back to top
16.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

Fan Noli, përlavdues epiko-lyrik i burrnis shqiptare – nga Ernest Koliqi

Gazeta

Biblioteka “Ernest Koliqi” në Qendrën “BogdaniPolis” në Prishtinë
Biblioteka “Ernest Koliqi” në Qendrën “BogdaniPolis” në Prishtinë

Fan Noli, përlavdues epiko-lyrik i burrnis shqiptare*

nga Ernest Koliqi

Stefan Stiljan Noli, nji ndër personalitetet mâ të spikatuna qi shprehi nga gjinì i vet kombi shqiptar, paraqitet posi nji fytyrë poliedrike, domethanë e shumanëshme, e cila gjâ lodhë menden e kujdo kur vjen momenti me dhânë nji gjikim synthetik mbi rrolin qi ai luejti në botën shqiptare. Kush jeton si i ndodhi atij mâ se tetëdhetë vjet dhe në nji periudhë historike ndër mâ të stuhishmet qi njofti njerzimi, lehtazi bâhet objekt kritikash, sepse nji jetë kaq e gjatë rrethohet, në fazat e ndryshme të saj, me drita e me hije të cilat ndoshta shkaktohen nga rrethânat, nëpër të cilat u përshkue, mâ tepër se nga nji vullnet i prém e i paravendosun m’u sjellë ashtu si u suell.
Si të gjithë njerzit me nji vlerë të veçantë edhe Fan Noli nderohet e përçmohet me ngulmim qi shpesh herë arrîn në parosizëm ndër lëvduesa e prozhmuesa të tij. E vërteta âsht se veprimtarija e nji njeriu, qi gjatë tetëdhetë vjetve rrjesht gjallesë në kët shekull u dha me mish e me shpirt mbas sendërtimit të nji ideali, i cili synthetizonte në vete qëllime fetare e kombtare, shoqnore e kulturore, duhet vû në nji kandar të drejtë. Gabimet ase në datsh të thuesh fajet qi Fan Noli ka mujtë me bâ, nuk ia zbresin vlerën tri veprave të pashoqe qi ai kreu, pasojat e mira të të cilave edhe sot ndiehen në rrjedhë të historis shqiptare e janë: themelimi me 1909 i Fletores “Dielli”, praeludium i themelimit të Shoqatës pan-shqiptare “Vatra” në Boston, me 1912 në bashkëpunim me Faik Konicën, – pranimi shpëtues i shtetit shqiptar në Lidhje të Kombeve me 17 dhetuer 1920, e krijimi i Kishës orthodokse autoqefale shqiptare. Edhe po të pranojmë për hypothezë se Fan Noli pat njolla, këto tri vepra të shkëlqyeshme krejt ia shlyejnë.
Natyrisht këtyne meritave kombtare e patriotike u shtohen ato shum shum të mëdhaja si shkrimtar qi ia skalisin émnin me shkrola arit në historin e letërsis shqipe. Po këtu duem të vêm në dukje shkurtazi burimin e frymzmit të tij ndër shprehje mâ të nalta lyrike qi ai na i dhuroi dhe me theksue se si at burim frymzues e gjet në jetën reale të Shqipnís, në brumin njerzuer shqiptar qi ai hetoi e njofti n’ato tepër të pakta vjet të ndejes në dheun e zànafilles. Edhe Fan Noli asht bír i diasporës: u lind e u rrit jashta vendit të të Parve. Kjo gja reflektohet mbi të gjithë veprimtarín e tij letrare.
Ndër tetëdhetë vjetët e jetës së tij, vetëm tri a katër i kaloi në dheun shqiptar. E se ai kuptonte e ndiente nevojën sidomos si poet e krijues bukurije letrare me thithë në vend frymën e tokës shqiptare na e dishmon myti i Anteut përmendë në lyrikén kushtue Bajram Currit:

As jé vrar’ e as po vritesh.
Legjendar Anté po rritesh.

Fan Stilian Noli (1882-1965)
Fan Stilian Noli (1882-1965)

Kush ishte Anteu e ç’përfaqsonte në mythologjin klasike të Heladës Anteu, bir i Tokës (Gjea) , vigân i madh e i stërfortë, mirrte fuqín qi kurrkush nuk mujte të mposhtë, tue prekun tokën (vendin e vet) me shputa të kambve. Herakli nuk gjet mënyrë tjetër për ta kënirrë d.m.th. për t’ia marrë frymën e mbytë, vet tue e mbajtë pezull me nji dorë pa e lânë me prekë dhén me kambë.
Vështrimi symbolik i mytit t’Anteut âsht i qartë: dheu i lindjes, d.m.th. vendi ku gjallnon njerzija prej nji gjaku e prej nji gjuhe, i ep njeriut forcën morale, përtrin në të herë mbas here fuqit e shpirtit.
Fan Noli prirjen e rrallë krijuese, zotsin e jashtazakonshme shprehëse e shkrini në përkthime (të cilat jesin shembullore në fushën e letrave t’ona) mâ tepër se në krijime origjinale në poezi e në gjinin tregimtare. Nuk e njifte se duhet jetën e popullit shqiptar. Pëvojën e tij ndër rrethe të ndryshme shqiptare të diasporës nuk e njehi, tue marrë parasysh fuqit e veta krijuese, aq të mjaftueshme sa me i a hŷ njaj vepre origjinale, poem a rromanx, ku të dilte në pasqyrë jeta e gjindes prej gjakut shqiptar përshkue nëpër dritën e botëkuptimit të tij. Dŷ vjerrshat epiko-lyrike, kushtue Luigj Gurkuqit e Bajram Currit, ku ai gdhend mjeshtrisht, me vija të përflakta, përshtypjet qi i lanë këta dy burra, takue e njoftë gjatë banesës së tij të shkurtë n’atdheun shqiptar, dishmojnë sa të çmueshme do t’ishin qenë veprat e tija letrare, po t’i kishte dhânë fati mundësi me depërtue mâ thellë në palc të jetës së popullit t’onë.
T’i analizojmë shkurtazi në përmbajtje këto dy vjerrsha qi në Parnaz shqiptar arrijnë majet mâ vezullore të lumnisë poetik.
Në katundin shqiptar të Thrakjes, Ibrik Tepe, ku ai lindi, qysh në moshëm mâ të mitun Fan Noli tregoi aftësin e hollë vëzhguese me të cilën e kishte pajisë natyra. Lëshonte shikimet e veta rreth e rrotull dhe përpiqej të kuptonte mbrendín e shfaqjeve të jetes qi i zhvillohej përpara. Sidomos tue u rritun përpiqej me i a spjegue vetes shkaset e përmbrendshrne qi i shkaktojshin sjelljen e mirë ase të dobët të njerzve. Kjo cilsi verejtëse d.m.th. zbulimi i veseve e i virtyteve njerzore, do të shfaqet thekunisht mâ vonë në satyrat qi ai na la.
Asokohe me siguri nji pyetje vizatohej në menden e njomë të kalâmanit veshtak: – Pse flasim na nji gjuhë tjetër e pse jemi ndryshej nga banorët e katundeve fqinje?
Të cillën pyetje, sa marrin mend e shqise, i a sjellin vetes edhe Arbreshët e Italis: “Jemi Shqiptarë! Po ç’âsht Shqipnija?”.
Çfarë vetish e lejojnë Shqiptarin me pohue, tue u mburrë, se âsht bir i nji kombi fisnik? Fytyra qi në kohën e fmijnis la mbresa të pashlyeshme në kujtim të Fan Nolit qe Gjergj Kapidani, komandar mbas Nol Kapidanit, gjyshit të tij, i repartit ushtarak qi i delte Sulltanit n’ushtri në rasa lufte. Gjergj Kapidani tregonte trimnit e veta dhe të Shqiptarve ndër luftime përkrah ushtris osmane. Edhe i ati i Fan Nolit, Stiljani, ushqente, bashkë me pasjonin e muzikës kishtare, atë të kultit të herojve. Admironte pa masë, i ati, Napoljon Bonapartin e Skanderbegun. Admirimi i t’et Stiljan për Gjergj Kastrjotin kaloi në të birin Stefan, qi, mà vonë, bani kërkesa ndër arkive e bibljoteka m’u dokumentue gjanësisht e imtisht mbi të dhe mbi kohën e tij për të mishnue burrnin shqiptare në Kryetrimin e Krujës n’at vepér të madhe historike qi të gjithë njofim.
Në nji djalosh mendesquet e zëmerndieshëm, të prirun kah analyza e shkaseve të ndryshmc qi burojnë nga thellësit e shpirtit të vet e të tjervet edhe nga valavitja mysterioze e gjakut qi sejcilit i rreh ndër dej, âsht i natyrshëm dishiri të dij psehin e rrethanave qi cilsojnë kushtet e tij njerzore të veçanta.
Gjergj Kapidani i flitte për trimní shqiptare, i ati, Stiljan Noli, çonte në qiell veprimet e Kastrjotit. Ç’themel në të vërtetë kishin ato lavde e ato mburrje? Çfarë tharmesh lëvitshin në gjak shqiptar? Cilat ishin vetit e veçanta njerzore të Shqiptaritt?

Ernest Koliqi midis arberesheve ne 1971
Ernest Koliqi midis arberesheve ne 1971

Fan Noli në zhvillimet e jetës së tij endacake e plot peripetina si ato t’Odiseut homerik, njofti burra shqiptarë qi i a vërtetojshin pohimet e Gjergj Kapidanit dhe të t’et mbi fisnikin shqiptare. Me 1903, fati e hodhi n’Egjypt e ndër tri vjetët kalue aty pat marrëdhânje me burra të vlefshëm si Spiro Dinen, Nikolla Naçon, Thanas Tashkon e Jan Vruhon. Preku me dorë thjeshtësin e natyrës idealistike të këtyne pishtarve të Rilindjes s’onë, por mund të mendonte se ata ishin përjashtime. Pajisej vërtè kombi shqiptar me vetinat e andrrueme prej patriotave?
Përgjegjen kësaj pyetjeje e kërkoi, si thamë, në historin e qindresës shqiptare të XV qindvjet, n’epopen e Gjergj Kastrjotit. E fletët e historis i a vërtetuen pohimet e t’et dhe të Gjergj Kapidanit, ligjuen enthuzjazmin me të cilin patriotët përmendshin êmnin mbrekullbâs, plot frymzim rilindës, të Skanderbegut.
Por, qi vetitë e lulzueme mrekullisht në Skanderbegun vlojshin prap se prap në zemrën e madhe të kombit shqiptar, ai e pau me sy kur me 1921, erdhi në dheun e të Parvet dhe qindroi aty deri me 1924.
Brumi njerzuer prej të cilit doli Skanderbegu dhe breznija e çelnikët qi atë e ndoq ndër luftime për lirí, vrumuliste endè i gjallë e gjithnji i aftë me shprehë vetje t’admirueshme për dobi të kombit. Në Luigj Gurakuqin e në Bajram Currin hetoi esencën e fisnikis shqiptare, burrnin, e cila âsht nji shkrîmje e trimnis me urti, d.m.th. syntheza e nji hovi guximtar plot vetmohim bashkue me nji përftim a koncepcjon të jetës qi ka si shtyllë themelore nderin dhe shprehet me nji matuni fjalësh e sjelljesh, e cila mbështetet në ndiesi të së dretës e të njerzis së ndërgjegjëshme.
Trimnija ka vlerë kur përdoret me vend e me kohë për të nxjerrë soje fryte të dobishme. Thotë Fishta: (Por) i urti kurr nuk ngutet/ Prej burrnis e jo prej tutet.
Në Luigj Gurakuqin, Fan Noli njofti burrnin qi rrjedh nga vetitë shqiptare trashigue nga të Parët dhe të zdrituna shkëlqimisht në rrezet e nji kulture së gjânë; në Bajram Currin njofti e përlavdoi instinktet e shëndoshta burrnore qi me gjarpënim vetimash e shungullim bumbullimash shfaqen papritmas në përpjekje për ideal, pa dalë nga vijat e urtís dhe pa u shkoqë nga trashigimi stërgjyshuer i nderit e i drejtësis.
Këta dy Burra të paharrueshëm i a frymëzuen Fan Nolit vjerrshat e pavdekshme ku ai naltësoi me nji hov lyrik flatër-vërvitës burrnin, veti qënësore e jetësore kryekrejet e fisit arbnuer. Iu kujtohen vargjet e thekshme kushtue Luigjit?

…Nëno moj, mbaj zi për vllanë,
Me tre plumba na i ranë…
…Se të deshte kur s’të deshnin,
Se të qante kur të qeshnin,
Se të veshte kur të çveshnin,
Nëno moj, të ra dëshmor…

…Nëno moj, ç‘është përpjekur,
Goje-mjalt’ e zëmer-hekur,
Syrgjyn-gjall’ e syrgjyn-vdekur,
Ky Vigan Liberator.

E ato për Bajramin?

…O Bajram, bajrak i gjallë,
More nâm me gjak në ballë,
Te një shpell’ e Dragobisë,
Yll i rall’ i burrërisë…

…Me Zjarr Shenjt u ndrit kjo shpellë,
Gjer në qjell u ngrit Kështjellë
Per çlirimn’e Shqipërisë
Katakomb’e Dragobisë.

Le të vêhet roe fati i mjerë i njàjtë i tre herojve këndue nga Fan Noli: Skanderbegu, Luigj Gurakuqi e Bajram Curri, të tre shkrînë jetën për ideal dhe mbaruen pa i pâ realizimet e dishrueme. Poeti qân me lot burrnin orzezë shqiptare.
Unë i kam njoftë dy Burrat, këndue nga Noli, të dy nderë e kombit, shtylla të ndritshme t’idealit dje, sot e n’ardhmëni mâ të largët edhe kam pasë fatin me qênë në marrëdhânje të ngushta me ta. Luigji më nxiti m’u marrë me letërsi dhe më hodhi në fushën politike me 1923, Bajrami qi banoi me familje në nji shtëpi t’onë në Shkodër mirsisht bisedoi shpesh me mue mbi çashtje kombtare.
Si nëpunës i vogël, por besnik edhe unë kjésh pjestar në Qeverín e kryesuee prej Fan Nolit me 1924 dhe, kur ajo qeverí u përmbys, nëpër rrethâna të njoftuna, si fanolist mora udhat e mërgimit e ndeja pesë vjet larg atdheut.
Prandej në përkujtimin e dy Burrave të mëdhej, qi jesin në vend të parë n’Olymp të herojve të kombit dhe të Poetit qi ua përlëvdoi vetítë e pashoqe arbnore e ndiej, për arsye edhe vetjake, detyrën të përuli kryet ni shénj të nji nderimi të pamasë.

*Ky postim është thjesht për t’u lexuar nga miqtë virtualë të FB tim.
Marrë nga Muri i Fb i Artan Kafexhiu, 22 dhjetor 2022

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.