back to top
17.3 C
Tirana
E diel, 18 Maj, 2025

Në Uestçester të Nju Jorkut përkujtohet Dita e Lirisë Shqiptare – nga Frank Shkreli

Gazeta

Frank Shkreli
Frank Shkreli
Në Uestçester të Nju Jorkut përkujtohet Dita e Lirisë Shqiptare
nga Frank Shkreli
Historia e komunizmit është monstruoze,
si e tillë duhet dënuar dhe kujtuar!

4 Maj 2025, në Kensico Damn Plaza, në Valhalla NY, u organizua ceremoniali në ngritjen e flamurit shqiptar në kujtim të martirit të demokracisë, Nik Merrnaçajt, djalit të “zonjës së hekurt, me zemër florini” Mrije dhe fisnikut trim, Marash Merrnaçaj.
Ceremonia u organizua nga Grupi Kelmendi. Nikut iu mor jeta në moshën 29 vjeçare duke u kthyer nga protesta e organizuar në Michigan, kundër regjimit diktatorial nga dora e fshehtë e Sigurimit të Shtetit shqiptar.
Në këtë ceremonial ishin të ftuar edhe Kryetari i Bashkisë së Yonkers, Mike Spano, Kryetari i Nderit i Federatës Vatra, Agim Rexha, gazetari i njohur Frank Shkreli, kleriku i nderuar Pjetër Popaj, djali i martirit Michael Merrnaçaj, avokat i njohur në NY, bashkë me nënën e tij Marijen.
Ceremoniali u mbyll me ngritjen e flamurit shqiptar nën meloditë e bukura të muzikës së Malsisë së Kelmendit.
Shqipe Nebiaj

Ashtu si në të kaluarën edhe sivjet, të djelën, me 4 maj 2025, u shënua “Dita Shqiptare e Lirisë”, (Albanian Freedom Day) në Kensico Dam Plaza në qarkun Westçester të Nju Jorkut – në kujtim, nderim dhe homazh për qëndresën antikomuniste të familjes Mrrnaçaj dhe të gjitha familjeve të persekutuara nga regjimi komunist i Enver Hoxhës në Shqipëri. Më saktësisht, “Dita Shqiptare e Lirisë”, ka filluar 35-vjet më parë, caktuar e tillë me vendim zyrtar të autoriteteve vendase, si një ditë kujtimi, me veprimtari patriotike, kulturore dhe përkujtimore.

Memoriali i Viktimave të Komunizmit
Memoriali i Viktimave të Komunizmit

Një ditë që i kushtohet, veçanërisht, simbolit të demonstratave antikomuniste në Amerikë – birit të familjes Merrnaçaj nga Kelmendi i Malësisë së Madhe, Nikë Merrnacaj. Edhe në këtë 35-vjetor, aktivitetet organizohen ashtu si çdo vit nga administrata e qeverisë vendase, “Uestçester County Executive’s Office”, në bashkëpunim me Shoqërinë Kulturore – Artistike Kelmendi dhe Familja Merrnaçaj.
Është pra, një ditë kushtuar lirisë shqiptare ku, zakonisht, marrin pjesë qindra shqiptaro-amerikanë të Nju Jorkut me rrethe dhe më gjerë. Një ditë që është kthyer tashmë, në simbolike për Lirinë Shqiptare dhe ngritjen, në këtë ditë, të Flamurit Kuq e Zi në Nju Jork, ku përveç komunitetit shqiptar në këto anë, marrin pjesë edhe përfaqësues të pushtetit lokal si dhe përfaqësues politikë përtej kësaj zone administrative. Me këtë sfond të shkurtër informacioni për këtë ditë, ju sjellim fjalën e autorit – (Frank Shkreli), i ftuar nga sponsorizuesit e këtij tubimi, të përshëndeste të pranishmit, me këtë rast:
Në këtë 35-vjetor të kësaj dite përkujtimore, përshëndetjet e mia më të sinqerta familjes së nderuar dhe të vuajtur, Merrnaçaj. Përfaqësues të pranishëm të familjeve shqiptaro-amerikane, të persekutuara nga komunizmi, pjesëmarrës të nderuar!

Frank Shkreli në Ditën Shqiptare të Lirisë
Frank Shkreli në Ditën Shqiptare të Lirisë

Zonja të nderueshme e Zotëri të ndershëm
Sot është një ditë përkujtimi dhe nderimi por, njëkohësisht, është edhe një ditë reflektimi. Në këtë përvjetor kujtojmë Nikë Merrnaçaj dhe familjen e vuajtur e të persekutuar Merrnaçaj. Por në këtë “Ditë Shqiptare të Lirisë” në Nju Jork, nuk mund të mos kujtojmë edhe mijëra viktima të komunizmit dhe familjet shqiptare të persekutuara, të internuara e të burgosura nga regjimi komunist enverist, sllavo-aziatik, në Shqipëri dhe anembanë trojeve shqiptare. Është pra kjo arsyeja që jemi këtu sot për të kujtuar dhe për të mos harruar krimet e komunizmit në Shqipëri dhe në botë – me shpresën që ato të mos përsëriten më.
Disa ditë më parë në Washington, gati si në përputhje me këtë aktivitet sot këtu, shumë grupe dhe organizata përfshi edhe përfaqësi shqiptare, kanë mbajtur një tubim vjetor në kujtim të viktimave të komunizmit botëror, përfshi edhe viktimat e komunizmit në Shqipëri.
Ndaj ne jemi sot këtu, për të kujtuar krimet djallëzore e barbare të komunizmit shqiptar dhe botëror në trojet tona shumë të vuajtura, sidomos në Kelmend dhe në mbarë Malësinë e Madhe. Jemi këtu për t’i sjellë në kujtesë brezit të ri dhe të gjithë atyre që mund të kenë harruar se socializmi skllavëron dhe komunizmi vret – jo më pak se 100-milion – më shumë se çdo ideologji tjetër në histori.

Dom Pjetër Popaj në Ditën Shqiptare të Lirisë
Dom Pjetër Popaj në Ditën Shqiptare të Lirisë

Një herë në vit, ne mblidhemi këtu për të ndarë përvoja me njëri-tjetrin, për të kujtuar vuajtjet e të afërmve tanë, të persekutuarit dhe të vrarët e pafajshëm nga komunizmi, por jo vetëm. Ne duam që ky tubim të shërbejë gjithashtu edhe për të reflektuar, për t’u betuar se do të vazhdojmë të flasim, të shkruajmë e të demonstrojmë, nëqoftse është e nevojshme edhe sot, ashtu siç ka demonstruar dikur Nikë Merrnaçaj. Kundër kësaj të keqe djallëzore dhe krimeve kundër njerëzimit – të komunizmit sllavo-aziatik, jo vetëm në trojet tona, por edhe këtu në Amerikë dhe anembanë botës. Kudo që ajo ideologji përpiqet të përhapë frymën e saj anti-njerëzore dhe kriminale.
Është inkurajues fakti i pjesëmarrjes, në këtë tubim, të shumë të rinjve e të rejave, këtij brezi të lindur në Amerikë, që ndoshta nuk dinë aq shumë për krimet që u janë bërë familjeve të tyre në Shqipëri, në Kosovë, në Malësi e gjetkë. Prandaj, pjesëmarrja e juaj në tubime si ky shërben edhe si një rast edukimi për atë histori të errët të Kombit shqiptar.
Ju brezi i sotëm shqiptaro-amerikan duhet të jeni krenarë për qëndresën e nacionalistëve anti-komunistë shqiptaro-amerikanë, siç është Familja Merrnaçaj. Sepse ata ishin në anën e duhur të historisë! Për fat timin, unë kam njohur shumë prej atij brezi të papërsëritshëm. Ç’prej strehimit të tyre në këtë vend të bekuar – si refugjatë të arratisur nga regjimi barbar komunist i Enver Hoxhës, në këtë vend të lirisë e demokracisë, në Amerikën tonë të dashur – ata nuk pushuan asnjëherë përpjekjet e tyre kundër diktaturës komuniste në Atdheun e tyre, derisa më në fund u shemb Muri i Berlinit. Përfundimisht, lufta, qëndrimet dhe kauza e tyre kundër komunizmit, triumfoi në Shqipëri dhe në mbarë botën! Ata nuk pranuan dhe nuk u pajtuan kurrë me komunizmin! Ju, si pasardhës të tyre këtu në Amerikë, në Shqipëri ose kudo tjetër, nuk u takon të heshtni përballë të keqes së kaluar dhe të trashëgimisë së regjimit barbar të Enver Hoxhës, sado irritues të jetë qëndrimi ynë anti-komunist për nostalgjikët e komunizmit, të cilët edhe sot vazhdojnë të jenë në detyrat më të larta të qeverisë dhe të shtetit shqiptar.

Vallja e Kelmendit në Ditën Shqiptare të Lirisë
Vallja e Kelmendit në Ditën Shqiptare të Lirisë

Thashë më lartë se ky tubim dhe të tjerë si ky këtu në komunitetin shqiptaro-amerikan duhet të shërbejnë edhe si reflektim për të kuptuar më mirë krimet e komunizmit ashtuqë ato të mos përsëriten më. Por, për fat të keq, një reflektim i tillë nuk ka ndodhur ende, zyrtarisht, as në Shqipëri as në Kosovë. Madje duket se edhe publiku i gjërë, megjithse kanë kaluar 35 vjet “tranzicion”, është i konfliktuar, sa i përket trashëgimisë komuniste dhe përballimit me të kaluarën komuniste dhe me krimet e regjimit komunist në Shqipëri.
Në lidhje me krimet e komunizmit duket se shumica e shqiptarëve – sidomos në Shqipëri, por edhe në botën shqiptare në përgjithësi – janë në një gjëndje shpirtërore harrese, refuzimi, mohimi ose mospranimi i të së Vërtetës. Ose për një kollajllëk personal (convenience) i arsyetojnë krimet e komunizmit me thënjen: “Eh, po ashtu ishte ajo kohë”. Abraham Linkolni ka thenë se “Ata që të tjerëve ua mohojnë lirinë, nuk e meritojnë as për veten”.
Nuk është hera e parë, e besoj as e fundit, që e them se, Qeveritë e njëpasnjëshme të dy partive kryesore në Shqipëri, për 35-vjet tashti, nuk kanë marrë guximin moral as nuk kanë vullnetin politik për t’u përballur me të kaluarën komuniste, për të dënuar krimet e komunizmit. Madje as nuk kanë caktuar një ditë në vit – siç ka bërë e gjithë Evropa dhe Amerika – për të kujtuar viktimat e pafajshme dhe krimet e barbarizmit komunist në Shqipëri”.
Në mes të Tiranës dhe anë e mban Shqipërisë gjenë monumente, buste e varreza për të huajt, por asnjë shenjë për të kujtuar ish të burgosurit, të përsekutuarit dhe të vrarët nga komunizmi për një gjysëm shekulli. Kryeminstri aktual i vendit ka deklaruar se “komunizmi ishte në anën e duhur të historisë”, ndërsa zëdhënës të opozitës demokratike e kanë quajtur mos përballimin me krimet e komunizmit në Shqipëri, vetëm, si një “mungesë drejëtsie”. Asnjëra as tjetra palë, zyrtarisht, nuk kanë bërë asgjë për të dënuar krimet e komunizmit në Shqipëri. Fakti që ende flasim për këtë çeshtje 35-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit, është një turp kombëtar. Nuk është e moralshme të abstenohet përball së keqes! “Gjithçka ka historinë e vet, përfshirë vet historinë”, është shprehur historiani i njohur Xhon Lukacs. Historia e komunizmit është monstruoze; si e tillë duhet mbajtur mend dhe duhet dënuar dhe kujtuar! Është turp kombëtar që 35-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit, ende flasim për mosdënimin zyrtar të krimeve të komunizmit!
Në vend që t’i bashkohen botës së qytetëruar për të ndëshkuar krimet e komunizmit dhe të kujtojnë viktimat e gjalla dhe të vrara të atij sistemi terrorist – forcat aktuale nostalgjike të komunizmit në nivelet më të larta të qeverisë dhe të shtetit shqiptar, me arrogancën dhe indiferencën e tyre, po përpiqen me çdo mjet që kanë në dispozicion, të justifikojnë dhe të legjitimojnë krimet dhe të riabilitojnë figurën kriminale të regjimit diktatorial komunist; Enver Hoxhën.
Por, ju nëpërmjet këtij tubimi vjetor, vazhdoni të kujtoni me nderim të thellë mijëra viktima të familjeve anti-komuniste brenda dhe jashtë Shqipërisë. I përherëshëm qoftë kujtimi i të gjithë viktimave të komunizmit në Shqipëri, në Kosovë dhe anë e mbanë botës.
Frank Shkreli

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.