back to top
6.5 C
Tirana
E shtunë, 7 Dhjetor, 2024

Lazër Radi: Letrat e Klaudias – (Dorëshkrim)

Gazeta

Lazër Radi: Letrat e Claudias (Dorëshkrim)
Lazër Radi: Letrat e Claudias (Dorëshkrim)

Lazër Radi: Letrat e Claudias (Dorëshkrim)

Nuk desha me e përmendë Klaudian në këto kujtime të largëta, sepse s’e kisha ndërmend me i lëndue do plagë shpirtnore që vetëm “erosi” din të hapë në zemrën e nji të riu…
Ishte delikate nga shtati, nji fishkull e gjatë, me t’u dukë si ato selvitë e bjeshkëve tona. Flokët e verdhë e me dallga i derdheshin plot hir mbi supe. Sytë e kaltër dhe fytyra e mprehtë, shikimi depërtues dhe i mendueshëm i jepnin qëndrimit të saj nji nur e nji finesë që binte në sy qysh në shikimin e parë.
U njoftëm nji mbasdreke çaji, organizue në shtëpinë e nji markeze romane, nji shoqe e imja e universitetit. E ftova disa herë në vallëzim, kohë gjatë së cilës patëm rast me i hedhë njeni tjetrit shikime domethanëse. Shpesh, mjafton nji shikim diskret, me u bà urë elokuente e nji bisede të tanditshme. Në mbyllje t’asaj mbasditeje dolëm të gjithë bashkë, dhe ashtu grumbull bamë nji copë rrugë në kambë.
Që ta merrja vesh unë, Klaudia i tha markezës, se të nesërmen në orën dhjetë së bashku me të motrën do të shkonin në “Santa Maria degli Angeli” kisha përballë Sheshit Ezedra, për meshën e orës njimbëdhjetë.
Me kaq u ndamë pa i dhanë pikpjekje njeni tjetrit.
Të nesërmen, nji forcë e mbrendshme më shtynte me shkue në kishë në orën që Klaudia dhe e motra do të ishin atje. U përpëlita pak, po ma në fund vendosa të shkoj.
Kisha ishte e mbushun plot. Zuna vend diku nga fundi, gjithnji afër derës me qëllim që në bisht të synit t’i kontrolloja hymje daljet. Për fat aty takova edhe me nji shokun tim, dhe mbas meshe me biseda “kodra mbas bregut” u përpoqa me e mbajtë afër, me përligjë vonesën time në dalje. Ndërsa kisha boshatisej, Klaudia s’po dukej kund. Kur i afrohemi portës së daljes, dallova at kapelen karakteristike që kish pasë nji ditë ma parë. “Vajza në krah që i ngjan shumë, sigurisht do të jetë e motra!” – mendova me vedi. Për nji çast u pamë të dy dhe përshëndetjen e saj, e përcolla me nji “Më fal”, duke u përshëndetë me shokun tim dhe duke u drejtue pak me ngut nga vajzat. Menjiherë ia lexova në sy kënaqsinë që më shihte aty, dhe mbasi u përshëndetëm miqsisht, si të njiheshim prej kohësh, dy motrat më futën në mes, e duke i dredhue shatërvanit të famshëm të sheshit morëm rrugën Nacionale, u futëm në të majtë, ku ishte nji bar luksoz, në të cilin gjithë ne të abonuemit e pension Europës, shkonim aty shpesh për ndonji aperitiv…
Dy vajzat morën diçka freskuese, kurse unë “Imperialin” tim të zakonshëm. Karrige në lokal s’kishte, po vetëm ca stola të naltë pranë banakut, për me i konsumue gjanat në kambë, dhe me ua lirue vendin klientve të tjerë. Ne me pijet tona në dorë zumë vend në nji qoshe. Linda, motra e Klaudias, kur mori vesh se isha “aa albanese…”, tregoi menjiherë interes dhe nisi me me pyetë për Shqipninë, të cilën e njihte përmes pushtimit dhe Viktor Emuanuelit, i cili tashma quhej edhe mbret i Italisë dhe Shqipnisë…
Më pyeti për natyrën, për zakonet, për gjuhën duke mendue se Shqipnia gjendej diku në Afrikën e Veriut, afër Abisinisë. Kur i shpjegova se vetëm nji grykë deti na ndante u çuditën të dyja dhe ju mbeti goja hapë… Dhe kur u shpjegova se atje kisha mbarue vetëm shkollën e mesme të kulturës së përgjithshme dhe nisa me iu folë për kulturën, politikën, historinë, u banë edhe ma të habituna dhe goja u mbetesh edhe ma e hapun!!
Biseda zgjati, aq sa u harrue se ishim në kambë. Asokohe isha nën ndikimin e novelave të “Hijes së maleve” të Koliqit dhe kur nisa me rrëfye gjana interesante, ato mbetën të gozhdueme edhe nga ajo lehtësi komunikimi, për të cilën tashma isha mjeshtër…
Kur dolëm prej lokali vajzat m’u lutën që rrugët deri te shtëpia e tyne ta banim në kambë. Ishte mjaft rrugë, sepse duhej përshkrue krejt rruga Nacionale, duhej zbritë në sheshin Venecia dhe njena prej shtëpive të para të rrugës Viktor Emanuele ishte edhe banesa e tyne.
Duke dashtë më shfrytëzue ekzotizmin e vendit tim dhe at mënyrë të rrëfyemi që më ka ndihmue gjithë jetën, ajo rrugë pothuej tre kilometra u ba pa u ndje hiç.
Me at rast, po shfrytëzoja legjendën e Shehrazades së “Njimijë e nji netve”, që ndamja të ndodhte në nji pikë kulmore… Edhe pse gjatë gjithë kohës po tregoja gjana mjaft interesante, kur mbërritëm para portonit të shtëpisë së tyne, e ndërpreva rrëfimin… bash në nji çast kulmor, në mënyrë që të mbetesh atyne kureshtja me m’ftue nji herë tjetër…
Shumë miqsisht u përshëndetëm dhe u ndamë.
S’dhamë as pikpjekje, as adresa, as numra telefoni, sepse të dyja palët ishim të binduna se kjo gja do të ndodhte shumë shpejt.
I hypa autobusit në sheshin Ezedra për me drekue në pension. Gjithë rrugës më shfaqej fytyra e Klaudias, që edhe pse kishte lanë të motrën me shuejtë kuriozitetin, gjatë gjithë kohës më kish ndjekë me vëmendje dhe me shumë afeksion. Vrisja mendjen si mund të takoheshim përsëri. Diçka na kish tërheqë të dy palëve qysh në çastin e parë, po asnjeni s’kish marrë guxim me u shprehë, duke mbetë të dy në pozitat e stepjes. Unë vendosa me u mbyllë në vetvedi e mos të bahesha i gjallë për do kohë, të paktën t’mos isha unë ai që kambngulja. Doja me pa reagimin e saj dhe si do t’i jepte ajo zgjidhje kësaj pune!
Java kaloi në heshtje dhe e shtuna erdhi shpejt.
Shoqja e Klaudias, markezina, për at fundjavë organizonte nji tjetër mbasdite çaji me vallzim. Dy ditë ma parë më kishin ftue edhe mue… pse e mora vesh se ishte e ftueme edhe Klaudia, atë të shtune vendosa të mos shkoj…
Anzonia-n, të zonjën e shtëpisë ku jetoja, e porosita me shpjegue se po merresha me disa artikuj për gazetat dhe se nuk ndodhesha në shtëpi për askënd. Si grua shumë e rregullt e korrekte, ajo çdo porosi timen e zbatonte me nji përpikmëni gjermane. Nuk kam njoftë nji të dytë si ajo!
Dola në qendër të Qytetit, porosita nji kosh të mbushun me lule të bukura dhe të shtrenjta, shkrova nji kartëvizitë, ku me keqardhje u kërkoja ndjesë për pamundësinë, që të isha i pranishëm edhe vetë në at mbasdite, por ajo tufë lulesh në mënyrë simbolike do ta zavendësonte mungesën time. Kur erdha në shtëpi, Anzonia e shqetësueme më del përpara, dhe më thotë se kishin telefonue disa herë Markezina dhe nji zonjushë e quajtun Klaudia. E falënderova për justifikimin e saj, po ma shumë m’u ba qejfi për telefonatat e tyne.
Pashë orën, kishte kalue katra. E dija që aty rreth orës pesë mbasdite, niste me u shpërnda çaji. I shkoj Anzonia-s me kujdes dhei them:
-Nëse më telefon ndokush, i thuej se sapo asht kthye… dhe më thirr në telefon, se flas vetë!
Nuk vonoi dhe pak para orës pesë u ndigjue zilja e telefonit. Edhe pse punoja në studio, mendjen e kisha aty… te telefoni. Mbas pak Anzonia më lidhi me vajzat. Në anën tjetër të riçevitorit ndigjova zanin e ambël të markezinës, e cila ndërsa më falënderonte me fjalë të zgjedhuna për shportën e bukur të luleve, shprehte edhe keqardhjen e saj për mungesën time në at mbasdite fantastike. I thashë se kisha i dhanë fjalën dikujt, dhe s’mund ta ktheja mbrapsht…
-Po do të kemi raste të tjera të takohemi e të kënaqemi së bashku – u thashë duke i falënderue me mjaft delikatesë për ftesën.
-Nji minut, mos u largoni Zoti Radi, dikush kërkon me ju përshëndetë.
-Kush? – pyeta unë
-Ja ndigjoje – tha markezina, dhe nji tjetër za u ndigjua të më përshëndesë.
-Oh, ju zoti Radi?
-Po unë personalisht! Kush jeni ju lutem? Më duket nji za paksa çuditshëm në telefon!
-Za i bukur a i shëmtuet?
-Jo, zà i panjoftun dhe i çuditshëm…
-Domethanë i papërcaktuem i pangjyrë si uji…
-Kush jeni ju lutem? – pyeta edhe pse e dija mirë se kush ishte në anën tjetër.
-Për sot s’kam emën… – u përgjigj i zemruem zani në anën tjetër, ndërsa telefoni iu kthye markezinës.
-Zoti Radi, pse kjo arrogancë?
-Më vjen keq, unë s’e njof arrogancën. Kur dikush më flet në telefon, mendoj se ashtë i domosdoshëm prezantimi. Më fal, kur keni vërejtë të jem sjellë ndonjiherë si arrogant?
-Jo asnjiherë, – u përgjigj markezina – po me Klaudian kësaj here s’u tregove aspak fantastik si herët e tjera.
-Oh me Klaudian! Po me zonjushën Klaudia kemi ditë pa u pa dhe pa u ndigjue. Pse ndodhet aty? A mund të ma kaloni pak ju lutem!
-Sigurisht, me shumë kënaqsi! – tha markezina, ndërsa në të dy anët e telefonit u krijue nji gjendje pauze, derisa u ndigjua nji zà paksa i ftohtë dhe i largët.
-Po Klaudia jam.
-Po si je Klaudia? Kaluen kaq ditë pa u pa. Ta dish se ju kam kujtue shpesh edhe ty edhe Lindën. Oh, jam ndje mjaft i kënaqun në shoqninë tuej. S’e di ju si jeni ndje me mue? Do dëshiroja shumë të ishim përsëri bashkë!
-Ne mirë, shumë mirë. Linda s’ka pushue së foluni për ty… Edhe im atë, edhe kunati kanë shumë dëshirë me ju njoftë mbas fjalëve të saj.
-Ndoshta të shtunën që vjen, nëse ju nuk keni ndonji angazhim tjetër… Mendojeni nëse mund të shkojmë së bashku te “Casino delle rose”!
-Deri të shtunën e ardhshme i thonë dy javë pa u pa!
-Atëherë shihemi nesër në meshë, si të dielën që shkoi.
-Po pse nesër, dhe jo tash?! Unë dal prej këtu, del edhe ti dhe takohemi diku nën portikët e Ezedrës. Ma merr mendja se kjo asht gjaja ma e kollajtë!!
S’kisha asnji arsye ta kundërshtoja… Bile në fund të fundit ky kishte qenë edhe krejt qëllimi i sjelljes sime…

 

 

 

 

Related Images:

More articles

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.