back to top
31.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Korrik, 2024

Konsiderata dhe vlerësime të Eqrem Çabejt për Át Gjergj Fishtën – nga Dr. Engjëll Sedaj

Gazeta

Eqrem Çabej në rininë e tij
Eqrem Çabej në rininë e tij

Konsiderata dhe vlerësime të Eqrem Çabejt

për Át Gjergj Fishtën

nga Dr. Engjëll Sedaj

Hyrje

Prej vitit 1929, kur kishte botuar punimin e parë, me titull “Mbi poezinë e Lasgush Poradecit”,1 e deri te përfundimi i Luftës Dytë Botërore, Eqrem Çabej (1908-1980) ka shfaqur konsiderata dhe vlerësime mbi personalitetin dhe poezinë e Gjergj Fishtës (1871-1940), sikur në dy punimet e veçanta: Poeti shqiptar Gjergj Fishta dhe Epika e Gjergj Fishtës,2 ashtu edhe në punimet historiko-letraro dhe kritiko-letrare të tij: Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe3 dhe Romantizimi në Europën lindore e juglindore dhe në literaturën shqiptare,4 kurse në disa punime të tjera vetëm në mënyrë të tërthortë.5 Në fakt, edhe në manualin shkollor Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe ai shkruan në një kapitull të veçantë (pp. 50-52) për Fishtën, duke dhënë “pjesë të zgjedhura” të teksteve të tij letrare më tepër (pp. 132-141) të Naimit, Mjedës dhe Çajupit së bashku (pp. 125-131). Këto pjesë të zgjedhura janë dhënë me shije të letrarit për të ilustruar vlerat më të larta dhe më tipike të poezisë shqipe.6
Interesimi për personalitetin e Fishtës dhe sidomos për poezinë e tij është gjithsesi i madh dhe mjaft obligativ te ky filolog shqiptar edhe tek fakti se ai kishte marrë përsipër paraqitjen e tij edhe jashtë vendit, në Gjermani dhe Kroaci (Jugosllavi). Prandaj edhe mund të thuhet se punimi i tij me titull “Der albanischer Dichter Gjergj Fishta” (Poeti shqiptar Gjergj Fishta) është më i plotë, me të dhëna bibliografike të mjafta dhe me vlerësime teoriko- letrare dhe kritike të pranueshme, kurse krahasuar edhe me punimet e tjera të tij për Fishtën, mund të thuhet se figura e këtij poeti dhe personaliteti të shquar shqiptar është dhënë edhe me mendime të sintetizuara në çdo pikpamje, madje edhe nga aspekti i pamjes fizike, duke thënë se “ky burrë me pamje madhështore, që në të folur i dashur dhe i kthjellët, mik i kallzimeve të këndshme aq tërheqëse si njëri, sa ka qënë origjinal e i madh edhe si shkrimtar”.7
Që në fillim duhet thënë gjithashtu se E. Çabej, në kohën kur i ka shkruar këto punime, ishte i afirmuar dhe i pranuar mirë nga të gjithë albanologët e vendit dhe të huajt dhe dallohej për aftësinë e tij të sintetizimit të rezultateve të arritura të lëndës së shtruar, kurse ex offisso qysh kur u kthye nga studimet ai “vazhdoi lëndën e letërsisë shqipe pranë Gjimnazit të Shkodrës”, madje edhe më vonë, kur nga Ministria e Arsimit u transferua në këtë ministri, ai kërkoi që të riemërohet si profesor i letërsisë në liceun e Tiranës.8 Kjo dëshirë nuk do t’i plotësohej, por, megjithatë, ai do të japë përsëri letërsi shqipe në Gjirokastër në vitin shkollor 1938/39, që do të thotë se fillimisht pikërisht letërsinë shqipe e kishte lëndë të veten.
Edhe pse nga ngjarjet e mëvonshme të Luftës së Dytë Botërore, e sidomos nga ndryshimet e mëdha shoqërore, ai do të pësojë shumë si intelektual dhe si njeri bashkë me intelektualët e tjerë të kohës së regjimit komunist, konsideratat dhe vlerësimet e E. Çabej për Fishtën, do të kenë peshën e tyre dhe do të zgjojnë interes të shtuar dhe tani në kohën kur mendimi shkencor i këtij dijetari shqiptar është bërë temë e veçantë dhe e mirëpritur në këtë tubim shkencor, që po mbahet me rastin e 90-vjetorit të lindjes së tij.
Ky njeri i shekullit tonë ishte hallkë e studimeve shqiptare nga koha e paraluftës me periudhën e pasluftës, sikur që në një mënyrë tjetër ishte hallkë ndërlidhëse dhe mjaft sintetizuese e zhvillimit të mendimit letrar krijues edhe Gjergj Fishta nga koha e Rilindjes Kombëtare me periudhën e realizimit dhe të pavarësisë, me gjithë historinë e popullit shqiptar dhe me kulturën e tij. Në këtë mënyrë, Gj. Fishta dhe E. Çabej, në mënyrat e tjera të krijimtarisë i plotësonin ato kritere të nevojshme që i kishte preferuar edhe Horaci, duke thënë: “Scribendi recte sapere est et principium et fons”.9

At Gjergj Fishta në rininë e tij
At Gjergj Fishta në rininë e tij

Vendosja e Fishtës në historinë e letërsisë

Duke qënë hartues i historisë së letërsisë shqiptare, por edhe nga prirja e tij për t’i vështruar gjërat sa më drejtë dhe sa më mirë, E. Çabej e koncepton figurën e shkrimtarit në rrjedhën e zhvillimit të letërsisë shqiptare (dhe evropiane) në vend dhe në kohë. Kështu, vendosja e Fishtës bëhet mjaft realisht në tokën shqiptare, që do të thotë se ai vendoset midis Perëndimit dhe Lindjes,10 në një “qëndrim të ndërmjemë midis Perëndimit dhe Lindjes”, përkatësisht as në Perëndim, e as në Lindje, ku do ta kenë vendin e tyre dy poetët e tjerë shqiptarë, De Rada dhe Naimi, të cilët, pikërisht për këtë arsye, s’do të jenë në gjendje ta këndojnë ngrohtësinë e realitetit shqiptar, por do t’i paraqesin ndjenjat romantike shpeshherë krejt të mjegulluara dhe të ngjyrosura me aromën e atyre vendeve ku kishin jetuar dhe vepruar.
Meqë, sipas E. Çabej, “De Rada ishte romantik shqiptar i zhvilluar në tokën dhe kulturën latine”, kurse “Naim Frashëri pasqyron tipikisht zhvillimin shqiptar pas influencës së gjatë osmane”, Fishta do të dallohet prej tyre, sepse ishte “rrënjosur thellë në vendin e tij” dhe “fuqitë e tija njerëzore i thithi prej kësaj toke”.11 Vendosja e Fishtës në “tokën shqiptare” arbëresh, me Zef Skiroin (1865-1927), i cili në poemën e tij “Te dheu i huaj” kishte kënduar jetën epike shqiptare qysh prej lashtësisë së kohës së ndërtimit të kalasë së Shkodrës e deri te Ali Pashë Tepelena, por nga një shikim gjithashtu mjaft i largët nga toka shqiptare.
Te këta dy poetë arbëreshë këndohet realiteti shqiptar sipas vijës së ruajtjes së asaj vetëdije kombëtare, që ishte shumë mallëngjyese dhe e zjarrtë, por tepër e mangët, që do të thotë vetëm aq sa ishte ruajtur në diasporën e Italisë dhe për kohën kur i kishin shkruar veprat e tyre, realitetit shqiptar ndryshonte krejtësisht. Ky realitet manifestohej më së miri në kohën e Fishtës tërthorazi asaj vetëdijeje shqiptare të malësorëve rezistues, që kishin ruajtur kanun dhe tërësinë më të plotë të jetës së të parëve.

At Gjergj Fishta dhe mesuesi i tij Leonardo de Martino
At Gjergj Fishta dhe mesuesi i tij Leonardo de Martino

Krahasimi i Fishtës me poetë të tjerë shqiptarë

Krahasimi i Fishtës me këta tre poetë shqiptarë,12 me De Radën, Zef Skiroin dhe Naimin, E. Çabej e bën jo vetëm për shkak të mënyrës së thurjes së teksteve të tyre letrare, sidomos për shkak të zgjatjes së tepruar, monotone dhe të mërzitshme të Istorisë së Skëndërbeut (dhe Qerbelasë) të Naimit, te i cili “bota historike është një realitet”, por edhe për arsye se poezia e tyre nuk kishte lindur në tokën shqiptare dhe nuk dilte nga kjo tokë. Poezia e Naimit kishte “një ngjyrë religjoze” dhe “dashuri mistike për islamizmin”, si një “edukim etik” i tij, që do të ndikonte në përcaktimet nacionale të një populli ende të paformuar mirë kombëtarisht. Me një fjalë, “Orienti për Naimin është tokë prej nga thithi fuqitë e tij poetike. Ai nuk është Europiani që shkel këtë botë si një i huaj dhe për të cilin kjo ka magjinë e vendit ekzotik: ai rron në të, është i saj”.13
Prandaj, i nxitur edhe nga përcaktimet zhvillimore të mendimit letrar dhe kulturor, me një preferencë shumë të qartë patriotike, me qëllim që të ndriçonte sa më mirë poetin kombëtar, si faktor edukativ, ai e vlerëson veprën e Naimit edhe me shumë mangësi të tjera që kishin ndikuar, siç thotë ai, “që eposi i tij dështoi dhe nga fakti se Naimit i mungoi talenti i poetit epik”.14 Megjithatë, kur ai bën një krahasim më të ngushtë në mes të Naimit dhe të tjerëve, thotë se “Naimi ndryshon krejt nga poetët e tjerë italo-shqiptarë, si dhe nga Fishta”, si pasojë e mungesës së poezisë popullore te ky poet, sepse tek e fundit, shkruan E. Çabej, “se me përjashtim të disa pak vjershave, vlera letrare e poezisë së tij është e pakët”.15
Në këtë krahasim dallohen mjaft mirë dy koncepte fondamentale të shprehura me termat vatra dhe ndikimi, që janë në lidhje me formimin e “njësisë etnike dhe kulturo-historike, rrjedhur nga njësia gjeografike”. Vatra është toka shqiptare në kuptim të burimësisë letrare, kurse ndikimet tek shkrimtarët paraqesin forma në plotësimin sa më të madh të komponenteve të njësisë etnokulturore të këtij populli. Në këtë drejtim, sikur në aspektin e vatrës, ashtu edhe në aspektin e ndikimeve, Fishta i përmbushte më së miri të gjitha kriteret e njësisë etnike dhe etnokulturore.
Krahasimi i poezisë epike të Fishtës me poezinë e Naimit bëhet jo vetëm në punimet e veçanta mbi Fishtën, por edhe në punimet e tjera të E. Çabej, duke përqëndruar vëmëndjen më tepër te këta dy poetë sesa në krahasimin që ai do t’i bënte në mes të Fishtës dhe poetëve të tjerë shqiptarë. Kështu, bie fjala, në punimin e tij Romantizmi… ndonëse nuk e merr në shqyrtim të veçantë Fishtën, por kryesisht De Radën dhe Naimin, ai ka bërë krahasimin në një mënyrë shumë të qartë në mes të Naimit dhe Fishtës, duke thënë se “ky epos (sc. Istoria e Skëndërbeut) nuk u bë dot epos kombëtar, këtë shqiptarëve ua fali më vonë Gjergj Fishta”.
Këto paralele dicizive sidomos në mes këtyre dy poetëve që na vijnë nga ky njohës i mirë i letërsisë dhe i kulturës shqiptare, mund të kuptohen edhe si përcaktime të drejta në vlerësimin e përgjithshëm të zhvillimit të historisë së letërsisë shqiptare, të atyre divergjencave të mëdha të formimit të këtyre personaliteteve edhe të jetës kulturore dhe politike shqiptare. Për E. Çabejn ka rëndësi formanti i këtyre dy poetëve si modele të përcaktimeve të tyre në krijimin e veprës letrare dhe kundërthëniet e mëdha në kritikën letrare përkitazi me këta dy poetë.16 Ai është plotësisht i vetëdijshëm se Gj. Fishta e ka vazhduar besnikërisht traditën letrare shqiptare edhe në vijën e një tradite të pashkëputur skënderbegiane tërthorazi malësorëve shqiptarë, të këngëve popullore të tyre, të gjuhës dhe të të gjitha vlerave të tjera etnike të tyre për t’i njohur dhe dalluar bota sa më mirë. Këtu qëndron burimësia, por edhe epërsia e vlerës artistiko-letrare saqë “Lahuta e Malcis” së tij, sipas E. Çabej, “është vepër arti e plotë, e përsosur dhe e përkryer në vetvete”.
Prandaj edhe mund të thuhet se E. Çabej qysh atëherë e kishte situatën mjaft të qartë të vlerave letrare shqiptare, sikur në përcaktimin e periudhave dhe të “qarqeve letrare”,17 ashtu edhe të personaliteteve dhe të krahasimeve të mundshme në mes veti dhe të atyre vetë me letërsinë europiane. Ky përcaktim i drejtë i vendosjes së Fishtës në letërsinë dhe kulturën shqiptare do të jetë i përshtatshëm që tërthorazi kësaj figure të paraqitet në një formë më të plotë dhe tipike edhe bota shqiptare përgjithësisht në mjedise të tjera sipas kritereve të pranueshme. Artin letrar të Fishtës do ta pranonte bota kurdoherë më mirë për shkak të plotësisë më të madhe të vlerave etnike dhe kulturore të një populli, ngase, sipas E. Çabejt sikur në letërsinë gojore, ashtu edhe në gjinitë dhe zhanret letrare të letërsisë së shkruar, mund të shfaqet njësia kombëtare, e cila duhet ta ketë edhe poetin kombëtar.
Në këtë drejtim “Poeti kombëtar” meritonte paraqitjen më dinjitoze edhe në botën e jashtme, sidomos në gjuhën gjermane, ku kishte kryer shkollimin E. Çabej dhe ku ekzistonte interesimi i shtuar për poezinë e Fishtës.18 Dhe kjo paraqitje bëhet me kompetencë të filologut dhe të studiuesit të veprave të Fishtës në gjerësinë dhe thellësinë e tyre, që do të thotë duke studiuar korpusin letrar të plotë të tij, sipas të gjitha gjasave, për të vazhduar edhe më tutje punën në këtë drejtim.

Eqrem Çabej - sipas piktores Meri File
Eqrem Çabej – sipas piktores Meri File

Motivet e ndërprerjes së punës në kritikën letrare

Megjithatë, këtu duhet thënë se ky studiues i madh i historisë së gjuhës shqipe, vetëm në periudhën e parë të veprimtarisë së vet është marrë me tema nga letërsia, kurse prej shkrimtarëve shqiptarë me punime të veçanta, pothuajse, vetëm me poezinë e Fishtës dhe të Lazgushit (1889-1987), të cilët edhe ishin bashkëkohanikë të tij më të moshuar.
Mirëpo, as sot as kësaj dite nuk jemi në gjendje të konstatojmë saktësisht, se përveç ndryshimeve të mëdha të jetës shoqërore, cilat do të kenë qënë motivet kryesore për ndërprerjen e punës së tij në kritikën letrare dhe për të kaluar në albanistikë, si në leksikografi (dhe leksikologji), ashtu edhe në historinë e gjuhës shqipe.19 Kjo ka rëndësi të konstatohet pse konsideratat dhe vlerësimet e tij për poetin kombëtar nuk ishin të përkohshme ose, si të thuash të modës, por të mbështetura dhe të arsyetuara mirë, që pas atij konfrontimi të madh e të hidhur që ky poet do ta ketë me elementet antikombëtare të përmbrëndshme shqiptare, do ta kenë vlerën e shtuar, duke qënë ndihmesa e madhe për studiuesit e rinj.
Me fjalë të tjera, edhe në periudhën e paraluftës, E. Çabej ishte i nivelit të vet dhe mbetet i pakontestueshëm në shumë pikëpamje sikur edhe në studimet e mëvonshme albanistike, kështu që ndërprerja e punës së tij në veprën madhore të Fishtës, nuk nënkupton edhe refuzimin e tij.20
Ç’është e vërteta, E. Çabej edhe pas luftës do të merret me disa shkrimtarë shqiptarë, sidomos me autorë të letërsisë së vjetër shqiptare, e në mënyrë të veçantë me Gjon Buzukun,21 por kryesisht me studimet e gjuhës së veprave të tyre. Prandaj, shikuar nga aspekti i korpusit të plotë të veprave të botuara të tij, edhe mund të thuhet se poezia e Fishtës, sidomos Lahuta e Malcis, e ka tërhequr vëmendjen e këtij filologu më tepër se poezia e De Radës, e Naimit, e Çajupit dhe e Nolit,22 jo vetëm për shkak të vlerave më të mëdha artistiko-letrare të saj, por mbase edhe për arsye të krahasimeve të mundshme me poezinë popullore dhe me folklorin shqiptar në përgjithësi, që ishte pothuajse temë e përhershme e studimeve shqiptare të tij.23

Vepra e Fishtës "Lahuta e Malcis"
Vepra e Fishtës “Lahuta e Malcis”

Lahuta e Malcis dhe folklori shqiptar

Këtu qëndron edhe bindja e E. Çabej se “poetët kanë dalë prej tokës së natyrshme të poezisë popullore”.24 Ai mendon se në Lahutën e Malcis “ky poet është influencuar prej poezisë popullore të Gegërisë së Veriut”, dhe se sado që “talenti satirik i Fishtës i afrohet sigursht fuqisë së tij si poet epik”,25 dhe se ai është gjithsesi poeti më i madh satirik i letërsisë shqiptare, këngët lirike e satirike nuk do ta zgjojnë interesimin te ky studiues sa epika e tij.26 Kjo epikë është pasqyrë besnike e folklorit shqiptar, sepse fryma popullore e përshkon eposin që në krye e deri në fund, sikur me zërin tingëllues e shumë të gjallë të jetës së përditshme të popullit, të zakoneve të tij, mitologjisë, të përrallave dhe të legjendave, ashtu edhe përmes përsurisë artistike të masës së vargut dhe të formës së jashtme përgjithësisht.
E. Çabej shkruan për rolin e folklorit në ngjizjen e veprës së poetëve dhe për mënyrën se si e kanë frymëzuar ata traditën e poezisë popullore, sidomos në kohën kur kishte filluar të merrej me letërsi krijuese Gj. Fishta, sepse, thotë ai, “në Shqipëri në kohë të Naimit nuk kishte lindur ende interesi për poezinë popullore” dhe se “poezia popullore nuk pati ndonjë pjesë në zgjimin nacional të Shqipërisë në shek. XIX, siç ndodhi p.sh. me kroatë e me serbë”.27 Në këtë mënyrë mund të thuhet se edhe konsideratat e E. Çabej për Fishtën, si “poet kombëtar i Shqipërisë”, si “përfaqësues më i pari i leteraturës së sotme shqiptare”28 dhe sidomos si poet më i avancuar epik ballkanik i shekullit, i mbështet kryesisht në Lahutën e Malcis.
Këto konsiderata dhe vlerësime ai do t’i mbështesë edhe në momentet integruese ballkanike të poezisë epike dhe të burimësisë së kësaj poezie të Fishtës, duke krahasuar në disa momente edhe me Njegoshin (1813-1851) dhe me disa poetë të tjerë më të mëdhenj europianë. Në këtë mënyrë ai vepron sipas parimeve që i kishte paraparë edhe Faik Konica mbi kritikën letrare se “kryeveprat janë pikat e përkrahjes (les points de comparaison) pas të cilave, shpesh edhe pa ditur vetë, kritikëtari gjykon veprat e reja.29 Ky parim në vlerësimin e kryeveprave është në pajtim edhe me artin poetik të Horacit, i cili thotë se poeti sjell kulturën vetëm duke mbrojtur tërësinë, që thënë me fjalët e E. Çabej, “kjo shprehet në krejt mënyrën e jetesës, në historinë dhe në historinë kishtare, në zakonet dhe në poezinë popullore dhe artistike të popullit shqiptar.30 Në fakt, në poezinë epike të Fishtës është kënduar thelbi i shpirtit të shqiptarëve, elementi i konservuar i popullit që njëherit më së mirë dëshmon njësinë e kombit.

At Gjergj Fishta (1871-1940)
At Gjergj Fishta (1871-1940)

Fishta – poet kombëtar i Shqipërisë

Argumentin kryesor të epërsisë artistike, sidomos në krahasim me poetët e mëparshëm De Rada dhe Naimi, E. Çabej e shikon në faktin se në “ngjarjet e një natyre më shumë lokale, që përbën bazën historike për veprën”, Fishta, “prej kësaj bëri një epope kombëtare”, kështu që “kjo epope nganjëherë i kalon kufijtë e shqiptarisë, duke qënë njëkohësisht në një farë kuptimi edhe një epos ballkanik”31.
Ky aspekt i kryeveprës së Fishtës në gjerësinë ballkanike pse aty dalin jo vetëm shqiptarët, por edhe sllavët e turqit e Gadishullit Ballkanik, vetëm sa i fuqizon tiparet shqiptare të saj, të ndriçuara në krahasimet e tyre edhe si më të vjetra e më tipike se të sllavëve jugorë. Kjo gjerësi tregon edhe momentin e rëndësishëm integrues me sllavët e kohërave më të lashta, të shtrirjes dinarike,32 sepse “kjo botë nuk mund të ishte krejt sllave, kurse u mungon për një pjesë të madhe sllavëve të tjerë”. E. Çabej mendon se këtu “mund të kemi me nënshtresë ilire, që mjerisht nuk njihet e që me rikonstruksione mbërrijmë te copa-copa, nënshtresë që vazhdon të jetojë me një veshje shpeshherë të sllavizuar”.
Prandaj, edhe krahasimi që ka bërë E. Çabej në mes Fishtës dhe Njegoshit, sidomos kur evokon titujt e kryeveprave të tyre me kuptimin Mal (Gorski vijenac – Lahuta e Malcis), nuk duhet kuptuar vetëm si një krahasim me veprën madhore të poetit malazez, por edhe të lidhjeve të shumta etnike dhe letrare, sikur në substratin, ashtu edhe në adstratin dhe superstratin e folklorit ballkanik, sidomos të atij dinarik.
Në poezinë epike të Fishtës konfliktet ndëretnike dhe luftërat janë vetëm mjet i përshtatshëm dhe madje i domosdoshëm për të paraqitur trimërinë, si një lulëzim të natyrshëm të heroizmit dhe të një drejtpeshimi midis urtësisë dhe guximit, që aspak nuk largohet nga parimet e drejtësisë dhe të humanizmit. Në këtë aspekt paraqiten vlerat, si të thuash, homerike të objektivitetit historik, pikërisht, siç i kishte kënduar Homeri vlerat morale dhe heroike të të dy palëve të konfrontuara në Luftën e Trojës, të trojanëve dhe të grekëve.

* * *
Duke përfunduar këtë paraqitje të shkurtër mbi konsideratat dhe vlerësimet e E. Çabejt për Fishtën, mund të thuhet se ky dijetar i madh në punën shkencore të tij nuk ishte njeri i modës, e as i politikës së ditës, por klasik i vërtetë i studimeve shqiptare. Vlerësimet e tij për poezinë e Fishtës, sidomos për Lahutën e Malcis, janë të qëndrueshme, kurse krahasimet e bëra me poezinë e Naimit dhe të disa poetëve të tjerë shqiptarë, që kishin jetuar dhe vepruar në Lindje ose në Perëndim, e bëjnë poetin kombëtar dhe porosinë e madhe të tij më të bindshme, duke ia dhënë një kahje të drejtë dhe të pranueshme edhe gjithë zhvillimit të mendimit letrar shqiptar. Konceptet e Lindjes dhe të Perendimit, sikundër edhe koncepti i vatrës ose i “tokës shqiptare” në poezinë e De Radës, të Naimit dhe të Fishtës në punimet e E. Çabej, janë paraqitur me argumentin e shkencëtarit dhe të studiuesit të letërsisë shqiptare.

Dr. Engjëll Sedaj (1943-2006)
Dr. Engjëll Sedaj (1943-2006)

Bibliografi

1.Shaban Demiraj në monografinë e tij, me titull: Eqrem Çabej, një jetë kushtuar shkencës, (Tiranë, 1990, pp. 216-219) ka botuar “Një shkrim i panjohur i De Radës” të Eqrem Çabejt, që është ruajtur nga kjo kohë (më 04.02.1929), kurse punimet e Çabejt për Fishtën i injoron krejtësisht, madje edhe në kuptim të të dhënave të domosdoshme bibliografike të tij.
2.Eqrem Çabej, Der albanische Dichter Gjergj Fishta, te: “Südost Forschungen”, VI, 3-4 (1941), Munchen, 1941, pp. 635-647; Idem, Epika e Gjergj Fishtës, te: “Gjergj Fishta” numër përkujtimor, “Luarasi”, Tiranë, 1941, pp. 31.40.
3.Dr. Eqrem Çabej, Elemente të gjuhësisë e të letërsisë shqipe me pjesë të zgjedhura për shkollat e mesme, Tiranë, 1936, pp. 201, botuar edhe tash vonë në fototipi nga “Etruria”, Prishinë, 1996, kurse në librin Bota shqiptare (Tiranë, 1943) E. Çabej është bashkautor me A. Xhuvanin, K. Gurakuqin dhe K. Kamsin, sado që, siç thotë, J. Kastrati, “idea për hartimin e librit Bota shqiptare, domethënë si një përmbledhje studimesh të së huajve rreth botës shqiptare, ka qënë e Çabejt”. (Veprat albanologjike të Eqrem Çabej, te “Jeta e re”, Prishtinë, 4/583).
4.Botuar te: Eqrem Çabej, Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes, MÇM, Tiranë, 19994 dhe te: Jeta e re, Prishtinë, 4/1998, pp. 516-439, kurse më parë, që nga viti 1945, kur u shkrua, ruhej në Arkivin e Institutit të Gjuhësisë në Tiranë. (Këtu sipas botimit te “Jeta e re”).
5.Këtu mund të veçohet gjithashtu paraqitja e E. Çabej për letërsinë (dhe etnografinë) shqiptare te Hrvatska enciklopedija, I, Zagreb, 1941, pp. 180-182, ku vlerësimet për Fishtën ishin mjaft të theksuara.
6.Edhe Ernest Koliqi, në punimin e tij “Vargu kombëtar” (Jeta e re, 6/1996, p. 305), si model të vargut artistik, me përpikërinë e theksimit ritmik, sikur E. Çabej, ka dhënë këto vargje nga Lahuta e Malcis:
Te nji mriz, te nji lejthi/Kishin ndodhun tre bari:
Dy me dhen e nji me dhi,/Njani plak e dy të ri.
7.Epika e Gjergj Fishtës, te: “Jeta e re”, 4/1998, p. 703.
8.Sh. Demiraj, vep. cit., f. 19-20.
9.Epist. Ad Pisones, v. 309.
10.E. Çabej shkruan: “Ky qëndrim i ndërmjemë midis Perëndimit e Lindjes, e bashkuar me ruajtjen e ngulitur të natyrës së vet etnike, i ka gdhendur Shqipërisë përgjithmonë fytyrën e saj të veçantë. Këtë nuk ka mundur ta fshijë as sundimi turk”. (Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes, MÇM, Tiranë, 1994, p. 29).
11.Epika e Gjergj Fishtës, te: “Jeta e re”, 4/1998, p. 694.
12.Duke bërë krahasimin në mes të Naimit në njërën anë dhe të De Radës e Skiroit, në anën tjetër, E.Çabej, ndërmjet tjerash, shkruan: “Ky poet është bashkëkohës i italo – shqiptarëve që përmendëm më sipër: ai shkruan të njëjtën gjuhë me ata që në letërkëmbim me De Radën. Megjithatë, është krejt një jetë tjetër ajo në të cilën ai jetoi dhe na shpie edhe ne. Poezia italo-shqiptare është lëndë ballkanike e derdhur në formë romane, autorët e saj janë të drejtuar në themel nga Perëndimi. Në kundërshtim me këta Naimi është poet ballkanik i thjeshtë dhe si i këtillë është ngjyrë gjysmë orientale”. (Romantizmi, p. 542). Duke krahasuar këtë mendim me qëndrimin e tij se “Shqipëria ka qënë e orientuar më tepër nga Perëndimi sesa fqinjt e saj” (St. gjuh. V, 109), mund të kuptohet më lehtë pozita destabilizuese e Naimit në formimin kombëtar shqiptar, sidomos në ato periudha kur shqiptarët edhe në mënyrë sistemore i luftuan vlerat traditore të kulturës përëndimore.
13.Romantizmi, p. 547.
14.Romantizmi, p. 546.
15.Romantizmi, p. 544.
16.Në vlerësimin e Naimit si poet, E. Çabej është mjaft i përmbajtur dhe më i moderuar se Faik Konica, i cili thotë se “Naimi jo vetëm nuk ishte vjershëtor dhe shkrimtar i madh, por nuk ishte as i vogël. Nuk dinte të shkruante fare… Naimi është poet e tototove dhe i tatatave”. (Cituar sipas: “Jeta e re”, 4/1998, p. 717). Mbase kjo do të ketë qenë arsyeja kryesore që F. Konica në kaptinën “Gjuha dhe letërsia” e librit të tij Shqipëria – kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore (“Buzuku”, Prishtinë, 1991) fare nuk e merr në shqyrtim Naimin dhe këtë punë ai nuk bën “me pahir”, siç figuron në një shënim të “rektorit” të këtij libri, por e bën nga bindja, sepse, tek e fundit, shkruan ai në fund të kësaj kaptine, “këtu nuk po i përmend shumë emra, sepse pallavrat dhe frazat boshe nuk kanë të bëjnë fare me artin”. (p. 14)
17.E. Çabej propozon këtë ndarje të letërsisë në qarqe: Qarku katolik i Shqipërisë Veriore, Qarku italo-shqiptar, Qarku ortodoks i Shqipërisë Jugore dhe së fundi shkrirja e tyre në literaturën kombëtare të shek. XIX (Khr. Për gjenezën e lit. te: gjuh. V, p. 135).
18.Atëbotë për Gjergj Fishtën kishin shkruar në botën gjermane edhe Norbert Jokl, Erwin Stranik, Gustav Weigand etj., kurse Maximilian Lambertz, përveç punimeve të veçanta, dhe të botojë edhe Lahutën e Malcis (Die Laute des Hochlandes), Verlag R. Olden bourg, Munchen, 195, të përkthyer nga ai gjermanisht.
19.Të parën vepër që ka botuar E. Çabej pas luftës (me 1947) është Hyrje në historinë e gjuhës shqipe, kurse në bashkëpunimin me A. Xhuvanin ai vetë shkruan se “në vitet e para të pasçlirimit iu përvishem punës së hartimit të një punimi të hapët që përfshin rregullat e drejtshkrimit të shqipes” dhe “së bashku me të e me disa të tjerë në atë kohë kemi punuar dhe në hartimin e dy fjalorëve dygjuhësh”. (Dy fjalë kujtimi për prof. A. Xhuvanin, te: Studime gjuh. V., p. 190).
20.Njësoj mund të thuhet se në kohët e pas luftës, E. Çabej nuk do të merret as me Naimin, duke kuptuar faktorin politik të kohës si manipulativ dhe tejet destruktiv, që ndikonte sikur në zhvillimin e mendimit letrar, ashtu edhe në zhvillimin e mendimit shkencor gjuhësor. Nga kompleti i veprave (IX vëllime) të botuara të E. Çabej në Prishtinë kuptohet qartë se ai nuk është marrë me punime të veçanta as me gjuhën e Naimit, e as me veprat (gjuhësore) të vëllait të tij Samiut, të cilët propaganda e kohës së monizmit enverian i favorizonte, duke i bërë ideologë të pazëvendësueshëm dhe modele në zhvillimin e mendimit letrar dhe gjuhësor.
21.Gjon Buzuku, Meshari, Tiranë, 1967.
22.Artikulli i E. Çabej për Nolin, me titull: Fan Noli ynë (te: Studime gjuhësore, V, 167-168, i botuar me rastin e vdekjes së poetit (1965), ndonëse konciz dhe përmbajtësor, është tepër i shkurtër dhe i mangët që të mund të veçohet si “më i bukuri në fushën e letërsisë”, siç e ka vlerësuar Sh. Demiraj (Vep. e cit., p. 153). Edhe në Elemente… (p. 57) E. Çabej mendon se “veprat që e kanë vënë Fan Nolin në rend të parë të literaturës shqipe moderne janë përkthimet e veprave të literaturës së përbotshme”.
23.Fillimisht E. Çabej ka botuar artikujt: Kënga e Lenorës në poezinë popullore shqiptare (1934); Kostandini i vogëlith dhe kthimi i Odiseut. (1937); Die albanische Volksdichtung (te: Leipziger Vieteljahrschrift fur Sudosteuropa, III (1939); Një vështrim mbi folklorin shqiptar (1943); Zakone dhe doke shqiptare (1935); Poezia popullore të Arbëreshëve të Italisë (1961); Disa figura të besimeve popullore shqiptare (1972) etj. Të gjitha këto punime janë botuar te: Studime gjuhësore, V.
24.Për gjenezën te: Studime gjuh., V, p. 134.
25.Elemente, p. 51.
26.Ky moment i karakterizon edhe vlerësimet e E. Çabej për De Radën, sidomos kur shkruan se ai “imiton poezinë italo-arbëreshe”, ose kur thotë se “kur njëherë këngët popullore italo-shqiptare të mlidhen e të njihen më mirë, do të gjinden sigurisht lodhje edhe më të ngushta midis tyre dhe veprave të këtij poeti”. (Elemente, p. 3)
27.Romantizmi në Europë, p. 544.
28.Elemente, p. 52.
29.Kohëtore e letrave shqipe, te: I. Rugova – S. Hamiti, Kritika letrare, “Rilindja”, Prishtinë, 1979, p. 71.
30.Studime gjuhesore V, 109.
31. E. Çabej shkruan “Dukja e jashtme e Shqiptarëvet është caktuar nga raca dinarike, e cila përfshin edhe pjesët serbo-kroate e greke”. (St. gjuh. V, p. 114)

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.