
Gjamë për Alush Leshanakun
Poemë nga Ernest Koliqi
Fjaltori
Ju gjinde qi tue fsha ndër treva arbnore
me lot t’përditshmen bukë e zbutni e e ngrofni
msa zêmra ças më ças ju fiket n’droje,
edhe ju qi mbi udha t’ashpra t’botës
tue djersitun n’pun’ t’huej e shprishni dorën
m’sa mendja ngulë u rrin në t’largtën votër,
kumin o zi qi po ju sjell ndigjoje:
Alushin sot n’mëngjes e poqi Ora
n’anmik e – ofshet për mue! – ia ndau orokun
në Shkall’ t’Mirakës me t’pamujshmen morde.
Rrjeshti i parë i vajtojseve
Qyqja e mjera un në kët lagje
S’diej shka t’njehi ktu ma para:
lulen e gjymtyrve t’shkathta
a fuqin te dora e kamba, zhdërvjelltin
e mrekullt t’shtatit
kaq sa u duk ky bir Shqiptari
si m’u bajt n’t’ecun mbi flatra;
sot gjallnin ia ngrêni mardha;
fluturim erdh n’kët shkall’ mali:
mardha e dek’s e rrzoi te zalli.
Rrjeshti i dytë i vajtojseve
Mallkue kjofsh, o mori dritë,
qi gjaksorve dalun n’pritë
Trimin shpatit tue iu ngjitë
n’ag të parë ia ke paditë.
M’lule t’ballit e goditën,
hnuç mbi borë pa frymë e shtrinë;
iu kput hovi n’kurm t’vërgjilët,
iu ftof gjaku i hollë e i dlirët,
iu ndal zêmra e rë fisnike:
shpërthei jashtë i madhi shpirt
Vjerrshatari
Trishtneshëm epiçedi flurues ndër qiejt e kalt’hera
t’kumboj’ mbi trup t’fuqishëm e t’njom’ t’këtij Atleti,
q’i msoi rinis shqiptare harén e gjall’ t’lëvizjeve
n’diell majesh, n’erna t’lira, n’val t’qarta lumi e deti.
Pinjuell breznish të plogta ai zhdërvjelltin e péjzave
si motit Agonistat livroi n’trupin e vet,
fitore e anak’ dafine tue korr’ gjithkund ndër t’matuna,
i shpejtë e i lehtë e i lidhun krejt i kërthadezun n’shndet.
Mbi borën e prarueme nga puthja e parë e agimit,
pa luejt’, me gilca t’zhgrehun, kurmi iu plandos Trimit:
m’at kurm qi shfrente n’turrin ma flakrues e tërhjekës
mizore seps’e amshueshme pesha randon e Dekës.

Gjamatarët
Zemërplasti un për ty, vlla Leshanaku,
qi n’popull kjé naltue si shtiz’ bajraku:
na kish rà shpirti si bajraku n’ baltë:
ti erdhe e na u bâne shtizë e naltë,
t’u i mbushë llogoret e Liris’ me burra
mbi thepa n’mal e n’arben nëpër shkurra.
Zemërplastë un për ty, zâna e mizorit,
zemërplastë un për ty, shtylla e llogorit,
zemërplastë un për ty, o lulja e fisit,
e anmikut tmerra e sofra e dashamirit.
Zemërplastë un për ty o flak’ vllaznije,
zemërplastë un për ty pasqyr’ miqsije,
qi solle gzim e shpres’, vlla i em festari,
e kje n’Votër t’Shqipnis si carâ ari.
Mjeri un për ty e për trup n’breg shkallmue,
për sy verbue – e për goj’ shkrumbue
(kullotshe kreshtat tret’ me sy n’hapsirë!
mjalta t’kulltonte buzve e gjuh’s ilire!).
Mjeri un për ty e pr’ato duer kryqzue,
mjeri un për ty e pr’ato kamb’ shkurtue
(dora qi pushkën rroku si moskushi!
dorën qi digjej n’t’shtrim miqsuer si prushi!
kamba qi la kah shkeli gjurm’ bujare
si flatër tue përshkue tokën shqiptare),
mjeri un për ty, o hyll i shpresës sonë
q’u shkime e na zezove për gjithmonë.
Vjerrshatari
Atje ku ndryshkej tejzash n’vis mërgimit
nji zà porsi i përdjerrun n’ fllade nate
ish nji i mbytun kushtrim a jeh krajate? –
i arrini e ia përqethi shtatin Trimit.
Shkundi plogtin, u krepatue dhe shtiqe
t’mshefta këroi tue thye pengime e penda,
guximtarisht iu rras mizorve mbrenda
i pafrigshëm ndër prita e ndër rreziqe.
Ringjalleshin kah shkonte t’lashtat doke,
burrave t’vrantin ball ia zdritte shpresa,
lulzonte n’shpirtënt e përtrimun besa,
zblojshin ftyrën nga futat motra e loke.
Iu lindte sigurija e ahmarrjes n’zêmër,
sa e vegojashin n’kalim, lokeve e motrave,
nji shamtim lehtësues hapej buz’ votrave
kur kuvendonte urtisht Trimi i pashémer.
Si zjarmi kur e thithë e verit rriba
lshon nga carajt endire nxehtësije
njashtu kndelleshin shpirtënt n’flak vllaznije
përpara tij ndër kulla e ndër koliba.
Ambël si qumshti i Nanës sonë arbnore
ndër kshille na i gufonte Trimit fjala,
por, po ta rrmbente n’shpirt e pezmit vala.
lshonte mbi t’flligshtit nam’t si rrfè bumbllore.
Porsi rêja prej qiellve vetëtuese
idhshëm mbi lisa shfren vigaj te pylli,
dirgjej n’bakqijt’, tue vezullue si hylli
n’stulti, me tarramezen shpartalluese.
E ndalohej ndër treva trupi e dhuna,
shlyhej paksa ndër zêmra idhnija e friga:
nji agim andrronte populli n’veriga
ku t’zhvillohej n’liri má e frytshme pûna.
Gjamatarët
Nuk ké ken ti me mbetun ku ké mbetë.
Trim me shtat’ zemra, flamur shtjell’ përpjetë;
kishe shtat’ zêmra mbushë me flakë vllaznore,
ishe nji flamur fal Lavdis’ arbnore;
por rae aty ku ti s’ké kenë me ra,
n’lamin fatzi ku vritet vllau me vlla;
nuk ké ken’ ti me dekun ku ké dekë
por me anmik t’huej, Alush, për me u përpjekë,
megjen e shtrêmbt’ m’ia thye, t’egrat aradhe,
për me bashkue Shqiptar’t n’nji Shqipni t’madhe
për me t’urue me gojën urimplote
nâna edhe motra n’má të largtat mote,
për me t’urue gjithkund, vlla Leshanaku.
kush flet shqip e i rrjedh n’dej i Arbrit gjaku.
Vjerrshatari
Proh, qiell i nalt? fatoj me varg t’limuet
mllef vllavras ma mos t’derdhi gjak t’kulluet.
Ilirësh trashigin, as n’mal as n’vrri,
zemrave u dalt n’ nji t’vetme flak’ m’u shkri
e Shpirti i Aushit n’qiell ndër kalthërime
t’lshoj dritë e nxehtësi n’t ardhmet agime.
t’lshoj’ dritë e nxehtësi t’pastër vllaznuese
pse veç dashnija e ban Shqipnin prap nuse
pse veç dashnija o ban Shqipnin prap nanë
qi e mbidh n’nji fat të lum pjellën të tanë.
Ernest Koliqi