back to top
13.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Fragmente kujtimesh
 për profesor Fotaq Filipeun… Flamur Shabani

Gazeta

Profesor Fotaq Filipeu
Profesor Fotaq Filipeu

Fragmente kujtimesh 
për profesor Fotaq Filipeun…

nga Flamur Shabani

Edhe pse kam shkruar edhe herë tjetër për profesorin, një cytje, një ngacmim
sado i vogël nga një shok a mik apo leximi diku i emrit të tij, duket sikur kris
atë enën hermetike të memories ku janë të regjistruara kujtimet dhe ato rrjedhin fragmente-fragmente, dhe mua s’më mbetet  veç t’i mbledh, si ajo nikoqirja e mirë që mbledh mbi tryezë thërrimet e i bën tok me majën e gishtrinjve.
Kështu më ndodhi edhe këtë herë, kur miku im i vegjëlisë dhe i rinisë, muzikanti Maksim Kulla, i cili po përfundon një libër për zhvillimin e historisë së muzikës në Lushnje, më kërkoi të nxjerr nga arkiva e kujtesës qoftë edhe një mbresë
në funksion të plotësimit të figurës së profesor Fotaqit…
Veç atyre që kam përmendur më parë për operetën “Agimi” kompozuar nga profesori aty nga mesi i viteve ’60, dhe vënë në skenë nga një orkestër e krijuar nga vetë profesori me instrumentistë analfabetë në muzikë (asnjeri prej tyre nuk i
njihte notat muzikore), por që i mësuan partet pas një puna derrçe (më pëlqen kjo fjalë, për të treguar deri në nuancat më të holla punën e palodhur të profesorit) u dha shfaqja e përgjithshme, ku komisioni i vlerësimit me tre muzikantë të njohur, të ardhur posaçërisht nga Tirana, nuk e dhanë miratimin për shfaqjen e saj për publikun e gjerë, sepse siç u mor vesh më vonë, muzika ishte më e embël se ç’duhej, nuk i kishte tingujt revolucionarë që të çonin peshë 
zemrat e njeriut të ri për ndërtimin e jetës në fshatin socialist…
Dua të shtoj disa mbresa nga njohja ime e parë me profesorin në shtëpinë e pionierit të asaj kohe, përballë postës së vjetër, para banjove publike, ngjitur me shtëpinë e Korreshëve.
Ka qenë viti ’64, kur kurset në shtëpinë e pionierit morën një shtrirje më të madhe, duke u zgjeruar në lloje e degë të ndryshme. Drejtoreshë ishte Fatime Shtëmbari. Në muzikë ekzistonin kurset e violinës, mandolinës, fizarmonikës; drejtuar përkatësisht nga F. Filipeu e J. Byzhyti në fizarmonikë; kursi i teatrit me Tahsin Demirin, kursi i baletit, i drejtuar nga Milika Prifti, kursi i punës së dorës (qëndistaria), i gdhendjes në dru, bri etj. Une hyra ne kursin e
violinës, ku para meje kishin hyrë shokë e shoqe të shkollës 8-vjeçare. Në kursin e violinës gjeta Eva Mëhillin, një vajzë inteligjente dhe me vesh të mprehtë muzike, Roland Tomorin, një djalë i zgjuar dhe pasionant për muzikën, Rezarta Ypi, ne s’gaboj dhe të tjerë që tani s’po më kujtohen. Veç pasionit për muzikën,
ajo që i bashkonte këta fëmijë të së njejtës moshë, ishte ceni në biografi (rridhnin nga familje me njollë në biografi, me biografi të keqe siç thuhej atëherë, por që ne fëmijët nuk e shikonim njeri-tjetrin nga kjo anë, por thjesht si shokë e shoqë). Siç duket, kjo gjendje shoqërore e tyre, (të deklasuar) i afroi edhe më shumë me profesorin, tek i cili shihnin mbështetësin e së njejtës anë.
Ndoshta ata vetë jo, por prindët e tyre mendoj që e kanë pasur parasysh edhe këtë veçori të përbashkët.

Lushnja e Vjeter - vitet '60
Lushnja e Vjeter – vitet ’40

Profesori ishte i rrepte si natyre, sidomos kur nuk përgatiteshe në shtëpi, bëhej flakë në fytyrë e harku i violinë të kërciste në pëllëmbë të dorës. Edhe pse i rreptë, ne e donim dhe për të mos i sjellë shqetësime të tilla, përgatiteshim 
shumë më mirë në shtëpi herës tjetër, duke krijuar vetvetiu edhe një lloj gare
midis nesh.
Violinat tona edhe çakordoheshin. Vetë nuk ishin në gjendje t’i akordonim.
Para se të fillonim ushtrimet, profesori na i merrte violinat tona dhe i akordonte.
Pas akordimit dhe dorëzimit të violinës në duart tona, luante ndonjë pjesë muzikore për qejf të vet, për të parë si tingëllonte violina e akorduar. Gjatë interpretimit harrohej krejtësisht në botën e vet. Violina dukej si një lodër fëmije në duart e tij. Mimika e fytyrës shkrihej me vijën melodike: herë-herë ajo bëhej e ëmbël, shoqëruar edhe nga një vibrato e ngrohtë e gishtrinjve; herë të tjera
tundej bashkë me supet me lëvizje të prera, shoqëruar nga vrulli i harkut mbi tela, sipas stakatove e kapriçiot e muzikës që luhej. Ne heshtnim të mekur para kësaj mrekullie që shikonim dhe nuk u besonim syve sesi një njeri në dukje i plogët, shndërrohej  në tjetër njeri: i vrullshëm pasionant duke na i bërë thuajse të prekshëm tingujt që vinin nga violina e tij. Pastaj befas në melodinë tjetër binte në një ëmbëlsi ledhatuese, të ngrohtë, në kontrast ekstrem me gjendjen e parë,
duke na bërë ne fëmijët, nxënësit e tij të ëndërronim:
Ah, sikur… Ah sikur të mundnim edhe ne të nxirrnim tinguj të tillë të ngrohtë, të plotë, të ëmbël, e herë-herë të vrullshëm e kapriçiozë si një lumë i shtruar, që befas thyhet në një katarakt e shkumbëzon në shkëmbinjtë që i presin rrugën…

Luvienne violin (Luviona Hasani)
Luvienne violin (Luviona Hasani)

Ah, sikur… Pas kësaj përhumbjeje tonën e të vetë profesorit, ai lëshonte violinën në tavolinë, na vështronte me një shikim thuajse të çuditur që gjendemi përpara tij, çka na krijonte idenë se ai vërtet në ato momente magjike të tingujve të violinës, nuk ndodhej në sallën e provave bashkë me ne, po diku larg, larg ndër ato hapësira të pafundme lëndinash, pyjesh e përrenjsh apo dhe shpërthime vetëtimash e gjëmime rrufeshë, tëcilat ishin shkrirë në katër telat e violinës që midis gishtrinjve të dorës së vogël të profesorit dukej sikur çliroheshin prej atyre telave që i mbanin ndryrë brenda. Pasi sigurohej se violina qe mbështetur mirë në tavolinë e nuk kishte rrezik të binte prej saj e të thyhej, ngrinte sytë, na vështronte, mblidhte paksa buzët… e pas një frymëmarrje të thellë, lëshonte një psherëtimë si të ishte i zënë në faj: “Eh, ikën ato kohë…” Po cilat kohë? Ne, megjithëse fëmijë, e kuptonim që ato kohë nuk ishin të afërta, por të largëta, tejet të largëta… Se sa… nuk ishim në gjendje t’i perceptonim, sepse ajo kohë tretej në thellësitë e mjegullta të viteve të shkuara. Ne nuk guxonim ta zhdavaritnim atë mjegull, sepse dyshonim se mund t’i shkaktonim dhimbje profesorit. Por ai, duke nuhatur kërshërinë tonë fëminore, edhe s’donte, por edhe i vinte mirë ta griste paksa perden e asaj mjegullnaje për ta lejuar depërtimin e dritës pas perdes…
Dhe vijonte: “Nuk më punojnë më gishtrinjtë, nuk janë më si dikur.” Dhe hapte-mbyllte gishtrinjtë e dorës së majtë, si për ta na bindur që ata vërtet kishin filluar t’i ndryshkeshin nga mosfunksionimi. Dhe unë, si më i hedhuri, por edhe si më i paedukuari, siç e vleresoj sot, e pyesja: “Profesor, na tregoni diçka për kohën e rinisë”. Dhe profesori niste me një zë të shtruar e të përmallshëm për ato vite që ikën e s’ktheheshin më:
“Në Athinë, atje ku kishte përfunduar shkollën për violine, ishte ndër më të mirët. Ai dhe një student tjetër, në mos gaboj, anglez, ishin më të mirët. Njeri i parë dhe tjetri i dytë. Profesori nuk përcaktonte se cili ishte i pari, por anglezin e vlerësonte jashtëzakonisht. Herë pas here konservatori i Athinës organizonte koncerte, ku jepnin shfaqje studentët e degëve të ndryshme të muzikës. Kur jepte shfaqje profesori, salla mbushesh plot. Athinjotët filluan t’i dallonin më të mirët dhe bënin kërkesa me emër si: “duam të na japë shfaqje ai shqiptari i vogël!” Kudo në Athinë mund të shihje afishe që lajmëronin shfaqjet që jepeshin.
Këto koncerte ishin një kënaqesi dhe stimul i veçante që i jepnin krahë djaloshit Filipeu.
Midis shumë koncerteve i kishte mbetur në mendje koncerti që kishte dhënë brenda javës, kur i kish vdekur nëna. Ishte e vështirë për të në ato momente zie të argëtonte të tjerët me muzikë, por kërkesat nga populli kishin qënë këmbëngulëse, ndaj ai, mes dhimbjes për nënën e dashur të ndarë nga jeta po jepte koncertin e shpirtit të tij duke korrur një sukses më të madh edhe se asnjë herë tjetër. Duartrokitjet s’kishin të rreshtur dhe tufat e luleve mbushën skenën. Ndoshta kjo erdhi edhe për faktin që spektatorët e morën vesh se nëna e tij kishte marrë rrugëtimin e pakthim dhe spektatorët po respektonin jo vetëm talentin po edhe dhimbjen e profesorit tonë…
Sidoqoftë, muzika dhe çdo lloj tjeter arti skenik, kështu e ka: duhet respektuar spektatori në çdo moment dhe çdo kërkesë e tij. Këtë parim e njeh dhe e respekton çdo artist që ka marrë përsipër ta quaj veten të tille.

Gjimnazi i Lushnjes '70
Gjimnazi i Lushnjes ’70

Profesor Filipeu njihte disa gjuhë të huaja: veç greqishtes, ai e fliste shumë mirë italishten, e kisha dëgjuar të komunikonte shpesh me drejtoreshën e shtëpisë së pionierit Fatime Shtëmbarin, por siç thoshte edhe vetë, njihte dhe fliste mirë edhe anglishten. Madje, për këtë bënte edhe humor. Kur ishte student në Greqi, studentët mburreshin se gjoja e flisnin mirë anglishten. Dhe me njeri-tjetrin merreshin vesh mirë për aq sa kishin mësuar dhe para vajzave rrihnin gjoksin për këtë, por kur ndesheshin me ndonjë anglez, bukoseshin, mekeshin dhe mezi belbëzonin ndonjë fjalë rrallë e tek, sepse anglezi fliste anglishte e tij, të ndërtuar mbi bazën e idiomave, ndërsa ata ishim mësuar të flisnin mbi bazën e kalkeve, dhe mendonin greqisht, pastaj e përkthenin me zë anglisht. Kjo bënte që sidomos para vajzave angleze, të mbeteshin si guakë. (Të tjerët kështu, po jo profesori!). Nga konservatori nxiteshin të komunikonin sa më shumë me anglezë, madje edhe të bënin dashuri me to, sepse vetëm ashtu do të mund të arrinin të mësonin anglishten. (Oh sa qejf, – thoshim ne me vete). Më vonë, kur fillova të mësoj vetë anglisht, u binda sa vështirë është të flasësh atë gjuhë dhe m’u kujtua biseda me profesorin. Një gjuhë, e ngritur mbi bazën e idiomave, tregon shkallën më të lartë të zhvillimit të saj si gjuhë. Dhe anglishtja qëndron në krye të gjuhëve që e  plotësojnë këtë kriter…

Qendra e Lushnjes
Qendra e Lushnjes

Shënime nga ata që e njohen Prof. Fotaq Filipeun…

Maksim Kulla
Do të dëshiroja që edhe ata që kanë shkruajtur para teje për gjigandin Fotaq Filipeu të bazoheshin mbi fakte reale pasi është detyra e jonë të bëjmë çmos që kjo figurë të zerë vendin e mohuar në etnomuzikologjinë shqiptare. Shumë shpejt do të bëhet e njohur veprimtaria profesionale e tij.

Eli Xheblati
Më bëhet shumë qejfi Flamur që po shkruan kujtime nga jeta në Lushnje. Dhe për më tepër për prof. Fotaqin që ishte aq i mirë. Edhe unë hyra në violinë atëhere, por pa sukses, por kurre nuk do t’i harroj gishtat e tij virtuozë kur i dridheshin mbi tela! Ah, thosha sikur të mësoja edhe unë t’i bie violines si ai! Eva Mëhilli ishte vërtet shumë e mirë si vajzë dhe violiniste: Profesori e merrte si shembull përherë.
Eh si vijne kujtimet…

Andon Bello
Respekt për profesorin e madh që dha aq shumë për qytetin tonë… I paharruar kujtimi i tij!

Majlinda Bano
Flamur, të lumtë pena që na sjell këto kujtime kaq të bukura për profesor Filipeun. Edhe unë kam qenë një nxënëse e tij në Shtëpinë e Pionerit.

Engjëll Zerdelia
Të falenderoj pa masë profesor Flamuri për shkrimin kushtuar njërit prej muzikantëve më virtuozë të qytetit të Lushnjes dhe jo vetëm, sepse profesor Fotaq Filipeu është pa ngurim karakter kombëtar i spikatur në fushën e muzikologjisë shqiptarë. Eshtë plotësisht e vërtetë që dirigjenti Maksim Kulla po përgatit një libër me vlera jo vetëm lokale (lushnjare), por edhe mbarëkombëtare, këtë e pohoj më zë të lartë, sepse jam pjesa ndihmëse në përgatitjen e librit të muzikologut Maksim Kulla. Këto figura përpos muzikantit të madh, janë edhe pjesa pedagogjike më e lakmueshme jo vetëm në vitet e punës së tyre, por edhe sot si modele udhërrëfyese në brezat njerëzore.

Agim Çunaj
…Shkrimet e Flamur Shabanit i lexoj gjithmon me interes… bagazhi, kultura, respekti dhe kujtesa jane faktorët që e bëjnë interesant në këtë drejtim… Shumë nga imtësitë që jepen aq bukur dhe me nostalgji për figurën e Profesor Fotaq Filipeu… une i kam jetuar… (isha ne kursin e firzamonikes) Gjatë gjithë jetës kemi kaluar provime me shkallë të ndryshme vështirësish… po momenti kur profesor Fotaqi më mori në provë nëse kisha vesh muzikor  a jo… nuk me hiqet nga kujtesa… mbase nga fakti që ishte një figurë mjaft  autoritare…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.