back to top
22.5 C
Tirana
E diel, 28 Prill, 2024

A po përjetësohet e keqja e komunizmit në Shqipëri? – nga Frank Shkreli

Gazeta

Frank Shkreli
Frank Shkreli

A po përjetësohet e keqja e komunizmit në Shqipëri?

nga Frank Shkreli

Ky vit shënon 40-vjet nga fjalimi – ndoshta ndër më të rëndësishmit e ish-Presidentit Ronald Reagan, (para Shoqatës Kombëtare të Protestantëve Amerikanë në qytetin Orlando të shtetit të Florida, me 8 Mars, 1983), mbi “perandorinë e së keqës”, duke iu referuar ish-Bashkimit Sovjetik. Jam përpjekur që edhe në të kaluarën ta kujtoj atë fjalim të famëshëm dhe historik të ish-presidentit Ronald Reagan, për rëndësinë që kishte atëherë e që ka edhe sot – katër dekada më vonë pas shembjes zrytare të komunizmit. Pasi ky fjalim konsiderohet, nga historianët e sotëm, si fjalimi që inkurajoi shumë lëvizje anti-komuniste anë e mbanë Evropës Lindore/Qendrore, që më në fund çuan në ndryshimet politike dhe rrëzimin komunizmit zyrtar ndërkombëtar në Evropën Lindore e Qëndrore, me shembjen e Murit të Berlinit në vitin 1989. Frank Shkreli/ 30-vjetori i fjalimit mbi perandorinë e së keqes dhe fuqia e së vërtetës | Gazeta Telegraf –

Ronald Reagan & Helmut Kohl - Gjermani - Portat e Brandenburgut
Ronald Reagan & Helmut Kohl – Gjermani – Portat e Brandenburgut

40-vjet më parë, një president i Shteteve të Bashkuara, për herë të parë, e kishte cilësuar ish-Bashkimin Sovjetik dhe ideeologjinë komuniste që ai përhapte anë e mbanë botës, si një “perandori të së keqës”, si një superfuqi që nuk ishte, thjesht, si një kundërshtare politike në nivel ndërkombëtar, por mbi të gjitha, dhe në thelb, ishte një regjim imoral e barbar dhe kriminal – përgjegjës për vrasjen e mbi 100-milionë njerëzve në Evropë dhe anë e mbanë botës.
Fjalimi i ish-Presidentit Reagan ishte një shenjë e qartë për Amerikën dhe botën se, Shtetet e Bashkuara kishin marrë një qendrim të prerë moral se nuk do të toleronin më agresionin sovjetik komunist, anë e mbanë botës. Si rrjedhim, gjatë viteve që pasuan, Shtetet e Bashkuara shtuan ndihmat për forcat anti-komuniste, anë e mbanë botës, përfshi lëvizjet anti-komuniste në Evropë, siç ishte Lëvizja Solidarnost e puntorëve polakë, me në krye Lech Walesën. Sivjet, këtu në Shtetet e Bashkuara, 40-vjetori i fjalimit historik i ish-presidentit Reagan mbi “Perandorinë e së Keqes”, është shënuar me ekspozita, dokumente, fotografi e tregime mbi Luftën e Ftohtë, mbi përpjekjet dhe luftën për shembjen e komunizmit ndërkombëtar 40-vjet më parë kur ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara Ronald Reagan në emër të demokracisë dhe të vlerave amerikane kishte vendosur të merrte një qëndrim të prerë moral mbi komunizmin – “moral clarity” – për të luftuar komunizmin dhe trashëgiminë e tij deri në zhdukje – duke thënë se nuk mund të kishte “détente” as bashkjetesë me një regjim dhe ideologji kriminale që kishte pushtuar botën për disa dekada.
40-vjetori i fjalimit të Presidentit Reagan mbi “Perandorinë e së Keqes”, duke iu referuar ish-perandorisë komuniste sovjetike, përveç se kujtohet nga perspektiva historike duhet të jetë, njëkohësisht, edhe pjesë e eksplorimit të pasojave të komunizmit dhe trashëgimisë së kësaj ideologjie imorale, barbare e kriminale, edhe në ditë e sotme. Ndërsa shumica e ish-vendeve komuniste të Evropës lindore e qendrore – sot anëtare të Nato-s dhe të Bashkimit Evropian – kryesisht, i kanë luftuar dhe vazhdojnë t’i luftojnë pasojat e komunizmit në shoqëritë e tyre, ndërsa janë distancuar nga e kaluara e tyre komuniste dhe ndërkohë që kanë dënuar, zyrtarisht, krimet e “Perandorisë të së Keqes” komuniste sovjetike dhe të regjimeve të tjera komuniste – Shqipëria aktuale, 40-vjet pas fjalimit të famshëm të Presidentit Ronald Reagan dhe 30 e sa vjet pas shembjes së Murit të Berlinit – nuk e shqetësohet fare as nga e kakzara e saj enveriste, as nga krimet e komunizmit të regjimit të Enver Hoxhës. 40-vjet pas paralajmërimit të Presidentit Ronald Reagan mbi të këqiat e komunizmit në botë Shqipëria, jo vetëm që nuk përballet me të kaluarën e saj komuniste dhe as nuk dënon krimet e komunizmit, siç ka bërë shumë herët shumica e ish-botës komuniste, sdiomos në Evropë. Përkundrazi, Shqipëria u duk ditët e fundit – jo vetëm një vend i Evropës që nuk është përballur me të kaluarën e saj kriminale të komunizmit dhe as që ka dënuar të këqiat dhe krimet e komunizmit në territorin e vet. Në vend të kësaj, Shqipëria e sotme duket se po përpiqet të mos i bashkohet botës së qytetëruar duke dënuar krimet e komunizmit – por po punon seriozisht dhe me vendomsëri për të ruajtur dhe për të përjetësuar trashëgiminë dha pasojat e komunizmit të regjimit diktatorial enverist në jetën e përditshme politike, shoqërore dhe kulturore të vendit, duke filluar nga politika, drejtësia, akademia, shkollat dhe universitetet…
Gjatë takimit të nivelit të lartë të liderëve të rajonit dhe udhëheqësve të Bashkimit Evropian (BE), në Tiranë, kohët e fundit, pjesë e samitit historik të Procesit të Berlinit, autoritetet më të larta zyrtare të Tiranës u folën mysafirëve të vet me krenari për objektet e diktatorit – për “Piramidën e Enverit”, për “Vilën e Enverit”, madje në ditëlindjen diktatorit, se si këto objekte tani po “kthehen” në përdorime të dobishme për Shqipërinë, madje për botën – për “ateistët botërorë” të cilët do përdorin vilën 31 të Enverit, për të bërë vepra arti, pikërisht në shtëpinë ku planifikoheshin vrasje, krime kundër njerëzimit dhe barbarizma kundër shqiptarëve, kundërshtarë të keqës komuniste. Po “shndërrohen” në qendra arti e teknologjie për brezat e ardhëshëm, “si një mesazh domethënës i triumfit të lirisë mbi shtypjen, i së ardhmes mbi të shkuarën”, u shpreh Kryeministri Rama, me atë rast.
Në mendimin tim dhe në mendimin e shumë shqiptarëve, objektet e pagëzuara me emrin e diktatorit, si “Vila e Enverit” ose “Piramida e Enverit”, nuk do të përçojnë kurrë mesazhin “e triumfit të lirisë dhe shtypjes”, siç deklaroi Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama para mysafirëve të lartë evropianë në Tiranë disa ditë më parë. Këto objekte, do të njihen siç njiheshin në kohën e Enverit edhe gjatë regjimit komunist, “të Enverit”. Si rrjedhim, emri i diktatorit komunist do kujtohet nga brezat e ardhshëm, kurdo që të përmendet vila e tij dhe piramida – gjoja si qendra arti e teknologjie. Unë e shoh këtë propagandë të flliqtë nga autoritetet e Tiranës zyrtare, që iu servir evropianëve gjatë vizitës së tyre ë Tiranë – si një përpjekje të dëshpëruar nga ana e tyre për të zbutur kujtesën ndaj të kaluarës komuniste dhe krimeve të Enver Hoxhës për pothuaj një gjysëm shekulli në Shqipëri. Në të vërtetë, është një mesazh i qartë imoral se shëndërrimet e objekteve të Enver Hoxhës, në qendër të Tiranës, në objekte arti e teknologjie – nuk i shërbejnë as lirisë as demokracisë dhe nuk janë mesazhe të triumfit të lirisë mbi shtypjen, siç pretendoi Kryeministri i Shqipërisë. Por është një vërtetim i qëndrimeve imorale të kësaj klase politike dhe drejtësie të re shqiptare, që 40-vjet pas paralajmërimit të ish-Presidentit amerikan, Ronald Reagan mbi “Perandorinë e së Keqës” komuniste sovjetike dhe pas 30-e ca viteve të shembjes së Murit të Berlinit – që Shqipëria, në të vërtetë, po përjetëson atë të keqe komuniste, kriminale duke u përpjekur ta zbutë kujtesën e komunizmit – një sistemi politik njëpartiak të dështuar dhe një ekonomie, gjithashtu të dështuar dhe të korruptuar.
Vendimi i autoriteteve shqiptare në Tiranë për të shëndërruar ish-objektet e Enverit në objekte arti, teknologjie dhe kulture nuk është një qëndrim moral i prerë, për t’u distancuar, njëherë e mirë nga e kaluara komuniste dhe nga krimet e Ever Hoxhës – para Kombit shqiptar dhe para Evropës – por është një zbutje e asaj kujtese të tmershme për shumë shqiptarë, që në të vërtetë paraqet një dështim moral dhe një mungesë karakteri.
Morali dhe karakteri i atyre që e quajnë veten liderë të një vendi ose kombi – pasi udhëheqës ka pak në këtë botë – janë karakteristika të rëndësishme sepse përcaktojnë të tashmen dhe të ardhmen e një Kombi. Veprat dhe fjalët e juaja, gjatë 33 viteve të ashtuquajtur post-komunizëm, tregojnë se ju, si klasë politike e atij vendi, pa dallim, kini vendosur që në përjetësi të kujtohet Enver Hoxha në Shqipëri.

Ju lumtë, ta gëzoni!

Shtëpia e At Gjergj Fishtës në Lezhë
Shtëpia e At Gjergj Fishtës në Lezhë

PS: Oh, se gati harrova. Pasi qenkeni në këtë gjendje të gëzueshme shpirtërore për të rinovuar objekte të diktatorit, deshta t’u kujtoj autoriteteve të Tiranës se pasi qenkeni të gatshëm të bëni rinovime të objekteve të Enver Hoxhës për qëllime arti e kulture, e të cilat i njoftuat, pikërisht, në ditëlindjen e Enverit – a ka mundësi që nëse kini fonde shtesë nga rinovimi i objekteve të Enverit – qoftë edhe nga ndihmat e fondacionit prestigjioz francez “Art Explora” – t’i ndani mënjanë ca lekë për shtëpinë e Gjergj Fishtës.
Jam i vetdijshëm se gjatë tre dekadave të fundit të tranzicionit post-komunist, klasa politike shqiptare ka ruajtur një distancim të madh nga At Gjergj Fishta dhe veprat e tij, por jo nga e kaluara komuniste dhe nga krimet regjimit enverist. Megjithëkëtë, sa për informacion, po ju kujtoj se ditëlindja e Fishtës ishte me 23 Tetor. Po ua them këtë vetëm si kujtesë, nëqoftse dëshironi ta përdorni ditëlindjen e Poetit Kombëtar, si shkak për të bërë ndonjë punë të mbarë për Kombin shqiptar!
Frank Shkreli

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.