back to top
26.5 C
Tirana
E enjte, 3 Tetor, 2024

Dah Polloshka, legjenda që mundi harresën – nga Behar Arllati

Gazeta

 

Dah Polloshka (?- 1845)
Dah Polloshka (?- 1845)

Dah Polloshka, legjenda që mundi harresën

nga Behar Arllati

Një nga figurat më popullore në qytetin e Gjakovës është ajo e Dah Polloshkës. Emrin e tij të gjithë e kanë dëgjuar, por pak kush e di në fakt se kush ishte ai, mbasi krejt pak është shkruar për të. Me përjashtim të Dr. Prof Zekeria Canës, Dr. Prof. Masar Rizvanollit dhe familjarëve, pasardhëve të vetë Dah Polloshkës, askujt s’i ka shkuar ndërmend të merret të paktën me varrin e tij, të kujdeset për të apo edhe t’ia rrethojë përderisa edhe guri mbivarror me mbishkrim – emrin e tij e kanë thyer. Një nga pasardhësit e tij, Skënder Polloshka ka bërë përpjekje që të nxjerrë gjenezën e familjes Polloshka dhe, sipas pohimeve të tij, të dhënat ai i kishte marrë ne vitin 1976 nga Ali Polloshka. Sipas tyre, familja Polloshka ka ardhur nga Malësia e Gjakovës, nga fshati Geghysen, ndërsa, pas ardhjes në Gjakovë, u pagëzua nga një zgjua bletësh.
Një variant tjetër thotë se: kjo familje ka ardhur nga një fshat me të njëjtin emër që edhe sot e kësaj dite ekziston në Malësi. I pari i kësaj familjeje, sipas gojëdhënave, ishte Abdullahu që merret edhe si gjenerata apo faqja e parë. Pas tij vijnë brezat me radhë Rama, Osmani, Abdullahu e kështu me radhë. Sipas shënimeve familjare të ruajtura nga Skënder Polloshka, Abdullah Dah Polloshka del se është brezi i katërt i kësaj familjeje. Pra, Dah Polloshka i njohur ishte i biri i Osman Polloshkës që kishte dy djem, Ademin dhe Aliun. Vitet e lindjes nuk dihen për asnjërin nga ta, por dihet viti i vdekjes së Dah Polloshkës, 1845.
“Pas Masakrës së njohur të Manastirit dhe Reformave të Tanzimatit, Mehmet Reshit Pasha vjen në Gjakovë dhe ngre kampin e tij në Nakarade (vend periferik në Gjakovë). Sipas një raporti të Konsullit Austriak në Shkodër, Ballarini, i cili e përshkruan detajisht rastin, ardhja në Gjakovë e shqiptarovrasësit Mehmet Reshit Pashai cili në vitin 1830 vrau 500 krerë – udhëheqës shqiptarë në Masakrën e njohur të Manastirit dhe vendosja e tij në Nakarade, ngjalli një tmerr tek popullata vendase. Për këtë arsye, sipas Ballarinit, në mënyrë që të mbrohen, pjesa më e madhe e banorëve lëshojnë Gjakovën dhe largohen në fshatin Bellajë. Esnafët e Gjakovës bashkë me krerët e Malësisë, mblidhen për të gjetur një zgjidhje për të dalë nga kjo situatë aspak e lakmueshme. Në atë kohë ishte traditë mbajtja e kuvendeve ku diskutoheshin problem të ndryshme dhe kuvendet mbaheshin tek Livadhet e Tabhaneve. Edhe me rastin e ardhjes së Mehmet Reshit Pashës, mbahet kuvendi tek Livadhet e Tabhaneve dhe Dah Polloshka, si njëri prej trimave më të njohur, propozon që ai personalisht të niset dhe t’i bëjë atentat Mehmet Reshit Pashës. Kuvendarët pajtohen me këtë propozim dhe Dah Polloshkësi bashkohet dhe një çifqi i fesë katolike nga fshati Brekoc, emri i të cilit nuk dihet si dhe një tjetër për të cilin poashtu nuk ka asnjë të dhënë.
Të tre nisen trimat për në Nakarade, ku e kishte kampin Mehmet Reshit Pasha. Dah Polloshka me dy shokët e tij i mashtrojnë rojet dhe arrijnë deri te tenda e Mehmet Reshit Pashës. Kur arrijnë te tenda, zbulohen nga truprojat e Mehmet Reshit Pashës të cilët fillojnë ta ndjekin. Dah Polloshka arrin ta marrë kalin e tij të cilin e kishte kamufluar aty në afërsi. Mehmet Reshit Pasha, me rastin e ngritjes së kampit, e kishte rrethuar atë me hendek në mënyrë që të jetë më i sigurt dhe Dah Polloshka nuk arrin ta kalojë atë hendek. Kali thyen këmbën dhe Daha zihet rob…
Mehmet Reshit Pasha jep urdhër që Dah Palloshka të copëtohet për së gjalli dhe ky, sipas tij do të ishte dënimi më i madh dhe njëherit ky dënim do të sillte tmerr e frikë në popull.
Menjëherë pas vrasjes së Dahës, tek Mehmet Reshit Pasha shkon e jëma e Dahës e cila kërkon që copat e trupit të të birit të varrosen aty ku edhe ai ishte vrarë. Mehmet Reshit Pasha e lejon një gjë të tillë dhe Dah Polloshka varroset aty ku edhe sot e ka varrin” – shprehet historiani Prof. Dr. Masar Rizvanolli. Po sipas Rizvanollit, në vitin 1945, varri i Dah Polloshkës për herë të parë rregullohet nga Sulejman Polloshka, me iniciativën e Fadil Hoxhës. “Me rastin e organizimit të Stafetës së parë lokale të Titos, Fadil Hoxha bashkë me Sulejman Polloshkën, organizojnë dhe ia rregullojnë varrin Dah Polloshkës, mbasi, atëherë, stafetat niseshin nga monumentet kulturore-historike, kështuqë varri i Dah Polloshkës, ishte një nga më të rëndësishmit. Bile edhe mbishkrimi është personal i Fadil Hoxhës. Që e ka bërë me gozhdë, në beton të patharë. Aty është dhe një gabim në shkrim. Aty është viti 1843 e duhet të jetë 1845. Është interesant edhe fakti se Fadil Hoxha ka qenë njëri nga ata që i ka pëlqyer më së shumti kënga e Dah Polloshkës dhe kjo ishte dhe një arsye shtesë që varri i tij të rregullohej” – sqaron Rizvanolli. Për Dah Polloshkën, qysh në vitin 1930, shkruan folkloristi e etnologu slloven Matija Murko. Pas ardhjes së tij në Gjakovë për mbledhjen e folklorit, Murko kërkon ndonjë këngë dhe me këtë rast Ymer Riza me grupin e tij ia këndojnë këngën kushtuar Dah Polloshkës.
Në fillim të viteve ’90, varri i Dah Polloshkës rregullohet për të dytën herë, por drejtimi i tij bëhet gabimisht, kah veriu. Sot varri i tij është lënë në harresë dhe kjo ka bërë që varri i tij të mbulohet me shkurre të shumta derisa edhe mbishkrimi i është thyer. Edhe shtëpia e tij në Gjakovë nuk është ruajtur. Pak vite më parë ajo është rrënuar gjë që përbën një gabim të rëndë të atyre që duhet të kujdesen për monumentet kulturore historike.
I pyetur rreth rregullimit të varrit të tij dhe krijimit të një mini-parku rreth tij, Ministri aktual i Kultrurës u përgjigj shkurt: “Është një projekti përbashkët për tri figurat e shquara të popullit shqiptar Dah Polloshka, Sulejman Vokshi dhe Ali Ibra” – pa dhënë data se kur mund të rregullohen këto varre. Sot, një rrugë e qytetit të Gjakovës mban emrin “Dah Polloshka”, derisa tash e pothuaj një shekull këndohet kënga për Dah Polloshkën dhe kjo përbën një monument shumë më të madh dhe të palëkundur për këtë trim të madh të qytetit të Gjakovës që, siç e thotë edhe kënga: “…ti kish pas’ nja 100 si veten,/ pat me e çu’ (Mehmet Reshit Pashën) në Fushë të Kosovës”.

Dokument ku flitet për Dah Polloshkën
Dokument ku flitet për Dah Polloshkën

Teksti i këngës kushtuar Dah Polloshkës:

Me tre vetë luftën e nisi

Me tre vetë luftën e nisi
More si me kon’ o Misirlija
Avdullah Aga Karamoni
Zonin ia njeu Rumelia

Thotë nizami o me i lanë armët
More un’ i mjeri qysh do të rrnoj e
Axhakut le t’mi shkojë nami
Për nji shpirt veten s’e marroj e

E more at o ti janet e
More qysh s’e bane nji grim’ gajret e
Mos t’ish kon’ qaj llagom i shkret e
Pat me dal’ Daha n’selamet e

Dah Polloshka kur o dek’ e
More për to kajshin Gjakov e Reka
Vorri i Dahes na u mloft me nur
Sa me gajret o na i erdh deka.
Tan asqeri po bajn hyqmet
Për këtë mashkull o të Gjakovës
O t’i kish pas o 100 si veten
Pat me i çu’ o në Fush’ t’Kosovës

.

Botuar ne dhjetor, 2007

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.