back to top
22.5 C
Tirana
E hënë, 13 Maj, 2024

Dy fjalë shpirtërore mbi Nënën Xhevahire Sadria me rastin e udhëtimit të saj për në Botën tjetër… – nga djali i saj Skënder Sherifi

Gazeta

Nena ime, Xhevahire Sadria ne Bruksel me z. Freddy Bozzo, drejtori i Festivalit internacional te Filmit fantastik, thriller
Nena ime, Xhevahire Sadria ne Bruksel me z. Freddy Bozzo, drejtori i Festivalit internacional te Filmit fantastik, thriller

Nous sommes très attristés de vous annoncer la perte de notre maman adorée, Xhevahire Sadria (Ahmetaj) survenu le vendredi 20 octobre 2023. Tous les enfants et les petits enfants vous invitent à lui rendre un dernier hommage lors de son inhumation qui aura lieu au nouveau Cimetière de Ganshoren – 1, rue au Bois – 1083 Bruxelles
Le Mercredi 25 octobre 2023 – à 13 heures
Me pikëllimin më të madh, po ju lajmërojmë që varrimi i Nënës tonë të dashur Xhevahire Sadria, e cila ndrroj jetë të premten me 20 tetor 2023 në Bruksel – do mbahet në Varrezat e komunës Ganshoren, aty ku ka pasë banuar me vite. (Cimetière de Ganshoren) – 1, Rue au Bois – 1083 Bruksel.
Jeni të ftuar nga unë, motrat e mia, vëllai, nipat dhe mbesat, gjithë familja mbarë për ta përcjellur këtë nënë të madhe emblematike dhe shembullore të Kombit shqiptar, në banesën e saj të fundit…

Toka e Zotit, Qielli i pafund dhe Gjithësia misterioze
Këtë të mërkurë me datë 25 tetor, ora 13

Po atë ditë të Mërkurë, pas varrimit, nëse keni dëshirë, mund të vini për një homazh të fundit, për një kafe simbolike tek shtëpia e saj
Pastaj: në anën pak më zyrtare, sipas rregullit tonë, do kemi 3 ditë pamje për ngushllime të Enjten më 26 ; të Premten me 27; dhe të Shtunën më 28 Tetor 2023 – pasdite prej orës 14 deri nga ora 18!
Adresa e Nënës: avenue Joseph Peereboom – Building, Pallati 2 – 1083 Bruksel – Ganshoren

Xhevahire Sadria (1934-2023)
Xhevahire Sadria (1934-2023)

Dy fjalë shpirtërore mbi Nënën Xhevahire Sadria

me rastin e udhëtimit të saj për në Botën tjetër…

nga djali i saj Skënder Sherifi

Për çdo njeri normal, pos me qenë ndonjë rast patologjik për psikiatri, Nëna e tij është e dashur, e bukur, e dhimbshme dhe i ka të gjitha kualitetet e botës, çka mund të kuptohet. Por sinqerisht dhe objektivisht, të nderuarit Lexues, nëna Xhevahire, ka qenë përtej këtyre normave globale… diçka tjetër, brumë special, model unik, ku edhe fjalët nuk të vijnë aq sa duhet në ndihëm, për ta kualifikuar me precizionin e një sahati zviceran, apo fjalimin mbi metodologjinë racionale karteziane të Gjyshit tonë René Descartes.

Po pse na ike papritmas, e dashur Xhevahire Sadria, bijë Vuthajsh e fis Këlmendi, me origjinë nga Tropoja, buzë Bjeshkëve dhe lumit përrallor të Valbonës… një të premte me 20 tetor, pas disa ushtrimeve kinezoterapike në Spitalin për rihabilitim ku ishe në Bruksel, pas disa problemeve shëndetësore, e trajtuar si me qenë Mbretëresha e Anglisë në katin e shtatë, që të ecish edhe pak kohë me këmbët e tua? Neve, me kushërinin Mujë Buçapapaj, me Isa Visoçën, me Kastriot Ramollarin, me Hamzi Nevzadin, me Naim Bajraktarin, me gjithë ata që të kanë dashur dhe respektuar jashtë mase, në Shqipëri dhe në Kosovë, e kishim për merak me ta celebruar me dinjitet, siç e meriton 100 herë, ngaqë na kishe zgjedhur si Familje shpirtërore, si Myhyb, si Dervishë të improvizuar, me djalin tënd simbolik zotin Kujtim Çashkun, të cilit ja pate mbjellur edhe një Pemë në kopshtin e shkollës kinematografike Marubi, para ca vitesh, ditëlindjen tënde të fundit në tokën e Shqipërisë… Bile të priste me qejf edhe miku jonë kryetari i Vitisë në Kosovë, zoti Sokol Haliti, për ta celebruar në Kosovë. Po, neve prisnim me padurim, me ta festuar, Madamë Xhevahire, në zemrën e Tiranës, atë 90 vjetorin tënd, bashkë me miqtë dhe të afërmit tu, në Maj 2024…

Por, të thirrën Baballarët tanë shqiptarë dhe ata ndërkombëtarët në sferat qiellore, ëngjulli Xhebrail, Sheh Ahmed Shkodra, Dervish Luzha, Krishti, Muhamedi, Khalil Gibrani, Omar Kajami, Krishnamurti, Moisiu, ndoshta edhe vet Zoti, për t’i ndarë hallet e botës tonë tokësore me ty, pasi jemi në një gjendje të rëndë, para-komatike, ku po na fryn shumë energji të zeza shkatërruese, helmuese, delirante, fanatike, ekstremiste dhe anti-njerëzore, përditë e më shumë … dhe me siguri, siç na thoje shpeshherë, kishin nevojë për ty, o Nëna Xhevahire, për energjinë tënde të pashterrshme, për dritën tënde shpirtërore, për të na dhënë neve, komplet të destrukturuar, të çoroditur, të bastarduar, të cilët ja kemi shitur me kohë shpirtin tonë Faustit me të birin, të abonuar në Kultin e Viçit të artë, të zhytur në një vullgaritet dhe gabelhane të paparë, në antikulturë, antipoezi, antishpirt, antifilozofi, antipsikologji, antinjerëzi, antietikë dhe më në fund edhe në antiKomb… Por edhe neve, tokësorët e sëmurë, depresivë dhe të çekuilibruar, kishim nevojë për ty, o Nëna Xhevahire edhe pak kohë, për të na inspiruar për mirë, dhe për të na i ngarkuar bateritë me një energji të pastër konstruktive diellore dhe qiellore, diçka puro njerëzore, sa për ta rikujtuar vetveten, jetën, të tjerët përreth nesh, vlerat esenciale, traditat tona të vjetra, gjenezën identitare, shoqërinë shqiptare, kombin, atdheun, Europën dhe mbarë botën. Po, pra, për ta gjetur sa më parë rrugën e Zotit, të Njeriut të filtruar siç duhet në humanizëm, rrugën e paqes, të harmonisë dhe të drejtësisë. Siç thonin dikur edhe Hipikët e droguar – Peace and Love, brothers and sisters! Me muzikën e Jimmy Hendriksit, Janis Joplinit, Led Zeppelinit, Deep Purple, Santanës apo Eric Claptonit… Pse nuk ta zgjatën edhe një herë vizën, e dashur nënë Xhevahire Sadria, ti që ke nderuar Malin e Zi, Shqipërinë, Kosovën, Francën dhe Belgjikën, me rrezatimin tënd unik, dhe të pa përsëritshëm…? Po, po, çdokush që të ka pa, të ka takuar vetëm nji herë, ja ke lënë detyrimisht një gjurmë dikund të kokë, në zemër e një shpirt. E pse pra? Si shpjegohet? – Ngaqë ke pasur diçka tepër të veçantë, jashtë fjalorit alfabetik dhe gramatikor, diçka tjetër IKS që Njerëzit e kanë kapur globalisht deri dikund, por pa e kuptuar në esencë, duke thënë: “Po e shohim që kjo Femër shqiptare, madhështore, krenare, nuk është si të tjerat, ka diçka speciale brenda saj, do jetë e ndërtuar pak ndryshe, ku me e ditur se çka është puna e saj, porse duhet me e respektuar, me e dëgjuar me vëmendje, se mund të na prihet mbarë!” Mos harron, për të na i sjellur disa mesazhe apo sinjale kozmike, kur të jeshë nëpër ato mbledhjet dhe bredhjet e tua kozmike, në pafundësinë përrallore dhe poetike, metafizike, në rilindjen dhe kthjellimin e të gjitha gjërave, në zgjidhjen e çdo enigmë tokësore, në bashkimin përfundimtar e të gjitha elementave, ne përqafimin me dyshin tonë eterik apo qiellor… sepse, na ke lënë pak a shumë Jetimë, nëna Xhevahire, të çorientuar, të pa busull, duke notuar mes absurditetit dhe mjegullnajave tona ballkanike, pa ndonjë përgjigje serioze shkencore. Kemi ecur si Flamanët rozë me një këmbë, mes kufijve fiktivë, miteve aproksimative, pa e ditur saktësisht se cila është Historia e jonë, duke e folur një gjuhë shqipe akoma enigmatike.

Ke qenë sikurse unë, një shpirt i vjetër antik, tradicional, i lashtë, ke përcjellë porositë e Njerëzimit dhe të shqiptarizmit, por duke i përqafuar të gjitha modernitetet. E ke pasur intuitive, burimore, pa ta thënë askush. Dije që më ke befasuar më tepër sesa 90 përqind të Profesor-Doktorëve, sepse ke folur me gjuhën e shpirtit të thellë, me ndriçimin e inspiruar nga lartësitë e pa emër. Po, po, kudo në këtë rruzull tokësorë, i ke skanuar realitetet e dukshme, por i ke deshifruar edhe sekretet e padukshme. Ke marrur si Bleta malazezo-shqiptare dhe frankofone, atë çka të ka inspiruar ty, atë çka t’u ka nevojitur dhe e ke bërë pastaj Nektarin tënd… Nuk ke pasur paragjykime, bariera, ndalesa të kota, ke qenë çdoherë në hulumtim, në kërkim, në zbulim, në analizë, në pleqërim dhe na thojshe: “Dijeni që unë nuk e la kurrë Trurin tim në pushim… nuk është punë me ngrënë, me pi dhe me kullotë si bagëtia, duke u pajtuar me çdo gjë. Jo, sepse unë kam nevojë për t’i kuptuar dhe filtruar gjërat siç dëshiroj unë, për t’i peshuar, për ta pa se çka qëndron dhe çka nuk qëndron…? Pra, m’intereson ajo çka e kam analizuar dhe asimiluar unë, e jo për ta ripërsëritur atë çka më thonë apo ma imponojnë të tjerët… Po, unë mendoj me kokën time dhe flas me fjalët e mia, ato që më vijnë direkt nga qielli… sepse është vetë Zoti që më frymëzon, m’i dërgon mesazhet, m’i çon informacionet, më dikton se çka me thënë… Jam e lidhur me të, jam kanali i tij direkt… Ai flet përmes meje! Prandaj, mua nuk më duhen libra, lexime, bilbioteka, diploma reale apo fiktive të blera, sepse e kam Universitetin e Qiellit, Sorbonën dhe Oksfordin e botës tjetër paralele. Mund të flas me Ministra, Presidenta, Doktora Shkence, Akademikë, nuk e kam problem, sepse jam e frymëzuar, e udhëzuar, e diktuar, e banuar nga një energji dhe mister tjetër, kështu që më vijnë idetë nga lart!”

Po, po, nëna Xhevahire, e ke me plot të drejtë, bile e kam kuptuar edhe unë atë fenomen, pak më vonë, duke e praktikuar Poezinë time. Sigurisht, ka diçka tepër misterioze, e cila nuk shpjegohet lehtë! Por, e kam përjetuar vet, në dy veprat e mia emblematike: Love dhe Festivali i Pasioneve. Dihet që aty, nuk jemi aspak në racionalitetin logjik normal, por dikund tjetër, në sferat e botës paralele, ku flasin vetëm valët, energjitë, sinjalet e dukshme dhe të padukshme, mesazhet e kodifikuara në një mënyrë mjaft sekrete dhe misterioze, që mos t’i deshifrojnë çdokush aq lehtë, sepse duhet për t’i merituar, duke e arritur dikur, një farë shkallë të koshiencës të ndritur njerëzore. Është një rrugë iniciatike me kodet e saj sekrete, apo të fshehta, e cila kërkon një intuicion, parandjenjë dhe nuhatje të thellë, atë instinktin e Tigrit, pa Silvester Stalonen. Nuk flet ti më, përmes leksikut normal të fjalorit, apo kodet shkollore, por je bë vet Fjala e mishëruar, e integruar në qelizat e tua, e gdhendur, e integruar brenda qenies. Natyrisht, nëna Xhevahire, ti ke qenë e ngjizur, e brumosur krejt ndryshe, nuk do mend, ke ardhur për një mision komplet tjetër mbi këtë tokë. Por nuk e ka kuptuar askush, dhe së pari ndoshta vetë familja jote… Mirëpo të kanë lënë rehat, nuk ta kanë prishur terezinë: “Lene në botën e saj, dhe mos ja prishni fare qejfin… thuani ‘po’ sa për të mos hyrë më thellë, se kush mund ta kupton se çka është duke na thënë Xhevahiria!?” Problemi ka qenë, që ti nuk ishe fare, një femër e rëndomtë tokësore, me kornizat, formatimet, dhe detyrat e saj normale: me shërbye, me punue, me fitue lek, me bë fëmijë, me krijue familje, me qenë e zhytë komplet në preokupimet e jetës së përditshme rutinore, materiale, dhe pikë! Bile, nuk ishe as për martesë në realitetin e thellë shpirtëror. Ishe më tepër për Teqe, Tempuj, Manastire, Koliba në mes të maleve dhe të bjeshkëve. E pra, paradoksi është që të gjitha këto që i ka bërë çdo Femër normale tokësore, i ke bërë dhe kryer për mrekulli, dhe më mirë se shumë të tjera… pa u ankuar kurrë, pa e folur një fjalë negative mbi askënd, dhe së pari mbi ata që të kanë torturuar shpirtërisht, emocionalisht, që ta kanë nxirë apo komplikuar jetën, me injorancën dhe fanatizmin e tyre, që të kanë burgosur në një botë të shkretë, të vogël dhe mjaft mizerabël, ngaqë nuk kanë ditur ndryshe, nuk e kanë pasë kuptuar që mund të ekziston edhe diçka tjetër pak më interesante, e pasur dhe e hapur… Dhe ti i ke kuptuar për mrekulli, i ke falur si Krishti, ngaqë nuk e kanë ditur as vetë, se çka janë duke bërë, dhe ua ke kthyer të gjithëve me të mirë, me respekt, me një shërbim perfekt. Ajo ishte madhështia e jote, o Xhevahire Sadria, shkalla supreme shpirtërore, rafinimi ultim, spiritualiteti shembullor: me e transformuar energjinë e zezë delirante dhe shkatërruese, në diçka të bukur, pozitive, frymëzuese dhe njerëzore. Ke qenë Shtet në vete, autonome, e pavarur, pak a shumë anarshiste mistike, autodidakte puro, aventuriere kurioze në rrugët e Diturisë universale.
Më thoni: kush mund ta bën atë gjë, me tre klasë shkollë, pos nëna Xhevahire e ardhur nga Marsi? Ndoshta David Boëie me albumin e tij muzikor? Po qeshi me respektin më të thellë për ty, por e kam kuptuar që do të ketë mbi këtë Botë dy kategori njerëzish: 90 ose 95 përqind janë vetëm Qenie puro tokësore, pra esencialisht Persona, pragmatikë dhe të destinuar për jetën normale materiale dhe familjare me kodet e saj të zakonshme, me kërkesa të kufizuara. Njerëz që ndjekin shinat e propozuara, pa diskutuar asgjë, që rrinë nëpër Tufa… Por pastaj, ka disa eksepcione të rralla, 1 deri në 5 përqind me siguri, të cilët do i çon Zoti qëllimisht në tokë, pikërisht për t’ua përcjellur tokësorëve të shkretë ndonjë mesazh të një natyre krejt tjetër, nëse eventualisht mund ta kapin… disa Njerëz që janë shpirtëra puro qiellorë, eterikë, galaktikë, të cilët realisht vijnë direkt nga qielli, e kanë gjenezën, ngjizjen e tyre në sferat inter-galaktike, dhe që dikur rikthehen siç kanë pasë ardhur, për në qiell, pasi e kanë kryer misionin e tyre. Dhe ata Persona nuk merren fare me realitetet e rëndomta tokësore, ngaqë nuk ju intereson fare ajo problematikë e rutinës materialiste. Dhe tani nëna Xhevahire ishte një prej tyre! Bile në disa momente: i them vetes, që mund të jem edhe unë, një UFO, ngaqë me kohë e kam kuptuar që nuk më ka interesuar fare jeta normale tokësore, pra, ajo e 99 përqind të njerëzve, rutina, përditshmëria, burokracia, institucionet, funksionet, gradat, titujt, leku, materializmi, makinat, teknologjia… Përpos, liria e plotë, arti, kultura, qejfet tokësore për ta kënaqur vetveten, shëtitjet, takimet me njerëzit, zbulimet, udhëtimet… kurse të tjerat elemente më mërzisin për 5 minuta dhe i pësoj me zor, pa asnjë lloj interesimi real. Prandaj, e konsideroj edhe unë vetën si gjysmë Marsiani, ekstratokësori, i ardhur këtu mbi Planetin Blu, me një mision të caktuar, atë që ma kishte fiksuar qysh në vitin 1976, vet Ibrahim Rugova, të cilin e asimilova dikur edhe unë vet me 25 vite vonesë, që në vitin 2002. Pra, ju po e kuptoni që i ngjaj nga afër nënës Xhevahire, prandaj e kam pasur me të gjithmonë atë lidhje speciale dhe intime super të privilegjuar. Sepse, e kemi ditur që jemi të ndërtuar dhe të brumosur gati njëlloj, por ajo në fushën mistike të besimit, kurse unë në fushën e artit dhe të poezisë. Kështu, që e kemi kuptuar perfekt njëri-tjetrin, ngaqë ishte për neve si një evidencë! Ja kemi shpëtuar jetën njëri-tjetrit, e kemi frymëzuar, pasuruar njëri-tjetrin, dhe kemi funksionuar siç më thoshte shpeshherë Isa Visoça, si ato enët komunikuese, duke e kompletuar dhe ushqyer njëri-tjetrin në një duet të pashembull askund. E supozoj që thonin në elitën e Tiranës, mes mikrokozmit kulturorë apo akademik: “Po çka bën ky idiot i droguar, çdoherë i shoqëruar me nënën e tij në krahë, nëpër kafet e Tiranës?” Ha, ha, ha… Kurse, unë e kisha për kënaqësi për ta prezentuar kudo dhe tek çdokush, edhe tek Papa i Romës apo Presidenti amerikan, sepse ja kam ditur nivelin, kapacitetin, fuqinë inspiruese, dhe e dija mirë që do bind çdokënd që ka përballë saj, edhe në qoftë me 100 diploma, dhe që unë, djali i saj, do ngelem më në fund krenar. Dhe ashtu ka ndodhur deri në momentin kur na iku për në Kozmos, jo në klubin qesharak të futbollit në New-York, por në Kozmosin tjetër të paidentifikuar akoma siç duhet. “Na i çon disa lajme nga atje lart, e nderuar zonja Xhevahire? Po çka po thonë mbi neve Baballarët, mbi shqiptarët e trojeve ballkanike, mbi ata të Mërgatës së Qyqeve, mbi Botën mbarë? Çka mund të na këshillosh o Xhevahire Sadria nga Mali i Zi? A do e kam një vend të rezervuar andej apo jo? A mos më duhet ta përjetoj në ndonjë film hollivudian të Steven Spielbergut! Ua thuaj edhe një fjalë për mua, dhe për gjithë ata shpirtra të pastër që na dojnë!
Erdha të premten me 20 tetor pasdite në spitalin Valida, pasi kishe ndrruar jetë, për ta pa kufomën tënde, për të thënë lamtumirë, në atë dhomë të izoluar me Bazilikën e Brukselit në horizont dhe një qiell mjaft i bukur. Ti ishe aty duke fjetur qetësisht, me atë fytyrë paqësore, ëngjellore. Më erdhen pas ca kohë dy infermiere afrikane negroide, dhe më ngushlluan në lot… U habita deri në momentin, që i përqafova dhe i shtrëngova të dyja në krahë. Sepse, ishin super të prekura, të emocionuara dhe të përmalluara, pa a ditur fare se kush ishte nëna Xhevahire? Dikur më thanë: “Shikon zotëri, ta dish që kjo grua, nëna jote, na u ka dhimbur të gjithëve dhe gjithë Stafi mjekësor, me doktorë dhe infermierë, që kanë punuar në Katin e shtatë, kanë qajtur kur na ka vdekur, ngaqë nuk mujtëm për ta rianimuar… Nuk e imagjinoni sesa na ka prekur ikja e saj? Ka pasur diçka speciale nëna jote!” Waouw? Faleminderit…
Sinqerisht, u befasova, por edhe jo… Imagjinojeni një sektor i katit 7 të një spitali belg, me minimum 50 pacienta, mos më tepër, ku gjithë Stafi profesional mjekësor, e vajton vdekjen e papritur të nënës time Xhevahire Sadria, të cilin asnjëri prej tyre nuk e ka pasë njohur (pos që ishte për ta një emër formal me një numër dosje) E pra, i ka përfituar të gjithë, i ka prekur në shpirt, ua ka lënë një gjurmë gjithë atyre anonimëve për neve: me mjek dhe infermier belgë, marokenë, kongolezë, ruandezë, brazilianë, etjerë… Kjo pra ishte fuqia e saj komunikuese, prezenca e saj magjike, stili special i komunikimit me të gjithë! Dhe e kanë kuptuar perfekt, që kjo grua plakë, nuk është e ndërtuar sikurse të tjerat. Sepse, i ka uruar dhe bekuar në çdo veprim, e kanë vërejtur dritën e saj hyjnore në fytyrë, në ballë, në bebëzen e syrit, anën mistike të inspiruar, fjalët e peshuara, dhe ju është vulosur dikur në shpirt një imazh, një gjurmë!
Dostojevski thoshte, që shumica e njerzimit janë pjesë e tuneleve, e galerive nëntokësore, e errësive, e zonave të poshtme dhe ata do qëndrojnë gjithë jetën sikurse mijtë, skrajat, urithët në nivelin bazik të tokës, pa u ngritur kurrë më lart. Janë bubrrecët apo skllavet modern të sotit, të cilët veprojnë të robotizuar, prodhojnë dhe konsumojnë, pa shkuar më larg se aq. Por pastaj, është një pjesë e vogël dhe e zgjedhur që anojnë nga hapësirat e pafundme qiellore, të cilët kërkojnë diçka më hyjnore, më esenciale, më sekrete, më misterioze, pikërisht atë unitetin e humbur, pjesën e tyre të afërt me Zotin e plot fuqishëm, anën divine. Kurse Remboja, vëllai im shpirtëror na thoshte: “A e gjete? Çka? Përjetësinë? – Po, është Deti i ngjizur ose i dashuruar me Diellin!”
Nëna Xhevahire, sikurse Mozarti me disa të tjerë: kanë ardhur nga dikund. Në anën pragmatike apo teknike, kanë mbrri në tokë, sikurse të tjerët. Por ngjizja, ndërtimi fillestar, programimi i tyre qelizor, në ADN, ka qenë krejt tjetër, i diktuar nga Fuqia misterioze e padukshme dhe e pakapshme. Kanë ardhur me na dhënë diçka esenciale, me na lënë një porosi… Ku me e dijtë, mund të jetë edhe një provokim, një shkundje kozmike apo galaktike? Na çon Zoti nënën Xhevahire këtu poshtë për të na dhënë një leksion humanizmi, në kaosin tonë tokësor, ku askush nuk po merret vesh me askënd, dhe ku çdokush po zhytet në verbërinë e tij, si t’ishim në rifillimet e mesjetës moderne, të Vitit Zero, të barbarisë, siç më pat paralajmëruar në vitin 1991, tek Hotel Dajti me një biçikletë kineze të ndryshkur, zoti Jusuf Vrioni, miku im shpirtëror frankofon, i cili fatkeqësisht u viktimizua dhe nuk doli kurrë nga depresioni shqiptar, edhe pse kam pas tentuar për ta shkundur dy-tri herë. I thashë dikur: “Eja e të adoptoj si Babë shpirtëror në Bashkinë e Hamamit!” Qeshi dhe më tha: Do shohim, por së pari le ta shijojmë këtë verë franceze me një asortiment djathrash! Më duhet me punu në moshën time, për ta mbajtur vetën gjallë dhe gruaja ime vazhdon duke më torturuar psikologjikisht, pse po rri në Shqipëri me 100 dollarë pension mujor?
Mujë Buçpapaj, e ka përshkruar shumë mirë Biografinë jetësore të nënës Xhevahire, kështu që nuk po e ripërsëris këtu. Po ju flas me ato imazhe që më vijnë spontanisht tani për tani. Vepra e saj kryesore është Teqja apo Tyrbja e Sheh Ahmed Shkodrës, ku është fryma dhe shpirti i saj i gdhendur, deri në at pllakatën në mur. Bile ju sugjeroj që ta vizitoni nëse kaloni në atë qytet historik të Shqipërisë. I ka incizuar ato dy këngë mbi Kombin dhe besimin e saj Sufi… Mirëpo, e ka propozuar një tekst sublim me përmbajtje të fortë atdhetare me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare në vitin 2012, të cilin nuk ja ka marrë askush përsipri për ta adaptuar në këngë, ngaqë pseudokëngëtarët tanë shqiptarë, të abonuar në dasma, hotele, plazha dhe diskoteka, por jo në shpirtin apo misionin esencial të Artit, prisnin vetëm zarfën e mbushur plot lek, dhe nuk ju interesonte aspak amaneti Kombëtar i Xhevahire Sadrisë.

Kjo është fatkeqësia jonë! Viçi i Artë, Fausti dhe shkrirja graduale e vlerave shqiptare!

Tek Xhevahiria rrihte zemra e Kombit, frymonte oksigjeni shqiptar! Dhe më duhet për ta thënë, sepse është mjaft e turpshme dhe aspak dinjitoze. Teksti i saj, sipas meje, më i fuqishëm shumë se sa Himni jonë kombëtar, quhet: “O Shqipëri, drita jonë!” Ishalla do ta ketë dikush ndershmërinë dhe madhështinë shpirtërore, për t’ia interpretuar në një nivel të lartë.
Kjo Femër eksepcionale, e ardhur nga një Planet tjetër, nuk ka pasur asnjë lidhje evidente me familjen e saj, me vëllezërit dhe motrat e saj… ishte një kontramodel absolut, diçka surrealiste, sidomos në ato kohëra: më 1934, në Vuthaj… Imagjinojeni… na del këtu një top modele evropiane e Parisit! Waou… Qysh… si dhe pse? Por për fat, të gjithë familjarët e kanë dashur, respektuar dhe lënë në botën e saj. Unë e kam takuar në Bruksel, Tiranë, apo Prishtinë me të gjithë shokët e mi të fushave artistike dhe intelektuale, dhe të gjithëve ua ka lënë një kujtim të bukur ultra pozitiv. Nuk është aspak e rastit! E ka dashur si t’ishte nëna e saj, aktorja më e famshme franceze me 130 filma, Annie Girardot, dhe është interesuar nga afër mbi besimin e saj special dhe atipik edhe miku im filozof madhor francez Jacques Lacarrière.

Xhevahiria ishte sufiste, dervishe dhe kishte vizituar të gjitha vendet e shenjta në botë, muslimane, katolike, hebraike… pa dallime! Ka shkuar në pelegrinazh në Meke të Arabisë, por besimin e saj, e ka aplikuar lirisht me intuicionin dhe bindjen e saj, pa qenë e diktuar nga askush, as hoxhë, as prift, as popë, as rabin… sepse nuk ishte e lidhur me dogmat apo logjikën e institucioneve fetare, me anën hierarkike. Ajo e ka ndjekur vetëm rrugën e saj mistike, siç i kanë ardhur shenjat, mesazhet direkt nga qielli, pra nga Zoti… po, po, sepse ka folur direkt me Perëndinë, me Profetët, me Engjujt, me Baballarët dhe e ka pasur atë kanal direkt komunikimi, ngaqë ka qenë e zgjedhur për atë punë. Bile për ta konfirmuar, unë i kam pas konsultuar vetë direkt tre specialistë absolutë të teorisë së Sufizmit, teologë universitarë që e kishin studiuar thellësisht atë fushë të besimit, dhe të cilët kishin botuar libra-ese mbi atë besim atipik të muslimanizmit, filozofinë e tij të thellë, analiza e teksteve themeltare, e jo përralla kafesh. Dhe më thanë të gjithë: “Shiko ti zoti Sherifi, dije që nëna e juaj është e mbrrirë, e zgjedhur, krejt afër Zotit, më e afërt se sa ne me plot tituj dhe diploma… dhe ajo tani lutet për neve të gjithë dhe na jep energjinë e saj hyjnore… mirëpo, ja tepron dhe nuk ekonomizohet fare, kështu që duhet me i ndejtur afër, për ta mbrojtur sa më shumë, sepse është femër delikate dhe mund të thyhet si kristali. Nëna e jote e ka lidhjen direkte me Zotin dhe nuk ka aspak nevojë për ndërmjetësime. Është një shpirt puro i pastër, edhe sot në moshën e saj të avancuar, tamam siç ka qenë bebe në djepin e saj… diçka tepër e rrallë, ngaqë e ka ruajtur në pleqëri, pas një jete plot me vuajtje dhe prova të forta, atë shpirt të ndriçuar dhe hyjnor, komplet të pa njollosur. “Atëherë, çka kisha për të shtuar? Më bindën me argumente dhe ma mbyllën gojën. Shpjegimi ishte perfekt dhe i qartë, për ata që kuptojnë. Kurse për të tjerët, le të kthjellohen pak më shumë.
Nëna Xhevahire, e ka pasur diturinë e dhuruar nga Qielli, ka qenë e filtruar dhe e inspiruar, sikurse të Urtit, Shamanët, Dervishët madhorë emblematikë… e jo atë diturinë vetëm shkollore të mësuar, të studiuar dhe të ripërsëritur sikurse papagalli. Ka njohur misteret e jetës paralele, të padukshme, pak abstrakte me shenjat dhe gjuhën e saj të kodifikuar, të cilën e ka njohur edhe Viktor Hugo. Kurse neve, zakonisht nuk e njohim fare dhe na duket diçka delirante, si një film i Ridley Scott-it. Sepse, nuk i kemi filtrat e duhur, antenat, ndjenjat super fine dhe të stërholluara. Ma ka pasë lënë një amanet kryesor dhe disa porosi anekse, por ëndrra e saj ishte për ta pasur Teqen apo Tyrben e saj në Shqipëri, në Tiranë, një vend të vogël ku mund të vinin njerëzit për ta celebruar dhe për të medituar pranë varrit të saj. Mos harroni o të nderuarit Lexues, që kjo Femër unike është lutur gjithë jetën e saj me plot shpirt për Shqipërinë dhe për Kosovën, për Atdheun, dhe i ka paraparë të gjitha evenimentet kryesore të shekullit 20, me Murin e Berlinit, shkatërrimin e Komunizmit dhe të Bashkimit Sovjetik dhe pavarësinë e Kosovës… jam vetë dëshmitar me disa Burra, dhe të gjitha perceptimet e saj janë realizuar. Tani me qenë pak i ndershëm Shteti jonë shqiptar, pak mirënjohës, pak serioz, më duket që nëna Xhevahire, e cila ka pasur Zotin gjithmonë në gojë 24 orë në 24, e cila është lutur për neve dhe për Kombin shqiptar non stop, e cila na ka uruar dhe bekuar të gjithëve mbarë, pa asnjë dallim, e cila ka qenë 10 herë më besimtare dhe atdhetare se çdo shqiptarë që mund ta njoh unë… do e meritonte këtë shenjë respekti evident nga çfarëdo Qeverie shqiptare e Tiranës… me ja rezervue dikund në kryeqytetin tonë emblematik të shqiptarëve, disa metra katrorë tokë, për ta ndërtuar një Teqe modeste në shenjë nderimi ndaj Nënës Xhevahire.
Sepse, nuk ka qenë vetëm nëna ime biologjike dhe shpirtërore, por ka qenë edhe nëna e gjithë shqiptarëve, ata që e kanë pasë njohur dhe ata që nuk e kanë pas njohur fare, por akoma nuk e dinë!
Faleminderit prej jush… ju falenderoj dhe ju përqafoj të gjithëve me respekt.

Skënder Sherifi – me 24 tetor 2023, në Bruksel

Ta dini që nëna Xhevahire Sadria do varroset pikërisht në Bruksel, siç thoshte ajo “Toka e Zotit” edhe pse ndoshta ëndrronte për në Shqipëri, apo eventualisht në Mal të Zi, pranë prindërve të saj… Mirëpo, na ka përsëritur vet disa herë, për ta varrosur në Bruksel, për disa arsye që mund t’i kuptoj.
Nuk ka dashur me rënduar askënd, me qenë një barrë e komplikuar për veten e saj dhe për familjen e afërt. Për Xhevahiren autonomia e plotë ka qenë një parakusht i dinjitetin njerëzor… mos me qenë komplet e varur nga të tjerët, mos me penguar askënd. Dhe ashtu ka ndruar jetë, me një elegancë të paparë.
E çoj Zoti në tokë dhe i rikthyer pranë Zotit… erdhi direkt nga qielli, sepse nuk kishte asgjë tokësore apo materiale në realitet, pos shijeve gastronomike, verave të kuqe franceze dhe robëve në modë sikurse Mbretëresha e Anglisë, dëshira e saj për të shëtitur, me shkuar nëpër kafe dhe me takuar Njerëz të ngritur, filozofë, poet, artista… Të bëftë shpirti dritë, o Nëna Xhevahire.
Dije që do më mungosh përjetësisht dhe faleminderit për gjithë çka më ke ofruar në jetë! E di që sado që jam munduar, nuk mund ta kthej atë pasuri njerëzore, atë mirësi, atë inspirim, as për çerek… Por këto ishin mundësitë e mia, si anarshist i poezisë shqiptaro-frankofone.
Adieu et repose en paix au royaume des cieux, ma chère mère Xheva!

Me 16 tetor 2023 në Bruksel – Belgjikë

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.