back to top
23.5 C
Tirana
E shtunë, 5 Tetor, 2024

Hafiz Ali Kraja në vdekjen e at Gjergj Fishtës

Gazeta

Gjatë ceremonisë mortore të Fishtës
Gjatë ceremonisë mortore të Fishtës

At Gjergj Fishta

(23 tetor 1871 – 30 dhjetor 1940)

Më 30 dhjetor 1940, ndërroi jetë shqiptari i madh At Gjergj Fishta.
Përveç faktit se, siç ka thënë albanologu Robert Elsie, Fishta ishte figura më e madhe dhe më me influencë e letërsisë shqiptare në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, burri i zgjuar e fisnik i Zadrimës, i cili na la perla si “Lahuta e Malsisë”, mbeti i përkushtuar edhe ndaj kauzës së përhapjes së dijes për të mposhtur obskurantizmin e kohës. Ishin ai zell, dije e pasion që e çuan Fishtën në krye të Komisionit të Alfabetit, në Manastir, në vitin 1908.
Për këto arsye, humbja e Fishtës ishte një traumë kombëtare në atë vit të zymtë kur Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia fashiste.
Në varrimin e tij morën pjesë personalitete të Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë. At Gjergj Fishta u varros me nderime të mëdha më 31 dhjetor të vitit 1940. Shkodrani tjetër i madh, Hafiz Ali Kraja, ishte ndër personalitet e larta që mori pjesë në atë ceremoni mortore dhe mbajti edhe eulogjinë e rastit për mikun e tij të çmuar, At Gjergj Fishtën. Fjalimi i tij në ceremoninë e varrimit të klerikut të shquar, At Gjergj Fishta, është një ndër fjalimet më mbresëlënëse të mbajtura në raste të tilla.
Eulogjia ishte provë shtesë e bashkëjetesës fetare në Shqipëri, siç e kishte thënë edhe vetë Fishta: “Vërtet ne kemi Bajram e Pashkë, por shqiptarinë e kemi bashkë.”
Këto ishin fjalët e zemrës së Hafiz Ali Krajës:

Hafiz Ali Kraja (1900-1973)
Hafiz Ali Kraja (1900-1973)

“Poet kombëtar, Patër Gjergj!
Kur nji orator, tue dasht me folë mbi veprat tueja, rrin shtang, hutohet, pse janë shumë, janë të mëdhaja edhe të madhnueshme, aq sa asht e vështirë me caktue se për të cilën duhet të flitet…
Shkrimtarët e ardhshëm të historisë shqiptare jetën politike tanden do ta gjykojnë në bazë të “Lahutës së Malcisë”, kryevepra jote monumentale.
Të jesh i bindun, o Poet i Madh se shqyptari me “Lahutën e Malcisë” ka për të qenë gjithmonë kryenaltë siç janë helenët me Iliadën e persjanët me Shahnamen, mbasi Ti, me atë vepër të naltë i ke njoftue botës së qytetnueme psihikën e karakteristikat ma të ndieshmet e popullit shqiptar…
Me ty, Patër Gjergj, kombi shqyptar mburret, naltësohet edhe madhënohet para popujve të tjerë, prandaj sot krejt populli shqiptar të përulet, djelmnia intelektuale vajton humbjen Tande e me lot ndër faqe të përcjell me mallënjim e dhimbje në jetën e pasosme…”

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.