back to top
9.5 C
Tirana
E hënë, 9 Dhjetor, 2024

A ka qenë Sejfulla Malëshova spiun i KGB-së? Çelo Hoxha

Gazeta

Çelo Hoxha 2013
Çelo Hoxha 2013

A ka qenë Sejfulla Malëshova spiun i KGB-së?

nga Çelo Hoxha

Çfarë mësonte në një institucion ushtarak në Moskë Sejfulla Malëshova dhe pse ai ngulmonte që ky fakt të mbahej rreptësisht i fshehtë?
Sejfulla Malëshova është një nga komunistët, figura e të cilit nuk është studiuar sa e meriton gjatë dy dekadave të fundit. Meqenëse gjatë diktaturës ai iu nënshtrua persekutimit, pas rënies së komunizmit ai është paraqitur nga shumë autorë si fytyra perëndimore e komunizmit shqiptar. Këtu ka një keqkuptim, komunizmi ka patur vetëm një fytyrë, si në Evropën Lindore dhe në atë perëndimore, por atyre të perëndimit nuk u eci davaja për shkak të popujve të tyre dhe partive të djathta të atyre vendeve, e jo për shkak të fytyrës “njerëzore” të të ashtuquajturit komunizëm perëndimor.
Sejfulla Malëshova nuk dallonte fare nga komunistët e tjerë shqiptarë ose dallimi i tij me ta ishte fakti që ai mund të ketë qenë spiun i shërbimit të fshehtë sovjetik, NKDV që më vonë mori emrin KGB. I vetmi autor që kam ndeshur ta ketë artikuluar këtë fakt është Hysamedin Feraj në librin “Skicë e mendimit politik shqiptar”. Edhe në një raport britanik të vitit 1945, të cilin e botuam dy ditë më parë, fakti i që Malëshova mund të ketë qenë agjent i huaj përmendej në një formë më shumë metaforike: “[Malëshova]Ai është agjenti më besnik dhe më fanatik i Kominternit.”
Gjasat janë që ai të ketë qenë më shumë se kaq, siç do ta sqarojmë më poshtë.
Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar (FESH), botim i Akademisë së Shkencave, Sejfulla Malëshova paraqitet se një komunist me pikëpamje “të djathta” dhe për këtë arsye u përjashtua nga Byroja Politike dhe KQ i PKSH në 1946, u shkarkua si ministër i Arsimit në 1947-ën. Nga radhët e PKSH-së, edhe si anëtar i thjeshtë, Malëshova u përjashtua, së bashku me Ymer Dishnicën dhe Liri Belishovën në plenumin e 8-të të PKSH, 1948. Sipas FESH, Sejfulla Malëshova ka qenë një “nga përfaqësuesit politikë dhe intelektualët më të shquar të së majtës revolucionare shqiptare të gjysmës së parë të shekullit XX.” Me këtë akademikët e trajtojnë Malëshovën si komunist deri në atë vit që Byroja Politike e PKSH-së e përjashtoi nga radhët e saj dhe e përzuri dhe nga Instituti i Shkencave, 1952. Gjysma e parë e shekullit XX mbyllet pikërisht në vitin 1950. Edhe motivacioni i plenumit të 8-të ishte i ngjashëm me mendimin e akademisë në 2008-ën. “Po kështu dëmtoi Partinë, duke rrezikuar pozitat e saj të fituara me luftë, Sejfulla Malëshova me pikëpamjet e tij thellësisht oportuniste dhe antimarksiste në politikën e jashtme, të brendshme dhe ekonomike të Partisë. Sejfulla Malëshova me një besim shumë të dobët te Partia dhe te masat e popullit dhe duke u mbështetur kryesisht tek elementët e lëkundshëm të partisë dhe në borgjezinë, u përpoq të çarmatoste partinë nga fryma revolucionare dhe ta ndërronte në një parti me frymë liberale oportuniste. Me një punë të tillë ai synonte për postin drejtonjës të Partisë dhe të shtetit nga ku do të kish shpënë Partinë në duart e borgjezisë”, – thuhet në rezolucionin e plenumit të 8-të të KQ të PKSH, 27 mars 1948.
Sejfulla Malëshova nuk synonte kreun partisë, por të shpëtonte lëkurën, e cila në fund nuk i shërbeu as për të bërë një gajde. Në Kongresin e Përmetit, maj 1944, Petro Marko kujton se Malëshova e këshilloi të mos hapte gojën ndonjë vit, se ndryshe rrezikonte me jetën e tij. Këshillë që Petro Marko e ndoqi, por dhe ai nuk i shpëtoi dot persekutimit, të cilit, ashtu si Malëshova, iu nënshtrua jo se nuk ishin komunistë të mirë, por sepse ishin komunistë me të shkuar komuniste, më të shquar se ata që drejtonin PKSH-në, kur ata u kthyen nga jashtë në atdhe. Sejfulla Malëshova u kthye në pranverën e ’43-shit, Petro Marko diçka më vonë.
Si shkrimtar Sejfulla Malëshova ka qenë një propagandist i tipit vulgar, nga ata që më vonë komunizmi i prodhonte me shumicë. Në gjuhën shqipe ai ka futur publicistikën e sloganeve: duke shkruar, në mes të artikullit, dy-tre rreshta me shkronja kapitale. Publicistikë parullash. Publicistikë nga ajo që, pasi komunistët erdhën në pushtet, u shkrua me gurë në faqe malesh. Shembuj nga kjo publicistikë kush dëshiron mund të gjejë me shumicë në pjesën e parë të veprës së tij, të botuar në 1998: “Lame Kodra, 3″.

Sejfulla Malëshova Ministër
Sejfulla Malëshova Ministër

Në publicistikën e tij vulgare, Sejfulla Malëshova ka përdorur fyerje nga më vulgaret ndaj kundërshtarëve të tij politikë. Për Ahmet Zogun: “Ahmet maloku”, “Maloku matjan”; për Faik Konicën: “Faik bej Bualli”, “qelbësirat letrare që vjell bualli” etj.
Sejfulla Malëshova mund të mos fajësohet për pjesëmarrje direkte në krimet e shumta të komunizmit, por ai ka qenë njeri që ka flirtuar me dhunën për një kohë të gjatë dhe në vitet ’30 e më vonë ka qenë frymëzues i saj.
Në 28 nëntor 1928, Malëshova argumenton se Shqipërinë e shpëton vetëm dhuna: “Nga kjo situatë munt t’a shpëtojë Shqipërinë vetëm revolucioni, vetëm diktatura e punëtorëve dhe e fshatarëve. Vetëm atëherë Shqipëria do të ketë me të vërtetë liri dhe indipendencë.” Një vit më vonë, 16 dhjetor 1929, ai vazhdon t’i bjerë fyellit në vrimën e dhunës: “Si do t’i bëhet halli? Domosdo këto halle nuk mund t’i zhdukin as paradat para “Lartmadhërisë” as fraku i “baballarëve të kombit”, aforizmat pedante të Zoi Xoxës, as neoshqiptarizmi i demokracisë, as vjershat e Lazgush Poradecit dhe të Floqit! Këto halle do t’i qërojë vetëm revolucioni, diktatura e klasave të shtypura, republika e punëtorëve dhe e katundarëve.” Motoja e tij, siç thotë vetë në përvjetorin e gazetës “Bashkimi, 30 dhjetor 1945, ishte huazuar nga Majakovski: “Pena e gazetarëve duhet të jetë njëlloj me pushkën”.
Sejfulla Malëshova ka qenë aq negativ në histori sa po më detyron që në një pikë të shfajësoj dhe Enver Hoxhën dhe historianët që i shërbyen atij me devotshmëri. Origjina e mitit të Haxhi Qamilit nuk ka lidhje me Enver Hoxhën dhe historianët që akuzohen, por me Sejfulla Malëshovën. Në kohën që Sejfulla Malëshova bënte thirrje për ngritjen e mitit të Haxhi Qamilit, Enver Hoxha ka qenë një nga adoleshentët e shumtë të Shqipërisë me mendjen te vajzat e akulloret ndoshta. Në artikullin “1912-1928″, botuar në gazetën “Liria Kombëtare”, 28 nëntor 1928 (e kam cituar dhe më lart), Sejfulla Malëshova, kur përmend atë që ai e quan “kryengritja e Shijakut”, jep këtë shpjegim me në fund të faqes (footnote): “Kryengritja e Shiakut në shvillim e sipër mori ngjyrë sociale dhe u bë lëvizje fshatarësh kundër bejlerëve. Nga pikëpamja e luftës së klasave, kjo ngjarje është mjaft interesante. Haxhi Qamili në shumë pika i ngjan Pugaçovit, udhëheqësit të kryengritjes katundare ruse në shekullin e XVIII”. Në po këtë vit, me qartësinë që e karakterizonte, Mid’hat Frashëri e përmend Haxhi Qamilin duke thënë se solli bolshevizmin në Shqipëri dy vjet para se (bolshevizma) të fitonte dhe Rusi.
Mirëpo ku lufta që Sejfulla Malëshova predikonte prej kohësh erdhi në derë, ai ndodhej në Francë dhe nuk u kthye në Shqipëri të luftonte, por i lutej Fan Nolit ta ndihmonte të shkonte në SHBA ose ndonjë vend të Amerikës Latine. Në 11 nëntor 1939, ai i shkroi Fan Nolit: “Të lutem më shkruaj nëse është e mundur të vij aty me anë të ndonjë organizate shqiptare ose me ndihmën tënde personale ose me anë tjetër.” Në një letër tjetër për Fan Nolin, e cila duket më e hershme, Malëshova shkruan: “Jam këtu në Paris, gjendem keq nga çdo pikëpamje dhe dëshiroj të vij aty në Amerikë. A ka ndonjë posibilitet?” Një vit më vonë letra është më e dëshpëruar: “Siç është situata tani për mua s’ka udhë tjetër veç se të vij aty, prandaj po ju lutem edhe një herë të përpiqeni e të gjeni ndonjë udhë për të ardhur aty, fundi edhe si… dhjak.”
Në letrat e tij, të cilat nuk i kam cituar të gjitha, gjatë vitit 1939-40, kur Shqipëria ishte e pushtuar, tregojnë që Sejfulla Malëshova, si gjithë komunistët, nuk e kishte në mendje luftën kundër pushtuesit. Në publicistikën e tij, të përmbledhur në vëllimin 3 të veprës, nga vitet 1939-1944 nuk ekizston asgjë.
Pas 22 qershorit 1941, kur Gjermania prishi marrëveshjen e bashkëpunimit komunisto-nazist, gjërat ndryshuan dhe për komunistët shqiptarë. Sejfulla Malëshova doli në skenë 1943, dhe brenda një kohe të shkurtër, pak muaj ose javë, u bë anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar dhe nënshkroi proklamatën e 10 korrikut, të cilën ne jemi duke e botuar prej tri ditësh, dhe pjesën tjetër do ta botojmë javën tjetër.
Nëse Sejfulla Malëshova do të ndryshonte nga kolegët e tij në Frontin Nacional-Çlirimtar, ai do të kishte denoncuar shmangien e FNÇ nga programi i proklamuar në 10 korrik 1943, por ai nuk e bëri kurrë një gjë të tillë.
Është e vërtetë që në plenumin e Beratit ai denoncoi dhunën e PKSH-së, por e bëri këtë për arsyet e gabuara. Dhuna nuk i pëlqeu ngaqë drejtohej kundër anëtarëve të partisë dhe popullsisë civile, dhe jo pse ishte e drejtuar dhe ndaj kundërshtarëve politikë. Në thelb, Sejfulla Malëshova ishte mendje totalitare. Në letër të 4 prillit 1929, ai i shkruan një shoku: “Si komunist duhesh që kur ta shoç qelbin vdekjeprurës, menjëherë të rrëmbeç thikën e kirurgut… Duhet të tregojmë që grupi ynë është një grup komunist dhe jo një shoqëri aksionere.” Kjo është pikërisht ajo që bëri Enver Hoxha, e konsideroi Shqipërinë si pronë të tij dhe nuk i dha kujt tjetër aksione. Dhe sa herë që shikonte “helmin” përdorte thikën, veçse thika e tij ishte thikë kasapi.
Sejfulla Malëshova nuk arriti të bëhej viktimë e kësaj thike në kuptimin e drejpërdrejtë, vetëm për shkak të ndonjë këshille që mund të ketë ardhur nga Moska. Ai ka dhënë një ndihmë të çmuar në denoncimin e Llazar (Zai) Fundos në Komintern, i cili u ndoq pastaj këmba-këmbës deri sa u vra në Kosovë. Në veprën 3 të Sejfulla Malëshovës është përfshirë një letër e tij për Zai Fundon, e cila duket se gjendet dhe në AQSH, ku ai shkruan për takimin e tij në Moskë, me shokët e Kominternit, ku u diskutua, sipas letrës, përplasja e Zai Fundos me shokët e tij të Konares. Në letër ai i flet Zai Fundos si epror, me ashpërsinë tipike të arrogantëve, dhe e kritikon që Fundo është larguar nga Moska pa u konsultuar me shokët e Kominternit. Sipas tyre, Fundo ka bërë gabime gjatë veprimtarisë së tij në Gjermani dhe vendet e tjera ku ka shkuar. Por ajo që është më e rëndësishme në këtë letër dhe gjithë jetën e Sejfulla Malëshovës, është fakti që ai ka diçka që s’duhet ta marrin vesh të tjerët, dhe ai është i zemëruar në kulm që sekreti ka dalë. Ja si i shkruan ai Fundos: “Jo pa habi dëgjuam nga Ramohito se në Paris, si dhe gjithkund, e dinë që ne këtu mësojmë në një institucion ushtarak. Ka ndodhur ngaqë s’i jemi përmbajtur sa duhet rregullave të konspiracionit të rreptë. Shokët e Konares kujt nuk i kanë treguar për vendndodhjen tonë. Pra, nisjen e shokëve të rinj duhet ta organizosh në mënyrë të tillë, që askush nga ata që s’kanë pse ta dinë, të mos e dijë. Bisedo lidhur me këtë edhe me doktorin”.
Çfarë është ajo që duhet mbajtur rreptësisht e fshehtë dhe nga shokët komunistë? Çfarë mësonte në një institucion ushtarak një njeri që është mbajtur si ideolog i komunizmit dhe jo njeri i pushkës? Gjasat janë që ai ka qenë institucion i shërbimit të fshehtë dhe ka qenë pikërisht shërbimi i fshehtë sovjetik i interesuar që të vritej Zai Fundo, vdekja e të cilit kërkohej me aq ngulm dhe ai ndoq me rreptësi kudo që shkoi në Evropë.
Doktori që përmendet në citim, është Omer Nishani, i cili nga Këshilli i Shtetit fashist, kaloi në krye të Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar, pa ia kujtuar kush të shkuarën fashiste. Duket qartë që gjërat gjatë luftës në kampin e komunistëve janë lëvizur nga dora e fshehtë Moskës.

Sejfulla Malëshova (1900-1971)
Sejfulla Malëshova (1900-1971)

Sejfulla Malshova, sipas britanikëve

Sejfulla Malëshova. Lindi në Malëshovë të Përmetit në vitin 1898, ndoqi disa kurse leksionesh në universitetin e Romës me bursë italiane, por nuk i përfundoi studimet. Që student ishte dhënë me mish e me shpirt pas komunizmit. Kur prifti Fan Noli u bë kryetar i qeverisë revolucionare në 1924, Sejfulla Malëshova u caktua sekretar i përgjithshëm i kryeministrit. Së bashku me Omer Nishanin dhe Kosta Boshnjakun ishin bashkëpunëtorët më të ngushtë të Fan Nolit. Kjo qeveri revolucionare ishte nga të parat që pati lidhje diplomatike me Rusinë sovjetike, bile më parë se Britania e Madhe, Franca dhe shtetet ballkanike. Pas rrëzimit të Fan Nolit, Sejfulla Malëshova u largua nga Shqipëria dhe shkoi në Moskë. Atje u vu në shërbim të Kominternit deri pas deklarimit të luftës së tanishme. U kthye në Shqipëri në mes të vitit 1943.
Të gjitha shkrimet e tij, që janë kryekëput komuniste, mbajnë pseudonimin Lame Kodra. Sapo hyri në Shqipëri ai filloi fushatën komuniste me anë të fletpalosjeve dhe konferencave në mbështetje të revolucionit proletar. Ai është agjenti më besnik dhe më fanatik i Kominternit.
Për të patur një ide më të qartë të qëllimeve të këtij njeriu mjafton të lexosh poemën e tij (nëse mund të quhet poemë) me titull “Kremlin”, e publikuar në gazetën “Bashkimi” (organi i Frontit Nacional-Çlirimtar) nr. 54, 23 shkurt, 1945. Këtu Lame Kodra, i. e. Sejfulla Malëshova, ngre lart dhe idealizon Leninin, Kremlinin dhe komunizmin e tyre.
Sot ky njeri mban postin e ministrit të Propagandës.
(The National Archives, HS 5/73).

Bibliografi: Për këtë artikull janë konsultuar këto libra:
“Lame Kodra, 3″
“Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave”, dokumente, AQSH
“Politika antikombëtare e Enver Hoxhës”, dokumente, ASH
Fjalori Enciklopedik Shqiptar, botim i Akademisë
Hysamedin Feraj, “Skicë e mendimit politik shqiptar”

(marre nga Standard 11.09.2013)

 

 

 

 

 

 

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Çelo Hoxha me shpirtin e zhbirimit të fakteve dhe analizës së dokumenteve trajton nji figurë si Sejfulla Malëshova… fillimisht e ngjitur në maja prej komunizmit e më pas të zhytur në greminën e heshtjes, në harresë e deri në shkatërrimin e tij me djegjen e bibliotekës dhe arkivës së tij…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.