back to top
17.6 C
Tirana
E hënë, 7 Tetor, 2024

Historia “Turtulleshës” kompozuar nga Ramadan Sokoli – me tekst të Qemal Draçinit – prej një intervistë të Prof. Ramadan Sokolit në vitin 1995

Gazeta

Ramadan Sokoli ne rini
Ramadan Sokoli ne rini
Historia “Turtulleshës” kompozuar nga Ramadan Sokoli
– me tekst të Qemal Draçinit
prej një intervistë të Prof. Ramadan Sokolit në vitin 1995

***
Drejtuesi: Të nderuem ndigjues të radios më lejoni me një pikë muzikore nga studio e radios të përshëndesim me gjithë zemër mysafirët e nderuem të cilët na nderojnë sot me pjesëmarrjen e tyre. (transmetohet kanga “Turtulleshe” me autor R. Sokoli)

Drejtuesi: Prof. Sapo ndigjuem kangën “Turtullesha”, cili ashtë mendimi juaj për këtë kangë?
Prof. R. Sokoli: (me humor) Kjo ashtë një grackë që po më ban ti mue. Në radhë të parë unë nuk mund të jap një mendim për një krijimin tim sepse do të isha shumë subjektiv e mungesë modestie e aq ma tepër në këtë moshë nuk m’ka hije ma “buzëve” tashma me folë për ngjarje të rinisë sime.

Drejtuesi: Profesor – besoj se ndigjuesve ju intereson të dijnë si zuni fill kanga Turtulleshë?
Prof. R. Sokoli: Eh (ofshan) si zuni fill. Kam qenë në Ulqin në vitin 1941. Atëhere isha student në konservator (në Firence shën. Sh. R.) dhe erdhëm këtu bashkë me një shok poet – mjerisht ai ka vdekë ashtë martir – ka vdekë në hetuesi – Qemal Draçini. Këtu takuem “Turtulleshën” mbas një ndërpremje të gjatë. Ai u frymzue dhe bani nji poezi e shkroi në fletë të cingareve. Ato ditë ishte inaugurue nji hotel i ri këtu në Ulqin; dhe nga Shkodra kishin ardhë edhe kangëtarë si Marije Kraja – etj – sëbashku edhe me disa ahengxhi tradicionalë mjeshtra. Ai ma dha poezinë dhe unë s’vonova – e mbrenda natës me kitarrë që mbajshim me vehte me nji frymë si i thonë fjalës kur e ke nji gja përzemër del vetë – krijova melodinë… Rini hesapi!

Ndërhyn Z. Rexhvelaj: (me humor) Kjo “Turtullesha” mendoj se asht “metaforë” se s’ma merr mendja se ajo – quhej “Turtulleshë”.
Prof. R. Sokoli: Jo! nuk e ka pas Turtulleshë – edhe ajo ka vdekë. Tani po më ktheni në nji atmosferë mbrapsht 50 vjet. Eh! Ka shumë drama mrena – ma mirë asht mos me i kujtue… me i harrue. Atje në hotel ishte një mbramje me ahengxhi të vjetër shkodranë. Ndejtëm me ta deri vonë dhe ju thamë se do t’ju japim një kangë të vjetër. Ne sapo e kishim krijue. E përsëritëm melodinë disa herë bashkë edhe me poezinë tue e këndue edhe na bashkë me ta “nën za” dhe përnjiherë ata e përvehtësuen dhe filluen ta këndonin. Mbas tri javësh kur po ktheheshim për në Itali – hamalli që po na mbante valixhet në Durrës po këndonte kangën “Turtulleshë”.
Pra kanga kishte marr dhenë – por pa ju dijtë autori – si popullore!

Marrë nga Muri i FB Artan Kafexhiu, 11 shtator 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.