Kol Mjeda (4 dhjetor 1895 – 24 prill 1951) – nga Doc. Dr. Zyhdi Zekja & Namik Kruja

0
17
Kolë Mjeda (1895-1951)
Kolë Mjeda (1895-1951)

Kol Mjeda (4 dhjetor 1895 – 24 prill 1951)

nga Doc. Dr. Zyhdi Zekja & Namik Kruja

-Kol Mjeda, deputet monarkist dhe sindikalist i njohur i Shkodrës
-Kol Mjeda, atdhetar me përmasa kombëtare

Një person i harruar, por që meriton të kujtohet është edhe Kol Mjeda. Duhet përmendur se disa pjestarë të fisit Mjeda janë të njohur në qytetin e Shkodrës për kontributin e tyre në çështjet patriotike dhe fetare, si edhe në lëmin e gjuhës e të artit, si Ndre Mjeda dhe Imzot Lazër Mjeda.
Kol Mjeda ka lindur në Shkodër më 4 dhjetor 1895. Mbaron në Shkodër shkollën fillore, ndërsa shkollën e mesme teknike e kryen në Drezden të Gjermanisë, ku më pas mbaron edhe shkollën teknike superiore në Stilistikë (Moda e veshjeve për burra). Ndonëse larg atdheut, mban lidhje rregullisht me familjen, të afërmit dhe shokët e tij, pa përjashtuar edhe miq, të rinj e të huaj. Me kthimin në Shqipëri, fillon të ushtrojë profesionin e stilistit në zejen e rrobaqepsisë, duke hapur një sallon mode për burra, ku qepeshin e nivel stilistik të lartë veshje për burra: Bonjeure, Rontigeau, fraqe të modës së fundit etj…
Gjurmët e ekzistencës së këtij salloni made, ekzistojnë në udhërrëfyesin ose në Guidën e qytetit të Shkodrës së asaj kohe; ku pasqyrohet adresa dhe reklama e tij.
Ekzistenca e këtij salloni mode bëri që shkodranët të fillojnë të kenë një “revolucion” në veshjet e tyre qytetare, ku filloi të lihej moda e vjetër tradicionale dhe filloi veshja e re që shkodranët e quanin “alla franga”.
Tani, aristokracia, tregtarët, shtetarët apo intelektualët e studentët që drejtoheshin në Perëndim, ishin në gjendje të bënin një “Bella figure” në të gjitha nivelet e shoqërisë perëndimore dhe aristokratike.
Qyteti i Tiranës, edhe tani, në vitin 2004, nuk e ka një zeje të tillë, por as stilistë mode të liçencuar dhe të njohur si të tillë. Ka gjithkund tregtarë që ekspozojnë prodhime të të tjerëve, por jo prodhim mode “alla-shqiptar”.
Çdo gjë e tillë, pra moda në veshjet tona, është e diktuar nga sallonet të tjera perëndimore apo lindore dhe VIP-at i drejtohen vendeve të tjera dhe për një pullë xhakete.
Në saje të aftësive të tij profesionale, Kola e zgjeron zejtarinë duke punësuar deri 6 punëtorë, me profesionistë të shquar të asaj kohe në Shkodër si Kol Tivari, Gjon Laca etj..
Kol Mjeda arriti ta zmadhojë aktivitetin e tij me një punëtori të madhe për atë periudhë, deri në 60-80 punëtorë. Duke qenë i diplomuar në Gjermani në këtë fushë, si dhe duke shfrytëzuar referencat nga Drezdeni, Kola arriti që nga Shkodra të lidhë kontrata pune me sipërmarrës austriakë për qepjen e veshjeve me porosi të klientelës së huaj.
Kjo shoqëri, për hir të së vërtetës, kur u formua e gjeti Kolën të ri, por, pas kthimit të tij nga studimet dhe emigracioni, e gjeti të kompletuar dhe me vizion të ri. Në vitin 1919 Kola bëhet kryetari i saj, ndërton statutin e saj sipas rregullave perëndimore dhe demokratike. Kjo shoqëri krijoi bordin e saj, ka nënkryetarin dhe dy sekretarë, kasjerin, llogaritarin dhe mjekun. Më pas kjo shoqëri bëhet bërthama e krijimit të një shoqate, në të cilën arrijnë të aderojnë deri në 60 mijë persona, si punëtorë, zejtarë, tregtarë të vegjël e të mesëm.

Shkodra - Prefektura e Qytetit (marubi)
Shkodra – Prefektura e Qytetit (marubi)

Kjo shoqatë u vinte në ndihmë anëtarëve të saj në raste hidhërimesh (vdekje) e gëzimesh (martesa); në raste sëmundjesh e deri në kriza falimentimi apo në rast fatkeqësie si zjarr e përmbytje.
Kjo shoqatë u bë edhe promotor i lëvizjeve punëtore në Ballkan, si në Mal të Zi, Mitrovicë, e deri në Kroaci, duke u mësuar edhe shoqatave të tjera se si të kërkojnë të drejtat e tyre nga punëdhënësit. Me gjithë politizimin e qëllimshëm, Kristaq Misha, në librin e tij “Lëvizja Punëtore”, nuk mundet të argumentojë e paraqesë Lëvizjen Punëtore në Shkodër si “revolucionare”. Kola është ndër të parët të rinj shkodranë, nismëtarë të organizimit të Lëvizjes sindikaliste. Me iniciativën kryesisht të punëtorëve shkodranë, që kishin punuar kryesisht në Austri, Itali, Bosnje, Mal të Zi etj., u përhapën ide sindikaliste dhe demokratike. Punëtorët dhe zejtarët e ndryshëm e që punonin në kushte të vështira pune, shtruan herë pas here kërkesat e tyre për ngritje pagash, për një orar të reduktuar pune. Për realizimin e kërkesave të tyre, ata organizuan edhe greva, si ato të vitit 1901, e pastaj në vitin 1905 e në vazhdim.
Më 1 prill 1907, u krijua “Shoqëria Ndihmëtare e Punëtorëve” në Shkodër, me në krye Simon Rranxin, Kol Mjedën, Kol Lukën, vëllezërit Daia dhe Dajçi, Hilmi Drishtin, Anastas Zaqorën, Gjon Lacajn, Et’hem Behrin, Kel Marubin, Abdyl Jasharin etj… Aktiviteti i kësaj shoqërie, me ndërprerje të vogla, sipas kushteve politiko-shoqërore, vazhdoi deri me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste në vitin 1939.

Shkodra e viteve Dyzetë
Shkodra e viteve Dyzetë

Për të sensibilizuar opinionin publik, aktiviteti i kësaj shoqërie është pasqyruar edhe në shtypin e kohës.
Kol Mjeda ka qenë një nga themeluesit kryesorë të Lëvizjes sindikaliste të Shkodrës dhe, në periudha të ndryshme ka qenë edhe sekretar, nënkryetar dhe kryetar i kësaj shoqërie. Ai është iniciatori i veprimeve dhe aktiviteteve dobiprurëse, sikurse është rasti i krijimit të shoqërisë artistike muzikore “Rozafa”.
Në vitin 1918, Kola i binte klarinetës dhe me grupet orkestrale jepnin shfaqje për popullin në festat kombëtare. Për aftësitë e tij dhe reputacionin që gëzonte në masën e punonjësve, shoqëria e zgjodhi edhe anëtar të këshillit të bashkisë së qytetit, ku me shumë përkushtim ai mbrojti të drejtat qytetare.
Për mëse 20 vjet, Kol Mjeda ka punuar pa u lodhur si një nga drejtuesit e kësaj shoqërie, deri në triumfin e Legalitetit. Me eksperiencën e fituar në Lëvizjen sindikaliste, çka e ndihmoi të njihet me problemet sociale të vendit, Kol Mjeda, qysh në vitin 1924, filloi t’i përkushtohet edhe politikës dhe të merret edhe me qeverisjen e shtetit shqiptar, në detyra të ndryshme. Në fillim ai kryen funksionin e kryetarit të bashkisë së Shkodrës. Për disa legjislatura ai ka qenë deputet i Shkodrës dhe arrin të zgjidhet deri zv/president i Asamblesë kombëtare. Vlen të kujtohet se në zgjedhjet e deputetëve të Prefekturës së Shkodrës në vitin 1925 dolën 8 vetë, njerëz të dëgjuar si Maliq Bushati, Tef Gera, Ndrek Kici, Zenel Mandia etj., dhe në mesin e tyre ishte edhe Kol Mjeda, i cili mori numrin më të madh të votave. Në fund të karrierës së tij (rreth 3 vjet), Kola ka qenë prefekt i Qarkut të Dibrës.
Kol Mjeda do t’i përgjigjesh emërimit në detyrat shtetërore me seriozitet dhe me angazhim, duke fituar jo vetëm simpatinë e bashkëqytetarëve por edhe të të gjithë atyre me të cilët bashkëpunoi.
Kol Mjeda, falë talentit dhe përkushtimit, ka dhënë edhe një kontribut modest në publicistikën e kohës. Në vitin 1925, Kola ka drejtuar me kompetencë për një kohë të gjatë fletoren e përjavshme “Zani i Popullit”, qe dilte në Shkodër. Gjithashtu, ka bashkëpunuar dhe shkruar artikuj publicistikë në revistën prestigjioze “Leka”.
Nga artikujt e botuar, përmendim “Ekonomi Kombëtare e Bujqësi”; “Si t’i shpëtojmë inondatave”; Mbi edukatën e ndjesisë së atdheut etj… Kol Mjeda sëbashku me kushëririn e tij, Dom Ndre Mjeda, në qershor të vitit 1930, vizituan vendlindjen e Budit (shkrimtarit të moçëm), ku u njohën nga afër dhe bënë studime mbi trojet, fisin, gjuhën e Imzot Pjetër Budit. Këtë vizitë, Kol Mjeda e pasqyron shumë bukur në revistën “Leka” në korrik të vitit 1930, nga ku del qartë personaliteti dhe madhështia e këtij matjani mendjendritur. Jeta e Kol Mjedës është një shembull i mirë që vërteton se ambicja të nxit për të ecur në jetë. Ai, nga një zejtar arrin të bëhet një intelektual që zotëronte 4 gjuhë të huaja si gjermanisht, italisht, serbo-kroatisht dhe turqisht, madje edhe drejtoi me kompetencë gjatë detyrave të rëndësishme shtetërore.

Ahmet Zogu (1895 - 1961)
Ahmet Zogu (1895 – 1961)

Bindja politike e Kol Mjedës ishte se Monarkia është forma më e mirë e regjimit. Ai shprehej se “vetëm Ahmet Zogu mund ta drejtonte shtetin shqiptar, falë aftësive të tij të rralla prej politikani dhe ushtaraku” dhe se “vetëm Ai mund ta çojë vendin drejt përparimit, nën shembullin e shteteve më të zhvilluara…”
Më 25 gusht të vitit 1925, në seancën e parë të Asamblesë Kushtetuese, deputeti i Shkodrës Kol Mjeda kërkoi fjalën në të cilën tha: “Në këtë stinë, pesë shekuj më parë, prijësit shqiptarë ishin mbledhur në Lezhë, në Kuvendin e Madh historik, për me i dhurue të Madhit Skënderbej Kurorën e Shqipërisë. Unë sot propozoj që Asambleja Kushtetuese të përcjellë dëshirën e popullit e T’i dhurojë Shpëtimtarit të Kombit Kurorën e Mbretërisë së të Madhit Skënderbe… Ja, stërnipi yt, Zogu, po ze vendin tand, bash Ai që, me gjoks e shpatë, u ba shpëtimtari i Kombit. A je kund Naim? Po ti o Vaso Pasha, ku je? Ejani këtu e shkruani dy vargje prej zemrës suaj, dhe rrëfejini botës se populli shqiptar, që e ruajti mes luftrash Fronin e të Madhit Skënderbe, sot po krenohet, po naltësohet me të madhin Zog – Mbretin e Shqiptarëve…”

***

E kujtojmë këtë sindikalist dhe deputet të Mbretërisë Shqiptare me rastin e për jetorit të vdekjes në Burgun e Burrelit, më 24 prill 1951, i akuzuar si “Armik i popullit”. Familja e tij u persekutua për gjysëm shekulli nga diktatura komuniste dhe, as sot e kësaj dite nuk ka mundur të gjejë eshtrat babait atdhetar…
.
Marre nga faqja GEGNISHT – Postim i Xhabir Tabakut 2 shkurt 2022

Related Images:

Artikulli paraprakDom Mikel Beltoja – nga Kastriot Dervishi
Artikulli tjetërDah Polloshka, legjenda që mundi harresën – nga Behar Arllati
Jozef Radi
Biografi Jozef Radi 16 janar 1957, lind rastësisht në qytetin e Elbasanit, mbasi të dy prindët e posadalë nga burgu ishin interrnuar në kampin e Kuçit të Kurveleshit... Ishte i vetmi fëmijë i të ashtuquajturit “Kampi i 100 Intelektualëve”... 1957, Pagëzohet me emrin Antonin, por xhaxhai i tij me të njejtin emër, e regjistron si Jozef... 1957-1961, ndjek fatin e prindërve në odisenë e kampeve: Radostinë, Gradishtë, Çermë dhe më së fundi n’atë të Savrës... 1963-1971, kryen shkollën fillore dhe tetëvjeçare në Karbunarë dhe Savër me rezultate shumë të mira... 1971-1975, ndjek gjimnazin “20 Tetori” në qytetin e Lushnjes, ku përjashtohet dy herë nga shkolla, thjesht si... i biri i Lazër Radit! 1975, frekuenton të njëjtën klasë me Gëzim Hajdarin dhe Shpend Sollakun: Tre të apasionuar të letërsisë; më vonë edhe autorë mjaft të njohur librash... 1975, fillon si puntor në fermën e Savrës 1977-1979, kryen shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos, fortifikim në Dropull të Gjirokastrës... 1981, mbaron shkollën e mesme me rezultate të shkëlqyera dhe as bëhet fjalë për vazhdimin e ndonji shkolle të lartë... 1984, bën gjithë përpjekjet për botimin e librit të parë poetik “Trokitje”, por problemet e biografike... e pengojnë botimin edhe pse Shtëpia Botuese e kishte vlerësuar si... “të botueshëm...” 1984-1990, krahas punës së rëndë në bujqësi, studion intensivisht gjuhët e huaja; merret me përkthime, shkruan dhe redakton veprën e të atit... 1989, së bashku me të atin përkthejnë veprën “Stalini, Moxarti dhe Maria Judina” e poetit Bërkoviqit, e cila kalon dorë me dorë si vepër antidiktaturë... 1990, së bashku me të Atin, vendosen në Tiranë, prej ku nis nji fazë e re shprese dhe entusiazmi, se demokracia mund t’i riparojë pasojat e diktaturës... dhjetor 1990-31 mars 1991, ndjek nga afër lëvizjen dhe ndryshimet demokratike... mars 1991, boton për herë të parë, ciklin me 6 poezi në revistën arbëreshe “Katundi Ynë” në Kozenca. maj 1991, regjistrohet në fakultetin e Gjuhë- Letërsisë dhe më pas kalon në atë Juridik. 1993, botojnë së bashku me të atin librin e parë “Muret e Muzgut” si dhe poemën “Stalini, Mozarti dhe Maria Judina” 1993, nis botimin e revistës tremujore “Arbëria”, e cila del në tre numra... 1993-maj 1997, punon në detyra të ndryshme në Presidencën e Republikës. qershor 1994, mbaron Fakultetin Juridik qershor 1997, ngjarjet e atij viti ishin dëshmi e vrasjes së demokracisë... detyrohet të emigrojë në Itali. shtator 1998, humb të Atin, Lazër Radin, njeriun me të cilin kishte ndarë ditët më të vështira të jetës. 2000, boton librin e dytë poetik: “Kujtesa e Mjegullës” 2004-2005, mbulon për gati dy vjet rubrikën “Qiell i Përtejmë” në revistën “ars” 2007, boton me bashkaautorë albumin fotografik “Ancona nascosta” 2000-2010, bashkpunon me shokun e tij Gëzim Hajdari, në redaktim e veprës së tij të botuar në Itali 2011, boton librin e tretë poetik “Fletorja e Vjeshtës” 2000-2013, bashkëpunon vazhdimisht me shtypin shqiptar 2000-2013, përkthyen mjaft nga veprat e poetëve si: Ungaretti, Montale, Raboni, Senesi, Fatuiva, Pessoa, De Moraes, Hikmet etje, si dhe ka në duar veprën e Bodlerit “Lulet e së keqes” 2016, po përgatit për botim veprën e plotë të Lazër Radit në 14 vëllime... Jeton prej 16 vitesh në qytetin e Anconës...

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.