i thoshte edhe: Po ku je moj “shkinë”, pse kujtove se e ke kollaj me shqiptarë?! e për me e bà edhe ma të plotë portretin e tij, duhet shtue se gruas së vet s’i thirrte kurrë në emër, po… me at nofka përçmuese si Kokmadhi, I çmenduni, Banditi, apo Mace… gruen e tij që e gjithë Savra e thërriste: Mace…
Historitë e Franit, janë të pafund, sepse ai improvizonte çdo çast diçka me humorin e tij “të mbrapshtë” por i thoshte me kaq seriozitet sa çarmatoste këdo që kishte përballë…
Po përpiqem të jap disa nga ma të famshmet e Franit…
Baraka e Fran Tinajt
Baraka e Fran Tinajt

***
Ishte kohë aksionesh dhe gjithë sektori duhej të dilte në katër të mëngjesit për korrje misri… Mbasi s’kishte mbetë kambë njeri në rrugë, përgjegjsi i sektorit Mërtik Ç., po kthehej në sektor. Në hyrje të Savrës ai ndesh Franin si gjithnji ashtu i qetë e moskokçarës… E sheh përgjegjësi dhe i nervozuar nis t’i bërtasë për vonesën, po edhe duke e futë nëpër kallëpe politike për shpërfilljen e aksionit, indiferentizëm dhe mosrealizimin e normës…
Pa e prishë terezinë hiç, Frani po e ndigjonte! Në fund mbasi e la të shfrynte përgjegjsin i thotë:
“Ndigjo ktu, or Mertik Ç. Mbramë kam qenë i thirrun për darkë me do njerëz te darkë Nikoll Mërrnaçi. Kem ndejtë deri vonë tuj pi raki e tuj ba muhabet. Nikoll Mërrnaçi asht burrë e s’mund t’i çohesh prej tavoline, se paska pasë aksion ne nesre… Po ne burrë, aksion kem tanë jetën. Ja bre përgjegjës, s’më doli gjumi… ça me ba more zoti Mërtik, janë do punë të gatrrueme k’to darkat e malsorve dhe ju myzeqarët nuk i kuptoni fort mirë…
E ndërsa Frani i fliste qetësisht, përgjegjsi turfullonte e shkumëzonte duke i ba propagandë Franit për aksionin dhe pasojat që do të kishte prej vonesës.
Kur e pa se ai po vazhdonte me të vetën… Frani me at qetësinë e tij shkatërruese, duke e ditë që përgjegjsi ishte me nji sy, i thotë:

Ma kadalë bre burrë, ma kadalë… Se ti nji sy ke dhe e ngop kollaj me gjumë, po ça t’bajmë na t’shkretët që kena dy sy n’ballë dhe s’i ngopim kollaj me gjumë…!!
E ndërsa përgjegjsi vazhdonte britmën, Frani vazhdoi krejt i qetë rrugën, si të mos kishte ndodhë asgja…
Kjo puna e gjumit, që ai me nji sy mund të ngopesh kollaj me gjumë, mori dhenë… Po Frani as donte me ia ditë asaj ane…

Fëmijët e  Franit (Tomi e Margarita) Savër 1967
Fëmijët e Franit (Tomi e Margarita) – Savër 1967
***
Histori mjaft e bukur asht edhe ajo e kostumeve të Franit.
Nji kushëri i afërm i Franit, mbas rrebelimit dhe vrasjes së heroit të Vermoshit Prek Calit, së bashku me Franin arratisen. Ai s’u kthye prej amnistisë, po qe vendosë në Zvicër, ku jetonte prej vitesh si emigrant politik… e sigurisht jetonte mirë… Në nji letër mes të tjerave ai i shkruente Franit se: “…të kam nisë nji pako e madhe me u dukë njashtu si ti ke qejf. T’kam futë gjithça mbrendë, për ty gruen e fmijtë…!”
Dhe nji ditë të bukur na vjen pakoja… Vërtet kishte qenë e madhe… nja njizetepesë – tridhjetë kile, kryesisht tesha e veshje… E hap Frani dhe shef se kushërini i tij, Toma prej Zvicre, na i kish çue jo pak po pesë kostume klasi, njeni ma i mirë se tjetri, qep për qejf, të gjithë prej stofi të shtrenjtë englez!!
Frani i shihte kostumet qeshte me at ironinë e tij, e mërmëristë nëpër dhambë… “Mirë, mor Tomë mirë! Po t’hangshin shtatqi dreqën pse s’na ke çue ndoj gja me hangër, se do t’ishte shumë ma mirë!”
Në fillim të viteve gjashtëdhjetë, njerëzit me kostum nëpër qytete shqiptare, ishin gja e rrallë… Lene mandje nëpër katunde, apo kampe interrnimi! Kurse Frani tashma aty n’Savër kishte jo pak, po pesë kostume.
-Po i vesh burra, krejt k’to kostume, se me u veshë janë, a jo?! – fliste e qeshte ai në monolog me veten, ndërsa ne fëmijët e shihnim me habi – Po edhe n’apel besa, s’kam pse shkoj ma me zhele pune, po shkoj me kostum, si zotni… Ata për zotni na kanë sjellë këtu. E unë jam zotni… le ta marrin vesh edhe kapterr Hekurani, edhe kolonel Llazari se jam hala kam mbetë zotni… dhe Hahaha-ja e tij fluturonte barakave… Po, na zotni kena le bre… Hahaha… E zotni kena me dekë! Haha… Hajt burra, se nji jetë kena! Haha… Dhe ecte serbes Frani me kostum midis Kënetës!
Mbas çdo gjysë fjalie që thoshte, ishte ajo e qeshuna e tij sa tallse dhe ironike…
Gjithnji me at gazin e natyrshëm me shpirtin e sfidës ndaj së keqes, me ngrehjen prej kokoroshi që ia jepnin kostumet e reja. Dhe paraqitesh n’apelet e mëngjesit edhe të mbramjes, ne daljet ne Lushnje, jo ma si nji i interrnuem fatkeq, po si nji dhandër i nisun për dasëm…!!
Me nji fjalë, Frani n’Savër, u ba kryefjalë…
Të kishe n’at kohë nji kostum, të krijohej menjiherë ideja se ishe njeri i pushtetit. Dhe njerëzit ma të fuqishëm t’pushtetit, ishin njerëzit e Partisë dhe ata të Degës së Mbrendshme, që mbanin gjithnji kostume rrobaqepsie me fshehë edhe pistoletën, që gjithnji e kishin qejf me iu dukë paksa tyta: si dëshmi force se: pushteti ishte i tyne… po Fran Tinaj, me at moskokçarjen e tij proverbiale dhe sfiduese, vazhdonte t’i vishte kostumet, nganjëherë edhe kur shkonte në punë!!! Atje ndrrohesh dhe punonte si gjithë tjerët, (edhe pse me thanë të drejtën edhe fort qejf punën s’e kishte!!) Po duhej me mbajtë ata katër fëmijët, që i kishte dy vjet e m’dy vjet, njeni mbas tjetrit!
Nji pranverë, bahesh aksioni i madh në krejt rrethin për pastrimin e kanaleve të mëdha vaditëse, që nisnin prej Rezervuarit të Thanës dhe mbaronin diku afër Rrogozhinës…
Punëtorëve të Savrës u kishte rà hisja diku aty në zonën e Dushkut. Si gjithnji, Frani i fundit në punë, mbi nji biçikletë “Robusta” të zezë që e mbante mirë, dhe i jepte Franit pamjen autoritare se t’ishte mbi kalë… Ashtu i rruem, i ngrehun e i krekosun me kostum, hecte dhe kqyrte përgjat kanalit të madh se ku mund të ishte brigada e tij. Gjithë rrugës, shihte burra e gra të zhytun në llucë, që i vërvisnin lopatat me dhe e baltë deri në pesë-gjashtë metra naltësi. Ishte nji mundim dhe nji rraskapitje e madhe… E ndërsa kalonte ashtu serbes, pa folë me askënd, puntorët e linin punën dhe duke e pà ashtu të veshun shik e të ngrehun ma së miri e merrnin për drejtor, përgjegjës sektori o agronom. Diku nji grup puntorësh i doli para dhe e ndaloi! Ata filluen me iu ankue për normën, për terrenin e vështirë, për mungesën e çizmeve… “Asht e vështirë norma, asht terren i keq… ne kemi pa çizme!” E ndërsa i dëgjonte, Frani vazhdoi përgjat argjinaturës së kanalit duke iu thanë: “Hajt, hajt, jepini burra, lini llafet… punoni dhe mos u ankoni shumë, se sa t’jeni gjallë, keq keni me e pasë…! Po, jepini!”
Këto fjalë sot ndoshta s’kanë asnji farë randsie, po t’thoshe n’at kohë… “Jepini burra, lini llafet… se sa t’jeni gjallë keq keni me e pasë!” – s’ishte e lehtë… dhe kjo shprehja e Franit: u ba proverbiale!!
.
Baraka sot... ku dikur përkthehej "Orlando i çmendun"
Barakat e Savres sot
***
Detyrohem ta theksoj se Frani ishte njeri shume kurajoz po edhe dinjitoz dhe me nji humor therës për kohën… Në ato vite, në Savër, kishte marrë banesë një oficer Sigurimi nga minoriteti, i quajtur Vangjel K. Çdo mëngjez kapiten Vangjeli nisej me biçikletë dhe automatik në krahë, i veshur me rrobën e policisë drejt qytetit të Lushnjes. Një ditë i kaloi afër Franit…
Frani e pa ashtu të veshur dhe i thirri:
-O kapidan Vangjeli! O kapidan Vangjeli!
-Hë more, çfarë ke, çfarë do? – iu kthye ai pak si me inat.
-Po, sa hije t’paskan njato rroba kapidan… Hej ti mos i gzofsh!!
Kapiteni, mërmëriti diçka nëpër dhambë dhe i grahu biçikletes, sepse s’e mori vesh mirë çfarë i kish thanë Frani!
 
***
Frani kishte nji biçikletë “Robusta”, për të cilën kujdesej shumë dhe, nuk ia jepte askujt! Askujt, as fëmijve të vet!
Sa herë ndonji nga shokët e kampit ia lypte: përgjigja ishte e njejta: “Biçikletën s’mundem me ia dhanë askujt në botë…!”
Nji ditë, kur  dikush kambnguli shumë për Biçikletën ai jo pa humor i tha:
-S’mundem bre burrë. Biçikleta dhe grueja duhen mbajtë mirë, se janë për t’hypme! Ja, ti, a e jep gruen?! Sigurisht jo?! Unë pse me ta dhanë Biçikletën!
***
Në vitet ’60, apelin e të interrnuarve në Savër e bënte kapterr Hekuran M., nji burrë i mirë nga fshatrat, e zonës së Imshtës. Për detyrën ai merrte një shpërblim diku rreth 5000 lek në muaj. Një ligj i ashtuquejtun Nëntëmijshi e preku kapterr Hekuranin, dhe e lirojnë nga shërbimi i policisë. Kështu i iku edhe rroga, edhe posti, edhe autoriteti. E megjithatë ai vazhdoi të bënte apelin e të interrnuarve të Savrës, tashmë jo si polic, po thjesht si i besuar që ishte. Po Fran Tinaj që s’mund të rrinte pa u tallë me gjithkënd, i afrohet nji mbramje dhe i thotë: “Mirmbrama kapterr Hekurani! Eh, ty ta lumsha… Bane ç’bane ti vetë u lirove… ne t’interrnumit na le… mbas dore?!

 

Marrë nga dorshkrimi “Savra – Monamour!”
(Pjesa e parë -vazhdon)

 

Related Images:

More articles

7 KOMENTET

  1. U kënaqa tuj lexue, t’lumtë dora! Dy djemtë i kam njoftë, në fmininë e hershme në kohë veret ku vinin tek kushritë e tyne në “Kodër t’mullinit” në Lezhë! Në ’92-in nji kushëri i ardhun në Shkodër mbas internimit m’thotë: m’ka ardh nji shok me kamion prej Malit t’Zi e s’di ku me strehu sa për nji natë! E mora vetë mbasi u prezentuem ku gjatë darkës m’kallxon historinë e tij, ku doli Tomi mbas 30 vjetsh, sot qe po lexoj shkrimin tuej m’duket se po jetoj ata momente të fëminisë dhe atij takimi të vonë,edhe nji herë të përshendes!
    Ju lumtë, me gjithë zemër Valerjani!

  2. Na ishte njiherë nji malsor nga malet e Vermoshit që me përdhunë e detyruan të jetonte në kënetën e Myzeqesë. E quanin Fran… Qe njeri krenar e me shpirt të thellë humori e talljeje ndaj së Keqes. Ishte nji kohë kur nji artist francez (i vdekur mjaft i ri) Gérard Philipe luante Fra Diavolon… që aq shumë i pëlqen Fran Djallit të këtij rrëfimi ndoshta të lënë përgjysëm… j.r.

  3. Kurrë s’pata fatin me e njoftë kët njeri interesant. Ndonëse ndigju për të kisha shumë. Kam njoftë tre vlleznit e tij Perin, Nikollën dhe Gjergjin. Me sa di unë, asnjeni prej tyne nuk jeton ma. Nuk kishte si të baheshin njerëzit ma të mirë… të qetë, pa kenë e keqja e askujt, dhe gjithmonë të qeshun, edhe athere kur vorfnia ju sillej rreth si atyne edhe shumë familjeve tjera në atë zonë. Unë s’po mund të rri pa e shkrue në këtë koment e me ja shtue këtij shkrimi shumë të bukur edhe një copëz humori që ma diftoji në origjinal bashkëvuejtësi i tij në burg, Gjokë Bujaj…
    Meqenëse Frani e kishte gruen malazeze, erdh nji kohë që doli nji lloj mundësie që ata që janë prej shtetve tjera mund të kthehen në shtetet e tyne… dhe në këtë rast e shoqja shkon në takim me Franin dhe i thotë: Si të baj? Ai i thotë pa mëdyshje: “Merr fmijët dhe ik prej ktu se unë kam edhe 25 vjet burg, e nuk i dihet, dal a s’dal gjallë!” – dhe ajo ashtu bani u kthye së bashku me katër fëmijët në Mal të Zi, dhe Frani mbeti krejt i vetëm. S’kishte njeri që t’i vinte në takim e t’i sillte diçka qoftë edhe për të ngranë. (shtesë ushqimi, siç ju dërgohesh shumë të burgosunve teë tjerë) I madh me trup kuptohet që nji garuzhde nuk ishte asgja për të. Nji ditë nji i burgosun do të dilte në takim me familjen dhe e dinte se ata do t’i sillnin me hangër… i thote Franit: “Sot merre ti edhe racionin tim se unë kam me hangër me familjen.” “Dakort, – i thotë Frani dhe kur vjen rradha me marrë racionin i thotë kuzhinierit – Ma hidh edhe nji racion plus se ma ka dhanë i zoti – atë të Selam Musait!” Dhe kuzhinieri pa u mendu, “fap” i hedh garuzhden dhe në rradhën e të burgosunve plas gazi! U ba barcolete ajo punë dhe shokët i thoshin: “Fran, nesër mos harro me marrë edhe racion për Çerçiz Topullin!
    Të lumtë dora Jozef, se e kishe shkrujtë shumë bukur…

  4. Pjetër Delia
    Të falemnderit Jozef, për këtë fotografi…
    Po flitet çdo ditë për Mandelën, por kush e ka njohur FRAN TINEN e konsideron Supermandelë, sepse ky burrë ka bërë 22 vjet burg në Spaç, në minierat e bakrit, dhe s’e ka ulë kokën përpara diktaturës më të egër që historia njerzore ka njohur… Kjo fotografi është pasqyra e madhështisë së këtij burri, që me siguri lind çdo 100 vjet…! Shikojeni si ishte… i ëmbël me të rinjtë, aq i fort e i pamposhtur ishte para diktaturës… është e pamundur me gjetë sot nji burrë si ai: besnik, trim, bujar, shakaxhi, inteligjent… Ty bravo të qoftë Jozef që e kujton kaq shpesh e kjo të jep nder, se Franin nuk ka kush ta kujtojë edhe pse duhej të ishte një bust në Saver në kujtim të tij… Sa herë që do ta kujtosh, aq herë do të falenderoj, se sa herë e shoh më çon 30 vjet mbrapa… këto kujtime mua me mallengjejnë shumë, përsa i përket fotografisë, se atyre 13 të byrosë politike megjithëatë që u kanë bërë shqiptarve padrejtësisht, sot janë atje tek Frani, të paktën këtë drejtësi Zoti e ka bërë… dhe jam i sigurt që edhe atje ku janë, ata e vuajnë vdekjen nuk kanë durim me ndejtë atje në përjetësi, ndërsa Frani edhe atje është i qeshur e bën shaka me prindët e tu, me gjithë shokët dhe miqtë që ka jetuar dhe vuajtur për së gjalli… Dritë pastë Frani dhe gjithë dashamirët e tij… errësirë të përjetshme atyre që e kanë shkatërruar për së gjalli at njeir dhe at popull…
    Kjo fotografi duhet të ngelet në facebook në faqen e parë përgjithnjë! Eshtë kujtimi më i bukur që nuk duhet harruar…

  5. Pier Lleshi
    Humori i asaj kohe ka qenë i hollë dhe me shumë filozofi. Ishte humori arma më e preferuar e asaj kohe për të shprehur ankesat dhe vuajtjet. Por te ky humor duhet të mbështeten sot shumë nga ATA që pretendojnë se bëjnë humor…
    Mesazhin që përcjell humori tek shoqëria nuk duhet të tjetërsohet!
    (marrë nga muri i fb 10 dhjetor, 2013)

    • Të falenderoj Nini për shkrimin e bërë për Fran Tinën, babain e shokut tonë Mirash Tinës.
      Unë futem te ajo kategori njerëzish që e njohin rastësisht Franin, në një ditë të zakonshme të shkollës, kur ne fëmijët e vegjël na dërgonin në aksionin për vjelje pambuku poshtë lagjes së Sulenjve, diku afër Savrës, ku kishim për të mbushur një numër të caktuar thasësh pambuku dhe gjatësia e thesit të mbushur me pambuuk e kalonte gjatësinë e trupit tonë, por të grumbulluar si milingonat rreth thesit për ta zhvendosur te grumbulli i thasëve të tjerë i ra në sy një burri të panjohur që duhet të kishte shtëpinë aty afër dhe afrohet me atë dialektin e tij prej malsori dhe i thotë mësueseve tona: “Këta fëmijë janë mjaft të vegjël për këto punë… Ne ngritëm kokat dhe po shikonim një njeri… tjetër mjaft shpërfillës kundrejt gjithçkaje që na rrethonte… Nuk e di a të kujtohet a jo Nini… ne u shokuam kur erdhi polici dhe i vuri prangat… me ka mbetur në mendje dhe më ka shoqëruar kjo ndodhi në çdo moment… Mbaj mend që Mirashi (i biri) u skuq në fytyrë… kurse Ti na the që Ai është babai i Mirashit… që nga ajo kohë kaq e largët, ishim në klasën e 5-të, ne ndjemë një keqardhje shumë të madhe për Mirashin që ishte një nxënës i shkëlqyer… Mbas shumë vitesh, ne një takim që kam patur fare rastësisht me Vera Grishen, e pyeta për shumë gjëra po s’mund të rrija pa e pyetur edhe për babanë e Mirash Tinës, pasi e dija që Mirashi qe larguar nga Shqipëria qysh herët dhe babai i tij ishte në burg… Më tha se aty afër viteve ’90, doli nga burgu Frani… Ajo më tha se “Nga burgu doli, por është në gjendje ekonomike shumë të keqe. Mirë i them unë po e ndihmoje me sa të mundem me rroba.. Mua sot më ndodhet rroga se e mora… pra është me fat, merre i thashë sepse nuk do të takoj dot më ty, sepse Vera po kërkonte të ikte në Itali me anijen Panameze… Kështu më tha, bile më ftoi dhe mua të ikja ashtu në atë ilegalitetin e kohës bashkë me burrin tim….
      Kaq kam ditur Nini… keto fjalë i shkrova ashtu siç më erdhën në mendje…
      Sinqerisht më vjen shumë keq…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.