Fernando Pessoa – metafiziku gjen strehë edhe në shqip – parathanie nga Jozef Radi

Gazeta

Jozef Radi - Kolana  - 55 Poezi - de Moraes, Bukowski, Prevert, Ungareti, Gibran, Pessoa
Jozef Radi – Kolana – 55 Poezi – de Moraes, Bukowski, Prevert, Ungareti, Gibran, Pessoa
Fernando Pessoa – metafiziku gjen strehë edhe në shqip
parathanie nga Jozef Radi

Prej vitit 2020, botoj kolanën “55 Poezi”.
Çdo vit kam sjellë në shqip, nji poet të madh të botës përmes nji gegnishteje të rafinueme, që tashma e “kam kodifikue” mbas leximesh të shumta përthye në ndjesitë e mia.
Fernando Pessoa asht autori i gjashtë i kësaj kolane, mbas botimit të: de Moraesit, Bukoëskit, Prevertit, Gibranit dhe Ungarettit.
Me Pessoan kam kohë që merrem, qysh në kohë t’Ars-it (2004) e me thanë të drejtën, s’e kam “sjellë” thjesht në shqip, po e kam jetue, e kam ndje dhe e kam vuejtë thellsisht.
Ai s’ka qenë për mue nji autor m’u përkthye, po nji prani që m’ka shoqnue n’nji rrugë gjatë. Sepse ka poetë që studiohen, ka poetë që analizohen – po ka edhe poetë që hyjnë n’jetën tande pa zhurmë dhe mbesin njaty.
E Pessoa asht prej atyne.

Metafizika e shumëfishimit
Fernando Pessoa asht ndoshta poeti ma radikal i shekullit XX për çështjen e identitetit dhe qenies. Metafizika e tij nuk ndërtohet mbi pohimin e nji “uni” të qëndrueshëm, po mbi shpërbamjen e tij. Ai nuk kërkon thelbin – ai e ven në dyshim vetë mundsinë e thelbit.
Heteronimet e tij nuk janë maska letrare. Ato janë qenie të plota poetike. Alberto Caeiro, me thjeshtësinë e zhveshun të natyrës; Ricardo Reis, me përmbajtjen klasike dhe etikën e masës; Álvaro de Campos, me ankthin dhe shpërthimin modern.
Ndaj e theksoj se Pessoa s’asht nji zà… ai asht nji kor.
E kjo shumësi e tij s’asht lojë, po ontologji e fragmentimit. “Uni” i tij asht konstrukt; qenia e tij asht shumëfishim, e pikrisht kjo shumësi e tij m’ka tërhjekë: ndjesia se njeriu s’asht nji, po shumë.

Metafizika e mungesës
Pessoa asht poet i mungesës: – i asaj që nuk përmbushet, i asaj që mbetet në mes: “Me qenë do me thanë mos me qenë plotësisht.”
Poezia e tij asht ndërmjetëse mes qenies dhe boshllëkut, ajo nuk ndërton sisteme; ajo hap dridhje. Në “Librin e shqetësimit”, përmes Bernardo Soares-it, jeta bahet mendim, vetëdije, pasqyrë e pafundme e vetvetes. Metafizika e tij s’asht teologjike; asht pyetje e vazhdueshme:
Kush asht ai që ndjen?
Kush asht ai që mendon?
A ekziston vërtet nji qendër e qëndrueshme e qenies?

Poeti i kohës së shtyme
Ka diçka thellësisht simbolike në faktin se Pessoa u ba i madh mbas vdekjes. Krejt Universi i tij mbeti n’arkiv, ndërsa dorëshkrimet jetuen në pritje të kohnave që do t’vinin, i bindun se ishte i parakohshëm. Ai nuk komunikoi me kohën e vet – ose ndoshta koha e tij s’ishte gati për të. S’e them dot me bindje n’se ai e mendoi apo e ndjeu kët gjà!
Ai asht shfaqë si poet i postumitetit – dhe ekziston ma shumë si tekst se sa si biografi.
Pessoa asht Poet i kohës së shtyme.
E ndoshta bash për kët arsye përkthimi i tij m’ka kërkue mjaft kohë. Pessoa s’mund të bahej me ngut. Ai duhej jetue.

Fernando Pessoa - autori i Gjashtë i Kolanës 55 poezi - Jozef Radi
Fernando Pessoa – autori i Gjashtë i Kolanës 55 poezi – Jozef Radi

Pessoa si bashkudhëtar
Ka poetë që përkthehen, ka poetë që studiohen… po ka edhe poetë që jetohen. Për vite me radhë, kam pasë ndjesinë se çdo ditë e ndrronim nji kafe bashkë – nji kafe përkthimi, nji kafe meditimi, nji kafe dyshimi. Poezia e tij s’ishte tekst m’u kalue n’nji gjuhë tjetër, po ma s’pari përvojë m’u përthithë. Ishte dyshim i dyshuesit ma t’madh të letrave.
Jam rropatë që në kët përkthim të kem sa ma pak humbje.
Se çdo përkthim ia hup diçka “padronit”. Po kur poeti përkthen poetin, humbja kthehet n’nji rrekje m’u ba shkrimje.
Zgjedhja me përfshi disa heteronime të Pessoas s’asht panoramike, po thelbësore. Me i dhanë lexuesit shqiptar, vetëm njenin prej tyne kisha me u vrejtë si cungim.
Letërsia shqipe, sidomos në kohën e izolimit të madh, nuk pati mundësi dialogu të drejtpërdrejtë me modernitetin evropian. Vetëm mbas viteve 2000, me t’tjerë edhe figura e Pessoa-s nisi m’u avitë gradualisht. Edhe ky libër modest synon me e thellue kët dialog, me mendimin se ka me vazhdue ma përtej.

Pessoa në gegnisht
Sjellja e Pessoas në gegnisht s’asht nji transferim teknik po rimishërim. Ai hyn në nji tjetër trup gjuhësor, në nji tjetër traditë, me nji tjetër frymëmarrje. Gegnishtja, me tingullin dhe thellësinë e saj, m’u duk si nji strehë ma se e natyrshme për dridhjen e tij metafizike si në përmbajtjen e Reis-it, në ashpërsinë e de Campos-it apo fluiditetin e Caeiro-s.
Nuk kam dashtë me e përcjellë si monument.
Jam përpjekë me i shkue mbas si shok i nji rruge t’kahershme.

Nji fjali që m’ka shoqnue kaherë…
Asht nji fjali që m’ka ndjekë qysh në rini. Ma ka thanë profesori i letërsisë, kur isha nxanës gjimnazi, e jetoja n’nji kamp internimi. Mbasi i lexoi do poezi t’mia, më tha:
“Vazhdo me shkrue, Jozef! Ka njerëz që janë ba të famshëm në letërsi edhe mbas vdekjes!”
E un’ isha veç 21 vjeç!
N’at kohë kjo fjali ishte teh me dy presa: shpresë dhe hidhnim; inkurajim dhe humnerë. Në nji sistem ku fjala kalonte përmes filtrash ideologjikë, koha e poetit nuk rezononte me kohën e pushtetit, e ku mbasvdekja më shfaqej si vetmja hapsinë lirie.
Vite ma vonë, ndërsa përktheja Pessoan, kjo fjali më jehonte shpesh në kujtesë. Edhe ai po komunikonte me botën mbas largimit, edhe ai e gjet kohën e vet, përtej kohës së vet.
Prandej m’duhet me e theksue se ky libër s’asht nji përzgjedhje poezish të përkthyeme, po dëshmi e nji bashkëjetese. E ky përkthim më ka shërbye si nji dialog mes dy heshtjesh: heshtjes së tij ekzistenciale edhe heshtjes së imponueme, e cinike që kisha njoftë unë…
Në të dyja rastet, e vërteta e fjalës ishte në kërkim të kohës së vet.
Pessoa nuk komunikoi me kohën e vet, kjo si zgjedhje e tij. Ndër ne nji kor i madh s’ia doli me komunikue me kohën pse u ndesh n’egërsinë shtazore të pushtetit që vrau çdo zà lirie.
Sot Pessoa lyp pak vend edhe n’gjuhën tonë, tue u artikulue me drojën e gegnishtes, ai po gjen nji strehë të re.
Ndoshta, në kët strehë t’re metafizika e tij bahet ma e gjallë e ma e hijshme.
jozef radi, 12 shkurt 2026

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit