back to top
31.8 C
Tirana
E enjte, 18 Qershor, 2026

Jam Amerikan… nga Nosh Mernacaj

Gazeta

Nosh Mernacaj
Nosh Mernacaj
Jam Amerikan…
nga Nosh Mernacaj

Kam lindur dhe jam rritur në Shqipëri. Kam kryer edhe shërbimin ushtarak – jo për patriotizëm, por sepse ishte me detyrim. Nuk jam penduar dhe po të kthehesha pas në vite, këtë herë do ta bëja edhe më me dëshirë. Edhe pse Komunizmi ra, ose ashtu menduam, Shqipëria mbeti në “vendnumëro”. Me çdo qeveri; të majtë apo pseudo-të djathtë, Shqipëria ndryshoi pak. U ndërtuan pallate me para të pista, shtëpi me para gjaku nga emigrimi që janë bosh, rrugë pak më të gjera se ato të që pat lënë Italia, u shëmben simbolet Komuniste, por nuk u çrrënjos mendimi Komunist.
Ikja vazhdon të jetë qëllimi kryesor i çdo të riu dhe grabitja vazhdon të jetë qëllimi kryesor i çdo pushtetari, të madh apo të vogël. Shqipëria është vetëm një ndalim i përkohshëm ku të gjithë janë udhëtarë.
Përse jam Amerikan?
Nuk jam Amerikan sepse kam një pasaportë Amerikane, por sepse ndihem si në shtëpinë time – në fakt është i vetmi vend ku ndihëm i tillë. E njëjta gjë vlen për shumicën e Shqiptarëve në emigrim – që në fakt ne jemi banorë tashmë – ose siç më pëlqen ta them “Ish-Emigrantë”.
Prej 26 vitësh jetoj në Amerikë. Erdha në moshën 23 vjeçare. Asnjë fjalë Anglisht, asnjë profesion, asnjë miqësi në qeveri, dhe sigurisht pa para. U shkollova, mora profesion, punova në dikastere mjaft të larta pa paguar kënd dhe pa pasur ndonjë miqësi. E fitova me mund dhe djersë, por mbi të gjitha sepse m’u dha mundësia si gjithë të tjerëve. Jam Amerikan.
Nuk jam Amerikan sepse ha më mirë apo më shumë. As sepse kam veshje apo makinë më të mirë. Jam Amerikan sepse mund t’i ble me paratë e mia të ndershme.
Nuk jam Amerikan sepse është nder. Jam Amerikan sepse Amerika më nderon.
Prej 30 vitesh në mërgim, sa herë kam hyrë në portet dhe aeroportet e Shqipërisë, jam trajtuar si shërbëtor – derisa mora pasaportë të huaj. Herë më mirë e herë më keq, por asnjëherë nuk jam ndjerë si në vendin tim. Mjaftohemi me një, “shyqyr që kaluam pa ndonjë problem”, dhe kjo quhet arritje. Sa herë vi në Amerikë nga jashtë, polici i kontrollit më thotë, “Mirë se edhe në shtëpi”. E keni dëgjuar ndonjëherë këtë në Rinas? Unë asnjëherë.
Ironikisht, edhe në Shqipëri, pasaporta Amerikane ka më vlerë se ajo Shqiptare. Që kur kam marrë pasaportën Amerikane, edhe në Rinas trajtohem më mirë. A ka më hall se ti thuash policit shqiptar, “sillu mirë se të thërras ambasadën Amerikane!” Sa për korrektësi, unë nuk e kam provuar dhe do të më vinte turp ta bëja, por e kam dëgjuar në shumë raste sepse njerëzit janë lodhur. Polici nuk i trembet ligjit Shqiptar, betimit që ka bërë, apo ndonjë ndjesie njerëzore. Ai i trembet vetëm ambasadës Amerikane.
Ne kemi ikur prej hallit dhe jo për inat të dikujt – apo se nuk e duam Shqipërinë. Nuk jemi tradhëtarw, vetëm nevojtarë. Kur vimë në Shqipëri na shohin me përçmim. Pronat na u morën me kohë dhe ata pak që kanë tentuar t’i marrin, janë zhgënjyer. Na sorollasin edhe për një dokument të thjeshtë, si çertifikatë lindjeje, sepse duan të na marrin para. Tjetër gjë s’kemi nevojë, por vendin ku kemi lindur nuk e ndërrojmë dot dhe na mbajnë peng. “Hajt se jeni në Amerikë”, thonë. A thua se jemi me mision diplomatik apo bursë shteti.
Jam Amerikan sepse në Nju Jork jam “Njujorkez”, ndërsa në Tiranë jam “Malok”.
Një herë isha për vizitë në një vend të Azisë dhe luhej finalja e futbollit Amerikan. Më erdhi një email nga ambasada Amerikane me ftesë për të shkuar në ambasadë për të parë ndeshjen. Një herë në Romë shkuam në ambasadën Shqiptare për një dokument verifikimi dhe pritëm jashtë në rrugë për orë të tëra. Italianët që kalonin na përqeshnin.
Nuk jam Amerikan me gjak – se atë nuk do ta ndërroj, por do ta derdhja gjakun për të, sepse fëmijët e mi do të rritën këtu dhe ky vend u del zot. Dikur luftën e udhëhiqnin aristokratët, sepse ata kishin diçka për të humbur. Ndërsa të varfërit, maksimum bëheshin mercenarë. Sot në Shqipëri të pasurit ikin më të parët sepse e kanë më kollaj.
Jam Amerikan sepse kur shkoj jashtë Amerikës dhe takoj ndonjë Amerikan tjetër, më thërret vëlla. Kur vi në Shqipëri më thonë, “ju të Amerikës”.
Në Shqipëri, të duket se ke hyrë në një vend të pushtuar. Në fakt pak a shumë i tillë është. Shqipërinë nuk e kanë më afër as ata që e kanë zaptuar e as ata që na përçmojnë. Unë jam Shqiptar sa të gjithë ju. Gjakun e kam Shqiptar dhe do ta kem përjetë.
Zemra më dhemb për Shqipërinë, por sot jam Amerikan!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.