
Habemus Papam!
Kardinali Robert Francis Prevost, shfaqet si Papa Leoni XIV
Sonte, Kardinali Robert Francis Prevost, u shshfaq për së pari si Ati i Shenjtë Papa Leoni XIV, i paraprirë nga Kryqi, në Lozhën e jashtme të Bekimit të Bazilikës së Vatikanit për të përshëndetur popullin dhe për të dhënë Bekimin Apostolik “Urbi et Orbi”.
Bekimi i parë “Urbi et Orbi” i Atit të Shenjtë Leonit XIV, 08.05.2025, Ai iu drejtua besimtarëve me këto fjalë:
“Paqja qoftë me ju të gjithë!
Vëllezër dhe motra të dashur, kjo është përshëndetja e parë e Krishtit të Ngjallur, bariut të mirë që dha jetën për kopenë e Zotit. Edhe unë dua që kjo përshëndetje paqeje të hyjë në zemrat tuaja, të arrijë në familjet tuaja, te gjithë njerëzit, kudo që të jenë, te gjithë popujt, në mbarë tokën. Paqja qoftë me ju!
Kjo është paqja e Krishtit të Ngjallur, një paqe e çarmatosur dhe çarmatosëse, e përulur dhe e qëndrueshme. Ajo vjen nga Zoti, Zoti që na do të gjithëve pa kushte. Ende e kemi në vesh zërin e atij Papa Françeskut, zë i dobët por gjithmonë guximtar, që bekonte Romën!
Papa që bekonte Romën jepte bekimin e tij për botën, për gjithë botën, atë mëngjes të ditës së Pashkës. Më lejoni të vijoj atë bekim: Zoti na do, Zoti ju do të gjithëve, dhe e keqja nuk do të mbizotërojë! Ne jemi të gjithë në duart e Zotit. Prandaj, pa frikë, të bashkuar dorë për dore me Zotin dhe me njëri-tjetrin, ecim përpara. Ne jemi dishepujt e Krishtit. Krishti është përpara nesh. Bota ka nevojë për dritën e Tij. Njerëzimi ka nevojë për Të si ura përmes së cilës Zoti arrin tek ne me dashurinë e tij. Ndihmoni edhe ju, pastaj edhe njëri-tjetrin, për të ndërtuar ura, përmes dialogut, takimit, duke u bashkuar të gjithë për të qenë një popull i vetëm në paqe. Faleminderit Papa Françeskut!

Dua të falënderoj edhe të gjithë kardinalët bashkëvëllezër që më zgjodhën për të qenë Pasardhës i Pjetrit dhe për të ecur bashkë me ju, si një Kishë e bashkuar që gjithmonë kërkon paqen, drejtësinë, gjithmonë punon si burra dhe gra besnikë të Jezu Krishtit, pa frikë, për të shpallur Ungjillin, për të qenë misionarë.
Jam një bir i Shën Augustinit, agostinian, i cili ka thënë: “Me ju jam i krishterë dhe për ju jam ipeshkëv”. Në këtë kuptim, të gjithë mund të ecim së bashku drejt atdheut që Zoti na ka përgatitur.
Për Kishën e Romës, një përshëndetje e veçantë! Duhet të kërkojmë së bashku si të jemi një Kishë misionare, një Kishë që ndërton ura, dialogon, gjithmonë e hapur për të pritur, si ky shesh me krahët e hapur. Të gjithë, të gjithë ata që kanë nevojë për dashurinë tonë, praninë tonë, dialogun dhe dashurinë.
Dhe nëse më lejoni, një fjalë, një përshëndetje për të gjithë dhe në mënyrë të veçantë për dioqezën time të dashur të Çiklayos në Peru, ku një popull besnik ka shoqëruar ipeshkvin e vet, ka ndarë besimin dhe ka dhënë shumë, shumë, për të vazhduar të jetë një Kishë besnike e Jezu Krishtit.
Për të gjithë ju, vëllezër dhe motra të Romës, të Italisë, të gjithë botës – duam të jemi një Kishë sinodale, një Kishë që ecën, një Kishë që gjithmonë kërkon paqen, që gjithmonë kërkon dashurinë, që gjithmonë përpiqet të jetë pranë veçanërisht atyre që vuajnë.
Sot është Dita e Lutjes së Lutjes së Zonjës së Bekuar të Pompeit. Nëna jonë Mari gjithmonë dëshiron të ecë me ne, të jetë afër, të na ndihmojë me ndërmjetësimin dhe dashurinë e saj.
Atëherë, dua të lutem bashkë me ju. Të lutemi së bashku për këtë mision të ri, për gjithë Kishën, për paqen në botë dhe të kërkojmë këtë hir të veçantë nga Maria, Nëna jonë.
Të Falemi Mari…!”

Jetëshkrim i Papës së Ri Leoni i XIV
Kardinali Robert Francis Prevost, O.S.A.
Kardinali Robert Francis Prevost, O.S.A., Prefekt i Dikasterit për Ipeshkvijtë dhe Kryepeshkop-ipeshkëv emeritus i Chiclayo-s, ka lindur më 14 shtator 1955 në Çikago (Illinois, Shtetet e Bashkuara të Amerikës). Në vitin 1977, ai hyri në noviciatin e Urdhrit të Shën Augustinit (O.S.A.) në provincën e Zojës së Këshillit të Mirë, në Shën Luis. Më 29 gusht 1981 dha kushtet solemne. Studioi në Bashkësinë Teologjike Katolike të Çikagos, ku mori një diplomë në teologji.
Në moshën 27-vjeçare, Urdhri e dërgoi në Romë për të studiuar të drejtën kanonike në Universitetin Papnor të Shën Tomës së Akuinit (Angelicum). U shugurua meshtar më 19 qershor 1982. Në vitin 1984 mori licencën dhe më pas u dërgua të punonte në misionin e Chulucanas, në Piura të Perusë (1985-1986).
Në vitin 1987 fitoi doktoraturën me tezën: “Roli i priorit vendor në Urdhrin e Shën Augustinit”. Në të njëjtin vit u zgjodh drejtor për thirrjet dhe drejtor i misioneve të provincës augustiniane “Nëna e Këshillit të Mirë” në Olympia Fields, Illinois, SHBA. Në vitin 1988, u dërgua në misionin e Trujillos si drejtor i projektit të përbashkët të formimit për kandidatët augustinianë në Vikariatet e Chulucanas, Iquitos dhe Apurímac. Aty shërbeu si prior komuniteti (1988-1992), drejtor i formimit (1988-1998) dhe mësues i të profesuarve (1992-1998). Në kryedioqezën e Trujillos shërbeu si vikar gjyqësor (1989-1998) dhe si profesor i të drejtës kanonike, patristike dhe morale në Seminarin e Madh “San Carlos e San Marcelo”.
Në vitin 1999, u zgjodh prior provincial i provincës “Zonja e Këshillit të Mirë”, Çikago. Pas dy vjetësh e gjysmë, Kapitulli i përgjithshëm ordinar e zgjodhi prior të përgjithshëm, shërbesë që iu besua sërish në Kapitullin e përgjithshëm ordinar të vitit 2007. Në tetor 2013 u kthye në provincën e tij (Çikago) për të shërbyer si mësues i të profesuarve dhe vikar provincial, role që i mbajti deri më 3 nëntor 2014, kur Papa Françesku e emëroi administrator apostolik të dioqezës së Chiclayo-s, Peru, duke e ngritur në dinjitetin e ipeshkvit dhe duke i dhënë dioqezën titullare të Sufar. Më 7 nëntor mori në zotërim kanonik dioqezën në prani të nunciut apostolik James Patrick Green; u shugurua ipeshkëv më 12 dhjetor, në festën e Zojës së Guadalupës, në katedralen e dioqezës së tij. Shërbeu si ipeshkëv i Chiclayo nga 26 nëntor 2015. Në mars 2018 u bë nënkryetar i dytë i Konferencës Ipeshkvnore të Perusë. Papa Françesku e emëroi anëtar të Kongregatës për Klerin në vitin 2019, dhe anëtar të Kongregatës për Ipeshkvijtë në vitin 2020.
Më 15 prill 2020, Papa e emëroi administrator apostolik të dioqezës së Callao-s.
Më 30 janar 2023, Papa Françesku e emëroi Kardinal Prevost si prefekt të Dikasterit për Ipeshkvijtë dhe president të Komisionit Papnor për Amerikën Latine.
U krijua dhe u shpall Kardinal nga Papa Françesku në Konsistorin e 30 shtatorit 2023, në Diakoninë e Santa Monica.

Anëtar i Dikastereve për:
-Ungjillëzimin, Seksioni për ungjillëzimin e parë dhe Kishat e reja të veçanta; Doktrinën e Fesë; Kishat Lindore; Klerin; Institutet e Jetës së Kushtuar dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike; Kulturën dhe Arsimin; Tekstet Legjislative;
-Komisionit Papnor për Shtetin e Qytetit të Vatikanit.