back to top
10.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Prill, 2024

Hekuran Zhiti autori dhe aktori i dramës së vet… Eda Agaj

Gazeta

Hekuran Zhiti (1911-1989)
Hekuran Zhiti (1911-1989)

Hekuran Zhiti – autori dhe aktori i dramës së vet…

nga Eda Agaj

100-vjetori i poetit martir Hekuran Zhiti

(13 prill 1911 – 15 mars 1989)

Hekuran Zhiti (13 prill 1911 – 15 mars 1989) zbriti nga Mali i Tomorrit, Olimpi i shqiptarëve dhe jeta e tij do të ishte një zbritje, por njëkohësisht dhe një ngjitje e brendshme, një kalvar vuajtjesh drejt një Olimpi tjetër, moral dhe artistik.
Në kohën e mbretërisë shqiptare ai u shkollua në “Normalen” e Elbasanit dhe punoi si mësues fshatrave të Jugut. Qysh student ai u shqua për dëshirën dhe prirjen e tij për poezinë dhe teatrin. Pas botimeve të para, ai do të shkruante komedi të shumta dhe do t’i interpretonte edhe vetë, kur Shqipëria nuk kishte teatro profesioniste, por me drama plot rrugëve të saj.
Pushtimi fashist i vendit e gjen në Berat, i njohur si nacionalist dhe kundërshtar i regjimit, por edhe si personalitet kulture i qytetit.
Ai po bënte atë që s’e kishte bërë askush deri atherë, po shkruante elegji për të rënët dhe ua lexonte te varret, qofshin këta partizanë si miqtë e tij: Margarita e Kristaq Tutulani, qofshin nacionalistë, dëshmorë të Ballit Kombëtar.
Kulmi i krijimtarisë së tij poetike do ishte poema “Përqafimi i dy kundërshtarëve”, kur për herë të parë në poezinë shqipe kërkohej shmangia e luftës civile, në kohën kur po këndoheshin marrshet e luftës së klasave nën simbolin e drapërçekanit. Poeti bën thirrje për vëllazërim e dashuri, që të mos vritemi mes nesh, por ta çlirojmë vendin dhe të ngremë lart Flamurin tonë me shqiponjën e lirisë.
Poema u ribotua në shumë gazeta të kohës, u dramatizua dhe u shfaq në disa skena të vendit, si në Berat, Fier, Kavajë, Vlorë dhe në Kinema “Kosova” në Tiranë, etj. Më vonë, në vitet e para të demokracisë, ajo u rivu në skenë edhe në qytetin e Lushnjes, ku ai kaloi pjesën më të gjatë të jetës.
Të shumta ishin dramat dhe komeditë që Hekuaran Zhiti që shkruante dhe vetë i vinte në skenë në Berat, duke interpretuar po vetë.
Njëherë, kur publiku duartrokiste furishëm dhe kërkonte daljen e autorit në skenë, ai dergjej pak më tutje, por tashmë në një nga skenat e tragjedisë së tij: në qelitë e burgut. E kishin arrestuar dhe torturuar duke i kujtuar edhe poemën me apel pacifist që kishte shkruar gjatë luftës, që partizanët ishin urdhëruar ta gjenin, posa ta digjnin.
Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, i theu ëndrrat e tij dhe e ndërpreu gjithë aktivitetin e nisur. Nuk e la të bënte atë që ai premtonte. Fillimisht “fitimtarët” e pushojnë nga puna, më pas e burgosin si nacionalist, për origjinën e tij, “me toka në Tomorricë e me çifligje në Selanik, bashkëpunëtor i intelektualëve antikomunistë si Mit’hat Frashëri e Safet Butka, Abaz Ermenji, Sejfi Protopapa, dhe për poemat e tij kundër luftës civile në Shqipëri”, të cilën, së bashku me gazetat ku qe botuar, do të çoheshin në fabrikë të letrës për t’u ricikluar në karton të bardhë si harresa…
Mbas daljes nga burgu, Hekurani dëbohet nga Berati. Familjarisht ai ikën dhe gjen punë si hamall në portin e Durrësit, duke interpretuar shpesh “të pashkollin dhe analfabetin”, por edhe nga aty e heqin me motivin, afër një “zone kufitare”. Punon si puntor rrugësh me kazmë, por pas pune merrte violinën e “Normalistit” dhe me duart e nxira e gjithë kallo i binte për 4 fëmijët e tij, për të shoqen dhe prindërit që e rrethonin në kasollen ku kishin futur kokën.

Lushnja e Vjeter - vitet '60
Lushnja e Vjeter – vitet ’60

Nevojat e vendit ishin të mëdha dhe kuadrot e pakta, varfëria qe kudo… mungonte buka dhe mësuesit… dhe Hekuran Zhiti, i vlerësuar nga shkrimtarët e viteve ’30 si Sterrjo Spasse, shok klase, Petro Marko, Nonda Bulka, që e kishte cilësuar si “Fishta i Jugut” (Hekurani qe takuar me poetin e madh Gjergj Fishta në Shkodër), etj., po kështu dhe nga shkrimtarët e socrealizmit si Shuteriqi e F. Gjata, etj, nga rektori i parë i universitetit, emërohet mësues në fshatrat e Lushnjës. Andej internimeve ku kishte ende miq të tij si gazetarin dhe studiuesin Lazër Radi, piktorin Lek Pervizi, poetin Pano Taçi. Më tutje kishte përkthyesin dhe poetin Vexhi Buharaja, shkrimtarin Mustafa Greblleshi, etj.
Kur Hekurani iu rikthye ndërkohë pasionit të tij, lojës teatrore, e ngarkuan të themelojnë teatrin e estradës së Lushnjës. Se bashku me muzikantin e shquar, Fotaq Filipeu, i liruar nga burgu politik, por dhe me Vaçe Zelën, që do të bëhej këngëtarja më e njohur e muzikës së lehtë shqiptare, me parodistin e shkëlqyer, shkodranin që do të vinte nga internimi Gjosho Vasia, etj,.
Shumë shpejt Hekuran Zhiti u bë kurora e suksestit të asaj estrade, veçse ai s’do të kishte të drejtën e shfaqjes së emrit, dhe as të botimit të një libri, të një drame a komedie të tij, edhe pse kritikët që i lexonin ato në dorëshkrim i konsideronin si ndër më të bukurat. Ndonjë skeç i botohej në almanakët e estradave.
Në kulmin e punës dhe energjive ai u hoq përsëri, u nxor në pension dhe me ashpërsimin e luftës së klasave, i erdhën goditje të reja edhe më të rënda. Në atë familje që kishte njohur pushkatime e burgje e persekutim të pandarë, nuk ndalesh dhuna e pushtetit komunist. Mbasi i burgosin njërin nga djemtë “për poezi”, ai u vetëburgos në shtëpinë e tij të ngushtë, nuk doli më, derisa një ditë i mbylli përgjithmonë sytë e verbuar “prej së keqes që kish parë”!
Hekuran Zhiti, vdiq në qytetin e Lushnjës, kur në fakt e dinin të vdekur! Një vit më vonë do të binte edhe diktatura.
Vitet e demokracisë do ta risillnin emrin e Hekuran Zhiti duke kërkuar t’i jepnin vlerën e vërtetë, atë çka ai meriton, duke e përkujtuar atë dhe bëmat e tij, ato që mundi të shkruajë, duke u nënkuptuar dheajo që nuk iu lejua të shkruhej… Ndërkohë u botuan dy libra të Hekuran Zhitit, një përmbledhje me poema dhe poezi të zgjedhura “Kryengritje shqiptare në parajsë” dhe “7 komedi”, të një lloji tjetër, me fund tragjik… Veprat e tij janë mirëpritur nga lexuesit dhe kritika, kanë patur jehonë në vend dhe më tej, në diasporë. Hekuran Zhiti ka ende për të dhënë, janë mjaft dorëshkrime që presin botimin, drama e komedi të tjera, por mbi të gjitha emri i tij i demokratit të natyrshëm, ai që e deshi atdheun, dijen, artin, që u bë edukator në shkolla dhe në popull, solli optimizëm, humor dhe të qeshura në kohën e errësirës më të rëndë.
Emra të tillë si Hekuran Zhiti, mbartin gjithnjë dritën.

Nënë Resmia me djemtë: Shpëtimi, Ilirjani dhe Visari
Familja e Hekuranit: Nënë Resmia me tre djemtëShpëtimi, Ilirjani dhe Visari

Kanë thënë për Hekuran Zhitin:

Hekuran Zhiti u bë shumë popullor në Myzeqe e pastaj nëpër Shqipëri nëpërmjet estradës. Ai u fut në memorien kolektive, në atë të qytetarëve. Ja ç’kujton tani një krijues dhe gazetar nga Lushnja, Kozma Gjini: “Në fëmijëri vraponim pa pyetur për gjembat e thereckave, për të zënë një vend përpara sheshit të fshatit, në lëmë, a dritareve të vatës së kulturës që ta shikonim nga afër artistin me famë, që shkurt i thërrisnim “Hekri”. Do të ndiqnim estradën që vinte nga qytetit hipur në degët e pemëve, duke rrezikuar të binim nga qarri, mes buçimës së duartrokiste.
Shkuleshin të rinjtë e fshatrave Lumth, Shakuj, Gorre, Rrapez, Pirrë, Goriçaj, Këmishtaj… dhe do ta kthenim sa e sa herë artistin e mrekullueshëm Hekuran Zhiti, duke thirrur pa pushim “Biiiizzzz”!
Pastaj ne mësuam më vonë se kaq mund të shkonte lavdia e tij, më shumë nuk i lejohej, kishte biografi jo të mirë për regjimin. Mbi të po hidhnin pluhur harrese ashtu si plisat e dheut mbi arkivolin e tij në varr në marsin e fundit të diktaturës.”

Është vlerësuar nga kolegët si aktori i humorit, Luftar Pajo, po kështu dhe nga libretisti, regjisori dhe shkrimtari Pëllumb Kulla. Edhe aktori i madh i Teatrit Kombëtar Kadri Roshi e çmonte, kurse regjisori i njohur i po këtij Teatri, Pirro Mani, që hapi një shkollë të re në regjisurën tonë e ka lënë me shkrim se e ka kërkuar Hekuranin dhe jepte për të 5 aktorë të tjerë.
Tani aktorë të Akademisë së Arteve kanë ngjitur në skenë komedi të Hekuran Zhitit me regji të Kiço Londos apo dhe të Anton Qesarit, i cili jep vlerësimet më të larta për këto vepra.

Ja ç’shkruan për Hekuran Zhitin dramturg Prof. Dr. Josif Papagjoni, kritik letrar, njëkohësisht dhe autor i “Enciklopedi Teatri & Kinematografi shqiptare”: “…jo shpesh ngjet që të zbulohet krejt një autor, i panjohur më parë nga lexuesi i gjerë; një autor, i ngujuar diku në pjesën e territ të kohës a të fatit. Ky është Hekuran Zhiti. Si në ato baladat kur heronjtë lëvizin rrasën e varrit dhe zhduken tej në mugullirë, duke sfiduar vdekjen dhe peshën e dheut, për të vënë në vend një amanet (që dheu s’e tret), shfaqja e këtij njeriu të “panjohur” në cirkun e ngushtë të dramës shqipe, ishte për mua një befasi. Një zbulim.
A ishte e mundur të shpëtonte pa u vënë re ky autor elegant, aq shpotitës, modelimi i një moleriani shqiptar, a Kalderoni, a Goldoni, plot shije e nur?
…nuk mund të rrimë pa shfaqur habinë dhe admirimin tonë të sinqertë. Në çast më vijnë në mendje autorë të tillë si Kristo Floqi me komeditë e tij të shkurtra apo Et’hem Haxhiademi me tragjeditë e tij. Janë bashkëkohës në letërsi, dy të parët tashmë të mirënjohur dhe me vendin e tyre të nderit në historinë e dramaturgjisë shqipe, kurse Hekuran Zhiti krejt i panjohur, pa një vend meritor dhe, detyrimisht, me nxitimin për t’i dhënë kurorën e mohuar që i takon…”

Si poet Hekuran Zhiti ka qenë vlerësuar nga gjenerata e tij, sidomos për satirat, qysh në bankat e shkollës. Por dhe gjeneratat e tjera si poetët Xhevahir Spahiu e Ali Podrimja, ndërsa poeti Faslli Haliti do të krijonte dhe një çmim letrar me emrin e tij për krijuesit lushnjarë e deri tek më të rinjtë si Ilir Levonja, etj.
Me një pjesë të poezive të Hekuranit ndodhi dhe ajo që rrallë u ndodh autorëve, u bënë anonime, popullore duke u futur në tekste të shkollave si folklor, psh poezia për Flamurin apo shumë këngë myzeqare.
Hekuran Zhiti poet, aq sa duket naimian dhe romantik, është dhe realist, me muzgjet dhe agimet e përgjakura të vendlindjes. Ndërkohë ai solli dhe një mesazh të ri.

Dr. Agim Vinca
Dr. Agim Vinca

Ja ç’zbulon studiuesi dhe poeti Dr. Agim Vinca në veprën: “Struktura e zhvillimit të poezisë shqipe (1945-1980)” në kapitullin “Poezia si akt moral” Prishtinë 1997: “Një krijim interesant i kohës së luftës, antipod i poemës “Epopeja e Ballit Kombëtar” të Shefqet Musarajt, mund të konsiderohet poema “Përqafimi i dy kundërshtarve” e Hekuran Zhitit, (Hekuran Zhiti, “Përqafimi i dy kundërshtarëve”, “Jehona” nr. 3, f. 53 Shkup, 1994), e cila, njësoj sikurse dhe autori i saj, njihen fare pak, për të mos thënë aspak. Kjo poemë(…) luftën dhe antagonizmat e saj në Shqipëri nuk i sheh në planin ideologjik dhe politik, por në atë kombëtar. Siç e thotë edhe vetë titulli i saj, ajo kërkon përqafimin e kundërshtarëve, pra pajtimin kombëtar midis palëve në konflikt: partizanëve dhe ballistëve…
Poema është konceptuar si dialog i individualizuar i dy kundërshtarëve politikë: partizanit dhe ballistit dhe është e ndarë në shtatë pjesë. Në këngën e parë jepet “Peizazhi i luftës”. Me pak vargje, pra në mënyrë sintetike, jepet atmosfera rrëqethëse e kohës së luftës në Shqipëri. Është tejet sugjestive figura e pemëve që “shkulin flokët”: “Pemët shkulin flokët, thërret kroji mjerë./ Vaji i Shqipërisë po hapet në erë.” Në dy këngët vijuese, të dytën dhe të tretën, hasim monologun e “djalit me yll në ballë” dhe atë të “birit tjetër të dheut”. Pas fjalëve shkëmbehen dhe plumbat: Lufta vazhdon. Në përpjekje e sipër të dy taborëve kundërshtarë vëllai vret vëllanë dhe kur merr vesh ç’ka bërë, ai nxjerr revolverin dhe vret veten. Pastaj shfaqet “Fantazma e Ajkunës” si personifikim i nënës shqiptare nëpër shekuj. Dramaciteti dhe tragjizmi i poemës rritet: përmbi trupat e bijve të vrarë bie edhe mëma e mjerë! Pason pjesa me titull: “Vajtimi i shqiponjës”, që shkoqitet me fjalët e vëna në parantezë (që do të vazhdojë edhe mbas luftës). Autori e parandjen se përçarjet dhe vëllavrasjet që filluan gjatë luftës do të vazhdojnë dhe pas saj. Shqiponja është simbol i flamurit dhe i atdheut. Ajo lë dhe dy porosi, me anë të të cilave kërkon bashkim e përparim për Shqipërinë dhe përmend Kosovën dhe Çamërinë e robëruar.

Vepra arti për Hekuran Zhitin
Bashkëqytetarët e Hekuran Zhitit, skulptorët e rinj Arjan Bafa e Altin Paçeli, tani emigrantë, punuan një portret të Hekuran Zhitit qysh në kohën e diktaturës, kur ai ishte braktisur dhe dënuar me harrim.
Kurse skulptori i njohur lushnjar Maksim Bushi realizoi po një portret të tij me rastin e vënies në skenë të poemës-dramatike “Përqafimi i dy kundërshtarëve”, në 5 vjetorin e vdekjes së autorit.
Për Hekuranin janë organizuar përkujtimore dhe janë ngritur këngë nga shoqata kulturore “Tomorri”, ndërsa në Lushnjë rruga ndanë Kino-Teatrit mban emrin Hekuran Zhiti
Piktori shkodran, profesor Guljelm Mosi me banin në Itali tani, me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Hekuran Zhitit, i frymëzuar nga poema “Perqafimi i dy kundërshtarëve”, ka realizuar një triptik në vaj, në njërën është Nëna Shqipëri me dy djemtë e saj luftëtarë, partizani me ballistin krah për krah, ashtu siç duhet të ishin, me në sfond flamurin e kuq kombëtar, teksa jepet kushtrimi për liri, por dy vëllezërit i ndau historia a antihistroia.

Gulielm Mosi: Poema  "Përqafimi i dy kundërshtarëve"
Gulielm Mosi: Poema “Përqafimi i dy kundërshtarëve”

Në tablonë e dytë Nëna Shqipëri është kryeulur, vajton mbi dy varret në borë të djemve të rënë në luftën vëllavrasëse, kurse shqiponja ka dalë nga flamuri dhe ka ngritur flatrat dëshpërueshëm, edhe qielli i duket i shkretë.
Në tablon e tretë janë Poeti kombëtar Gjergj Fishta me Hekuran Zhitin, ata vërtet janë takuar njëherë në Shkodër, Hekurani ishte student, por piktori i ka dhënë pamjen e tij të mëvonshme dhe duket sikur po i lexon Homerit shqiptar poemën e vëllavrasjes, gjithë pikëllim, në pritje të një mesazhi të ri. Në sfond është dhe busti i Skënderbeut dhe harta e Shqipërisé etnike. Në tryezë janë dy filxhanë të porsapirë. Dëshirojmë të mos ketë qenë kafe e përzishme. Tabloja na kujton dhe thënien e shkrimtarit Nonda Bulka“Hekuran Zhiti është Fishta i Toskërisë”.
Piktorat e Guljelm Mosit janë plot me imagjinë dhe pathos patriotik, që përçojnë me forcë mesazhe paqeje.
04.18.2011

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.